KE, asistencë sistemit të drejtësisë
Reforma në Drejtësi/ Ina Rama: “E vështirë të bëhet drejtësi”. Halimi: “Të jemi të paanshëm”
“Reforma në drejtësi është shumë e nevojshme, pasi sistemi i drejtësisë është faktor me shumë rëndësi në integrimin e Shqipërisë”. Kështu deklaroi sot ambasadori i BE në vendin tonë, Ettore Sequi në mbledhjen e tretë të Komitetit Drejtues të Palëve të Interesit të projektuar nga BE, “Konsolidimi i Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri" (EURALIUS III)’. Në krye të tryezës së gjerë ishin ambasadori Sequi, kryeprokurorja Ina Rama, Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, kryetarja e gjykatës Shpresa Beçaj dhe nënkryetari i KLD, Kreshnik Spahiu. Çdo njëri prej tyre përcolli mesazhe për punën në sistemin e drejtësisë. Ambasadori i BE-së tha se EURALIUS III është një projekt asistence prej 2.3 milion eurosh që investon tërësisht sistemin e drejtësisë shqiptare me objektivin për të mbështetur institucionet e tij dhe për të kryer reformat e tyre drejt standardeve dhe praktikave më të mira europiane. Ai nënvizoi se gjatë 15 viteve të fundit pothuajse 100 milion euro janë shpenzuar vetëm për sistemin e drejtësisë në Shqipëri, fonde këto të shpenzuara për gjykatat, zyra, prokurorët, burgje, qendra riintegrimi, për legjislacionin, para që kanë shkuar drejt të drejtave thelbësore të shqiptarëve. Nga ana e tij, Ministri Halimi theksoi se gjyqtarë e prokurorë duhet të tregojnë me vepra ndaj taksapaguesve shqiptarë se puna e tyre është e vlefshme, transparente dhe e paanshme. Ministri Halimi, duke shprehur nevojën për reformimin e drejtësisë, tha se "për një organizim të pavarur të sistemit gjyqësor, problemet duhen adresuar edhe tek aktorët e veshur me pushtetin për të administruar procesin e rekrutimit, promovimit, transferimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të ndershëm dhe disiplinimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve e prokurorëve të papërgjegjshëm e të korruptuar. Sipas tij, sistemi i drejtësisë, në rrugën e konsolidimit të tij, ka problem themelor rritjen e përgjegjshmërisë se aktoreve të tij para ligjit dhe Kushtetutës. "Ne kemi nevojë imediate për të vendosur ekuilibrin e duhur midis pavarësisë dhe përgjegjshmërisë apo llogaridhënies. Këto dy komponentë janë të pandarë nga njëra -tjetra dhe garantojnë sistemin e ndarjes dhe balancimit te pushteteve, që sanksionohet në Kushtetutën shqiptare", tha ministri Halimi, duke shtuar se, 'ka një nevojë imediate që rrugës drejt konsolidimit të sistemit duhet t'i bashkohen në radhë të parë edhe vetë aktorët e drejtësisë. Kreu i ministrisë së Drejtësisë shprehu gjithashtu nevojën për miratimin në Parlament të projektligjeve të rëndësishme për reformimin e sistemit të drejtësisë. "Të gjithë e dimë që janë të paktën pesë pr/ligje në Parlament prej tre vitesh, përfshi atë për Gjykatën Administrative, por që nuk ka akoma as një plan për t'u shqyrtuar dhe miratuar", tha Halimi. Gjatë fjalës së saj në tryezë, kryeprokurorja Ina Rama shprehu mirënjohje për mbështetjen dhe asistencën që Komisioni Europian po i jep sistemit të drejtësisë në vendin tonë. Duke theksuar vështirësitë me të cilat përballet sistemi i drejtësisë, prokurorja e përgjithshme deklaroi se në themel të vendosjes së drejtësisë mbetet vullneti. “Është e vështirë të bëhet drejtësi por së bashku jemi të vendosur se drejtësia përcaktohet nga vullneti.”- deklaroi kryeprokurorja. Nënkryetari i KLD,Kreshnik Spahiu theksoi në këtë tryezë të sotme se gjyqësori më shumë se kurrë duhet të dëshmojë se garanton barazi mes qytetarit dhe politikanit. “Proceset gjyqësore të garantojnë barazi, që qytetari dhe politikani të jenë të barabartë, duke parë dhe kërkuar që shteti dhe individi të jenë të barabartë pasi të gjithë i kanë sytë tek drejtësia që duhet të tregojë integritet në problematikat më të rëndësishme kur përballet me njerëz në politikë”. Spahiu theksoi se, asistenca e huaj nuk duhet të përfundojë as pas këtij programi të EURALIUS III. “Program i huaj duhet të vazhdojë dhe pas përfundimit të tryezës së tretë për vetë nevojat që ka pushteti i drejtësisë ai gjyqësor dhe vetë KLD”.
-
1 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Dashuri engjëjsh
- Nis sondazhi në "Telegraf" për personazhin e vitit 2011
- Flet astrologia Meri Shehu
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj