Hyrje | Kulture | Të marrësh frymëzim nga qëndresa

Të marrësh frymëzim nga qëndresa

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Përshtypje mbi librin “Muzat e Qëndresës” të autorit Bujar Leskaj

 

 

 

 

 

Këto ditë ka dalë në qarkullim libri “Muzat e Qëndresës” me autor Bujar Leskajn. Është një libër i veçantë, por, njëkohësisht, ndoshta më me vlerë do të thosha i botuar këto dhjetë vitet e fundit. Them i veçantë se në një libër voluminoz autori ka përmbledhur e analizuar veprat e 26 autorëve të tjerë, veprim i paparë ky në letërsinë shqipe përsa i përket strukturës dhe sasisë së librave të analizuar brenda një libri. Them ndoshta më me vlerë këto dhjetë vitet e fundit sepse librat që analizohen janë të shkruara nga shtresa e ish-të burgosurve dhe të internuarve politikë. Aty trajtohen jo vetëm vuajtjet në burgjet dhe internimet, por njëkohësisht i bëhet një analizë e hollësishme shkaqeve që çuan në atë diktaturë të pazakontë, gati gjysmë shekullore. Shpjegohet pse komunizmi pati jetëgjatësi në Shqipëri, zbërthehen hollësisht jo vetëm vuajtjet e njerëzve nën diktaturë, në burg dhe jashtë saj, por edhe mekanizmat çnjerëzore që mbajtën gjallë diktaturën, tregojnë si tjetërsohej njeriu në atë regjim, heshtja, frika dhe në një farë mënyre pajtimi me vetë diktaturën. Autori i librit me durimin e një gurgdhendësi, interesin e një intelektuali të vëmendshëm, me këmbënguljen e një patrioti dhe sidomos me dashurinë e madhe për njerëzit dhe tokën ku jeton e krijon, faqe pas faqeje, na shpalos qetësisht, mjeshtërisht, me shumë dhimbje, por pa urrejtje, jetën dhe vuajtjet e njerëzve në diktaturë sigurisht duke i ilustruar me shembujt e panumërt të librave të shkrimtarëve përkatës. Shohim aty njeri pas tjetrit, poetin martir të vrarë nga diktatura Vilson Blloshmi, Mandelën shqiptar, të urtin dhe të paharruarin Pjetër Arbnori, të brishtin dhe të pamposhturin Visar Zhiti, zonjën e madhe, plot hir e sharm Musine Kokalari që ndoshta do të bëhej një Margaret Theçer ose një Madlen Ollbrajt e politikës shqiptare, por që diktatura e degdisi si fshesare rrugëve të Burrelit(Rëshenit) derisa i mori jetën, demaskuesin e pamëshirshëm të diktaturës dhe burgjeve, unik në llojin e vet, Henrik Gjoka, luftëtarin që guxoi të shkruante ndryshe Koço Kosta, të papërkulurin Bedri Blloshmi, një muze i gjallë vuajtjesh e mundimesh, intelektualin rebel dhe qytetarin e shqetësuar për fatet e Shqipërisë, Fatos Lubonja, ëndërrimtaren Drita Çomo që iku aq e re, të ndershmin dhe qëndrestarin e pakrahasueshëm, Amik Kasoruho etj., etj…………..
Të gjithë janë atje në libër, të analizuar nga pena dhe mendja e z.Bujar Leskaj nën një këndvështrim të ri. Ja se si thotë autori në faqet e para të librit të titulluara “Apologjia e Letërsisë së Burgut,” duke shpalosur dukshëm qëllimin e këtij studimi, të veçantë do ta quaja në llojin e vet: “Synimi im, për të shkruar për disa nga librat e autorëve që kanë jetuar kalvarin e burgjeve apo internimeve nuk është një përkushtim personal…. Unë i shoh këta autorë si pjesëtarë të denjë në hierarkinë e lartë të vlerave në letrat shqipe dhe veprat e tyre të dobishme për rivlerësimin e historisë shqiptare. fq9.  Por jo vetëm kaq. Bujar Leskaj para së gjithash na paraqitet një qytetar, ku fatet e tij janë të lidhura pazgjidhshmërisht me historinë dhe zhvillimin e vendit ku ai jeton e punon.  Në të vërtetë tash njëzet vjet jemi dëshmitarë të një propagande pothuaj të përditshme ku ishët: aventurierë, teoricienë, krijues, zbatues dhe mbrojtës të diktaturës, bëjnë analiza për demokracinë, falsifikojnë historinë, faktet, ngjarjet, njerëzit dhe gjithçka të zezë që kanë bërë në atë kohë. Do të merrja si shembull librin e fundit me kujtime të një ish-funksionari të lartë të diktaturës sot ambasador në Zvicër. Lavdi zotit jemi ende gjallë dhe jo pak ngjarje i kemi jetuar e parë me sytë tanë. E pra ky njeri edhe pse ishte një nga shpresat e Ramiz Alisë për vazhdimin e rrugës diktatoriale, edhe kur pluralizmi ishte shpallur, ulërinte tribunave për arrestimin dhe vrasjen e demonstruesve lirikërkues, sot shkruan kujtime dhe arrin të na thotë gënjeshtra dhe palaçollëqe të tilla sikur i qenka rrezikuar jeta nga diktatura. Që diti ta dredhe ai dhe shumë të tjerë e të veshin petkun e demokratit shtyhet, që arrin të na bëhet nga anëtar i Komitetit Qendror të Enver Hoxhës, ambasador edhe kjo shtyhet, por që të marrë përsipër e të na bëjë historinë e re, me veten dhe shokët e tij promotorë të demokracisë, kjo është e tepërt dhe nuk duhet lejuar. Ja pse libri i Bujarit edhe në këtë rast merr një vlerë të veçantë duke na dhënë të vërtetën ashtu si është dhe jo si do ta dëshironin ish-komunistët. Autori i shqetësuar shkruan: Duket sikur një dorë misterioze dublon zërat e gabuar në kujtesën tonë. Prandaj për të mos e pasur kujtesën e shkurtër duhet paraprirë… jo vetëm me hapjen e dosjeve por edhe me dëshmitë që vijnë prej veprave letrare dhe artistike. Pa u nënvleftësuar as njëra e as tjetra mënyrë ne sot duhet të ndezim dritën mbi bodrumet e errëta arkivore të diktaturës. Fq.20. Nuk është i vetmi e as i fundit ambasadori që përmenda më lart se ka ende anëtarë të byrosë politike, duke filluar nga Ramiz Alia, Nexhmie Hoxha e deri të famëkeqi Kiço Mustaqi (këtij ia bëjnë librat me para me porosi) që shkruajnë e falsifikojnë historinë. Por ajo që të bën përshtypje dhe sigurisht të trishton është se promovimi i këtyre librave bëhet në salla luksoze, ku nuk mungon shtypi dhe media vizive, i shoqëruar me kokteje, ku paratë nuk llogariten. Pastaj me ditë e muaj të tërë nën tamtamet e daulleve të kuqe sikur po lajmërohet për një dasmë mbreti,  bëhet me dije se na vjen një libër i ri që na do të na ndriçojë edhe më shumë rrugën tonë drejt të ardhmes. Është shumë e dhimbshme por ama është më se e vërtetë. Ky fenomen  nuk i ka shpëtuar autorit të librit që si një vrojtues dhe studiues i vëmendshëm i letërsisë së burgut thekson qysh në faqen e parë të Apologjisë: Përpjekjet regresive si Mbulimi dhe Mohimi, që vazhdojnë të bëhen nga qarqe të caktuara të majta përgjithësisht për deformimin e të vërtetës historike dhe mosvlerësimi i kontributeve të vyera intelektuale në letërsinë shqipe  janë kundërshtaret e para dhe më të rrezikshme të letërsisë së burgut. Klanet e vjetra apo të reja letrare dhe politike për shërbimet e vjetra apo të reja që i kanë bërë dhe i bëjnë diktaturës dhe sigurimit famëkeq në ato vite, pareshtur vazhdojnë edhe sot të shpërblehen në mënyrë të pamerituar me promovime veprash, me lavdërime të sforcuara e falsifikime veprash.
Do ta shtjelloja edhe më tej këtë pohim gati matematik të autorit. Shtrembërimi i të vërtetave historike në këtë rast i diktaturës, ka të bëjë me të tashmen dhe të ardhmen e Shqipërisë. Prandaj Leskaj është i shqetësuar, prandaj ai bashkon zërin me shkrimtarët që e panë ferrin dhe erdhën të gjallë ose të vdekur me veprat e tyre deri në ditët e sotme. 
 ***
Diktatura i “zgjidhte me dorë” me anë të spiunëve të panumërt të sigurimit të shtetit të gjithë ata që përbënin rrezik për të. Këtë e tregon më së miri gjithë kjo letërsi që e kemi në duar, e shkruar në burg ose pas viteve ‘90. Pjesa dërrmuese e tyre i shkruajtën kujtimet  në formë romanësh, ditarësh apo kujtimesh të thjeshta. Shumë të tjerë shkruajtën libra me poezi që edhe këto meritojnë një studim serioz si ky që po diskutojmë sot. Historia tregon se komunistët nuk kishin gabuar me sa duket në zgjedhjen e viktimave. Gjahtarët e sigurimit dinin mirë ta gjenin prenë e tyre. Edhe pse të lodhur, të rraskapitur e sëmurë nga burgjet e internimet ata vazhdojnë (shumë prej tyre nga parajsa) ende të prodhojnë e kujtojnë. Ata dëshmojnë e dëshmojnë pa u lodhur çdo krim e padrejtësi të kryer nga diktatura. Shkruajnë bukur, me ndjenjë e dhimbje, me një qartësi e qetësi për tu admiruar, për të ngulitur në kujtesën e popullit një kohë të zezë që përbën një nga faqet më të turpshme të historisë moderne të Shqipërisë.
Nderim e respekt për këta martirë, për këta shkrimtarë-heronj që  vazhdojnë me veprën e tyre të përballen me komunizmin dhe hienat e tij që vijnë ende rrotull dhe helmojnë ajrin e shoqërisë shqiptare. “Muzat e Qëndresës”  është një libër i shkruar me përgjegjësi qytetare e me guxim, përbën një vlerë, një risi jo vetëm në letërsinë e ashtuquajtur të burgut. Urime zotit Leskaj për librin e ri, libër që siç thotë dhe vet, do të pasohet nga të tjerë. Jam i bindur që libri “Muzat e Qëndresës” do të zërë një vend të rëndësishëm në kritikën e letërsinë e sotme.

Subscribe to comments feed Komente (0 publikuar):

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

  • Plain text 1 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Vlereso kete artikull
0