Flet Prof. Dr. Klodeta Dibra
Vizioni im për Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, sfidat me reformat, studentët dhe stafi akademik
Vetëm dy ditë na ndajnë nga zgjedhjet kolegjiale që do të zhvillohen në të gjitha universitetet publike të Shqipërisë. Gjatë kësaj periudhe të gjithë kandidatët pretendentë për organet kolegjiale të universiteteve të ndryshme të vendit, kanë shpalosur platformat e tyre dhe vizionet që ato kanë ndërmarrë në sfidat e këtyre zgjedhjeve. Në një intervistë për gazetën “Telegraf”, Prof.Dr. Klodeta Dibra, kandidate për dekane në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, si dhe dekane aktuale e këtij fakulteti, është shprehur se si prioritetet e saj kryesore janë studentët, stafi akademik, si dhe rritja e zhvillimi shkencor i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në të gjitha aspektet e tij.
Prof. Dibra, cilat janë objektivat dhe misioni që i keni vënë vetes në këtë sfidë tuajën, për fakultetin që ju aktualisht udhëhiqni?
Misioni i kësaj sfide për mua është përgatitja e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, i cili do të ketë si mision specialistët e lartë dhe studiuesit të rinj në fushën e shkencave gjuhësore dhe letrare, të përkthimit dhe të Interpretimit, të komunikimit ndërkulturor dhe turistik, të mësimdhënies së gjuhëve të huaja. Do të zhvilloj veprimtarinë mësimore, kërkimore dhe shërbyese në funksion të përgatitjes së specialistëve të lartë, si dhe të kryejë studime shkencore të zbatuara për të zhvilluar më tej degët e shkencave që mbulon dhe për t’i transferuar ato në procesin e mësimdhënies në të gjitha nivelet e arsimit dhe do të realizoj kualifikim shkencor pasuniversitar të pedagogëve të këtij fakulteti. Objektivi im kryesor është formësimi i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në nivel kombëtar dhe rajonal, rritja e efektshmërisë dhe kontributit të fakultetit tim. Gjithashtu, në këto katër vitet e mandatit tim, në qoftë se dal fitimtare në këto zgjedhje, do t’i kushtoj një rëndësi të veçantë rritjes së kapacitetit të brendshëm njerëzor, materiale dhe mjedisore me qëllim që veprimtaria e FGJH t’i përshtatet dhe t’i paraprijë nevojave në ndryshim të shoqërisë shqiptare. Do t’i kushtoj rëndësi përmirësimit të cilësisë së specialistëve që përgatit FGJH në mënyrë që ata t’i përgjigjen më mirë nevojave të së sotmes dhe sfidave të së ardhmes. Do të krijoj mundësi për hapjen e programeve të reja që lindin si kërkesë e tregut të punës dhe e zhvillimit perspektiv të vendit. Do të bëjë të mundur rritjen e cilësisë dhe mësimdhënies, duke përdorur metodologjinë bashkëkohore, si dhe të zhvillohen studimet në nivel universitar dhe pasuniversitar në të gjitha llojet dhe format e mundshme (me kohë të plotë, me kohë të pjesshme, në distancë, me kurse të shkurtra dhe kurse të plota). Duke realizuar këto objektiva kryesore, por edhe shumë të tjera, studentët do të nxiten për një angazhim më të madh në mbarëvajtjen e fakultetit.
Cilat janë objektivat tuaj në drejtim të politikës së zhvillimit të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja?
Zhvillimet e reja në vend, kërkesat e tregut të punës për profesione dhe specializime të reja shtrojnë para FGJH kërkesën për formësim në përshtatje me këtë situatë të re. Gjatë katër viteve të ardhshme struktura e programeve të studimit mund të pasurohet me profile të reja, programe të reja dhe të riorganizuara në të tria ciklet e studimeve universitare. Në FGJH parashikohet të ketë ndryshime në strukturën e departamenteve. Do të realizohet krijimi i një departamenti të ri të gjuhëve të specialiteteve, i cili do të organizojë të gjitha programet e studimit të gjuhëve të huaja në fakultetet e tjera të UT-së. Pranë të gjitha departamenteve synohet të funksionojnë grup-lëndët, për të administruar më mirë planet, programet dhe për të përafruar kurikulat midis departamenteve. Aktualisht në këtë fakultet mundësohen studimet në të tria ciklet e shkollimit. Në ciklin e parë, unë së bashku me stafin tim pedagogjik do të vazhdojmë të përmirësojmë të gjitha programet e studimit të Ciklit të parë që Departamentet ofrojnë. Do të synojmë njohjen e këtyre programeve dhe mundësinë e realizimit të programeve të studimit të përbashkëta në rajon dhe më gjerë. Ndërsa në ciklin e dytë të shkollimit do të mundësohet konsolidimi i tre programeve të studimit, tashmë nën emërtimin “Master i shkencave” “Gjuhë dhe Komunikim ndërkulturor dhe turistik”, “Përkthim teknik-letrar dhe Interpretim” dhe “Mësuesi”. Përgatitja dhe hapja në një afat të shkurtër edhe e programeve të studimit “Master profesional” në nivele departamentesh apo të kombinuara edhe me departamente jashtë Fakultetit. Kurse në ciklin e tretë të studimeve synojmë që në vitin kalendarik 2012-të të hapet shkolla doktorate.
Po përsa i përket veprimtarisë mësimore, kërkimore, botuese dhe vlerësuese të fakultetit, cila është platforma juaj për këto aspekte?
Veprimtaria mësimore është aspekti kryesor i veprimtarisë së FGJH. Për të siguruar cilësinë e lartë në veprimtarinë mësimore puna do të përqendrohet në drejtim të organizimit të mësimit, i cili aktualisht zhvillohet në të gjitha mjediset e FGJH me kohë të zgjatur. Kjo do të kërkojë që mjediset shërbyese (laboratorë, biblioteka etj.) të rrinë të hapura dhe në shërbim të studentëve. Riorganizimi i planeve mësimore në bashkëpunim me stafin akademik dhe studentët do të synojmë përmirësimin e planeve dhe programeve mësimore, për t’i bërë ato sa më të vlefshëm për tregun e punës në nivel kombëtar e rajonal. Hartimi i programeve mësimore sipas standardeve përkatëse të gjitha lëndëve që zhvillohen në FGJH do rishikohen për t’u përmirësuar, për të shmangur përsëritjet dhe do të formësohen sipas një formati unik, duke mbajtur parasysh kriteret e ndërtimit të programeve. Ndërsa për të siguruar një rritje të cilësisë së mësimdhënies theksi do të vihet në përdorimin e metodave bashkëkohore të mësimdhënies në arsimin e lartë, duke u dhënë përparësi metodave që kanë në qendër studentin. Në katër vitet e ardhshme do të synojë përmirësimin e sallave të leksioneve, me standardet bashkëkohorë, duke aplikuar me projekte dhe duke shfrytëzuar të ardhurat dytësore. Gjithashtu, do të bëhet e mundur edhe hapja e faqes ëeb për Fakultetin, me të gjitha informacionet e nevojshme për stafin dhe studentët. Ndërsa përsa i përket veprimtarisë kërkimore do të synojë që të fitojë vlera të reja në vitet e ardhshme duke u formësuar sipas modeleve më të efektshme bashkëkohore. Në përputhje me misionin e FGJH studimet shkencore do të ndërmerren në dy drejtime: në fushën e studimeve përqasëse gjuhësore dhe letrare duke sjellë studime dhe punime me vlera për mësimdhënien dhe kërkimin shkencor. Për t’i dhënë një dimension të ri kërkimeve shkencore është e domosdoshme të punohet mbi bazën e një platforme të politikës së kërkimit, e cila parashikohet të ketë në përmbajtje, fushat e kërkimeve në nivel fakulteti, departamentesh, seksionesh dhe individësh; çështjet që do të bëhen objekt studimi; studimet shkencore të mirëfillta; projektet e përbashkëta të kërkimit me institucionet e tjera kërkimore brenda dhe jashtë vendit. Veprimtaria shërbyese është, një aspekt i rëndësishëm i veprimtarisë së FGJH ku do të vihet theksi në katër vitet e ardhshme është veprimtaria shërbyese. Kjo veprimtari do të bazohet në nenin 7 të Ligjit për Arsimin e Lartë, ku thuhet: “Shkolla e lartë ka të drejtë të ofrojë shërbime në fushat që kanë lidhje me aspektet e zbatimit praktik të mësimdhënies e të kërkimit shkencor dhe të realizojë të ardhura prej tyre. Në këtë aspekt do të kryhet ridimensionimi i shërbimit të provimit të njohjes së gjuhëve që ofron FGJH. Kështu, synimi i afërt është realizimi i këtij provimi sipas standardeve të Kuadrit evropian të referencës së gjuhëve i cili presupozon 6 nivelet e njohje së gjuhëve (A1-A2, B1-B2, C1-C2), ku edhe certifikata që lëshojmë do të pasqyrojë të dhënat e sakta të përmbajtjes së provimit. Veprimtaria botuese do të synojë të plotësojë nevojat e veprimtarisë mësimore me materiale mësimore, do të pasqyrojë arritjet e kërkimeve shkencore, do të pasqyrojë veprimtarinë e fakultetit, të departamenteve, të studentëve. Një nga aspektet, ku do të punohet në vitet e ardhshme është nxitja e botimeve, përfshirja e punimeve të pedagogëve dhe studentëve doktorantë në revista shkencore, periodikë shkencorë brenda dhe jashtë vendit.
A keni juve një platformë të qartë për zhvillimin dhe kualifikimin e stafit akademik, si dhe të studentëve të fakultetit tuaj?
Zhvillimi dhe kualifikimi i personelit akademik, ndihmës dhe administrativ do të jetë një bosht mjaft i rëndësishëm për katër vitet e ardhshme. Ai do të ndërtohet duke u bazuar në njohjen e karakteristikave të personelit, në vendosja e marrëdhënieve të mira me personelin, në njohjen e motiveve profesionale të çdo pjesëtari, në krijimin e kushteve të përshtatshme. Parashikohet t’i jepet përparësi kualifikimit të personelit të ri akademik. Në planin e kualifikimit do të parashikohen edhe kualifikime për risi të mësimdhënies, të vlerësimit, të kërkimit shkencor, të shërbimeve. Kualifikimi do të kryhet brenda dhe jashtë fakultetit. Kualifikimi shkencor i stafit të ri do të kryhet brenda secilit departament dhe i monitoruar nga Këshilli i Profesorëve. Ndërsa studentët do të përfshihen në të gjitha diskutimet e hapura për përmirësimin e planeve, programeve të të gjitha cikleve të studimit. Do të bëhen përpjekje, në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë studentët (fakultetet dhe universiteti), për të negociuar me Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës për heqjen e detyrimit ligjor të provimit të gjuhës angleze. Në zbatim të ligjeve dhe akteve nënligjore në fuqi, do të shfrytëzohen të gjitha hapësirat për punësimin e studentëve me kohë të pjesshme brenda fakultetit.
-
1 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Flet astrologia Meri Shehu
- Dashuri engjëjsh
- Sondazhi në "Telegraf"
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj