Raporti sekret i KLSH-se
Shkelje skandaloze jo vetëm me lejet e ndërtimit në Bashkinë e Himarës, por dhe me dhënien e tokave me qira
KLSH-ja: AMC-ja bën pazare tokash me Bollanon
Një numër I madh shkeljesh dhe dëmesh financiare në miliona euro është bilanci i bashkisë së Himarës për 5 vjet me radhë. Në një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit të siguruar nga gazeta “Telegraf” bëhen publike shkelje skandaloze të Bashkisë së Himarës. Kontrolli I KLSH-së ka pasur objekt mbi vlerësimin e aktivitetit ekonomiko- financiar, procedurat e shqyrtimit dhe miratimit të studimeve urbanistike, shesheve e lejeve të ndërtimit, lejeve të shfrytëzimit, administrimin e aseteve, vlerësimin për shitje të trojeve nën objekt, shitjen e trojeve, legalizimin e shtesave në ndërtime, dhënien me qira të objekteve pronë publike raporti i KLSH-së. Nga Zyra e Urbanistikës dhe KRRT e bashkisë nuk janë dërguar për miratim në KRRTRSH vendimet e mara për lejet e ndërtimit të objekteve në territorin e bashkisë Himarë për 28 rastet si më poshtë vijon :
Të gjitha lejet e ndërtimit të shqyrtuara dhe miratuara nga Këshilli Teknik dhe KRRT-ja, për vitin 2006 në 18 raste dhe për vitin 2007 në 10 raste , nuk janë dërguar për miratim në KRRTRSH vendimet e mara për lejet e ndërtimit të objekteve në territorin e bashkisë Himarë, duke u mjaftuar vetëm me miratimin e lejes së sheshit e lejes së ndërtimit nga KRRT e bashkisë. Në raport thuhet se veprimet e mësipërme bien ndesh me kërkesat e ligjit nr. 8405 datë 17.09.1998 “Për urbanistikën” i ndryshuar neni 70 ku shkruhet : “ Sheshet e ndërtimit për objektet turistike bregdetare ....miratohen në përputhje me studimet urbanistike të miratuara nga KRRTRSH. Studimet dhe sheshet e ndërtimit të miratuara në këto zona , i vihen në dispozicion Komitetit të Zhvillimit të Turizmit për zgjedhjen e ofertave për investim . Lejet për ndërtimet në zonat turistike bregdetare ....miratohen nga KRRTRSH”.
9 shkeljet të tjera me lejet e ndërtimit
Në raportin e KLSH-së thuhet se nga ana e Zyrës së urbanistikës Bashkisë Himarë nuk është respektuar afati kohor prej 6 muaj i vendimit të KRRT-së për leje sheshi deri në datën e paraqitjes së kërkesës për leje ndërtimi për 9 rastet e mëposhtme :
-Vendimi i KRRT-së datë 25.11.2006, në 7 raste.
Leje ndërtimi për shoqërinë “Eneida V” sh p k , për objektin “Banesë 3kt ” me vendndodhje në Himarë, me investitor Milto Kolagji.
Leje ndërtimi për shoqërinë “Eneida V” sh p k , për objektin “Banesë 2kt ” me vendndodhje në Dhërmi, me investitor Kristaq Lesko.
Leje ndërtimi për shoqërinë “Murati B A ” sh p k , për objektin “Banesë 2kt ” me vendndodhje në Dhërmi, me investitor Aleksandra Qari.
Leje ndërtimi për shoqërinë “Jon Impex” sh p k , për objektin “Banesë 2kt ” me vëndndodhje në Qeparo, me investitor Lefter Koka .
Leje ndërtimi për shoqërinë “Sinkron ” sh p k , për objektin “Banesë 2kt ” me vendndodhje në Palasë, me investitor Petro Nesturi.
Leje ndërtimi për shoqërinë “Rei ” sh p k , për objektin “Banesë 2 - 3kt + podrum ” me vendndodhje në Dhërmi, me investitor Petraq Papanikolla.
Leje ndërtimi për shoqërinë “Eneida V ” sh p k , për objektin “Banesë 2kt ” me vendndodhje në Himarë, me investitor Aleksandra Çala.
-Vendimi i KRRT-së datë 19.10.2007, në 2 raste.
Leje ndërtimi për shoqërinë “Murati B A ” sh p k , për objektin “Banesë 2kt ” me vendndodhje në Palasë, me investitor Filip Çeço.
Leje ndërtimi për shoqërinë “Eneida V” sh p k , për objektin “Banesë 2kt ” me vendndodhje në Himarë, me investitor Brigetesen Kutulla.
Veprimet e mësipërme bien ndesh me kërkesat e ligjit nr. 8405 datë 17.09.1998 “Për urbanistikën” neni 46 ku thuhet “ .....afati kohor i vendimit të KRRT-së për miratimin e për miratimin e destinacionit të funksionit të sheshit të ndërtimit dhe të kushtet urbanistike të tij, pavarësisht nga sipërfaqe është 6 muaj”.
KLSH-ja: AMC-ja nuk i paguan faturat Bashkisë së Himarës
Ndërsa në raport thuhet se gjatë kontrollit mbi procedurën e dhënies me qira të aseteve në varësi janë evidentuar shkelje të rënda nga Bashkia e Himarës. Bashkia Himarë është pronare e një pasurie toke (shkëmbore) me sipërfaqe prej 2.500 m2. Për vitet 2006, 2007, 2008 dhe 2009 nga ana e Bashkisë Himarë janë dhënë me qira sipërfaqe toke për vendosjen e aparateve dhënës e marrës të antenave të shoqërisë “AMC” Shoqërisë “AMC” i janë dhënë me qira sipërfaqe toke në zonën e Argjilesë Himarë dhe të Sugës fshati Qeparo.
a. Zona e Argjilesë Himarë.
Më datë 27.04.2001 është lidhur kontratë qiraje midis Bashkisë Himarë dhe shoqërisë “AMC” me afat 10 vjet. Në këtë kontratë përcaktohet se qiramarrësi merr me qira 250 m2 tokë në pronësi të qiradhënësit. Në lidhjen e kësaj kontrate u vërejtën këto probleme:
- Çmimi i kontratës është vendosur 2.400 USD në vit.
- Nuk është përcaktuar çmimi në lekë për m2.
- Kontrata është lidhur për një periudhë 10 vjeçare pa u miratuar në Këshillin e Bashkisë.
Shkeljet në Zonën e Sugës fshati Qeparo.
Më datë 14.05.2001 është lidhur kontratë qiraje midis Bashkisë Himarë dhe shoqërisë “AMC” me afat 10 vjet. Në këtë kontratë përcaktohet se qiramarrësi merr me qira 250 m2 tokë në pronësi të qiradhënësit. Në lidhjen e kësaj kontrate u vërejtën këto probleme:
- Çmimi i kontratës është vendosur 2.400 USD në vit.
- Nuk është përcaktuar çmimi në lekë për m2.
- Kontrata është lidhur për një periudhë 10 vjeçare pa u miratuar në Këshillin e Bashkisë.
Kundra ligjit
Sipas Raportit të KLSH-së veprimet e mësipërme janë në kundërshtim me pikën 2 të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 364, datë 05.10.1991 “Për qiranë e truallit që u jepet në përdorim për ndërtime personave fizikë e juridikë vendas e të huaj, si dhe për çmimin e truallit që u shitet vendasve, shoqërive dhe institucioneve shtetërore”.
Për të dy kontratat e lidhura detyrimi i shoqërisë “AMC” është 4800 USD në vit.
Për vitin 2006 shoqëria “AMC” ka arkëtuar pranë Bashkisë Himarë 3.059.338 lekë. Ndërsa për periudhën 01.10.2006 – 31.12.2006 si dhe për vitet 2007, 2008, 2009 shoqëria s’ka paguar asnjë lekë.
Në pikën III.4 të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 162, datë 07.03.2007 “Për dhënien me qira ose enfiteozë të pasurive të ndërmarrjeve, shoqërive dhe institucioneve shtetërore” shkruhet “Për truallin e lirë tarifa dysheme e qirasë është 100 lekë/m2 në muaj. Sipas këtij vendimi çmimi dysheme i qirasë për të dy rastet duhej të ishte 600.000 lekë në vit (100 lekë m2 në muaj x 12 muaj x 500 m2). Në këto kushte shoqërisë “AMC” duhej t'i llogaritej detyrimi i qirasë prej 600.000 lekë në vit. Për periudhën 01.10.2006 deri më 30.09.2009 (tre vjeçare) kjo shoqëri duhej të arkëtonte pranë Bashkisë Himarë 1.800.000 lekë (600.000 lekë në vit x 3 vjet).
Veprimet e mësipërme janë në kundërshtim me pikën I.5 dhe III.5 të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 315, datë 24.03.2003 “Për dhënien me qira ose enfiteozë të pasurive të ndërmarrjeve, shoqërive dhe institucioneve shtetërore” dhe me pikën III.4 të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 162, datë 07.03.2007 “Për dhënien me qira ose enfiteozë të pasurive të ndërmarrjeve, shoqërive dhe institucioneve shtetërore” dhe kanë sjellë një dëm ekonomik prej 1.800.000 lekë, çka ngarkon me përgjegjësi znj. Lefteria Prifti, me detyrë ish Përgjegjëse e Zyrës së Financës (për periudhën 31.10.2006 deri më 30.06.2007), z. Dhimitraq Çali, me detyrë Përgjegjës i Zyrës së Financës (për periudhën 01.07.2007 deri më 31.07.2008) dhe z. Koço Llukmani, me detyrë ish Përgjegjës i Zyrës së Financës (për periudhën 01.08.2008 deri më 31.08.2009).
-
155 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version



del.icio.us
Digg
Publikoni komentin tuaj