“Nderoni atë që iu ka nderuar ju dhe Myzeqenë, zotërinj pushtetarë”!...
Indiferentizëm i pafalshëm shtetëror ndaj figurave të tilla të shquara historike si Naum Prifti (Doko)
Vdekja e tij e parë, s'ishte ajo që priste, siç e presim të gjithë ne, vdekatarët e kësaj bote. Vdekje dhe humbje me gjithsej për të, ishte ikja nga atdheu, ikja me brengë dhe kokën pas, në një benzinatë që çante drejt Italisë, në funddhjetorin e acartë të vitit të trazuar, 1924. Bashkudhëtarët ishin po ata, bashkëluftëtarët e tij për liri dhe progres, ishin ca burra që, sot e kësaj dite, ende s'janë përsëdytur në teatrin politik të ngjarjeve shqiptare. Në krye ishte Noli i madh, ish-Kryeministri i Shqipërisë, i porsarrëzuar nga armët e mercenarëve vrangelistë, të mbështetur nga paratë dhe artileria e Pashiçit, të cilat, trualli shqiptar i pagoi aq shtrenjtë, duke bërë kurban Shën Naunin dhe jo vetëm... Pas vajtimit dhe varrosjes së Gurakuqit në marsin e vitit 1925, vrarë në Bari, nga dora kriminale e hakmarrjes politike dhe kërkesës së Pashiçit ndaj Musolinit për t'i përzënë "bolshevikët shqiptarë" nga toka italiane, mërgata politike shqiptare, gjithnjë me Nolin në krye, u vendos në Vjenë, ku u krijua KONARE-ja (korrik, 1925) dhe nxori gazetën e njohur "Liria shqiptare" Në tetor, 1925, 14 luftëtarë të njohur nga këta, të zgjedhur kryesisht nga Noli, mbërritën në Moskë. Njeri prej tyre, ishte Naun Doko Prifti nga Libofsha. Shokët e Naunit si: Sejfulla Malëshova, Ali Kelmendi, Tajar Zavalani, Zai Fundo, Reshat Këlliçi,Ali Kelmendi, Jonuz Blakçori, etj., u shpërndanë në vende të ndryshme pune dhe shkollimi.
Shqiptari i mençur, rektor i Universitetit të Tbilisit
Nauni, i sëmurë prej turbekulozit, (marrë në burgun italian të Sazanit, më 1918), u rekomandua nga mjekët të shkonte në zonat klimaterike të Kaukazit, ku edhe studioi për ekonomi politike në Universitetin e Transkaukazisë (Tbilis- Gjeorgji). Këtu edhe punoi pas diplomimit shkëlqyeshëm në vitin 1930, fillimisht si pedagog, si zëvendësrektor dhe në vitin 1932, emërohet Rektor i Universitetit të Transkaukazisë. Si i tillë, vdiq këtu më 1934, vetëm 38 vjeç, ku edhe u varros. Pas asaj që shkruam në hyrje, kjo ishte vdekja e vërtetë, fizike. Por jo e fundit. Besojmë kështu sepse shkoi nga kjo botë me shpresën se diç do të mbetet e kujtohet ndër breza nga vepra e tij atdhetare, patriotike dhe shkencore.. Dhe, sigurisht, kishte arsye të besonte kështu. Paçka jetës shkurtër, ai la pas gjurmë që kujtohen me admirim nga gjithë pasardhësit.
Bir i Myzeqesë, iu ndodh asaj kur i duhej më shumë se kurrë
Jeton ende sot, pas gati një shekulli, përkushtimi i tij si mësues në rrethet në vitet 1917-1924, fillimisht në Zharrnec të Lushnjës (nga ku shkruante: "Bukurinë që ka Zharrneci/ nuk e ka asnjë fshat/ shih që aty si duket deti/ dhe e bukura Divjakë"), në Lushnje e Fier, në Ngurrëz, Marinëz, etj.. Ai la shembullin e qëndresës atdhetare kundër të huajve, për të cilën u arrestua, u torturua dhe u burgos nga italianët, luftën me armë kundër italianëve në Vlorën e 1920-ës, (u plagos në Bunavi), angazhimin me armë, në krah të forcave përparimtare të djalërisë lushnjare e shqiptare, në verë-vjeshtën e vitit 1924, çka i solli mërgimin e detyruar nga atdheu. Gjithë jeta e tij në dhe të huaj (1925-38), paçka se larg dhe i sëmurë, dëshmon përpjekjet, dëshirën dhe bindjen se një ditë do të rikthehet në atdhe. Disa herë edhe u nis për në Shqipëri, por mjekët (turbekulozi atëherë ishte sëmundje e pashërueshme), nuk e lejuan të udhëtonte. Gjithsesi, përkushtimi si patriot dhe dijetar i shquar, shihet dukshëm në korrespondencën e tij me shokët dhe miqtë në Shqipëri, në të cilat, lexojmë se deri në ditën e fundit jetoi me mallin-mal, për atdheun dhe popullin e tij. (Shih librat biografikë për të: "Dita nuk është larg", “Gjysma e panjohur", etj..
Heroi idealist në dorë të njerëzve pa ideale
Në vitin 1961, pas marrëveshjeve zyrtare, qeveria shqiptare solli nga Tbilisi (Gjeorgjia), shumë materiale të jetës dhe punës së Naun Doko Priftit. Me një pjesë të tyre u përurua me solemnitet një pavijon i posaçëm në muzeun historik të Fierit. Disa prej këtyre materialeve (krevati i fjetjes, tavolina e punës, abazhuri, enë dhe mjete të ushqimit, objekte dhe dokumente të punës së tij krijuese dhe studimore, librat e tij, etj), i sollën dhe i vendosën gjithashtu në një dhomë- muze, në vendlindje, në Libofshë. Po këtu, u ngrit edhe një bust i këtij dijetari patriot, i cili nderon jo vetëm vendlindjen dhe Myzeqenë. Mirëpo, nga gjithë sa thamë, sot ka mbetur vetëm busti në qendër të qytezës së Libofshës. Pyetjet për të tjerat, marrin si përgjigje, ngritjen e supeve. Dhe çuditërisht, heshtin edhe ata që duhet të përgjigjen ligjërisht për zhdukjen (apo vjedhjen...?) e tyre, për gjithë këto vlera të pazëvendësueshme që i bëjnë nder Myzeqesë dhe gjithë shqiptarëve. Ish -kryekomunarët e Libofshës të dy dekadave të fundit, të majtë e të djathtë, kanë ardhur e ikur pa asnjë "inventar" të këtyre vlerave historike.
Mediokritet zyrtar në vlerësimin e këtij heroi historik
Vitin që shkoi (2011), Naun Doko Prifti mbushi 115 vjet nga lindja e tij (1896-1934). Me këtë rast, shoqata kombëtare "Myzeqeja" i paraqiti Prefekturës së Qarkut të Fierit një projekt për një festim jubilar, plotësisht të merituar, për këtë figurë atdhetari. Për më shumë se gjashtë muaj, kjo kërkesë institucionale e Shoqatës, drejtuar institucionit kryesor të Qarkut, nuk mori udhë, veçse përgjigje zvarritëse (as po, as jo...!?), gjersa u neglizhua përfundimisht. Por s'ishte ky as i pari dhe as i vetmi rast, kur figura dhe vepra e Naun Doko Priftit, shtyhet drejt harresës, nga drejtuesit vendor të kë tij Qarku. Dy vjet më parë një kërkesë- projekt i tillë iu drejtua kryetarit të Këshillit të Qarkut Fier. Nga gjithë ata rrogëtarë askush nuk u ndje së paku të kthente një përgjigje. Duket sikur një qëndrim i tillë (as po, as jo), është metodë pune e drejtuesve të paaftë dhe të paditur, për të dhënë një përgjigje pasi, nuk njohin argumente as për ta mbrojtur e miratuar, as për ta kundërshtuar. Kësisoj, gjithnjë janë brenda..., Janë në rregull edhe me partinë që i ka punësuar. Kujtuam partinë edhe sepse ka zëra mediokrish militantë, që e vlerësojnë edhe Naun Doko Priftin (1896-11934), si ish bolshevik!?. Nauni mund të ishte aq bolshevik sa edhe moshatarët dhe bashkëluftëtarët e tij të viteve njëzetë-tridhjetë të shekullit që shkoi si Noli, Gurakuqi, Sejfulla Malëshova, Tajar Zavalani, Zai Fundo, etj.. Paradoksi është se gjatë tridhjetë vjetëve të qeverisjes komuniste për Naun Doko Priftin u mbyllën dyert e shtetit, menjëherë pas prishjes së Enver Hoxhës me Hrushovin pasi, Nauni kishte drejtuar Universitetin në një republikë sovjetike...!? Kurse sot, duket që edhe zyrtarët aktualë vazhdojnë avazin e Enverit, pasi e akuzojnë pikërisht sepse u shkollua në ish Bashkimin Sovjetik...?! Sigurisht, një pjesë të këtij mediokriteti zyrtar të administratës, po e vuajmë edhe ne, të gjallët. Por fatkeqësia kombëtarizohet dhe bëhet shqetësuese, kur edhe të vdekurit e djeshëm (madje të fillimit të shekullit që shkoi) synojmë t'i trajtojmë sipas mendësisë së partisë që u paguan rrogën. Nuk është e rastit që në tërë Qarkun e Myzeqesë, përfshi edhe dy-tre qytetet e saj kryesore, si Fieri, Lushnja, etj., nuk ka asnjë rrugë me emrin e Naun Doko Priftit, asnjë institucion me emrin e tij, përjashto një shkollë fshati.
Shpresë se 100-vjetori i Pavarësisë do të ndreqë diçka
Shpirti i Naunit, i endur për gati 80 vjet mes djepit të vendlindjes dhe varrit të huaj, ku prehet ende, pret nga ne, bashkëvendësit e tij shqiptarë e myzeqarë, posaçërisht nga zyrtarët përkatës të organeve vendore dhe qendrore. Le të shpresojmë se drejtuesit e rinj të Qarkut të Fierit e, sidomos ata të vendlindjes së Naun Doko Priftit, Komunës së Libofshës, në jubileun e 100 vjetorit të shtetit shqiptar e më tej, do ta kenë këtë vizion patriotik, për ta realizuar detyrimin atdhetar e ligjor që kemi ndaj këtyre burrave që vdiqën nëpër botë me emrin e Shqipërisë në gojë.
*Kryetar i Shoqatës Kombëtare "Myzeqeja"
-
1 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Flet astrologia Meri Shehu
- Dashuri engjëjsh
- Sondazhi në "Telegraf"
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj