Hyrje | Politike | Intervistë me Olta Xhaçkën

Intervistë me Olta Xhaçkën

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Qëndrimi i opozitës dhe i maxhorancës për sistemin zgjedhor. Hetimi i 21 janarit dhe 84 votat për Presidentin

 

 

 







Për deputeten e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka, ajo që ka rëndësi më shumë për reformën zgjedhore dhe për të cilën shqetësohet opozita, është që kjo reformë duhet të jetë një garant për zgjidhje të lira dhe të ndershme, pasi mungesa e këtyre zgjedhjeve është dhe një nga arsyet që po na mban larg nga Europa. Deputetja Xhaçka, në një intervistë për “Telegraf”, është shprehur skeptike, përsa i përket qëndrimit të maxhorancës për reformën, pasi sipas saj nuk i intereson Sali Berishës një sistem zgjedhor i standardeve europiane. Zgjedhjen e Presidentit, sipas kushtetutës e shikon si një domosdoshmëri, që e kanë kërkuar dhe ndërkombëtarët. Përsa i përket hetimit të 21 janarit, ajo ka shtuar se puna e prokurorisë është e përgëzueshme dhe PS e mbështet atë duke i hapur rrugë hetimit edhe duke votuar për heqjen e imunitetit të tre deputeteve tanë sipas kërkesave të prokurorisë.

-Reforma zgjedhore është ndër pikat kryesore, mbi të cilën po punohet, si po ecën puna për reformën dhe sa po reflekton PS-ja, për kërkesat e partive të vogla?
-PS e ka shprehur vullnetin e saj se mbështet një reformë që favorizon partitë e vogla. Ajo çfarë na shqetëson, është problemi i çdo qytetari shqiptar që kërkon një sistem zgjedhor të standardeve më të mira, është një reformë e mirëfilltë që adreson përfundimisht problemet madhore që shoqërojnë zhvillimet e zgjedhjeve në Shqipëri. Duam një reformë që të adresojë përfundimisht ato që janë shqetësimet tona por edhe rekomandimet e OSBE/ODIHR-it që kanë të bëjnë me vërtetësinë e transparencën e listave zgjedhore, identifikimin e zgjedhësve që të mos votojnë më me karta false, problemin e administratës zgjedhore e komisionit të zgjedhjeve për ta depolitizuar atë, problemin e numërimit maratonë të votave etj., etj.. Për këto probleme e të tjera që reforma duhet të adresojë që të jemi në një linjë me aleatët tanë opozitarë por edhe me partnerët ndërkombëtarë. Kjo reformë do të ishte garant për zgjedhje të lira, të ndershme e të pakontestueshme, mungesa e të cilave  është ndër kushtet kryesore të paplotësuara që na ndan me Europën. Ky qëllim na bën bashkë përtej interesave të ngushta të partive respektive. 
-A e shihni maxhorancën në të njëjtën linjë brenda komisionit të reformës për të reflektuar pozitivisht ndaj kërkesës së partive të vogla?
-Maxhoranca ka shprehur vullnetin për të bërë një reformë sipas rekomandimeve të organeve ndërkombëtare që monitorojnë sistemet zgjedhore në Shqipëri. Mbetem skeptike pasi Sali Berisha kështu është shprehur pas çdo palë zgjedhjesh për ta vërtetur çdo herë se nuk e ka pasuar aspak seriozisht dhe sot administron pushtetin e votave të vjedhura në interes të oborrit të tij familjar e politik. Sali Berishës nuk i intereson një sistem zgjedhor i standardeve europiane. E megjithatë, në emër të interesit kombëtar e publik PS është ulur në tryezën për reformën e gatshme për të bërë kërkesat e saj për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Marrëveshjen nuk e kemi me ata, por me Shqipërinë europiane e kjo është shtysa jonë pavarësisht vullnetit të maxhorancës.
-Një ngjarje tjetër e rëndësishme që ka të  bëjë me zhvillimet politike të këtij viti është dhe zgjedhja e Presidentit. Edhe pse është ende herët, janë bërë publikë disa emra, si zonja Topalli apo dhe zoti Nano. Si do i komentonit këto emra?
-Mendoj që është herët për të komentuar emrat. Për momentin shqetësohemi qe procesi të jetë sa më transparent e gjithëpërfshirës për të prodhuar emrin që do të jetë garanti i Kushtetutës dhe i unitetit kombëtar.
-Partnerët europiane bëjnë thirrje për një President me shumicë të cilësuar që përfshin minimalisht 84 vota. Ndërsa maxhoranca pretendon se e ka ajo Presidentin, si do e komentonit deklaratën e ndërkombëtarëve dhe si do e komentonit deklaratën e maxhorancës?
-Ju thashë edhe më parë, si një institucion tejet i rëndësishëm, Kushtetuta e Republikës sanksionon se “Presidenti i Republikës është kryetar i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit.” Si i tillë, fryma e kushtetutës kërkon një president që përfaqëson unitetin e popullit, jo vullnetin e një maxhorance. Është pikërisht kjo frymë që partnerët tanë ndërkombëtarë kërkojnë të materializojnë. Transparenca dhe gjithëpërfshirja e këtij procesi është një provë e maturisë së klasës politike për fatin e demokracisë, institucionit të vetë presidentit, gjyqësorit, institucioneve të tjera të sigurisë kombëtare, shtetit ligjor dhe ndarjes së pushteteve. Në këtë kuptim, një proces i tillë me pasoja të jashtëzakonshme për demokratizimin e mëtejshëm të vendit, është gjithashtu parakusht për integrimin europian të Shqipërisë.
-Një çështje mjaft e rëndësishme që po pëson zhvillime të reja është hetimi i ngjarjes së 21 janarit, si e vlerësoni punën e Prokurorisë në këto momente dhe si i cilësoni “sulmet” që po bëhen nga maxhoranca mbi Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama?
-Puna e prokurorisë është e përgëzueshme dhe e shumëpritur në kushtet e një vendi ku pushteti vidhet, pushteti vjedh e pastaj vret edhe njerëz të zakonshëm që protestojnë kundër papërgjegjshmërisë e paaftësisë qeverisëse qe u ka bërë jetën të pamundur. Puna e prokurorisë është e përgëzueshme në kushtet e një kryeministri që pasi vret, fsheh gjurmët e krimit shtetëror, merr në mbrojtje kriminelët që vranë në emër të tij e pastaj del e thotë se i vrau opozita e se kryeprokurorja ishte palë në organizimin, dhe gjen epitetet me të tmerrshme për t’i treguar asaj se ai nuk njeh kufij nëse ajo vepron. Në këto kushte, puna e prokurorisë është e përgëzueshme dhe PS e mbështet atë duke i hapur rrugë hetimit edhe duke votuar për heqjen e imunitetit të tre deputeteve tanë sipas kërkesave të prokurorisë. Ne mbështesim një prokurori të aftë e të përgjegjshme që ushtron ndjekjen penale ndaj çdo shkelësi, e pavarur nga ndërhyrja e ekzekutivit apo politikës.

Subscribe to comments feed Komente (1 publikuar):

ana ne 07/02/2012 03:43:35
avatar
ceshte ky nano dhe zhelja per president ,keto dy emra dhe saliu duhet te fshihen perfundimisht nga kujtesa kombetare ,si shkaterrues te kombit
total: 1 | Treguar: 1 - 1

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

  • Plain text 1 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Vlereso kete artikull
5.00