Poeti i ekranit
Mall dhe nderim për Viktor Gjikën,
Po mbushen tre vjet që “Artisti i Popullit”, Viktor Gjika, nuk është midis nesh. Në këtë përvjetor të ri të ndarjes së tij nga jeta, është krejt e natyrshme të përjetosh më fort edhe një herë nderimin dhe mallin për njërin nga etërit e kinematografisë shqiptare. Emri i tij shkëlqen me një dritë të veçantë në historinë e artit magjik të filmit shqiptar. Ai vetë tashmë është një histori krenare e kulturës sonë, një pasuri e madhe kombëtare, vlera e së cilës do të shumëfishohet vit pas viti e dekadë pas dekade. Filmat e tij i rezistuan dhe do t’i rezistojnë kohës, duke mbetur ngjarje të mëdha të artit tone, sepse janë vepra artistike të një niveli të lartë, që ngrihen mbi kufijtë kohorë dhe bëjnë jetën e tyre të pavarur artistike. Sepse janë filma që tingëllojnë të vërtetë, emocionalë, të mbushur me mesazhe humane, ngritur mbi konflikte e drama realiste, që marrin jetë nga një galeri personazhesh të besueshëm, plot hetime dhe detaje të holla psikologjike. Ai pati mençurinë e lindur prej artisti të madh të rrokte tema të mëdha e nevralgjike të jetës së këtij vendi, nyje të forta kyçe të jetës së kombit shqiptar, t’i trajtonte dhe t’i sillte ato me një mjeshtëri të rrallë, duke u bërë një themelues dhe një shkollë e mëtejshme e këtij arti të ri në Shqipëri. Me talentin e tij të veçantë ai krijoi në filmografinë shqiptare, vepra episode dhe karaktere që mbeten pasuri antologjike të paharruara të ekranit dhe kujtesës sonë duke dëshmuar se ardhja e tij në kinematografi ishte një fat i madh. Nuk u gjend rastësisht në kinematografi. Natyrë e lindur artistike dhe inteligjent, njeri plot dhunti dhe me mendje të hapur, energjik dhe me një vullnet të hekurt, cilësi që ranë menjëherë në sy qysh në fëmijëri, aty në Korçën e tij të dashur ku sajonte me dërrasa, xhama e qirinj aparate projeksioni, për t’u marrosur njëherë e mirë me botën e imazhit. Nxënës i shkëlqyer deri në mbarimin e gjimnazit me medalje ari. Ai shkon më tej, në Moskë, ku rrëmben një diplomë të shkëlqyer në kinoshkollën e madhe hijerëndë me emrin e Ejzenshtejnit, para se të filloj rrugën e tij të madhe, të cilës i mbeti besnik deri në ditët e fundit, kur projektonte ne mendje dhe në letër edhe një film tjetër më shumë, të cilin nuk arriti dot të na i xhiroj e të na i lërë si një pasuri dhe një dashuri tjetër. Majat e larta që ai kapi me filmat artistik si “Gjeneral Gramafoni,” “Nëntori i dytë”, “Rrugë të bardha” etj. bënë që shpesh herë të mbeten si në gjysmëhije një tufë dokumentarësh brilantë të Viktor Gjikës, me të cilët nis të formohet një pasuri tjetër antologjike e kësaj gjinie të re për filmografinë shqiptare. Djaloshi i ri, i sapoardhur nga studimet, e ka nisur jetën e tij artistike me një kamera në sup dhe sapo xhiron dokumentarin e tij të parë si operator dhe regjisor: “Bistricë 63”, i ka befasuar të gjithë me një vepër krejt ndryshe, të gjallë, poetike dhe plot mjete të freskëta shprehëse. Për herë të parë në ekran, në vend të dokumentarëve kronikalë vërshon plot emocion poezia e figurës, një gjë e paparë deri atëherë për traditën e zbehtë të kësaj gjinie. Një poet i kohës, i befasuar që poezia mund të shkruhet edhe me një kamera, nuk e përmban dot gëzimin e tij dhe pa kurrfarë hezitimi lëshon lajmin e gëzuar: ” Ekranit i erdhi poeti!” Duket si një kumt i nxituar poetësh, por është pikërisht ashtu. Regjisori i ri 25 vjeçar, ende me një moshë studenti, rrëmben Çmimin e Republikës, një çmim superior për kohën, që zakonisht ishte një trofe për ustallarë të thinjur në artin e tyre. Në dyzet vite krijimtari kontributi i tij i shumanshëm shfaqet i plotë si një shembull I shkëlqyer jo vetëm si regjisor, por edhe si një ndër operatorët e parë profesionistë, si skenarist, si pedagog, producent dhe drejtues kryesor i Kinostudios shqiptare. Të gjitha këto mund t’i gjesh të stampuara nëpër ballinat e veprave të tij, në arkiva dhe ekrane. Por pjesa tjetër dhe ndoshta ajo më e rëndësishmja, ajo e njeriut, shokut dhe mikut të mrekullueshëm, për ata që njohën nga afër, është regjistruar diku tjetër, në kujtesën dhe zemrën e qindra njerëzve si ne që patëm fatin të punojmë e jetojmë me të. I dashur dhe tejet njerëzor, i butë dhe elegant, i kulturuar dhe i drejtë, pasionant dhe bashkëbisedues i shkëlqyer, familjar i thellë dhe mik besnik, regjisor me një ndershmëri të lindur profesionale, ai do të mbetet një shembull i çmuar se si mund të bashkohen kaq bujarisht tek një njeri tërë këto pasuri të vyera. Vepra e Viktor Gjikës të bind që ai e ka dashur shumë vendin e tij. Vepra e Viktor Gjikës të bind që ai e ka dashur shumë punën dhe artin e tij, ekranin. Asnjë vepër e mirë nuk mund të ekzistojë pa dashurinë, pa një dashuri totale, të lindur dhe natyrale, një dashuri që dhemb dhe që është në gjakun dhe në frymën tënde. Dashuria e tij është gjithmonë e ngrohtë, sepse rri sipër flakës së besimit. Vepra e Viktor Gjikës të bind që ai e ka besuar kohën e vet, progresin e vendit të tij. Ai është në paqe me këtë besim, sepse beson në artin e tij, në fuqinë dhe në ndershmërinë e misionit të tij. E ka besuar fuqinë e ekranit si një fe dhe nuk e ka lënë dyshimin t’ia brejë sigurinë për atë që po bën. Ka besuar si një misionar tek puna e tij dhe ka qenë instinktivisht i sigurt për gjurmët e saj. Ky është një dimension që ndjehet me zemër dhe jo me mendje. Viktor Gjika është një kineast që i ka lëshuar pa asnjë frikë më shumë vend zemrës se sa arsyes dhe kjo e ka bërë veprën e tij një vepër tërësisht shqiptare dhe patriotike. Në se në bibliografinë filmike shqiptare kërkon një emër, ku dëshiron që të shtosh togfjalëshin: “vepër patriotike” ndër emrat e parë që të vetëtin në mendje është ai i Viktor Gjikës. Nuk e kanë bërë të tillë vetëm temat e mëdha, po tjetër gjë, një qëndrim tejet i dhembshur për gjithçka që është jona dhe që bie erë Shqipëri tejembanë. Si i tillë ai mbetet një nga pionierët e mëdhenj të kinematografisë shqiptare. Sot pas kaq kohësh, bindesh se sa shumë i ka shkuar këtij njeriu të mrekullueshëm emërtimi i bukur: Poeti i ekranit. Në këtë 100 vjetor të Pavarësisë shqiptare, nuk kemi se si të mos kujtojmë edhe një herë me krenari se Viktor Gjika i dha kombit shqiptar një vepër të madhe për ngjarjen më kulmore të Shqipërisë. Dita e bekuar e 28 Nëntorit të vitit 1912 u vulos në mendjet e miliona shqiptarëve prej këtij artisti të madh dhe nëntor më nëntor, së bashku me festën e çmuar do të kaloj nëpër ekrane emri i regjisorit të madh. Figura e Ismail Bej Vlorës, valëvitja e praruar dhe krenare e flamurit kuq e zi në ballkonin e shenjtë të historisë janë imazhe të pashlyeshme që u krijuan së pari në ballin e këtij artisti të madh, për të qenë më pas e përjetësisht “pronë” e miliona shqiptarëve brez pas brezi. Në këtë përvjetor ndarjeje, emri i tij i dashur dhe i madh është e natyrshme të tingëllojë edhe më i ndritur e mallëngjyes. Mallëngjyese sepse ne hyjmë tek ai brez njerëzish që besojmë se fryma e artistëve të tillë të mëdhenj tani janë pjesë e një historie nëpër të cilën u rritëm dhe dëshmuam jetët tona… Ai na mungon të gjithëve, por njerëz të tillë të mëdhenj e kthejnë mungesën në një pasuri për zemrat dhe kujtesën e kombit…
“- Sa herë hyja në dhomat e montazhit, atje në Institutin VGIK në Moskë, duke ngjitur copat e filmit në moviolë, nuk di pse më kujtoheshin duart e babait që bashkonin gurët aty mbi skelë. Përmes mallit më dukej sikur kishte diçka të përbashkët midis bërjes së murit dhe montazhit të filmit…
Viktor Gjika
“Qe një akt i guximshëm ai që bëri Viktor Gjika, kur më dha rolin e Nënë Pashakos. Qe një trimëri dhe i jam aq mirënjohëse. Mbi të gjitha unë ishja shumë e re për një rol të tillë, ishja vetëm 38 vjeçe dhe veç të tjerash, unë veriorja, duhet të luaja një grua nga jugu. Po ai është i jashtëzakonshëm kur fillon të punoj me aktorët.”
Tinka Kurti
“Në se ka një njeri që mua më bëri të dashurohesha pas kinemasë, ky ka qenë Viktor Gjika, shoku im i fëminisë që më shkruante letra të gjata deri në 10-20 faqe nga Moska. Viktori ishte çmendur pas kinemasë, pas filmave, emrave të aktorëve të mëdhenj, pas bukurive të qytetit. Ishin letra të bukura, plot ëndrra, besim dhe dashuri për ekranin”
Piro Milkani
-
1 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Flet astrologia Meri Shehu
- Dashuri engjëjsh
- Sondazhi në "Telegraf"
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj