Hyrje | Politike | Intervista/ Prof. Dr. Kristaq Kume

Intervista/ Prof. Dr. Kristaq Kume

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Të mos preket Kushtetuta dhe sistemi proporcional rajonal. Ndryshimet në Kod dhe zgjedhja e Presidentit

 

 







Ish- kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, si një njohës shumë i mirë i çështjeve që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore, analizon punën e bërë nga komisioni i reformës, dhe jep mendimin e tij për ndryshimet që duhen bërë në këtë kod. Duke folur në një intervistë për “Telegraf”, zoti Kume, shprehet optimist se reforma e nisur do të mbarojë në afatin e duhur dhe se puna e bërë deri në këto momente sipas tij është e mirë. Përsa i përket debatit të bërë pak kohë më parë nga palët politike nëse duhet të ndryshohet sistemi zoti Kume është i mendimit për të mos u ndryshuar sistemi. Sipas tij sistemi duhet të mbetet po ai proporcional rajonal, ndërsa në kodin zgjedhor duhet të përfshihen 13 njësi dhe njësia e 13 duhet të jetë lista korrektuese kombëtare. Ndërkohë që për zgjidhjen e presidentit ai ndan mendimin që palët politike të gjejnë konsensus. Por ajo që është më e rëndësishme sipas zotit Kume për çështjen e Presidentit, është zbatimi i Kushtetutës, që i kërkon klasës politike shqiptare që të gjejë zgjidhje në tre raundet e para që të jetë e pranueshme nga të dyja palët dhe pastaj është Kushtetuta, e cila ka përjashtuar mundësinë e një krize.

-Zoti Kume, Komisioni i Reformës Zgjedhore ka filluar prej disa muajsh punën dhe në mars pritet që të mbarojë. Me ritmet që po ecën sipas jush a mund të përfundojë puna në afatin e caktuar?
-Po puna e komisionit të reformës zgjedhore tashmë ka filluar që të sjelli produktet e para, ku kamë parasysh kapitullin e parë që flet për financimin e partive politike. Kështu që unë mendoj që koha mjafton, natyrisht, në qoftë se kjo nuk do të kthehet në harresë të diskutuarit politik.
-Është folur për ndryshim të sistemit, a është e nevojshme që të ndryshohet ky sistem që është aktualisht?
-Sistemi nuk ka pse të ndryshojë, pra në kushtetutë duhet të mbetet po e njëjta gjë siç është sistem proporcional rajonal. Ndërsa në kod duhet të bëhet ndryshimi, i cili duhet të realizojë korrektimin e rezultatit, pra në vend që Shqipëria të ketë 12 njësi zgjedhore të parashikuara në kodin aktual, ajo duhet të ketë 13 njësi. Pra sistemi duhet të mbetet po ai proporcional rajonal, ndërsa në Kodin Zgjedhor duhet të përfshihen 13 njësi dhe njësia e 13 duhet të jetë lista korrektuese kombëtare. Kjo bën që objektivi kryesor që kanë sistemet proporcionale që është: të pasqyrohet në mënyrë sa më objektive vullneti i zgjedhësve në vendet në parlamentin e Shqipërisë, dhe këtë e realizon më mirë sistemi proporcional rajonal e realizon më mirë këtë. Nga ky lloj korrektimi për mendimin tim duke u nisur nga objektivi që jo prej tij të përfitojnë më shumë partitë e vogla, por prej tij të ndërtohet formula që realizojnë konvertimin sa më të mirë të mundshëm në parlament.
-Në ndihmë të Komisionit për Reformën Zgjedhore para disa ditësh kanë qenë disa ekspertë të OSBE-së, ndihmën e tyre a shihni si një nxitje për ta çuar para këtë reformë dhe si i vlerësoni rekomandimet e bëra nga Komisioni i Venecias?
-Ekspertët e ODIHR-it, i janë përgjigjur kërkesës së Parlamentit të Shqipërisë, pra e kemi kërkuar në mbështetjen teknike të kësaj zyre për të realizuar më mirë punën e saj në kuadër të kësaj reforme. Ata kanë marrë përsipër të bëjnë punën e asistentëve, pra për çfarë kërkohet ata të japin mendim. Ata kanë mandatin që të rekomandojnë më tej se çfarë duhet të bërë, përveçse të mbështesin punën e komisionit për të realizuar atë që është shkruar në rekomandimet e OSBE-së, pas proceseve zgjedhore dhe në rekomandimet e Komisionit të Venecias. Ashtu sikurse ky grup ekspertësh është i gatshëm që të dëgjojë të gjitha palët që kanë interes dhe midis këtyre palëve ka qenë dhe shoqëria civile. Përsa i përket rekomandimeve të komisionit të Venecias janë dy palë. Një palë rekomandime janë bërë në 2009, dhe rekomandimet e bëra në dhjetor të vitit të kaluar. Të dyja këto janë dokumente, të cilët duhet të përdoren nga komisioni për të gjetur rrugët më të mira për ndryshimet që duhen bërë për Kodin Zgjedhor, me objektivin hartimin e një legjislacioni zgjedhor që të garantojë më mirë një proces me standarde. Pra komisioni parlamentar sot ka në punën e tij të gjitha dokumentet siç janë rekomandimet e vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE-së, apo Komisioni i Venecias. Komisioni ka në dorë informacione nga më të ndryshmet dhe për të realizuar dhe hapësira të mëdha për të realizuar një produkt gjithëpërfshirës, i cili të ndërtojë dhe rregulla bipartizane, që aktualisht e përbëjnë Kodin Zgjedhor.
-Zgjedhja e Presidentit, përbën një ngjarje tjetër të rëndësishme për këtë vit, ju si i cilësoni diskutimet e hapura dhe si do e shihni zgjedhjen e tij, a mund të përbëjë krizë pasi të dyja palët kanë pretendimet e tyre?
-Maxhoranca është deklaruar që për të realizuar këtë detyrim ligjor për zgjidhjen e Presidentit. Pra e para që deklarohet është zgjidhja e kushtetutës dhe së dyti zgjidhja e këtij problemi në germën e Kushtetutës. Kushtetuta i kërkon klasës politike shqiptare që të gjejë zgjidhje në tre raundet e para që të jetë e pranueshme nga të dyja palët dhe pastaj është kushtetuta e cila ka përjashtuar mundësinë e një krize politike si produkt i mosrealizmit të zgjidhjes së një presidenti.
-Zgjidhja e Presidentit, sipas ndryshimeve të bëra në 2008, është zgjidhja më e mirë sipas jush zoti Kume?
-Rregullat e sistemit politik në Shqipëri i ndërton parlamentit, populli shqiptar ka mandatuar parlamentin që të ndërtojë rregullat sipas të cilave do të qeveriset Shqipëria. Ky Parlament në 2008, me një shumicë të madhe votash dhe me një konsensus të gjerë midis opozitës dhe pozitës gjeti këtë zgjidhje. Këtë ndryshim që i duhej bërë kushtetutës, duke pasur kryesor objektivin që zgjedhja e presidentit mos të kthehet në shkak për kriza politike. Ranë dakord që ta bëjnë kështu dhe kështu e bënë. Nuk ka pse të diskutojmë sot, përsa kohë që ky diskutim është mbyllur  për mendimin tim, me vendimmarrjen e parlamentit, kush ka qenë pro dhe kush ka qenë kundra është shprehur. Tashmë ndodhemi para faktit që duhet të zbatojmë kushtetutën. Por unë mendoj që është ende herët që të shtrohet problemi nëse duhet ndryshuar apo jo rregulli sipas, të cilit duhet të zgjidhet presidenti i Republikës. Por unë mendoj që duhet zbatuar siç është Kushtetuta dhe korriku i këtij viti është rasti i parë që do të zgjidhet presidenti sipas kushtetutës, dhe për këtë ne duhet të presim për të parë rezultatet e para.

Subscribe to comments feed Komente (0 publikuar):

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

  • Plain text 1 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Vlereso kete artikull
0