Aventura e parë e bukur e rinisë shqiptare drejt Evropës
20-vjetori i një evenimenti të rëndësishëm kulturor, spektakli i parë i Miss Albania
Ato ishin dy nxënëse të “Petro Ninit”, të dyja me emrin Evis dhe miku im, Fredi Nune, instruktor në Federatën e Rinisë Shqiptare. Kishin një orë që më prisnin në hollin e Televizionit. Propozimi i tyre me rizgjoi idenë e lindur pak ditë më parë, teksa kisha ndjekur në RAI UNO një program. Më folën të tre me bindje, aq sa mu duk se nga unë prisnin vetëm… një Po! Ky takim thjeshtë i atij fundgushti të ‘91-it,u shndërrua në një diskutim mes kolegësh dhe të rinjsh, me të cilët ngritëm një grup të vogël pune. Zyra e nëndrejtorit të TVSH-së, zotit Ylli Pepo s’kish provuar kaq shumë hyrje e dalje. Gjatë çdo bisede, na inkurajonte këmbëngulja e disa studentëve: “Sivjet do ta zgjedhim pa tjetër Miss Albaninë!” Unë mora përsipër skenarin, Ylli udhëheqësin artistik. Po më tej? … “Dëgjo Engjëll, është mirë që regjinë t’ia besojmë një femre! Kemi të bëjmë vetëm me vajza, me prindër, me shumë veshje, e… Vera Grabocka, mbi të gjitha, e njeh shumë mirë spektaklin televiziv!”
Spektakli, shenjë e kulturës së një kombi
Të nesërmen, që të tre u nisëm nëpër një rrugë që e shkelnim për herë të parë. Ishim të bindur se spektakli nuk ishte thjesht dëshirë e të rinjve nxënës e studentë e as entuziazëm i disa vajzave impulsive. Ai ishte… Po më mirë do të kujtoj disa fragmente nga intervistat që mora atë vjeshtë për emisionin “Koha, Rinia, Televizioni”: “Miss Albania?”; “…Një ëndërr për ne të rinjtë!”; “…Shenjë e kulturës së një kombi!”…; “A do ta shohim që sivjet?” ;“…I takon TVSH ta realizojë!”… “ Kam dëshirë të marr pjesë edhe unë!” Konkurs dhe spektakël që ia kalonte në organizim, përmasa, mjete, njerëz e kohë transmetimi, të gjitha programeve që kish realizuar Televizioni ynë deri në atë kohë. Krahas seleksionimit të vajzave, numri i të cilave arriti në 270, nisi punën dhe një ekip i madh realizues. Teknika do të përdorte dy studio lëvizëse. Këmbëngulja jonë dhe sidomos entuziazmi i regjisores ishin shpresëdhënës. Pata vendosur të mbaj një ditar, krahas punëve pafund që kisha. Po kurrë nuk arrita sepse çdo ditë mbushja faqe të tëra të daktilografuara me kërkesa për dekorin, veshjet që do të porositeshin jashtë, emrat e anëtarëve të jurisë të ftuarit personalitete, muzikantë dhe si për inatin tim e tonin bashkë në shumë pika sikur po kalonin. Tërë ai tension na kish bërë të neglizhonim diku. Kishim menduar pak për drejtuesin… Një natë, ftuam në shtëpinë e regjisores, Blendi Gonxhen, një prej figurave më të njohura të rinisë studentore të asaj kohe. Provën e parë me tekstin e bëri në prani të Verës, Timos dhe skenaristit. Nuk i vumë dot notë kaq shpejt. Por në provën gjenerale, ai ishte në lartësinë e duhur. U komportua shpejt me vajzat, ndonëse skenën e kishte për herë të parë. Në fund e porosita se mund të kishte edhe ndonjë ndryshim të nesërmen në anonçime ndaj s’duhej të shqetësohej.
Vështirësi të panumërta, por optimistë deri në fund
Mbaj mend që çdo natë, më shumë me qiri se me drita, shkruaja e rishkruaja copëra skenari e teksti. Vetëm pak elementë i kishim të saktësuar. Mungonte përvoja dhe ajo me problematikja: ana financiare apo gjetja e një sponsori korrekt. Federata e Rinisë Shqiptare, si organizatore, kish marrë shumë premtime brenda dhe jashtë vendit. Por?... Nuk do ta harroj çastin kur, ai që do të sillte nga Franca të gjitha veshjet, erdhi me 30 palë kostume gjimnastike dhe ca fustane e këpucë demode. Regjisorja u pre fare. Pak metra larg nesh, 25 vajza prisnin të provonin kostumet e banjës, veshjen bazë të atij konkursi. Në fillim, nuk patëm guxim t’ua themi. Teksa kërkonim një ngushëllim ose zgjidhje, një prej premtuesve, na u mburr edhe një herë: “Nisemi që sonte në Selanik, i blejmë dhe nesër, para provës gjenerale i keni këtu!” A thua?!” Po zonja Grabocka, shoqja e kolegia ime e mirë, me të cilën ndava lodhjen e jashtëzakonshme të gjithë atyre ditëve, mundi të më thotë vetëm katër fjalë: “Nuk e bëjmë dot kështu!” S’kish faj: sedër artisti! Tri ditë para provës gjenerale, kur morali i vajzave pjesëmarrëse, na kish ngrohur deri në ato çaste, na u duk se ishim para një dështimi të plotë. “Vera, mos u ngut!”… Zëri i Yllit, i qetë vetëm në artikulim, kërkonte të mos e humbnim. Duhej gjetur një zgjidhje sepse … kish filluar shitja e biletave, kishin konfirmuar ardhjen të ftuarit brenda dhe jashtë vendit, një popull i tërë priste të shihte çdo të ndodhte në sallën e Pallatit të Kongreseve. Çdo gjë kish mbetur në dorën tonë. Regjisorja nuk e njihte dështimin. Përvoja dhe urtësia e Pepos zgjidhte çdo situatë; i gjendur mes tyre, mendova edhe një herë vajzat që do të ngjiteshin në skenë. Ato do të flisnin vetëm në mbrëmjen e 31 janarit me bukurinë e tyre, me gjallërinë dhe elegancën e lëvizjeve, përsosmërinë fizike dhe fjalët që kishin zgjedhur për të përshëndetur publikun në konkursin e parë të bukurisë që po organizohej në Shqipërinë tonë plot halle. E nesërmja e orës 17: 00 solli, … solli diçka, por jo kostumet e banjës, ato 25 palë të shkreta që kushtonin vetëm 400 $. Njëzetepesë vajzat konkurrente e zhvilluan provën gjenerale me kostumet e tyre të banjës, të marra në shtëpi, tek shoqja, tek kushërira etj… Në ankth, i gjithë stafi ynë, madje edhe skenografi Bashkim, ing. Paskali i ndriçimit, grimiorët Zhani, Mondi e Leni, e gjithë teknika e dy studiove lëvizëse e aty, në një kënd të sallës, edhe një njeri i panjohur. Një qytetar i urtë tiranas, kish sjellë nga magazina e tij, 25 fustane nusërie, të domosdoshme për njërën nga sfilatat. Në duartrokitjet e para që shpërthyen në atë fillim prove, ndjemë që spektakli do të bëhej. Fati i tij ishte në duart, këmbët dhe mendjet e tyre. Vajzat ishin bërë aktoret e këtij spektakli, provat e të cilit u zhvilluan gjatë gjithë janarit në një sallë pa më të voglën ngrohje dhe me frikën në zemër se mos na ikte ndriçimi nga çasti në çast.
Më në fund, edhe një simbol tjetër për rininë shqiptare
Ende sot, i quaj “Artiste të Vërteta!” Atë natë vajzat tona, shpalosën para një populli të etur për pak gëzim, 3 orë e 25 minuta, emocione, tension dhe gëzim të veçantë në një transmetim të drejtpërdrejtë. S’mund ta harroj edhe mëngjesin e 31 janarit. Kërkesa të pallogaritshme për ftesa; u gjeta ngushtë si të gjithë kolegët e mi. Disa i harrova! Mëndja më rrihte tek ora 20:30 e asaj natë të shumëpritur. Po të gjithë na kuptuan. Shumë vetë nxituan në shtëpi apo në ato lagje ku kishte drita; të tjerë mbetën deri në minutat e fundit para Pallatit të Kongreseve me shpresën e një ftese. Kështu edhe nëpër rrethe, paçka se dikush nëpër Tiranë na e pati shprehur: “Jeni në vete? Ne s’kemi bukë e ju merreni me misse! S’kemi drita e na bëni spektakël! ...S’kemi e ju,… s’kemi, s’kemi, s’kemi…” Po ne kemi zemër, kemi shpirt more njerëz të mirë! Ato janë vajzat tuaja e tonat. Për këtë, duhet të mendoni ndryshe! E kur Valbona Selimllari, buzëqeshte para dhjetëra kamerave e aparateve fotografike, pa frenuar dot lotët, kur Valbona Çoba dhe Pegi Vreto uronin fituesen duke mposhtur ndoshta mërzinë për vendin e parë, kur Ema Troplini, mezi ndahej nga Bobi, të cilën po e priste kryetari i jurisë, regjisori Mevlan Shanaj me kurorën e “Miss Albanisë” në duar… ndjemë çlirimin. Dy mijë e pesëqind shikues të asaj salle, nuk i pushuan duartrokitjet për minuta të tëra pa ndërprerje. Ky ishte epilogu i aventurës sonë. Ishte vërtetë aventure kurora e parë, por edhe shkollë për të gjithë ne të Televizionit Shqiptar që e kthyem në traditë, nga e cila do të mësonin të gjithë të tjerët. Atë natë kishim fituar edhe diçka që s’e kishim menduar. I kishim bërë një nder të madh rinisë sonë të ndrydhur. Ajo tani kishte simbolin me të ri të saj. Pas pak muajsh, “Miss Albania” do të konkurronte me sukses mes bukurosheve të kontinentit tonë. Kishim hapur një derë të vogël drejt Evropës!
*zv/drejtor i Televizionit Shqiptar
-
1 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Flet astrologia Meri Shehu
- Dashuri engjëjsh
- Sondazhi në "Telegraf"
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj