Flet Kozeta Mamaqi
Ju tregoj përvojën time si gazetare dhe shkrimtare. Emocionet e jetës dhe ngjarja e ambasadave
Një grua energjike, por e butë, e ndjeshme, sa duket sikur nxjerr ëmbëlsi nga goja kur flet. E shoqëruar, por dhe shumë punëtore. Vitet e pensionit i kalon mes fletoreve duke shkruar tregime dhe skica. Ka botuar tre vëllime me tregime dhe niveli i krijimtarisë është gjithnjë në rritje. Por ajo s’e harron kurrë profesionin e gazetares. Për të gazetaria është një profesion i bukur, inteligjent, por që kërkon shumë punë, kohë dhe përgatitje. Pa këto cilësi s’mund të bëhesh gazetare e mirë, thotë Kozeta. Një ndër emisionet e saj më të bukur ka qenë lufta në Kosovë. Për të ka shumë ngjarje që kur i tregon të rrëqeth mishin.
Si do ta cilësonit punën e gazetarit?
Puna e gazetarit në radio dhe në terren, është përgjegjësi e madhe dhe shërbim i devotshëm ndaj publikut.
Kur keni ardhur në Radio- Tirana?
Erdha në radio pas një përvoje të kahershme në shtypin e shkruar dhe pas një periudhe pauze në këtë fushë, ishin plot 17 vite pune në prodhim, nga të cilat 11 vite në bujqësi, gati 5 vite në rrobaqepësi dhe një viti në arsim. Puna në radio ishte shumë e bukur.
Çfarë realizuat për herë të parë në Radio-Tirana?
Shërbimi i parë ishte një portret për artisten e madhe Jorgjia Truja. U takova me të. Folëm gjatë. Mora shënime pafund. Nuk kisha magnetofonin ende dhe portretin e ilustrova me këngët e saj, me zërin e saj e mrekullueshëm. M’u duk që doli mirë.
Atëherë, jo të gjithë gazetarët ishin të pajisur me magnetofon?
Jo, nuk kishin të gjithë gazetarët magnetofon. Punonin edhe dy apo tre prej tyre me të njëjtin mjet. Drejtori i Radios së Jashtme në atë kohë ishte Thimi Nika, i cili më dha mundësinë të kisha magnetofonin tim, një “Sony” i ri fare. O Zot, sa u gëzova! E mbaj mend shumë mirë, që me të në dorë, shkova te Nandi, tekniku më i mirë i radios, i cili më dha me dashamirësi udhëzimet për përdorimin e magnetofonit. Dhe sa i ndryshëm ishte nga magnetofoni i shumë rëndë i Feruze Bajos, të cilin apo një të atillë e përdorte kolegu im, Pjerin Nika.
Çfarë ndjesish ju ka dhënë puna në radio?
Puna ka qenë për mua një nga gjërat më të bukura në jetë. Ajo, ndonëse më ka munduar, më ka dhënë shumë kënaqësi, më ka dhënë sadisfaksion, më ka dhënë energji pozitive për të përballuar të vijueshmen, që rridhte përmes orëve, ditëve, javëve, muajve, apo viteve në gazetari. Është punë e lodhshme puna e gazetarit, sepse të duhet të përgatitesh para se të nisesh për të bërë një reportazh, apo një intervistë, apo një portret, etj., etj.. Nuk mund ta bësh si duhet një material publicistik, nëse nuk ke shfletuar më parë për atë që do të pasqyrosh, pa shfletuar për problemin në fjalë, pa pyetur njerëz të ndryshëm apo miq të “ X” apo “ Y” personi, kur ke për të përgatitur një portret apo të bësh një intervistë me të. Nuk mund të shkosh, bie fjala, në Institutin e gjuhësisë dhe letërsisë, të kërkosh një intervistë me titullarin e t’i thuash atij: “E di ç’bën ti? Më mirë bëji vetë pyetjet e vetë përgjigjet, se unë s’di ç’pyetje të të bëj” etj., etj.. Ky nuk është seriozitet, nuk mund të jetë pasion për profesionin që ke zgjedhur, si rrjedhojë …, kot që i je futur asaj pune, do të thosha unë.
Ju si shkonit për të bërë intervistën apo portretin?
Jam përpjekur në punën time të shkoj e përgatitur atje ku do të bëja një material për në radio, apo edhe për në shtyp. Jam përpjekur, që mbasi jam takuar me personin për të cilin do të shkruaja, ta paraqisja risinë e tij apo të saj në fushën përkatëse me vërtetësi. Kjo ka qenë arsyeja, qe gjatë gjithë karrierës sime si gazetare, nuk mbaj mend asnjë reklamim të punës nga ana e publikut.
Kë emision do të veçoje nga emisionet tuaja?
Në radio kam patur një rubrikë për gratë. Mikrofoni im solli në valët e radio- Tiranës zërin e tyre, solli përvojat dhe eksperiencat e tyre, sukseset dhe arritjet. Solli edhe brengat e pishmanllëqet, solli edhe ëndrrat për të ardhmen. Dhe sa shumë ishin ato. Më kërkonin edhe t’ua hidhja ato materiale nëpër shirita magnetofoni, që t’i kishin kujtim. Dhe kurrë nuk përtova . Ato biseda të çlirëta, ilustruar edhe me muzikë të zgjedhur, për të cilat pata bashkëpunuar me sektorin e muzikës, ua mbushnin shpirtin me gëzim. Dhe pas tyre , a kishte gjë më të bukur për mua se sa të merrja falënderime e të puthura, që gratë t’i jepnin me shpirt? A ka çmim më me vlerë, që të jep kënaqësi e stimul që të vijosh të punosh pa u lodhur për to, për publikun në përgjithësi?
Ndonjë moment tjetër do të veçoje?
Po! Koha e luftës në Kosovë ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme për mua. Njerëz që kishin rrugëtuar gjatë e kishin lënë shtëpitë, që ishin shpërndarë e kërkonin njeri-tjetrin...që tregonin në mikrofon heqjet e dhimbjen e tyre ...Abdyl Krasniqit i kishin vrarë vajzën dhe dhëndrin në luftë dhe ai, pas intervistës që bëri me mua dhe që e dëgjoi në radio, më telefonoi e më tha: “ Faleminderit. Isha i vdekur, ti më ringjalle”. Nuk i kam harruar ato fjalë. Nëpër kampet e të ardhurve në Tiranë, apo në Durrës, apo në familje të ndryshme ku ata u strehuan në ato kohë, kam shkuar me mikrofon në dorë dhe kam sjellë për publikun fjalën e tyre, heqjet e tyre, por edhe besimin e tyre. Te Xhoshua Sentër kam takuar gra të dhunuara, që rrinin shtrirë dhe nuk nxirrnin zë, të mpira, të humbura...pa fjalë. Atje kam parë edhe një njeri , të cilin nuk do të mund ta harroj. Kishte qenë inxhinier, por serbët e kishin detyruar, me automatik në kokë, që të minonte Kosovën, atdheun e tij, Kosovën e dashur … E kish bërë atë gjë, ndaj nuk u përgjigjej pyetjeve që i bëja, por vetëm më ofronte paqetën me duhan , ndonëse disa herë i thashë që nuk e pija duhanin. Ai përsëri të ofronte duhan, vetëm kaq… E kishte çmendur e keqja…Gjithë këta personazhe, që rastësia apo dhe të kërkuarit , hyjnë në jetën e gazetarit, mbeten brenda tij me dhimbjen e provuar.
Pas 17 vjetësh ju u rikthyet nga prodhimi në Radio?
Kur fillova punë në radio ishte fundi i vitit 1991. Kishte ndodhur ngjarja e ambasadave, kishin ndodhur eksodet . Nëna, motra, prindër, gjyshër, familje që u tronditën. Dikujt i iku djali, dikujt vajza, motra, vëllai etj. etj. Mikrofoni im, në atë kohë, falë departamentit të bashkatdhetarëve ku punoja , shkoi në sa e sa familje, në Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë, kudo, përfshiu gjithë Shqipërinë, sepse e madhe ish tronditja. Kish përfshirë gjithë vendin. Kam bërë reportazhe pafund. Zërat e nënave, baballarëve, të pjesëtarëve të tjerë, që kishin mbetur e që flisnin në mikrofon për jetën e tyre, për mallin për të munguarit, bijtë e tyre...Radioja shpërndante valët anembanë botës dhe mblidhte, gjithashtu, emocionet pranë departamentit. Emigrantët pranë radiove ndiqnin emisionin e tyre. Dëgjonin, përpinin çdo informacion prej atdheut, mallëngjeheshin me bisedat e organizuara nëpër familjet e tyre dhe vraponin për të komunikuar me ne. Çdo ditë, në departament vinin pafund kartolina, letra. Një komunikim i vazhdueshëm dhe i gjallë mes tyre e familjeve me ndërmjetësinë e radios, ku kontribut kishin të gjithë gazetarët, që punonin atje. A ka gjë më të bukur se sa kur krijon ura lidhjeje të tilla, urra lidhjeje të dashurisë mes njerëzve. A ka pra punë më të bukur se sa ajo e gazetarit? Është përgjegjësi e madhe dhe njëkohësisht të jep mundësinë të provosh çaste të lumtura, emocione të forta.
Keni shkuar në Kosovë?
Fill pas lufte, shkova në Kosovë. Edhe sot përjetoj emocione me mornica në trup me ndjesinë e lirisë që preka në Prizren, në Krushë, në Prishtinë, në Pejë. “Aventura e lirisë” i pat dehur të gjithë atje. Nuk kishte gjë më të madhërishme se sa të ndjeje në sytë e tyre ,në qenien e të gjithëve etjen për lirinë e munguar, dashurinë pa kufij për tokën, mëmëdheun, Kosovën, Shqipërinë. Të rinj e të reja , të moshuar, gra e burra , fëmijë, të gjithë, të gjithë, me flamuj mbi makina duke shëtitur nëpër rrugët e vendbanimeve. Flamuj në çdo shtëpi. Në çdo vatër flitej për lirinë. Ishe tema e ditës. Ishte arritja më e shumëpritur, ndaj nuk tuteshin as burrat tek derdhnin lot. Ishin lot gëzimi.
Sa shumë foli mikrofoni im në ato ditë! Sa emocione shpërndau ai anembanë Botës, te çdo familje shqiptare! Sa gëzim, por edhe dhimbje, sa shpresë se Kosova do të bëhej.
Çfarë duhet ta karakterizojë një gazetar?
Nga përvoja ime do desha të theksoja që, nëse në gazetari je vetvetja, sjell të vërtetën, shkruan me dashuri dhe mirësi për njerëzit, ke respekt e seriozitet për profesionin dhe përpiqesh ta perfeksionosh atë me studim, me siguri do t’i arrish frytet dhe do të marrësh kënaqësinë që të jep puna.
-
1 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Dashuri engjëjsh
- Nis sondazhi në "Telegraf" për personazhin e vitit 2011
- Flet astrologia Meri Shehu
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



personale direkte,po familia e saj,per ne Permetaret e sidomos ne te Dangellise
Naimjane,ka qene e shenjteruar.
Te mirin dhe te ndierin Dashnor Mamaqi, e kemi patur"Idhull",sa model per ta imituar.
Une me teper,se ata, ka qene shoke ne lufte sa rindertimin e vendit.(i nderi Stavri,shoke qe ne kohen e luftes dhe sidomos ne vitet e Rindertimit te vendit,bere kuader i kantiereve dhe ndermarieve te ndertimit,ne gjithe vendin, me Tiranen qender sa mbaroi Hekurudha Peqin Elbasan.
Ne Hidrocentralin e Selites do merte "DIPLLOMEN" e drejtuesit,me te cilen vazhdoi nje jete deri sa u nda nga jeta me 1998.
Po te mirin dhe te ndjerin Dashnor Mamaqi e ka patur dobesi,sa une,njohur qe femije kur me nisi nga Permeti per Tirane,me makinat si "vullnetar".
Ndertohej hekurudhe Durres Tirane,ku im vella, drejtor ne Tunelet e Rozhbullit, perjetuar ate largimin e Jugosllaveve...
Do te permend dhe nje fakt tjeter,sa di.Kur eshte perjashyuar im vella me 1952 nga Partia(Fiqret Shehu sekretare)
,pas nje letre anonime,ai Dashnori,qe ishte dhe sekretar i Kom partise per Tiranen,nuk ka qene dakort.
Po jeta i ka dhe keto.Te ndershmit dhe atdhetaret,mbeten ata qe ishin,qe nga lufta e deri sa ju regetiu shpirti.
Hak nuk kemi per te marre perkundrazi duam HARMONI NJERZORE.
Jo si na ka katandisur kjo kohe qe jetojme.
Nderime e rrespekte z.Kozeta Mamaqi,
ndjekur emisionet e Juaja si femije, ani se sot jam 76 vjecar.
Faleminderi Albert Zholi,djali e shkuar djalit,per mua me djale dhe"pa djale",ngrene emigracioni ne Greqi,ku une,e kam te veshtire shkuarjen.Me terheqin tani nipat buzequmesht,flasin shqipen me mire se prindet,qe jua kam marre eren,gjate shkuarjes nga Toronto
Ketu kam nip e mebese,me kenaqen.Po dalin ne jete.Nipi ne vitin e trete Konservator per Piano,pa harruar klarineten e Laver bariut,sa mbesa Gjimnaste klasi,ne klubin "Kalev", njeheresh ne vitin e trete te gjimnazit ,shkolle e pergjitheshme.Krenaria ime.
Kam etje sa dhimbi e per vendin, megjithse, tre nmuaj pa u kthyer e,po lengoj.
Jam ne "bedium' e komunikoj me qiellin
;qe kur lind dielli dhe hena,jetoj me atdheun dhe ju aty ne VENFLINDIE, qe; vertet aty jetohet,lere c'flitet,
padrejtesisht.
Qeverite shkojne e vine,atdhun te shikojme.
Me konsiderate per te dy Ju,sa Gazeten "Telegraf",ku do te doja te shkruaja,sidomos ne kete 100 vjetor, qe mezi po pres te kthehem ne atdhe.
Me konsiderate.
Toronto 07-02-2012 Dhimiter Xhoga
Publikoni komentin tuaj