Hyrje | Intervista | Intervista/ Majlinda Keta

Intervista/ Majlinda Keta

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font

Intervista/ Flet Majlinda Keta, Pedagoge në Fakultetin e Shkencave Sociale, anëtare e Rrjetit të UNESCO-s të Filozofeve Gra

 


 


 

Në një ditë të shënuar për rininë shqiptare, sikurse është fillimi i një viti të ri akademik, është kënaqësi të bisedosh me një zonjë si Majlinda Keta, pedagoge e Fakultetit të Shkencave Sociale, anëtare e Rrjetit të UNESCO-s të Filozofeve Gra. Në këtë intervistë ekskluzive për gazetën “Telegraf”, zonja Keta rrëfen për rritjen e rolit të grave në mësimdhënie, ashtu sikundër edhe në jetën politike të vendit. Ajo arsyeton nevojën e ngritjes së nivelit të mësimdhënies dhe të përgatitjes së kuadrove të rinj të një epoke të re për Shqipërinë dhe shqiptarët...

 

- Dje ishte dita e parë e vitit akademik 2010-2011. Fakulteti i Shkencave Sociale rifilloi vitin në godinën e tij të re, që e ndani me Fakultetin Juridik,  ndërkohë që, Kryetarja e Parlamentit, zonja Topalli,  urimet i bëri nga këto ambiente nën  mesazhin “Ju jeni elita e nesërme e kombit”.  Si u ndjetë dhe si kaloi kjo ditë për një pedagoge të filozofisë?

- Dita mbarti filozofinë që realisht duhet të ketë një fillim viti akademik në një Universitet Publik. Që do të thotë se rektori i Universitetit të Tiranës, Profesor Kule,  ndau dhe shprehu kënaqësinë e tij për mbajtjen e premtimeve të dhëna në investimin e kryer tek infrastruktura e këtyre dy fakulteteve, nga më të kërkuarit, sikurse edhe parashtroi ambiciet dhe objektivat për Vitin e Ri universitar, ndërkohë që shteti përmes Kryeparlamentares shprehu vlerësimin dhe besimin që ai ka tek Universiteti i Tiranës si djepi i intelektualizmit dhe akademizmit shqiptar në vite. Nuk ka si të mos ndërtohen filozofi të tilla bashkëpunimi mes universiteteve publike dhe njerëzve publikë nga skalione të ndryshme të organizimit të shtetit.

- A mund të themi që kjo është një ulje e shpatave, ekzekutiv, respektivisht MASH dhe universiteteve publike sidomos në këto muajt e fundit me debatin mbi draftin e ligjit për “Financimin në Arsimin e Lartë”?

- Nuk kam konceptuar që zhveshja e shpatave ka qenë dhe është shtet-universitete publike apo respektivisht UT-ja. Jam e bindur që ka qenë dhe mund të jetë debat mes tejnxitimeve për reforma nga miopi të lidershipit politik të dikasterit të arsimit dhe lidershipit universitar nga vota e mijëra pedagogëve dhe studentëve. Duhet vërejtur me kënaqësi që urimi i Ministrit të Arsimit, një natë më parë, ravijëzoi përgjegjësinë dhe ndërkohë krenarinë që ai duhet të ndiejë që 70% e maturantëve të Maturës Shtetërore 2010 do të zënë vend në universitetet publike… nga të cilat kërkohet forcimi i cilësisë. Pra si të thuash titullari më i lartë shprehu publikisht peshën që Universitetet publike në përgjithësi, ai i Tiranës në veçanti, kanë për cilësinë e këtij shërbimi publik ndaj të rinjve shqiptarë dhe familjeve të tyre. Këto vëmendje e pohime sigurisht janë frut edhe i reflektimeve ndërpalëshe mbi zëdhënie apo drafte të tejshpejtuara në ambiciet për të ndryshuar skemën e financimit  edhe në Arsimin e Lartë. Dje Kryeparlamentarja e rishikoi dhe e vlerësoi se investimet nga shteti për politikanët dhe juristët e rinj të erës së liberalizimit të vizave nuk mund të ndalen vetëm tek ajo ndërtesë, por duhet të vazhdojnë drejt mbështetjes financiare të shtetit dhe partnerëve të tij në Kampusin Universitar të ideuar e shumëdebatuar në qarqet e Universitetit të Tiranës. Askush në këtë erë të lëvizjes së lirë të shqiptarëve nuk do shpata me shtetin, për më tepër qarqet universitare publike dhe akademike. Sikurse jam e bindur që Kryeparlamentarja do të iniciojë së shpejti një lëvizje ku mbështetja për Korpusin Universitar të UT-së do të verë në lëvizje financa publike dhe donatorë që do të finalizojnë europianizimin e Infrastrukturave Universitare Publike që do të shërbejnë për cilësinë europiane të Arsimit të Lartë, për studentë shqiptarë apo të huaj që do të vijnë këtu nga programe të ndryshme të BE-së.

- Ndiej se ju shpreheni optimiste për një iniciativë të mundshme të zonjës Topalli. Nga ju buron ky besim?

- Thuhet se, ky është shekulli, ku gratë e politikës iniciojnë dhe finalizojnë ndryshimin. Në se unë apo z.Topalli, u prodhuam dhe u maturuam në karrierat tona profesionale apo politike nga auditoret e këtij universiteti mit të intelektualizmit dhe shqiptarizmës, ne nuk na mbetet gjë tjetër veçse, shekullit t’i japim kuptimin e ndryshimit femëror, minimalisht aty  nga ku u ngritëm ne si të tilla sot për jetën publike. Pra, që në nevojë dhe angazhim për përmbushje ne duhet të ndjehemi njësoj ndaj një kërkese, ndryshimi ambicioz siç është ai i finalizimit të ndërtimit të Korpusit Universitar të UT. Unë jam e bindur që ajo dje e ka marrë këtë detyrë në emër të misionit për shekullin e grave, mua si pedagoge e filozofisë, por jo larg edhe nga kontributet për politikën, më pëlqen t’ja sjell në vëmendje publike sikurse edhe si pjesë e bashkëpunimit dhe kontributit të saj me qindra gra e të reja që lektojnë në auditoret e Universitetit të Tiranës.

Dita Ndërkombëtare e Filozofisë 2010, për UNESCO, 18 nëntori, është ideuar nga drejtorja e Përgjithshme e UNESCOS, Zj. Irina Bokova, nën debatin “Filozofet gra si korrektore (ndreqëse) të politikës”.  A nuk ju duket domethënëse edhe kjo kërkesë bashkëpunuese e imja dhe qindra grave pedagoge për Kryeparlamentaren? Unë them që kjo është mënyra më rezultative e bashkëpunimit mes grave në shërbim të ndryshimit dhe progresit europian të vendit. Zj Topalli do të lobojë e të angazhohet patjetër për këtë filozofi të shekullit nga gratë, që vajzave dhe grave t’u themi me plot shpirtin “ Ne mundemi!”.

- Po auditori juaj sot a ndjeu këtë optimizëm tuajin si pedagoge?

- U ndje jo vetëm optimizmi im, por dhe i të gjithë maxhorancës femërore të Departamentit të Filozofisë së Shkencave Sociale. Ora 8:00 e gjeti këtë maxhorancë femërore të lektoreve të departamentit mes auditorit të studentëve të vitit të parë filozofi, që për rastësi ishte totalisht femëror si auditor, ku detajet e shërbimit dhe formimit kurrikular u ndërthurën me ato të rregullave e normale që UT-ja ka në rregulloret e tij; ku formimi dhe këshillimi i karrierës u ndërthur me ftesën për kontribute dhe përfaqësime publike për problematikën jetësore të shqiptarëve; ku drejtimi për literaturat bazë u përshfaq mes fletëve të librave dhe uebsajte-ve bashkëkohore të formimit dhe debatit filozofik botëror; ku sistemi transparent i vlerësimit u plotësua cilësisht nga ftesa për pjesëmarrje aktive të filozofëve të rinj ne rrjetin e Studentëve Ekselentë të Universitetit të Tiranës apo rrjeteve të tjera universitare studentore. Pedagoget femra gjykoj se janë shumë cilësore në përmbajtjen dhe formësimin e marrëdhënieve publike universitare departamentale. Janë shumë ndjesi njëherësh që bëjnë që ditës së parë të çdo studenti të ardhur rishtas në auditoret e UT–së t’i falësh shumë nga morali i profesionit dhe i mentorit për karrierat e studentëve të Shqipërisë  drejt BE. Kjo është detyrë dhe jo dëshirë për çdo lektor në auditor.

Subscribe to comments feed Komente (1 publikuar):

bora ne 15/02/2011 14:17:05
avatar
petagoge e mrekullueshme.me shum respekt ish studentja
total: 1 | Treguar: 1 - 1

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

  • Plain text 952 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Vlereso kete artikull
2.67