Hyrje | Politike | Berisha dhe Rama s'e njohin krizën

Berisha dhe Rama s'e njohin krizën

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

UDHËTIMET/ Kryeministri Berisha në Gjermani, Edi Rama në Austri, Lulzim Basha në SHBA

 

 

 






Një nga veset e politikanëve tanë, dëshira për të udhëtuar pareshtur jashtë shtetit, ka marrë ditët e fundit përmasa të papara. Tre liderë të rëndësishëm të vendit ndodhen në “udhëtime pune” jashtë vendit: Kryeministri Berisha në Gjermani, shefi i opozitës Edi Rama në Austri, ndërsa Kryebashkiaku i Tiranës ia ka mbathur prej disa ditësh në Shtetet e Bashkuara. Në një kohë normale, këto vizita janë mëse normale. Por realiteti është krejt ndryshe nga ai që paraqitet shpesh me bujë nëpër ekrane dhe nëpër mbledhje zyrtare: ne jetojmë në kushtet e një anormaliteti të skajshëm. Kemi një krizë ekonomike të përmasave të frikshme, po jetojmë ditë nga më të ftohtat e vitit kur zona të tëra janë izoluar nga dëbora, ndërsa një numër familjesh rome janë ngujuar prej disa ditësh para zyrave të Avokatit të Popullit. Të bësh udhëtime luksoze jashtë shtetit, me avionë të posaçëm dhe të prehesh në hotelet më të shtrenjta të Europës e të botës, ky është vërtet një paradoks tejet trishtues. Nuk themi që liderët tanë të mbyllen në “kullën e fildishtë” dhe të shkëpusin marrëdhëniet me botën, por disa nga këto udhëtime të shtrenjta mund edhe të kufizohen dhe të shmangen. Këta liderë shpesh janë kritikuar edhe nga ndërkombëtarët për papërgjegjshmëri në sjelljet e tyre në raport me popullin dhe vendin e tyre, janë akuzuar për abuzime dhe për korrupsion me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Kjo sjellje e tyre është krejt e përkundërt me deklaratat “mallëngjyese” për dashuri dhe përkushtim ndaj këtij populli e këtij vendi që radhitet ndër më të prapambeturit e Europës. Në këto kushte, gjithsekush ka të drejtë se jo të gjitha udhëtimet dhe vizitat që bëhen jashtë shtetit janë të frytshme. Mirëpo, duke menduar se pjesa më e madhe e politikanëve tanë janë tejet të pasur dhe që pushojnë dy e tre herë në vit jashtë shtetit, këto udhëtime vizita zyrtare të lenë një shije të hidhur.

Berisha në Gjermani takon Rudd: “Shqipëria i rezistoi krizës të paprecedentë”
Në ditën e parë të Konferencës së Mynihut mbi Sigurinë, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Ministrin e Jashtëm të Australisë, Kevin Rudd. Kryeministri Berisha i bëri një ekspoze të shkurtër të zhvillimeve politike dhe ekonomike në Shqipëri si dhe reformat e ndërmarra nga qeveria e drejtuar prej tij si dhe arritjeve që Shqipëria ka shënuar në vitet e fundit, si në planin ekonomik e institucional, ashtu dhe modernizimin e vendit dhe integrimin e tij në Evropë. Ai theksoi se pavarësisht krizës financiare dhe ekonomike botërore dhe veçanërisht asaj në Eurozonë, Shqipëria ka vazhduar të njohë rritje ekonomike. Kryeministri konsideroi reformat strukturore për liberalizimin e ekonomisë, të ndërmarra me kohë nga qeveria shqiptare si arsyen bazë që vendi i rezistoi kësaj krize të paprecedent. Kryeministri Berisha paraqiti potencialet që Shqipëria ofron në shumë fusha me interes për investime, përfshirë sektorin energjetik, minerar, hidrokarburet, turizmin, etj. Ai ftoi investitorët australianë që të shfrytëzojnë këto potenciale, në interesin më të mirë të përbashkët. Kryeministri Berisha dhe Ministri i Jashtëm, z. Kevin Rudd biseduan dhe ndanë gatishmërinë e plotë edhe për krijimin sa më shpejt të kornizës ligjore bilaterale të nevojshme për zhvillimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat me interes. Në këtë kuadër, Ministri Rudd, bëri me dije planin për të vizituar Shqipërinë në muajt e ardhshëm, i shoqëruar me përfaqësues të kompanive australiane të interesuara për të investuar në Shqipëri. Ai theksoi se Australia, si një vend mik, ofron një pikë të rëndësishme mbështetje në lidhje me vendet në zhvillim të shpejtë në Azi.

Edi Rama në Austri
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama gjatë vizitës së tij në Austri ka marrë mbështetje nga zyrtarët e këtij vendi në lidhje me taksën progresive që PS synon të vendosë në qeverisjen e saj. Ministri austriak i Financave u shpreh se, taksa progresive garanton drejtësi ekonomike, kush fiton më shumë paguan më shumë. "Sistemi i taksave duhet të jetë i drejtë dhe i paanshëm. Kjo do të thotë, taksa progresive, çështje e taksave që lidhet me të ardhurat, gjithashtu aplikimi i tatimit mbi fitimin kapital dhe të tjerë. Kjo sepse duhet të sigurohemi që shoqëria jonë të mos ndahet por të jetë e bashkuar. Kjo është e rëndësishme si për Austrinë ashtu dhe për Shqipërinë. Ky është një debat që po ndodh në nivelin evropian. Unë jam i lumtur që në të ardhmen e afërt, do ta thellojmë këtë debat dhe me miqtë tanë në Shqipëri",- tha Andres Schier, Sekretar Shteti për Financat në Austri. Kreu i opozitës shqiptare u takua edhe me ish kancelarin austriak Vranitzky.

Basha në Shtetet e Bashkuara
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, në vijim të vizitës në SHBA është takuar me zëvendës - ndihmës Sekretarin e Departamentit Amerikan të Tregtisë për Europën dhe Azinë Jau Burgess, me Zv.presidenten ekzekutive të Korporatë së Investimeve Private Amerikane jashtë vendit, OPIC, Mimi Alemayehou si dhe Presidentin e Bordit Drejtues të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, Michael Granoff. Në këtë takim është diskutuar për mundësinë dhe mënyrat e mbështetjes financiare të investitorëve amerikanë, të cilët duan të shtrijnë aktivitetin e tyre në Shqipëri. Zyra për shtyp e Bashkisë së Tiranës bën të ditur se, Kryebashkiaku Basha ka bërë një prezantim të projekteve dhe vizionit të tij, për një Tiranë të zhvilluar të shekullit të 21. Në mënyrë të veçantë, zoti Basha u ndal tek projektet strategjike, të cilat mund të zbatohen nga kompani amerikane, të cilat kanë shprehur tashmë interes siç është ndërtimi i linjave të tramit, zgjatimi i bulevardit, ndërtimi i terminalit etj. Po kështu, zoti Basha theksoi angazhimin e tij, për ta bërë Tiranën një qytet atraktiv dhe miqësor për investimet e huaja, - “ku ato amerikane janë të mirëpritura”, - tha Basha.
Këshilltarët e PS: “Vizita, Basha po bën turizëm në SHBA”
Anëtarët e PS-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës, kanë kritikuar ashpër vizitën e Kryebashkiakut Lulzim Basha në SHBA. Ndërsa Basha ka vijuar takimet me drejtues të departamentit te tregtisë, ku ka prezantuar projektin për tramin, zgjatimin e bulevardit si dhe ndërtimin e terminalit te ri, të majtët në Këshillin Bashkiak e kanë akuzuar se prej një jave po bën turizëm së bashku me stafin e tij. Opozita në Këshillin e Bashkisë i është rikthyer akuzave për vjedhjen e zgjedhjeve vendore, abuzimit me sheshin “Skëndërbej” dhe së fundi me ndërhyrjet e planit urbanistik.

Subscribe to comments feed Komente (0 publikuar):

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

  • Plain text 1 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Vlereso kete artikull
0