Flet Prof. Dr. Pëllumb Pipero
Platforma ime për Fakultetin e Mjekësisë. Ngritja e prestigjit të pedagogut dhe përfitimet e studentëve
Me Prof. Pëllumb Piperon kandidat për pozicionin e Dekanit të Fakultetit të Mjekësisë sot zgjodhëm të bisedojmë rreth studentëve të Fakultetit të Mjekësisë dhe asaj që ofron programi i tij për studentët.
Prof. Pipero, në kandidimin tuaj për Dekan të Fakultetit të Mjekësisë, a keni një program të veçantë për studentët?
Unë nuk do të kandidoja për dekan sikur të mos kisha një program të tillë. Studenti i Fakultetit të Mjekësisë është arsyeja pse ekziston fakulteti. Në pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, unë kam drejtuar gjatë viteve të fundit, lëvizjen për vendosjen e pacientit në qendër të shërbimit shëndetësor. Sipas të njëjtave parime, në rastin e Fakultetit të Mjekësisë, në qendër është pikërisht studenti dhe për të fakulteti duhet të bëjë gjithçka.
Gjithçka është fjalë e madhe. Keni ndër mend diçka konkrete?
Kur them se studenti do të vendoset në qendër të sistemit, kjo flet shumë. Në radhë të parë do të thotë se çdo vendim apo veprim që ndërmerret në Fakultetin e Mjekësisë duhet të ketë në thelb interesin e studentit. N.q.s. vendimi shkon në interes të studentit, ai duhet të merret dhe të zbatohet, përkundrazi kur e dëmton interesin e studentit, duhet lënë mënjanë. Si dekan unë, profesorati dhe pedagogët do ta qeverisim fakultetin në bashkëpunim me studentët, me qeverinë studentore, me përfaqësuesit e studenteve në senatin akademik, me drejtuesit e shoqatave studentore, madje në bashkëpunim me çdo student të vetëm. Në raport me studentët, motoja ime si dekan do të jetë “Zëri yt ka vlerë”, ose për të perifrazuar një shprehje të njohur tashmë “Ti vlen”! Për të kaluar në terma konkretë. Unë kam nisur që tani të dëgjoj shqetësimet e studentëve nga pozita e kandidatit për dekan (sepse si pedagog dhe drejtues në ministri dera ime ka qenë e hapur çdo herë për çdo student dhe specializant). P.sh. studentët janë shumë të shqetësuar për stazhin pas fakultetit. Pasi kryejnë gjashtë vjet mësimdhënie intensive, ata janë të detyruar të kryejnë edhe një vit stazh, i cili (sipas kolegëve të tyre që e kanë kryer atë) është formal, jo intensiv dhe i padobishëm. Unë jam angazhuar se në bashkëpunim me profesoratin dhe vetë studentët, nga njëra anë dhe me përfaqësuesit e spitaleve dhe qendrave shëndetësore, nga ana tjetër, do të konceptojmë një periudhë stazhi më të shkurtër, por më intensiv. Në gjykimin e vetë studentëve, gjykim të cilin unë e ndaj plotësisht, është shumë më efektiv një stazh 3-5 muaj, i cili kryhen nën supervizim akademik, se sa një stazh njëvjeçar, i cili stimulon pasivitetin dhe, pse jo, dembelizmin. Këtë problem të studentëve unë nuk e mora lehtë. U interesova me drejtuesit e spitaleve, me të cilët bashkëpunoj prej vitesh, dhe i pyeta mbi shkakun e kësaj situate. Ata më thanë ndershmërisht se jo të gjithë mjekët kanë aftësi akademike për të drejtuar stazhin në mënyrë profesionale. Pra fakulteti, kur vendosi të implementonte stazhit, duhet të kishte trajnuar më parë mjekët që do ta drejtonin këtë stazh, të kishte hartuar një model për realizimin e tij, i cili të përmbante elementë teorikë dhe praktikë, etj.. Këto i kam premtuar studentëve dhe ky do të jetë premtimi i parë që do të mbaj me ta, duke qenë se brezi i vitit të gjashtë të fakultetit do të nisë ta kryejë stazhin duke filluar prej shtatorit të këtij viti. Mënyra se si po trajtoj këtë problem, do të jetë edhe standardi që unë do të ndjek për të trajtuar çdo problem të studentëve – dëgjimi aktiv i problemit, informimi i plotë rreth tij për të qenë i drejtë në vendim-marrje dhe, më pas, vendim-marrja në bashkëpunim me senatin akademik, profesoratin, pedagogët dhe vetë studentët.
Çfarë premtoni tjetër?
Premtimi im është ai që sapo bëra, pra që do të dëgjoj çdo problem të studentëve dhe do ta zgjidh atë problem në bashkëpunim me përfaqësuesit e tyre. Por, natyrisht, unë kam edhe objektiva të tjerë në raport me studentët. Një prej çështjeve më delikate është specializimi i mjekëve të diplomuar. Kjo është një çështje delikate sepse gjithmonë vendet e disponueshme për specializim janë më të pakta në raport me kandidatët dhe shpesh procesi i përzgjedhjes shkakton debate. Vitin e kaluar, madje në proces u përfshi edhe prokuroria dhe gjykata, gjë që përbën skandal. Duke parë një model tepër interesant që vjen nga vendet e zhvilluara unë do të propozoja një sistem akumulativ kreditesh për fitimin e specializimit, ose siç njihet ndryshe vlerësimi me dosje. Kështu, një mjek, i cili synon të specializohet në një disiplinë të caktuar, duhet të nisë (në raste të caktuara) që gjatë bankave të fakultetit të hulumtojë në disiplinën e dhënë, të hartojë raporte, artikuj shkencorë, referime në konferenca studentore dhe, pse jo, edhe mjekësore, duhet të punojë si asistent kërkimor pranë një profesori ose pedagogu në fushën në fjalë. Të gjithë këto veprimtari pikëzohen dhe bëhen pjesë e dosjes së bashku me rezultatet e provimeve, diplomimit, pikët e konkursit, vlerësimit të profesorit, etj.. Theksoj se ky është një opsion. Vendimin për këtë mënyrë vlerësimi do ta marrë senati akademik, profesorati dhe pedagogët, madje pse të mos t’i nënshtrohet një referendumi studentor. Meqë ra fjala tek referendumi studentor, gjatë punës sime si dekan, unë do të përdor këtë metodë demokratike për tërheqjen e mendimit të studentëve për çdo problem që lidhet me ta dhe afekton të tashmen dhe të ardhmen e tyre akademike.
Në takimin tuaj të para disa ditëve me studentët, ju përmendet ekuivalentimin e diplomave. Si do të realizohet kjo?
Meqë më kujtuat takimin, ku unë shpalla kandidaturën për dekan, por ju përsëris se kjo konfirmon devizën time, pra gjithçka për studentin. Unë zgjodha pikërisht një grup studentësh për të lançuar kandidaturën time. Ekuivalentimi i diplomave është një tjetër kërkesë dhe shqetësim i vetë studentëve. Janë disa vende, ku ekuivalentimi është i arritshëm. Duke filluar nga vendi, i cili ka arritur realisht majat në cilësinë e shërbimeve shëndetësore – SHBA-të. Nëpërmjet dhënies së tre provimeve, dy teorike dhe një praktik, çdo mjek mund të përftojë një diplomë ekuivalente amerikane. Kjo arritje nuk ka nevojë për koment. Unë do të përpiqem të institucionalizoj një program trajnimi, i cili do të ofrohet falas ose i subvencionuar për gjithë të interesuarit për të hyrë në provimet USMLE. Studentët shqiptarë mund t’i japin këto provime njëlloj si edhe counterpart-ët amerikanë, pra në përfundim të tre viteve të para kur përfundon trajnimi paraklinik të jepet hapi i parë, në përfundim të vitit të gjashtë të jepet hapi i dytë. Më pas do të krijoj programe binjakëzimi me spitale amerikane për të nisur rezidencën apo hapin e tretë drejt marrjes përfundimtare të diplomës amerikane. Një tjetër program, i cili po zhvillohet aktualisht është programi i punësimit në Gjermani i mjekëve të rinj. Studentët dhe vetë mjekët e rinj janë të informuar për këtë program në mënyrë anekdotike. Unë do ta institucionalizoj këtë program, duke i ofruar kurse intensive në gjuhën gjermane, personave të interesuar si dhe do të angazhoj një pjesëtar të stafit të fakultetit për të ndihmuar studentët dhe mjekët e rinj me procedurën e aplikimit. Është i njohur fakti se mjekët shqiptarë, të diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë kanë shkëlqyer në shumë vende të botës dhe spitale prestigjioze. Ka ardhur koha që këto programe ekuivalentimi të ndihmohen nga Fakulteti i Mjekësisë në kuadër të eksportimit të trurit shqiptar për të gjithë personat e interesuar, të realizohen në mënyrë të organizuar dhe sistematike. Nëse dikujt kjo i duket paradoksale, sepse ngjan sikur fakulteti do të stimulojë largimin e trurit, do t’i përgjigjem se është krejt e kundërta. Ka qenë pikërisht kjo strategji që ka bërë që vende si: Turqia, Greqia, Libani, India të kenë sot sisteme nga më modernet për ofrimin e kujdesit shëndetësor, pasi pjesa më e madhe e mjekëve që specializohen apo ushtrojnë profesionin për disa vite në vendet e zhvilluara, me stimulimin e përshtatshëm rikthehen për të qenë kontribuuesit kryesorë në modernizimin dhe ecjen përpara të sistemit shëndetësor. Këta mjekë të licencuar nga shoqatat dhe akademitë amerikanë i kanë hapur rrugën akreditimit ndërkombëtar të spitaleve ku punojnë dhe sot vendet që përmenda më lart janë pritës të miliona turistëve mjekësorë çdo vit. Fakulteti i Mjekësisë do të kontribuojë edhe në këtë drejtim, pra në krijimin e një klase elitë mjekësh me formim si në Shqipëri edhe në vendet më të zhvilluara perëndimore, e cila nesër do të reformojë mjekësinë shqiptare.
Idetë tuaja duken tepër përparimtare. A ka ndonjë të re dhe të veçantë tjetër që ju do të sillni si dekan në raport me studentët?
Unë do të jem një dekan i derës së hapur. Çdo student do të hyjë pa trokitur (në sensin figurativ) në derën time. Por e veçanta është një iniciativë që unë do të ndërmarr për të riformatuar arsimin mjekësor. Në këtë proces unë do të hedh vetëm opsione, ndërsa vendim-marrja do të jetë e profesoratit, senatit akademik, pedagogëve dhe, mbi të gjitha, e vetë studentëve. Mendimi akademik mjekësor bashkëkohor flet prej vitesh mbi nevojën e kapërcimit të disa sfidave të mëdha në fushën e arsimit mjekësor. Sa efikas është arsimi mjekësor për të përgatitur mjekë të aftë për të përballuar praktikën, terrenin dhe zonat e vështira? Sa të trajnuar janë mjekët për të ofruar kujdes parandalues, kujdes kosto-efektiv që përbëjnë sfida në rrugën e reformës së kujdesit shëndetësor? Sa i balancuar është arsimi mjekësor, a janë të përshtatshme orët e studimit dhe praktikës? A ka mbilodhje për studentin dhe pedagogun? Sa të balancuara janë konceptet fiziopatologjike me mjekësinë e bazuar mbi evidenca? Sa i mëshon shkolla jonë mjekësore punës në ekip, kujdesit të integruar dhe sigurimit të vazhdimësisë së kujdesit? Sa e distancuar është shkolla jonë mjekësore nga konflikti i interesit? Sa respektohen parimet etike në mësimdhënie sot dhe në praktikën mjekësore në të ardhmen? Kush i financon studimet mjekësore dhe si të garantohemi se çdo student i mjekësisë sot nuk i bëhet barrë familjes përgjatë 10 vjetëve të arsimit mjekësor, po ka mundësi vetëfinancimi nëpërmjet huave studentore, punësimit me kohë të përcaktuar apo pjesëmarrjes në veprimtari shkencore dhe kërkimore?
Ndonjë mesazh në përfundim të intervistës?
Motoja ime si dekan do të jetë fjala “PRESTIGJ!”. PRESTIGJ për profesorin dhe pedagogun! PRESTIGJ për mjekun, specializantin dhe studentin! PRESTIGJ për gjithë Fakultetin e Mjekësisë! Që mjeku i sapodiplomuar të ndihet si laureat i një universiteti dhe fakulteti dinjitoz dhe t’i hapen dyert e çdo spitali publik apo privat për punësim, specializim të mëtejshëm apo kërkim shkencor, brenda dhe jashtë vendit.
-
1 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Flet astrologia Meri Shehu
- Dashuri engjëjsh
- Sondazhi në "Telegraf"
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj