“Për aktorin, rëndësi ka që të mbetet në kujtesën e artdashësve”
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, në 86- vjetorin e lindjes “Artisja e Merituar” vlonjatja, Liza Laska
Aktorja Elisabeta Laska,(Skrami), që njihet me shkurtimin e emrit, Liza, dje më 6 shkurt mbushi 86 vjeç. Sido që me ankesat e moshës, aktorja vlonjate ka një kujtesë për t’u admiruar dhe karakteri i saj mbetet ai i gruas vlonjate: i fortë dhe i guximshëm. Ajo kujton fije e për pe jetën, karrierën, duke u ndalur tek rolet më të pikasura, sikurse është tek “Dimri i fundit”. Ajo shprehet se talenti i një artisti, nuk vihet në kandar nga dekoratat që ka marrë, por se sa është ngulitur në kujtesën e popullit të vet. “Nëse ke mundur të realizosh role të mëdhenj, karaktere dhe personazhe interesantë, doemos do të mbetesh në arkivin e memories së Kombit tënd”, tha aktorja.
Kur është pikasur talenti tek Ju dhe kur starton karriera si aktore?
Gjatë viteve që isha nxënëse e Shkollës Tregtare në Vlorë, doli në pah prirja dhe talenti si këngëtare. Kam marrë pjesë në shumë aktivitete, që zhvillonte shkolla në atë kohë. Jo vetëm kaq, por isha caktuar të drejtoja edhe grupin e baletit të shkollës. Në vitet e fundit të kësaj shkolle me emër, u saktësua se unë do t’i përkushtohesha fushës së artit. Në vitin 1946, nis karrierën si aktore në Teatrin Kombëtar, ku për gjatë një viti, do të interpretoja role, shpesh duke pasur partner aktorin Naim Frashëri, Violeta Manushin dhe aktorë të tjerë me emër. Pas një vitit pune aty, kalova në Estradën e Ushtarit, ku dhashë kontributin tim për gjatë dy vjetëve.
Përse këto lëvizje kaq të shpeshta për aktoren e re?
Kështu ishte koha, do të shkoje, ku të kishte nevojë, ku të emëronte ministria. Nga Estrada e Ushtarit, më kërkoi trupa e Teatrit të Shkodrës, që unë do ta shikoja si një vlerësim të punës dhe talentit, që tashmë ishte fiksuar në fushën e skenës. Ishte një përvojë e mrekullueshme, ku mes kolegëve të talentuar, m’u dha mundësia të interpretoj mjaft role kryesore. Këtu do të qëndroja deri në vitin 1953, vit kur Ministria e Kulturës më transferoi nga Shkodra në trupën e Teatrit të Korçës, ku do të qëndroja gjatë, plot 10 vjet.
Çfarë kujtoni nga kjo periudhë që vlonjatja po shfaqej tashmë në skenën korçare si një aktore e spikatur?
Janë vite të paharruara, është një punë intensive, me role të shumta dhe shfaqje pafund. Sido që ndjehesha e sigurt në rrugën time të aktrimit, loja me partnerë si Pandi Raidhi, Thimi Filipi etj., ishte një shkollë më vete, një përvojë, që çimentoi themelet e karrierës sime. Tashmë isha protagoniste e shumë roleve kryesore të këtij teatrit. Ishin rolet, skena tashmë që krijuan personalitetin tim artistik. Në këto 10 vite në skenën e Teatrit të Korçës, kam krijuar një galeri rolesh, shumë të spikatura në jetën artistike dhe do të ishte viti 1963, kur unë do të ndahesha përfundimisht nga ky qytet me kulturë, ku lashë rolet e spikatura dhe emrin e mirë. Ndarja me Korçën dhe vendosja përfundimisht në qytetin e lindjes, Vlorën time të dashur, tashmë nuk ishte thjeshtë transferimi, por një ikje dinjitoze, pas 10 viteve karrierë. Korçën e kujtoj me nostalgji jo vetëm për rolet që kam lënë në arkivin e këtij teatrit, por për një arsye tjetër shumë të rëndësishme. Aty nisi dhe mori udhë lidhja me djaloshin ushtarak, që shpejt do të bëhej bashkëshorti im i ardhshëm. Dua të shtoj se kontributi im nuk ishte thjeshtë në skenën e teatrit, por u bëra pjesë edhe në estradën e qytetit, madje kam interpretuar edhe opera, sikurse ishte opereta “Agim”, që unë e kisha shumë për zemër.
Kujtoni rolet që keni interpretuar në Teatrin e Vlorës?
Kam debutuar në skenën e teatrit të qytetit tim, nga viti 1963 dhe deri më 1982, vit që dola në pension. Për një periudhë kaq të gjatë, munda të realizoj një varg rolesh të spikatura, një galeri të pafund personazhesh, që jo thjeshtë nga opinioni im, por nga duartrokitjet e spektatorit, mbeten më të spikaturat.
Cilat role do të vlerësonit në kinematografi?
Pas një përvoje të gjatë në skenë, nuk është e vështirë të bëhesh edhe protagoniste e filmave “Mbresa të veçanta” dhe që mendoj se, është roli që më ka futur në memorien e kombit, është tek “Dimri i fundit”. Bëra përpjekje dhe ia arrita qëllimit, që të paraqes personifikimin e plotë të figurës së gruas shqiptare.
Cilat janë vlerësimet për aktoren vlonjate Liza Laska?
Në vitin 1973 më është dhënë titulli “Artiste e Merituar”, pak kohë më parë Bashkia e Vlorës më dha “Mirënjohjen e qytetit”. Por unë i konsideroj të dorës së dytë dekorata dhe certifikatat. Nuk ka gjë të rëndësishme për mua, besoj edhe për të gjithë aktorët e skenës dhe filmit, se sa kur del në rrugë të shtrëngojnë dorën, të përqafojnë qytetarët, që shpesh të thërresin edhe në emrin e rolit që ka lënë mbresa.
“Nderi i Kombit”, Tinka Kurti
“Liza Laskën e njoh qëkur ishte vajzë e re, ka fjetur në shtëpinë time në Shkodër, kur erdhi me punë në teatrin “Migjeni”. E donim jo vetëm ne si familje, por edhe aktorët shkodranë. Ajo që binte në sy , ishte dialekti i vlonjates. Më pas shkoi në Korçë, ku edhe u martua. Unë nga zemra i uroj 86- vjetorin e lindjes, sot më 6 shkurt dhe ajo çka dua të theksoj është se Liza Laska mbetet një aktore me role të veçanta, brenda figurës së saj të shkëlqyer. Roli i saj tek “Dimri i fundit”, tregon nivelin e lartë të interpretimit të aktores vlonjate”.
“Nderi i Kombit”, Margarita Xhepa
“Me Liza Laskën kemi qenë larg nga teatri, por afër me role, si tek “Dimri i fundit” etj., që ka dhënë me përsosmërinë më të lartë krenarinë e gruas shqiptare. E veçanta e Lizës është një lloj krenarie, krenari e bukur, e ligjshme. Është një ndër aktoret e mëdha që ka vendi ynë”.
Familja
Liza është bijë e një prej familjeje të dëgjuara dhe nga më të më të njohurat të qytetit, me një traditë dhe kulturë të lartë. Aktorja e mirënjohur, rrëfen historinë e jetës së saj, karrierën artistike, por edhe një grua shembullore e një ushtaraku të lartë dhe nënë e tre fëmijëve. Jeton me djalin e vetëm, Aleksandrin. Artistja e madhe, nuk kërkoi asgjë për vete, ajo vetëm i dha qytetit të saj, artit skenik dhe kinematografik. Kultura e gjerë që zotëronte Liza, njohja e gjuhëve të huaja dhe lidhja e ngushtë që ajo kishte me librin si dhe kultura dhe edukata e familjes, nga e cila vinte ajo, do të reflektoheshin në krijimtarinë e saj artistike. Rolet dhe figurat e krijuara prej saj shquhen për një profesionalizëm dhe kulturë skenike, për një finesë dhe krijim të saktë në marrëdhënie me partnerin dhe skenën. Aq e saktë është kjo, sa aktorët dhe të rinjtë, gjithmonë do të konsultoheshin me Lizën në fillimet e çdo premiere në teatër, kjo, pasi tek Liza ata shikonin përveç ngrohtësisë edhe modelin e krijimit të rolit të tyre. Aktorja e talentuar numëron mbi 150 role në teatër dhe 20 role në kinematografi. Ka qenë e martuar me ushtarakun Piro Laska, major, ish-kuadër i Brigadës së 6 S. Ka tre fëmijë, Vjollcën, Aleksandrin dhe Suzanën, të tre me arsim të lartë.
-
1 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Flet astrologia Meri Shehu
- Dashuri engjëjsh
- Sondazhi në "Telegraf"
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj