Rruga e suksesshme e një krijueseje
INTERVISTA/Flet një ndër spikeret e para të RTVSH-së, skenariste, kritike letrare, Angjelina Xhara (Papalilo)
Mbasi kreu Universitetin e Tiranës për Gjuhë-Letërsi, emërohet në “Kinostudio Shqipëria e Re” si redaktore në sektorin e filmit kronikal dhe dokumentar. Ka shkruar mjaft tekste për filmat e kronikës si dhe 30 skenarë për filma dokumentarë, ku dallon gërshetimi i të dhënave dhe i informacionit të vjelë me një trajtim të hijshëm të fjalës, komentit, duke ndërtuar subjekte tërheqëse e jetësore. Gama e gjerë tematike, ndërthurja e gjuhës së reportazhit, me sintezat ideore dhe flukset poetike, sikurse lënda e natyrës shkencore-popullore e veshur me një formë të çlirët dhe komunikuese janë tipari i skenarëve të saj. Ndër filmat e saj mund të përmendim: “Viti 24”, “Shkolla rrëzë alpeve”, “Gëzim në sytë e nënës”, “Qilimat tanë”, “Onufri”, etj.. Por ajo më parë se të shkelte në këtë institucion ka qenë spikere lajmesh në RTVSH për vite me radhë. Është spikerja e parë e lajmeve në televizion, përkrah spikerit të njohur Kiço Fotjadhi.
Jemi takuar diku gjatë emigracionit në Athinë bashkë...
Po. Tek zyrat e shkrimtarit arvanitas Aristidh Kola, një njeri i veçantë. Mbaj mend, na mblodhi ne, një grup emigrantësh intelektualë të bënim një shoqatë... Duke menduar për emrin tha papritur... “T’ia vëmë emrin “Shqipëria”, se këtu nuk e njohim këtë fjalë.”
Mbaj mend që kini folur shqip në radion e Bashkisë së Athinës, “9.84”
Është e vërtetë... Punova rreth 7 vjet në këtë radio, në rubrikën e lajmeve shqip. Ishte një nga radiot më të dëgjuara në Athinë. Kjo ndodhi në vitin 1998. Ky emision dëgjohej me shumë interes nga të gjithë emigrantët. Lajmet në shqip jepeshin dy herë në ditë. Radio Athina “9.84”, është një stacion qendror shumë i dëgjuar në 2/3 e Europës deri në Afrikë. Më bën përshtypje që ne i shkruanim vetë lajmet dhe nuk na kontrollonte askush...Emisioni ishte 2 herë në ditë.
Me siguri të është kujtuar në këto kohë mëngjesi kur jepje emisionet e lajmeve të mëngjesit bashkë me spikerin e famshëm Haki Bejleri...
Po, në Radio -Tirana, unë pata fatin të kisha mësues dy spikeret më të dëgjuar: Vera Zhejin dhe Haki Bejlerin. Mbaj mend të mrekullueshmen Vera, që kishte atë zë aq të ngrohtë e bindës. Ishte dita e parë kur do të flisja në mikrofon direkt. Kisha marrë me vete dhe një shishe ujë, mos nga emocioni më ngecte zëri. Ajo e rrëmbeu shishen dhe e nxori jashtë e më foli me ton shumë imponues: “Asnjë emocion nuk do kesh, do ta shohësh...” Ndërsa me Haki Bejlerin, jepnim për vite të tëra bashkë lajmet e mëngjesit. I mrekullueshmi Haki Bejleri me atë zë aq të veçantë magnetik. Njëherë më thanë se, Mehmet Shehu kishte dërguar një letër në televizion, apo vetëm me telefon... Nuk e mësova mirë asnjëherë, por ai kishte thënë se isha spikerja më e përshtatshme e më serioze. Për pak kohë, jo vetëm që jepja lajmet, por fillova të bëj prezantime. Pastaj u rrokullisën ngjarjet e s’dola më në ekran... Nuk e di çfarë të them tjetër. Ishin kohë të vështira...
Keni diçka të veçantë në krahasim me shoqet apo koleget e tua...
Më pëlqen ta quaj veten e pavarur, megjithëse të pavarur është vështirë të gjesh në kohët tona dhe kurdoherë, do të thosha. Dua të jem më shumë me veten time, të fle rehat, pa prekur asnjë njeri në bindjet e veta. Duhet ta respektojmë njëri-tjetrin pavarësisht se çfarë mendojmë vetë dhe të meditojmë më shumë, të dimë të zgjedhim edhe nga idetë e të tjerëve. Gjithmonë jam përpjekur të mbijetoj në çdo kohë me këtë “armë” filozofike. Kam kërkuar një dritë jeshile edhe kur ka qenë e ndezur drita e kuqe “mos kalo”.
Do të ndalemi pak tek puna jote në televizion, megjithëse më vonë sikur të kanë harruar...
Eh, larg syve, larg zemrës... a nuk thotë populli: ... Unë ika në emigracion dhe tani që jam kthyer, do më kujtojë të paktën brezi im. Kam qenë në një kohë me spikerët e njohur të televizionit: Kiço Fotjadhi, Virgjil Kule, Çlirim Poron, më pas erdhi dhe Violeta Hasanin e Amalia Çalin.
Në librin e shkruar nga S. Këlliçi është vënë dhe fotografia jote me Zerina Kuken, që ishte dhe ajo një nga spikeret e para...
Po ishin një grup shumë simpatik shokësh të mirë me operatorët e talentuar Pali Kuke, Stefan Gajo, Sazan Mane, Bujar Kore, etj.. Mbaj mend që jam bërë nxitje që të bashkoheshin Zerina me Palin, duke iu thënë: “E dini sa të bukur do ju bëhen kalamajtë, një zeshkane, një bind”.. Kisha këtë logjikë edhe kur unë vetë u bashkova me bashkëshortin tim të mrekullueshëm, që i ndrittë shpirti, lart në qiell. Edhe ai ishte zeshkan dhe unë bionde.
Për bashkëshortin tënd, Pandeli Papalilo më kanë thënë që ka qenë nga inxhinierët më të zotë në atë kohë për antenat
Po, prandaj të thashë që nga televizioni kam kujtime të mira. Pikërisht aty gjeta shokun tim të jetës, me të cilin bëmë dy fëmijë të mirë. Djali vazhdon në rrugën e të atit, ndërsa vajza, do më pëlqente të ecte në rrugën time, se ka talent në të shkruar. Ajo më ka bërë gjyshe dhe kënaqem shumë në këtë moshë.
Nga radiotelevizioni shkuat një kohë të gjatë në Kinostudio?
E vërtetë! Vazhdova të punoj në Kinostudio, por në ëndërr vazhdimisht më dilte përpara mikrofoni direkt, sikur kërkoja lajmet për të folur dhe nuk i gjeja.
Tani çfarë keni në dorë?
Sapo është botuar libri për “Artisten e Popullit”, Margarita Xhepa me titullin “Margarita e artë”, ndërsa po punoj për të paraqitur së afërmi në shtyp librin studimor “Personalitete femërore në artin kinematografik shqiptar”
Kohët e fundit të kanë bërë dhe Ambasadore Paqeje, kështu që je e angazhuar edhe nga ana shoqërore
Ishte një e papritur e bukur, në këtë shoqatë, sepse më pëlqeu fryma e përgjithshme e komunikimit njerëzor dhe e bashkëpunimit mes te gjitha besimeve e mbi të gjitha besimi i madh te Zoti. Uroj më të mirën për të gjithë.
Krijimtaria
Filmi im i parë ka qenë për krimbin e mëndafshit, “Dy endje”, me regjisoren e mrekullueshme Adriana Elini. Kam pasur një pasion të veçantë për filmin shkencor popullor, ndaj kam shkruar skenarë për florën shqiptarë, për qilimat, për veshjet popullore etj. Të veçantë kam quajtur filmat që i ka si bashkautor me specialisten e njohur të kësaj periudhe, profesoreshën Dhorka Dhamo, filmat “Onufri” e “Piktura mesjetare shqiptare”. Tek filmi i dytë, kur e dëgjoj edhe zërin tim tek lexoj tekstin, më sjell një mall të vërtetë për vitet kur unë isha spikere... Një temë e preferuar për mua si skenariste kanë qenë filmat dokumentarë për figurat e shquara, si “Piktori Abdurrahim Buza”, “Profesor, doktor Aleksandër Xhuvani”, “Poeti Lasgush Poradeci, (në bashkëpunim me kinostudion “Shqipëria e re”) dhe disa filma në bashkëpunim me Televizionin Shqiptar. Në bashkëpunim të ngushtë me krijuesit Ylli Pepo dhe Ëngjëll Ndocaj, kam qenë skenariste në filmin e parë me temë nga Kosova, me titullin sinjifikativ “Kosova me të vërtetat e saj të mëdha” me 4 seri. Me temën e fëmijëve kam disa filma interesante siç janë “Fëmijët tanë një këngë e bukur” e shfaqur me sukses edhe në Xhifoni të Italisë, “Shkolla rrëzë alpeve”, “Vogëlushët e fshatit” , “Gëzim në sytë e nënës”etj. Për realizimin e këtyre filmave kam bashkëpunuar me regjisorë e operatorë të shquar të Kinostudios si Endri Keko, Donika Muçi, Vitori Çeli, Adriana Xhajanka, Marianthi Xhako, Sokrat Musha, Agim Fortuzi, Ilo Pando etj.. Jam marrë vazhdimisht edhe me kritikë filmi, duke nxitur krijimtarinë më të mirë. Jam përkthyesja në shqip e librit “Gruaja leopard” të shkrimtarit të njohur italian Alberto Moravia dhe kam në kokë një plan përkthimesh nga greqishtja, meqë Zoti, përmes emigracionit më dha mundësinë të mësoj edhe gjuhën greke.
-
1 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Flet astrologia Meri Shehu
- Dashuri engjëjsh
- Sondazhi në "Telegraf"
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj