Hyrje | Intervista | Flet Prof. Dr. Gjergj Minga

Flet Prof. Dr. Gjergj Minga

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Pedagogët, promotorë të shkencës dhe atdhe dashurisë. Përplasja me serbët dhe njohja ime me Rugovën

 

 

 

 

 

 

Gjergj Minga është figura më emblematike e një mjeku shqiptar të të gjitha kohërave dhe të të gjitha trojeve etnike; ai është ikona e mjekësisë shqiptare. Ai është ndoshta mjeku shqiptar, emri i të cilit për shkak të veprës së tij, por edhe kontakteve që ka patur me njerëzit, njihet në një  hapësirë shumë të gjerë gjeografike të trojeve shqiptare, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Çamëri. Gjergji ka bërë shumë për mjekësinë mbarëshqiptare në përgjithësi, por në veçanti për mjekësinë kosovare. Ai është një nga themeluesit e Fakultetit të Mjekësisë së Prishtinës dhe Universitetit të Tetovës, ndaj dhe për stafin akademik të këtyre dy universiteteve ai është kthyer në idhull dhe simbol të të gjithë mjekëve shqiptarë. Ai është shembulli më i qartë dhe mishërimi i njeriut të palodhur në drejtim të studimit, përpunimit, shkrimit dhe botimit të materialeve mjekësore.

 

Ja pse u tmerrua dhe s’më doli më përpara kolegia serbe

Më kujtohet kur isha në Prishtinë në vitin 1971. Me pedagogët shqiptarë rrinim dhe bisedonim në pushimin midis orëve ose edhe mbasdite, ndërsa me ata serbë marrëdhëniet ishin korrekte. Kishte edhe nga ata që jo vetëm ishin shumë të indoktrinuar, por edhe mendjemëdhenj e fodullë, të cilëve ne nuk ua varnim. Kisha një kolege serbe të Biologjisë. E mbante veten më të madh. Një ditë e pyeta për një çështje të trajtuar në një libër të një profesori të njohur, më tha se atë libër ajo vetë e kishte siguruar me shumë vështirësi, ndërsa ti s’ke për ta gjetur kurrë, më tha me dashakeqësi. “Urdhëro”, i thashë, dhe e nxora nga çanta. U habit, më shumë u tmerrua, dhe s’më doli më përpara, dhe jo vetëm mua, por edhe kolegëve të tjerë deri sa iku shumë shpejt nga Prishtina.  

Prof.Dr.Gjergj Minga

Lindi më 22 qershor 1940 në qytetin e Korçës. Përfundon studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës me diplomën shkëlqyeshëm dhe emërohet pedagog në lëndën e Biokimisë Mjekësore. Prej vitit 1957 kjo lëndë jepej në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Është meritë e tij personale që për herë të parë lënda e Biokimisë Klinike të bëhet pjesë e programeve të Fakultetit të Mjekësisë. Po kështu ai ka dhënë dhe është bashkautor i lëndës Historia e Mjekësisë Shqiptare. Me të drejtë, për shumë funksione shkencore dhe akademike që ka kryer dhe kryen ende, ai quhet “profesor i profesorëve”, si anëtar i Këshillit Shkencor të Fakultetit të Mjekësisë; i Kolegjiumit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe i Komisionit të Shëndetësisë pranë Komitetit të Shkencës dhe Teknologjisë; i Redaksisë së Revistës Mjekësore; sekretar i Redaksisë së Shëndetësisë për botimin e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, në të dy botimet; kryetar i Shoqatës Shkencore të Studentëve të Universitetit; sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Mjekësore Shqiptare; anëtar i Komitetit Kombëtar të Bibliotekës Mjekësore. Prof. Dr. Gjergj Minga është autor i dhjetë librave për studentët e degëve të Mjekësisë së Përgjithshme dhe Stomatologjisë, midis të cilëve tekstet e para të Biokimisë Mjekësore dhe të Historisë së Mjekësisë shqiptare; autor i monografisë "Acidet e larta yndyrore të pangopur dhe prostaglandinat"; bashkautor i Fjalorit Latinisht - Shqip të Mjekësisë, pa përmendur këtu dhjetëra studime në periodikun shkencor mjekësor të kohës si dhe një sërë studimesh për anë të veçanta të shërbimit shëndetësor. Ka një gjysmë shekulli në skenën e mësimdhënies. Aktualisht është zëvendësdekan i Universitetit Amerikan të Tiranës.

Profesor, ju keni një aktivitet shumë të madh në fushën e mjekësisë shqiptare, por më shumë njiheni në Kosovë, si shpjegohet?

Është vërtet kjo që thoni ju. Për mua, koha kur dhashë mësim në Universitetin e Prishtinës në vitet ‘70 të shekullit të kaluar, mbetet nga më mbresëlënëset. Në vitin 1970, kur krijohet Universiteti i Prishtinës, për shkak të disa lëshimeve dhe zbutjeve politike, një grup pedagogësh shkuam në Universitetin e Prishtinë për të dhënë mësim në bazë edhe të një marrëveshjeje midis institucionesh. Unë aty jepja Biokiminë Mjekësore. Ishte një mision i madh për ne të Tiranës, pse të mos them, edhe politik dhe patriotik, pasi e tillë ishte situata dhe ne shkonim më shumë si misionarë, si përfaqësues të Tiranës dhe Shqipërisë mëmë.

Sivjet nga Universiteti i Prishtinës, nga kolegët dhe ish-studentët tuaj, u përkujtua vajtja juaj në Kosovë, juve ishit në këto ceremoni?

Po, isha i ftuar. Kemi bërë dy ditë festë. I kemi kujtuar ato ditë edhe në detajet më të vogla, duke bashkuar copërat e kujtimeve. Kolegët e mi kosovarë kishin bërë edhe një libër për mua, për punën time në Kosovë. Gjej rastin t’i falënderoj për vlerësimin…

Profesor, ç’mund të thoni për atë periudhë?

Ka qenë nga më të bukurat dhe më emocionueset e jetës sime. Kur zbrisnim nga makinat dhe njerëzit thoshin “Erdhën vllaznit”, ne na mbusheshin sytë me lot. Aq afër, dhe ne dukeshim sikur vinim nga një planet tjetër! Nuk ka qenë shumë e lehtë për ne pedagogët e ardhur nga Tirana, kryerja e asaj detyre më shumë atdhetare se sa pedagogjike, sepse kjo veprimtari kryhej nën mbikëqyrje të dyanshme, të njerëzve të Beogradit, por edhe atyre të Sigurimit të Tiranës. Aq më tepër që dhe kjo lloj dalje nga Shqipëria ishte krejt e një natyre tjetër.

Si ishin marrëdhëniet tuaja me pedagogët shqiptarë?

Të shkëlqyera, por edhe të kujdesshme në auditore. Ndërsa jashtë askush nuk na pengonte që pasditeve të takoheshim me vëllezërit kolegë kosovarë, në hotel "Bozhur", sot "Iliria". Se nuk ishim thjesht pedagogë, por edhe promotorë të ndjesive atdhetare që vlonin në zemrat e një kombi të ndarë dhe të shtypur barbarisht nga serbët. Kështu edhe dhimbja bëhej më e lehtë, edhe e ardhmja dukej më e afërt. Falë bashkëpunimeve letrare u njoha me Ibrahim Rugovën dhe Rexhep Smajlin, me Fehmi Aganin që jepte sociologjinë, Mark Krasniqin, që jepte gjeografinë...

 Po me studentët?

Po ja, merre me mend ç’situatë emocionuese krijohej, kur pas çdo leksioni, studentët ngriheshin në këmbë dhe duartrokisnin për minuta të tëra. Atë që kishin brenda e nxirrnin jashtë me duartrokitje.

Keni bërë shumë miq andej, në Kosovë, më shumë se sa në Shqipëri?

Është e vërtetë. Shtëpia ime nuk ka ditë të mos ketë miq, që janë ose kolegët e mi ose studentët e mi të Prishtinës dhe të Shkupit. Nuk ka aktivitet, seminar apo konferencë mjekësore, të mos më ftojnë. Siç e thashë më lartë, ndjehem shumë i vlerësuar dhe i respektuar nga Prishtina. Më bie barra mua t’ua kthej këtë mirënjohje, por nuk di si e qysh. Megjithatë kam gjetur edhe unë mënyrat e mia... 

Subscribe to comments feed Komente (0 publikuar):

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

  • Plain text 171 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Vlereso kete artikull
4.00