Intervistë me Petro Koçin
Pengesat e maxhorancës për reformën zgjedhore, qëndrimi i PS-së dhe zgjedhja e presidentit nga e djathta
Kryetari i PSV ‘91, Petro Koçi, shprehet disi optimist për plotësimin e kërkesave të partive të vogla nga PS-ja, këtë ai e mbështet mbi atë që zoti Rama vazhdon të konfirmojë në takimet tona si edhe në shqiptimet publike qëndrimin aktiv për korrigjimin e sistemit zgjedhor, përveç ndryshimeve që kapin kuadrin e garantimit të një procesi votimi e pastaj numërimi të votave në mënyrë të drejtë. Ndërkohë që lidhur me zgjedhjet e ardhshme ai ka theksuan në një intervistë për “Telegraf”, se ne jemi përcaktuar për bashkëpunim dhe koalicion me PS. Pretendimet e Berishës për President, ai sheh si një mundësi për të përfituar nga ndryshime të papjekura kushtetuese të 21 Prillit 2008 dhe ai synon zgjedhjen e një Presidenti PD-ist që zbaton politika në favor të mbulimit të korrupsionit të qeverisë dhe administratës aktuale politike.
-Zoti Petro, nga zhvillimet e deritanishme sa besim keni se reforma do të përfshijë kërkesën e partive të vogla që kanë të bëjë me korrektimin kombëtar?
-Reforma nuk është një çështje me interes të ngushtë, por një interes i madh e i gjerë demokratik. Nuk është çështje plotësimi kërkesash të partive të vogla apo të mëdha, por çështje e plotësimit të kërkesave për më shumë demokraci, pluralizëm dhe moderacion antikrizë. Pra ka rëndësi të kuptohet se Reforma Zgjedhore që nuk korrigjon mbrapshtësitë e këtij sistemi nuk përbën një produkt ligjor që neutralizon shkaqe thelbësore të riciklimit të krizave politike. Shmangia e monopolizmit politik duhet të jetë objektiv demokratik dhe reformist i gjithë opinionit publik dhe i forcave progresiste politike në vend. Dua të them qartësisht se kërkesa për reformim të sistemit nuk është një preokupim egoist, por një hall i madh parimor.
-Para pak ditësh zoti Milo, la të nënkuptohej se, nëse nuk do merreshin parasysh kërkesat e partive të vogla nga PS-së, në zgjedhjet e 2013, PSD, PDS, dhe PSV ‘91, mund të jenë jashtë koalicionit me PS-në. Mund të na thoni diçka më shumë në lidhje me bashkëpunimin për 2013?
-Ne shpresojmë se Partia Socialiste do t’i qëndrojë dokumentit të përbashkët të opozitës lidhur me kërkesat për një Reformë të plotë Zgjedhore. Zoti Rama vazhdon të konfirmojë në takimet tona si edhe në shqiptimet publike qëndrimin aktiv për korrigjimin e sistemit zgjedhor, përveç ndryshimeve që kapin kuadrin e garantimit të një procesi votimi e pastaj numërimi të votave në mënyrë të drejtë e të ndershme. Ne e kemi të qartë se deri tani mbetet zoti Berisha dhe interesat e tij të korruptuara politike pengesa për reformimin e sistemit tonë zgjedhor. Në këtë këndvështrim duhet të jenë partitë aleate të PD-së, që mund të luajnë një rol më luajal ndaj tryezave të përbashkëta dhe vlerësimeve të tyre pro korrigjimit. Lidhur me zgjedhjet e ardhshme ne jemi përcaktuar për bashkëpunim dhe koalicion me PS. Sigurisht që marrëveshja elektorale është akoma shpejt për tu hartuar, por gjithsesi në mënyrë të natyrshme duhet menduar për formulimin e garancive që sjellin shmangien e pasojave përjashtuese të sistemit të sotëm zgjedhor.
-Zgjedhja e Presidentit, është një tjetër çështje shumë e rëndësishme, ku maxhoranca pretendon se e ka ajo dhe opozita kërkon një president konsensual. Sa i realizueshëm ju duket?
-Presidenti duhet të jetë një figurë që përfaqëson unitetin e popullit, d.m.th ky përcaktim kushtetues e detyron konsensualitetin zgjedhor të Presidentit. PD në fakt nuk ka hallin e Presidentit sesa të Prokurorit të ri të Përgjithshëm që zgjidhet pas tij. Prandaj Berisha duke përfituar nga ndryshime të papjekura kushtetuese të 21 Prillit 2008 synon zgjedhjen e një Presidenti pëdëist që zbaton politika në favor të mbulimit të korrupsionit të qeverisë dhe administratës aktuale politike. Ndërkohë ka qëndrime të qarta ndërkombëtare në favor të një Presidenti konsensual. Dhe opozita bën mirë që kërkon një opsion të tillë, i cili përbën edhe një lloj autokritike për ndryshimet kushtetuese të legalizuara edhe prej saj në legjislaturën e kaluar.
-Në vendin tonë sot është i pranishëm zoti Sanino, i cili theksin e tij e vendos tek vazhdimi i reformave, për marrjen e statusit. Sa të angazhuar e shihni maxhorancën për çuarjen para të këtyre reformave?
-Maxhoranca vazhdon të provokojë rrëzimin e mundësive për kosensus në ligjet me 3/5 duke shpërdoruar vendimmarrjen parlamentare me 50% të votave. Nga ana tjetër korrupsioni gjithëpërfshirës e ka shteruar aftësinë politike të qeverisë për të ndërmarrë reforma me interes kombëtar.
-Mund të shtoni dhe diçka në lidhje me takimin që zhvilluat ditën e djeshme?
-Situata politike dhe Reforma Zgjedhore ishin në qendër të diskutimeve të tryezës së opozitës. Mendoj se, u arrit në disa konkluzione pozitive dhe u përcaktuan hapa konkretë në thellimin e plotësimin e konceptit bashkëpunues e fitues të zgjedhjeve të ardhshme.
-
1 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Flet astrologia Meri Shehu
- Dashuri engjëjsh
- Sondazhi në "Telegraf"
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj