Farmacistët nuk njohin ligjin e rimbursimit për ushtarakët
LIGJET/ Kompensimi i barnave për ushtarakët midis statusit, vendimit të KM dhe realitetit
Statusi i ushtarakut, ky ligj organik që përcakton dhe mbron pozitën e veçantë juridike, ekonomiko-financiare dhe shoqërore, për arsye të karakterit të veçantë të detyrës dhe të shërbimit ushtarak, si dhe garancitë ligjore për zbatimin e tyre, veç të tjerave u garanton ushtarakëve aktiv dhe atyre në rezervë, lirim e pension kompensim të barnave në masën 80 deri në 100%. Kjo përligjet në pikën 1 nenin 41 të ligjit Nr.9210, datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut të FA të RSH”. Ushtarakut aktiv të Forcave të Armatosura (oficer, nënoficer, ushtar me pagesë/profesionist), ushtarit të shërbimit të detyrueshëm aktiv, oficerit, të cilët kanë dalë në rezervë, në lirim ose në pension pleqërie, - thuhet në të, - u rimbursohen barnat në masën 80 për qind në rast se në akte të tjera nuk parashikohet një përqindje më e lartë.”. Me këtë statusi i ushtarakut u ka njohur të drejtën e rimbursimit të të gjitha barnave dhe jo të barnave të veçanta. Shprehja: “...u rimbursohen barnat në masën 80 për qind në rast se në akte të tjera nuk parashikohet një përqindje më e lartë.”, vërteton katërcipërisht këtë. Siç shihet aty thuhet qartë se rimbursohen barnat në masën 80% dhe nëse kjo përqindje është më e lartë në aktet e tjera, rimbursimi bëhet në përputhje me përqindjen e përcaktuar në aktet e tjera. Pra, as më pak e as më shumë, rimbursimi në masën 80% është për të gjitha barnat pa asnjë lloj përjashtimi, kurse për barnat e veçanta që me ligje të tjera parashikohet përqindje më e lartë rimbursimi, ajo përqindje është e aplikueshme dhe për ushtarakët. Që fjala në pikën 1 të nenit 41 të statusit të ushtarakut bëhet fjalë për rimbursim të të gjitha barnave e vërteton edhe fakti që, rimbursimi i barnave në RSH nuk është vetëm për ushtarakët, por për të gjithë të siguruarit e tjerë, natyrisht për ato barna që përfshihen në skemën e rimbursimit. Nëse do të gjykohej që ushtarakët t`i nënshtroheshin skemës së përgjithshme, statusi nuk do ta parashikonte atë dhe nuk do ta shprehte sikurse e ka shprehur.
Kufizimi i të drejtës për kompensim të barnave
Pavarësisht këtyre, për çudi kësaj të drejte i kundërvihet ajo që fiksohet në aktin nënligjor, në vendimin e KM Nr.909,datë 29.12.2004 “Për mënyrën dhe kriteret e rimbursimit të barnave për ushtarakët e FA”. Pika 1 e këtij vendimi përjashton rimbursimin e të gjitha barnave. Ajo e kufizon atë vetëm për barnat që përfshin skema e Institutit të Kujdesit Shëndetësor. Ja ç’thuhet në këtë pikë të këtij vendimi: “Ushtarakëve aktivë të Forcave të Armatosura (oficerë, nënoficerë, ushtarë me pagesë/profesionistë), ushtarëve të shërbimit të detyrueshëm ushtarak aktiv, oficerëve, që kanë dalë në rezervë dhe lirim, e vërtetuar kjo me dokumentin e “Identifikimit ushtarak”, iu rimbursohen në masën 80 për qind, për çdo alternativë, nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, barnat e listës së rimbursimeve.”. Vetë shprehja:” për çdo alternativë, nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, barnat e listës së rimbursimeve.”, flet pikërisht për këtë. Me një fjalë, vendimi del mbi ligjin organik, mbi statusin e ushtarakut dhe u kufizon të drejtën e kompensimit të barna, vetëm për barnat e përcaktuar nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Një handikap, një cenim dhe cungim i së drejtës i pa lejueshëm dhe i patolerueshëm që nuk duhet toleruar më tej, por korrigjuar si një domosdoshmëri për t`i dhënë fund diskretitimit të dinjitetit e personalitetit ushtarak të ushtarakut, por edhe cenimit të shëndetit dhe nivelit të jetesës personale dhe familjare të ushtarakut. Kaq përsa i përket papërputhshmërisë midis së drejtës që u njeh e garanton statusi i veçantë ushtarakut, ligji organik Nr.9210, datë 23.03.2004 dhe vendimit të Këshillit të Ministrave që e kufizon këtë të drejtë vetëm në barnat e përcaktuara nga ISKSH-ja.
Farmacitë nuk njohin dokumentin ushtarak për rimbursim
Më e pa pranueshme dhe e pa tolerueshme është se në kundërshtim me ligjin ushtarakëve në realitet, u vështirësohet dhe madje edhe u mohohet kjo e drejtë. Shkak për këtë janë barrikadat e ngritura me të cilat ata përballen në veprimtarinë e përditshme. Për hir të së vërtetës nuk ka ushtarak që të ketë marrë barnat në farmacitë e vendit me rimbursim. Kjo për faktin se farmacistët nuk njohin dokumentin ushtarak siç përcaktohet në pikën 1 të vendimit Nr.909,datë 29.12.2004 “Për mënyrën dhe kriteret e rimbursimit të barnave për ushtarakët e FA”, kur thuhet:” Ushtarakëve aktivë të Forcave të Armatosura (oficerë, nënoficerë, ushtarë me pagesë/profesionistë), ushtarëve të shërbimit të detyrueshëm ushtarak aktiv, oficerëve, që kanë dalë në rezervë dhe lirim, e vërtetuar kjo me dokumentin e “Identifikimit ushtarak”, iu rimbursohen,... barnat...”. Përgjigja e farmacistëve me të cilën përballen ushtarakët është: “Nuk me hyn në punë dokumenti i ushtarakut. Që të bëjë rimbursimin më sill recetën nga mjeku i lagjes”. Ky qëndrim i farmacistëve evidencon tre probleme që nuk janë tjetër veçse shprehje e mosnjohjes së akteve ligjore e nënligjore. Problemi i parë: Farmacistët nuk dinë se ushtarakut për të marrë barnat me rimbursim i mjafton receta e mjekut dhe dokumenti i identifikimit si ushtarak i shërbimit aktiv, në rezervë, lirim apo pension. Ky nuk është faji dhe përgjegjësia e tyre, por e institucioneve shtetërore përkatëse që nuk i kanë bërë me dije zyrtarisht për këtë. E dyta: Mjeku ushtarak qoftë ky i repartit apo edhe i spitalit ushtarak që janë në shërbim të ushtarakut dhe paguhen për këtë qëllim nuk është i pavlerë për Ministrinë e Shëndetësisë, për institucionet e tjera shëndetësore, por edhe nga farmacistët. E keqa është se Ministria e Mbrojtjes nuk ndihet fare për këtë. Asnjë rol dhe asnjë ndikim nuk ka ushtruar e luajtur deri më sot për të vënë në vend nderin dhe dinjitetin ligjor të mjekut e spitalit ushtarak. E treta: receta e lëshuar ushtarakut nga mjeku ushtarak i repartit apo edhe i mjekut të spitalit ushtarak ka pasur dhe ka vlerën e nulit. Këtë vlerë ka edhe kur farmacistit i paraqitet vendimi i Këshillit të Ministrave, vendimi Nr.909,datë 29.12.2004 “Për mënyrën dhe kriteret e rimbursimit të barnave për ushtarakët e FA”. Reagimi i tyre: “Unë këtë nuk e njoh. Nuk na ka thënë kush gjë për këtë”, jo vetëm vërteton sa më sipër, por të çon në përfundimin se FA dhe ushtarakët nuk vlerësohen si pjesë e kësaj shoqërie e këtij shteti. Njëherazi vërteton se dispozitat ligjore e nënligjore që i referohen trajtimit të ushtarakëve shihen vetëm si e drejtë e detyrim vetëm e MM dhe jo edhe institucioneve shtetërore e civile përkatëse sipas problemit që trajtojnë.
-
124 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version



del.icio.us
Digg
Publikoni komentin tuaj