21 Janari
Rama: “Hetimi i padrejtë nëse s'përfshin Berishën dhe Bashën”
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka përgëzuar ditën e djeshme punën e Prokurorisë për zbardhjen e ngjarjeve të një viti më parë më 21 Janar, ku mbetën të vrarë 4 protestues. Por, sipas Ramës tashmë që hetimi ka nisur dhe në rang politikanësh, do të quhej e padrejtë të mos përfshinte dhe urdhëruesit e 4 vrasjeve që sipas tij, janë kryeministri Berisha dhe ish-Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. “Shprehemi për një mbështetje pa ekuivok për Prokurorinë, por pa hetuar Berishën dhe Bashën, hetimi ndaj çdo figure tjetër politike ngjan i padrejtë. Si mund të mos hetohen 2 hallkat vrastare të 21 janarit. Shpresoj që kjo të mos mbetet kështu. Jo në funksion të interesit të palëve, por në funksion të interesit të thellë të drejtë të paanshëm dhe të pavarur te hetimit”. Kreu i PS kërkoi që para përgjegjësisë të mos dalin vetëm ekzekutorët, por edhe urdhëruesit. “Ne kërkojmë në emër të familjeve çuarjen para përgjegjësisë të përgjegjësve të mëdhenj të hapjes së zjarrit që nuk janë ekzekutorët , por urdhëruesit e tyre. S’ka komandant Garde që urdhrin e jep pa e marrë nga lart. Komandanti i Gardës mund të pranojë të bëhet kokë turku, por drejtësia shqiptare nuk mund të ndalet vetëm me arrestimin e tij. Drejtësia do ishte e paplotë dhe vrasjet do mbeteshin të pandëshkuara”. Në emër të grupit parlamentar të PS, Rama ftoi dje ndërkombëtarët të dëgjojnë kërcënimet që Berisha po i bën kryeprokurores dhe presidentit të Republikës. “E quaj demencial qëndrimin e Berishës ndaj Ina Ramës. Demencë të kërcënohesh kryeprokuroren dhe presidentin se do ndëshkohen sapo të lenë detyrën. Ftoj BE të dëgjojnë me shqetësim këtë kërcënim mafioz”. Lidhur me kërkesën e prokurorisë për heqjen e imunitetit të 3 deputetëve socialistë, Rama theksoi se e mbështet këtë kërkesë dhe nëse është e nevojshme, prokuroria të hetoje dhe ndaj tij. “Asnjë ngurrim nga ne, nëse prokuroria kërkon mandatet e 3 deputetëve. Unë personalisht jam gati të hetohem së bashku me ta, dhe se kuptoj se çfarë kanë bërë 3 deputetët më shumë se unë në organizimin e demonstratës së 21 janarit. E di fare mirë që asnjë nga deputetët s’ka bërë më shumë vetë për të organizuar demonstratën e 21 janarit. Ne të gjithë deputetët jemi të gatshëm të kontribuojmë në procesin hetimor, duke thënë të vërtetën , më shumë se të vërtetën asgjë më shumë se të vërtetën. Apel prokurorisë, të na përfshijë të gjithëve mua të parin në hetimet e saj dhe kam gjithë gatishmërinë të jap kontributin tim ashtu siç kemi të gjithë gatishmërinë për të dhënë kontributin tonë”. Kreu i PS theksoi se, shpreson që procesi të mos ketë fatin e proceseve të tjera të bujshme që sipas tij nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë indinjuar e zemëruar popullin.
Sequi: “Hetimi për 21 janarin, i pandikuar nga politika”
Ambasadori i BE-së në vendin tonë, Ettore Sequi ritheksoi domosdoshmërinë e një hetimi gjithëpërfshirës dhe të pavarur nga politika për ngjarjet e 21 janarit të një viti më parë. Në një deklarate të shkurtër për mediat, ambasadori Sequi deklaroi se BE-ja po ndjek me vëmendje zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe mbështet plotësisht Prokurorinë e Përgjithshme në hetimin e 21 janarit. “Në përgjithësi nuk bëjmë komente për hetimet. Kemi ndjekur me vëmendje konferencën e kryeprokurores, ambasadorit e SHBA, zëdhënëses së kryeministrit dhe deklaratën e opozitë për ngjarjen e 21 janarit. Po ndjekim nga afër zhvillimin e ngjarjeve. Përpara disa ditësh së bashku me OSBE dhe SHBA, BE-ja ka nxjerrë një deklarate të përbashkët, ku theksohej nevoja për zbardhjen e ngjarjeve të 21 janarit. Është e rëndësishme që ky proces të jetë i pavarur, gjithëpërfshirës dhe pa ndërhyrje politike.”- deklaroi Sequi. Ambasadori i BE-së shprehu besim se gjyqësori në Shqipëri do ta bëjë punën e vet në mënyrë që të vendoset drejtësia. “Shqiptarët presin që të vendoset drejtësi”,- përfundoi Sequi.
21 janari, Bare: Deputetët e PS, rol konstruktiv në demonstratë
Një ditë pas kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të 3 deputetëve socialistë, të dyshuar për organizimin e protestës së 21 janarit, deputeti Besnik Bare deklaroi se, mbetet i hapur për çdo lloj hetimi. Duke theksuar se roli i deputetëve socialistë në demonstratën e 21 janarit ishte konstruktiv, Bare deklaroi se Partia Socialiste nuk ka asgjë për të fshehur, në lidhje me ngjarjet e 21 janarit. Deputeti socialist shprehu besim për realizimin e një hetimi profesional nga prokuroria dhe deklaroi se pas vrasjeve të 21 janarit nuk fshihet vetëm Garda dhe komandanti i saj. Prokurorja e Përgjithshme bëri të ditur një ditë më parë se i ka kërkuar Kuvendit heqjen e imunitetit për 3 deputetët socialistë, Besnik Bare, Taulant Balla dhe Tom Doshi, të cilët do të hetohen për organizim dhe pjesëmarrje në tubim të dhunshëm.
-
1 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Dashuri engjëjsh
- Nis sondazhi në "Telegraf" për personazhin e vitit 2011
- Flet astrologia Meri Shehu
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj