Diplomacia, çerdhe nepotizmi
POLITIKA E JASHTME/Emërimet nepotike në diplomaci, opozita “kryqëzon” zv.kryeministrin Haxhinasto
Në të vërtetë, dukuria e nepotizmit nuk është e re në shoqërinë shqiptare. Madje mund të themi pa frikë se kjo dukuri ka qenë mbizotëruese edhe në kohën e monizmit, edhe në këtë të demokracisë pluraliste të pas viteve 1990. Por përmasat e frikshme që ka marrë vitet e fundit, sidomos në fushën e diplomacisë e shfaqin nepotizmin si një sëmundje gërryese të demokracisë. Faktet janë kokëforta dhe deklaratat e pushtetarëve aktuale zhvlerësohen si me magji përpara tyre.
Diskutimi në komisionin parlamentar
Zv.Kryeministri dhe njëkohësisht Ministër i Jashtëm Edmond Haxhinasto është vënë dje “me shpatulla pas muri” në seancën dëgjimore në Komisionin Parlamentar të integrimit evropian. Emërimet politike dhe nepotike në radhët e diplomacisë kanë qenë shqetësimi kryesor i deputetëve të opozitës në këtë komision çka e ka vënë ministrin në situatë të vështirë për tu mbrojtur. “Çdo njeri që është paguar në shërbimin diplomatik jashtë kuadrit ligjor në fuqi duhet së bashku me personat që kanë bërë pagesat t’ia kthejnë djersen buxhetit të shtetit dhe shqiptarëve një më një. Nuk është bindja juaj individuale por nëse kërkoni bashkëpunimin tonë të sinqertë duhet të bëjmë analizë të sinqertë. Të çojmë në misionet diplomatike njerëzit e duhur dhe personazhet e administratës politike nuk duhen bërë pjesë e shërbimit diplomatik. Dhe këtë nuk jua lejon ligji zoti ministër”, u shpreh kryetari i Komisionit, deputeti Ditmir Bushati. Sakaq, deputeti Taulant Balla tha se disponon në letër të gjithë emërimet nepotike në Ministrinë e Punëve të Jashtme. “Thatë se do të legalizoni ndërtimet pa leje në diplomaci me një ligj zoti ministër. 17 deputetë kanë konflikt interesi dhe ai ligj nuk kalon dot në parlament. Më jep kriteret e pranimit të dhëndrit të Jozefina Topallit dhe unë ta votoj ligjin. Neni i parë i ligjit duhet të jetë se asnjë deputet, asnjë ministër, asnjë kryetar parlamenti të mos ketë njerëz të vet në shërbimin diplomatik”, insistoi Balla. Deputetja demokrate Rajmonda Bulku e gjendur në një pozitë të vështirë për shkak të implikimit në emërimet nepotike tha se, “nëse merr një CV dhe shikon fëmijët tanë do punojnë ku të duan. Lereni konfliktin e interesave por shikoni sa me dinjitet janë dhe thoni faleminderit që janë marrë në punë. Përkundrazi duhet të thoni e meriton dhe të rrijë aty se mirë e bën këtë punë”. Zv.kryeministri Edmond Haxhinasto duke ju drejtuar deputetëve të opozitës tha se “koncepti juaj për reformën mbetet tek disa emra të përvetshëm me apo pa lidhje me përfaqësues të caktuar. Nuk janë vetëm të maxhorancës por më tej, por ata kanë të drejtën që për shkollat që kanë bërë, integritetin dhe kualifikimet të kenë të drejtën të punojnë edhe në shërbimin e jashtëm”.
Emërimet nepotike
Gazeta “Telegraf” disponon një listë me emra të punësuar gjatë viteve të fundit në Ministrinë tonë të Punëve të jashtme. Janë emra njerëzish, “merita” e vetme e të cilëve është se janë të afërm të njerëzve me pushtet e me ndikim. Vini re: është një listë me pak emra, që ka lidhje vetëm me diplomacinë. Në dikastere të tjera ka ndodhur e njëjta gjë. Nënvizojmë, që në listën e mëposhtme janë vetëm emërimet nepotike; mungojnë emërime të tjera të bëra me logjikë klienteliste e partiake. Ata që janë emëruar në këmbim të kontributit partiak, të militantizmit politik apo të shërbimit klientelist nuk kanë të numëruar. Kjo listë nuk ka nevojë për shumë koment:
1. Lorena Gjana, vajza e Jemin Gjanës, është emëruar në Ambasadën tonë në Prishtinë.
2. Rumina Hajdari, vajza e Azem Hajdarit, është punësuar në Ministrinë e Jashtme, Tiranë.
3. Albjon Bogdani, i vëllai i Gerti Bogdanit, është punësuar në Ministrinë e Jashtme në Tiranë.
4. Gjon Çoba, i vëllai i Jozefina Topalli, është emëruar në konsullatën shqiptare në Milano.
5. Nausika Spahia, vajza e Ali Spahisë, është emëruar konsulle e përgjithshme në Milano.
6. Sokol Beja, djali i Fatos Bejës, është emëruar në Ministrinë e Punëve të jashtme, Tiranë.
7. Djali i avokatit të Lulzim Bashës është emëruar në ministrinë e Punëve të Jashtme, Tiranë.
8. Vajza e kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, është emëruar në Ambasadën tonë në Austri
9. Djali i Neritan Cekës është emëruar në Ambasadën tonë në Vjenë.
10. Dhëndëri i Jozefina Topallit është emëruar në Ambasadën tonë në Paris.
11. Ilda Zhulali, gruaja e Aldo Bumçit dhe vajza e Safet Zhulalit, është emëruar në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
12. Vajza e Ismail Kadaresë është emëruar në Ambasadën tonë në Paris.
13. Vajza e Rajmonda Bulkut ne konsullatën shqiptare ne Selanik
Pjesëtarë dhe të afërm të familjeve të drejtuesve të mediave të lidhur me interes e pushtetit ndodhen ne ambasadat tona në Itali, Turqi, Spanjë deri në Amerikë. Fjala vjen, nuk përmendet në këtë listë emri i ambasadorit tonë në Zvicër Mehmet Elezit, një nga njerëzit e vjetër të nomenklaturës së lartë ish-komuniste që ka mundur të mbijetojë edhe në demokraci falë lidhjeve të tij të forta me pushtetarët aktualë. Mbase nuk do ta kishim përmendur fare Mehmet Elezin, pot ë mos mësonim edhe faktin tjetër se atij i ka kaluar mandate dhe vazhdon të jetë i pandryshueshëm në Zvicrën e ëndrrave, sikur të jetë i pazëvendësueshëm. Shumëkush mund të pyesë: Nga i vjen gjithë kjo mbrojtje Mehmet Elezit? Po të tjerëve, nga ju vjen? Lista e mësipërme është lista e njerëzve të emëruar pa konkurs, e në kundërshtim me ligjin. Lidhjet nepotioke dhe krahinore në Ministrinë e Rendit kanë bërë që krimi të lulëzojë dhe të ketë mburojë dhe suport pikërisht drejtuesit më të lartë dhe duke zbritur deri në bazë.
Flasin për “Telegraf”
Marko Bello
Po, unë fola për këtë çështje edhe në komisionin e integrimit, ne shprehëm shqetësimin që puna e ministrisë së Jashtme është zbehur për shkak të këtyre lidhjeve nepotike që janë bërë aty. Në këtë ministri nuk flitet për njerëz me merita, pasi aty janë njerëzit e tyre të afërt, si gratë apo baxhanakët, apo fëmijët e të gjithë pushtetarëve. Ata e kanë konsideruar ministrinë si një çerdhe të ngrohtë. Pastaj Ministria nuk duhet të jetë e tillë, pasi ministria, është shtet, prandaj duhet urgjentisht që këta njerëz që janë marrë jashtë kritereve të largohen nga Ministria e Jashtme. Për këtë i bëmë thirrje ministrit, që të ketë kujdes me ligjin e ri të pushtetit dhe e konsideruam si një ndërtim pa leje. Ligji duhet të legalizojë ndërtimet pa leje, ndërsa ministri duhet të mos legalizojë qëndrimet e padrejta.
Tritan Shehu
Deputeti i Partisë Demokratike dhe njëherësh ish-ministri i Jashtëm, Tritan Shehu, i mohon akuzat e opozitës për punësim mbi lidhje nepotike në Ministrinë e Jashtme, madje ai e vlerëson stafin e kësaj ministrie për punën e mirë që ka bërë. “Në Shqipëri puna e politikës së jashtme është shumë e vlerësuar, po ashtu dhe stafi që punon në këtë ministri është i zgjedhur me racionalitet. Po ashtu janë me vizion dhe ka përmbushur politikat e maxhorancës me mjaft sukses. Kështu që unë mendoj që puna e kësaj ministrie është për t’u vlerësuar dhe do të shtoja që akuzat e opozitës janë të pabaza” u shpreh për “Telegraf”, deputeti Shehu.
-
1 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Flet astrologia Meri Shehu
- Dashuri engjëjsh
- Sondazhi në "Telegraf"
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj