Ju rrëfej koncertet kur këndonim në korr për Enver Hoxhën
INTERVISTA/ Flet Paro Ziflaj, “kapedania” e isopolifonisë labe: “Nuk jam penduar që kam kënduar këngë për udhëheqësin”
<!-- /* Style Definitions */ p.MsoNormal, li.MsoNormal, div.MsoNormal {mso-style-parent:""; margin:0in; margin-bottom:.0001pt; mso-pagination:widow-orphan; font-size:12.0pt; font-family:"Times New Roman"; mso-fareast-font-family:"Times New Roman";} @page Section1 {size:8.5in 11.0in; margin:1.0in 1.25in 1.0in 1.25in; mso-header-margin:.5in; mso-footer-margin:.5in; mso-paper-source:0;} div.Section1 {page:Section1;} -->
Zëri i saj është i magjishëm. Shumë emërtime i kanë vënë emrit të saj por unë do të thosha që emri më i bukur është ai që i kanë vënë në vendlindje: “Kapedania e isopolifonisë labe”. Gjithmonë e qeshur dhe e sinqertë, gjithmonë mes miqsh dhe njerëzve, por kur del në skenë ajo s’të fal. Aty nuk bën kompromis me asgjë, me asnjë. Zëri i saj duket si gurgullima e burimeve të Kurveleshit, një gurgullimë që ta magjeps dhe të detyron të lësh çdo punë. Specialistët thonë se dhe pse vitet ikin zëri i saj mbetet po ai, i njëjtë, me atë ngjyrim, shpërthyes, i fortë, i ëmbël, dykohësh, plot emocion, që nuk ka nevojë për mikrofon. Paro në skenë mbetet me përmasat e viganit dhe pse me shtat të shkurtër. Sipas saj, dhe jeta e saj është një këngë, këngë e cila nuk shteron po rritet bashkë me skenën. Në skenat ku ajo ka shkelur kushdo është befasuar, ka ndalur dhe ka menduar se mos vallë bashkë me të është në shoqëri dhe ndonjë orkestër speciale, se ashtu është zëri i saj si bashkim melodish.
Znj. Paro aktualisht çfarë po përgatisni?
Jam në përfundim të një kënge turbo-folk me një këngëtar maqedonas, i cili ishte promotor i kësaj nisme pasi më kish dëgjuar në disa koncerte po sidomos në “Maratonën e këngës popullore të vitit 2009. Kjo këngë bën fjalë për bashkimin shqiptar, hapjen e kufijve me ish Jugosllavinë, Malin e Zi, Maqedoninë dhe shqiptarët e të gjitha trevave bashkëpunojnë dhe komunikojnë me njëri- tjetrin. Është një këngë e ndjerë me një tekst të bukur të Arben Dukës, i cili të rrëngjeth dhe të bën për vete. Muzikën e kam bërë vetë ndërsa orkestacionin në Maqedoni. Tashmë dhe pse s’jemi një shtet jemi një komb që komunikojmë lirshëm me njëri-tjetrin.
Mbi 40 vjet në skenë. Ku keni kënduar fillimisht dhe kush ka zbuluar talentin tuaj?
Që në klasë të katërt kam marrë pjesë ose kam kënduar me grupin e shkollës. Unë jam nga Lekdushi dhe fshati im ka nxjerrë shumë këngëtarë dhe luftëtarë që njihen në mbarë vendin. Pra në Lekdush dhe në Progonat ishin sheshet e shkollës dhe sheshet nëpër rrepet e tyre që në këndonim. Ajo që më ka zbuluar ka qenë një grua e moshuar e të cilën e kujtoj me respekt. Ajo thoshte: Parua ka lindur për këngë.
Cila ka qenë kënga e parë që ke kënduar?
Ishin disa këngë. Unë i dëgjoja kur këndonin nën zë mëmat tona kur mbushnin ujë në burimet tona. Ishin këngë që këndonin gratë labe. Një prej tyre është: Ja, ja, ja shamia/ Shamia që mbajmë të dyja/ Me pika dhe me vija./
Kush ka qenë festivali i parë folklorik ku morët pjesë dhe si titullohej kënga?
Ishte një këngë e bukur. Një këngë që më veshi rrobat më të bukura të emocionit në skenë. Ndoshta se ishte e para herë që ngjitesha në skenën e madhe të Gjirokastrës, në atë skenë ku kanë dalë apo janë zbuluar këngëtarët më të mirë popullorë, apo këngëtarët më të shquar të isopolifonisë. Ishte një këngë për Mustafa Matohitin “Hero i Popullit”, i cili është nga fshati im, dhe kënga: “Doli Hëna rrëzë malit/ Hëno o Hënë e bukur o / O yll I këputur o”. Pra këto ishin dy këngët e para të mijat në skenën magjike të kalasë së Gjirokastrës. Kjo ishte një këngë lirike e cila u pëlqye shumë. Këtu mori drejtim tjetër dhe jeta ime në lidhje me skenën. Këto këngë atëherë i këndova me shoqet e mia të fshatit. Unë isha marrësja.
Në sa festivale folklorike keni marrë pjesë?
Mbas atij viti kam marrë pjesë në të gjitha festivalet që zhvilloheshin. Skena e Gjirokastrës u bë për mua si shtëpi e dytë. Se mendoja veten asnjëherë jashtë festivaleve të qytetit të gurtë.
Më vonë kaluat në grupin ë Bënçës...”
Po është e vërtetë. Ai u bë grupi më i dashur me mua. Ne me atë grup gjetëm njëri -tjetrin. U lidhëm në mënyrë të pazgjidhshme pasi dhe zërat tanë filluan të kombinonin dhe e kuptonim njëri-tjetrin në mënyrën më të përsosur. Tek ky grup kam shpirtin tim dhe më duket si familja ime e madhe.
Pse u lidhët pikërisht me këtë grup?
Nuk e di ndoshta rastësisht, ndoshta se na thirri koha të gjenim njëri-tjetrin. Shumë gjëra vijnë vetiu dhe njeriu gjen njeri-tjetrin. Më vjen pas avazit ky grup, më mbushet veshi, më mbushet shpirti, më mbushet zemra. Ne si grup, jeni bërë si të lindur për njeri-tjetrin.
Megjithatë për nga mënyra e të kënduarit, e kombinimit të zërave, kënga më e bukur për ty e grupin e Bënçës mbetet ajo e kënduat për Enver Hoxhën...?
Po është e vërtetë. Edhe shumë të rinj që ishin fëmijë në atë kohë dhe shumë të tjerë sot tashmë, ma evidentojnë si të veçantë këtë këngë. Ishte një këngë që për kohën u bë shumë popullore dhe e preferuar. Titulli i këngës është: Rrofsh sa moshë e kësaj toke
“Shqipëria nënë e gjirit
Të uron bir jetë të gjatë
Dhe kur thotë dita njëmijë
Nënës prapë i duket pak”
Pra këtë këngë e këndova me grupin e Bënçës që në vitin 1973. Kënga e Mitro Xhanit dhe kënga “Bij çobanësh” ishin dy nga këngët e tjera që kanë lënë mbresa në festivale që kujtohen dhe këndohen sot plot me dëshirë.
Po muzika e sotme e turbo-folkut, ku bazohet?
Sigurisht te tabani popullor ndaj dhe ka sukses. Është një muzikë e veçantë që bën një lidhje të zërit me shumë delikatesë dhe masë, e cila nuk humbet. Sensi ruhet si me kandar farmacie.
Në sa vende keni dhënë koncerte dhe si jeni pritur?
Janë shumë vende, shumë… Si jemi pritur? Në mënyrën më të pabesueshme. Plot duartrokitje ku të gjithë na thonin ku i keni veglat muzikore.
Sot gruaja shqiptare a e ka zënë vendin e duhur në jetë?
Se besoj. Mund të them se jetojmë ende në një shoqëri maskiliste. Gruaja shqiptare jeton ende pa të drejta të barabarta. Për femrën shqiptare duhet të bëhet më shumë, ti lihet më shumë hapësirë në politikë, në administratë dhe kudo. Nga shumë meshkuj femra shqiptare është apo shihet vetëm si shtëpiake. Ka shumë padrejtësi ndaj femrave.
Ke menduar ndonjëherë të merresh me politikë apo të kanë ofruar të merresh me politikë?
Po më kanë ftuar. Por unë s’dua të merrem me politikë. Politika ime në shërbim të femrës shqiptare, për emancipimin e saj është zëri im, kënga apo muzika që bëj vetë. Nuk merrem me politikë se ajo është shumë e përkohshme ndërsa kënga dhe këngëtarët janë për të gjithë dhe bashkudhëton me njerëzit gjithë jetën. Unë mbetem artiste. Parua e Kurveleshit.
Kur flasim për gratë e nënat shqiptare, cilat janë vargjet më të bukura që keni kënduar?
Ja po t’i them: “O ju nënat shqiptare/ Me fëmijët nëpër botë/ Parua ju uron nga shpirti/ Që të kthehen me shëndet”.
Po gratë politikane shqiptare a po bëjnë sa duhet për pozicionin që u takon grave në jetë?
Mund të them se jo. Nuk bëjnë aq sa duhet. Duhet më shumë se e kanë mënyrën, vendin nga poltroni i Parlamentit. Por ndoshta mjaftohen me pozicionin e tyre apo me fjalime sporadike. Nuk bëjnë atë që është në thelb, nuk ngrenë ato që në të vërtetë shqetësojnë gratë shqiptare.
Jeni supersticioze në jetë?
Po jam. Besoj në horoskop dhe në zërin tim.
Këngëtarët tuaj më të preferuar në botë?
Albano i pari. Ka një zë të paimagjinueshëm. Hjuston e dyta.
Këngëtaret e reja dhe pse s’kanë zë karakteristik, mendoni se po sfidojnë këngëtaret e vjetra me emër?
Edhe ndodh. Po. Ka disa pseudo-këngëtare që janë të bukura dhe pëlqehen nëpër dasma apo koncerte, ku ka lekë. Por disa prej tyre (sigurisht jo të gjitha), më shumë kanë bukuri fizike se zë të bukur. Sikur i ka ikur pak rëndësia zërit. Flas pa xhelozi, me shpirt të pastër. Jam e dashur dhe kam miqësi me shumë këngëtare por them një të vërtetë të padiskutueshme
Keni ndonjë peng në jetë?
Po që koha e demokracisë më kapi në këtë moshë. Që koha e lirisë dhe e hapësirave më të mëdha më gjeti në një moshë që s’para pëlqehet nga shume producent aktivitetesh, pasi shteti është i heshtur ndaj këngëtarëve sidomos ndaj isoplifonisë. Megjithatë e shfrytëzoj kohën maksimalisht.
N.q.s do të ishe e pasur çdo të bëje
Do ndihmoja apo do hapja fronte pune për të varfrit dhe do doja një vilë afër fshatit, ku të vinin dhe hynin të gjithë e ku do të gjenin një strehës filantropie.
Cili është mendimi juaj për bashkëjetesën?
E pranoj. Është një mënyrë jetese që njeriu ndihet më i lirë. Koha i pranon disa ndryshimeve pavarësisht traditave. Por familja në fund të fundit ka natyrën e saj të bukurisë.
Kënga
“Rrofsh sa moshë e kësaj toke”
Ajo ka kënduar me pathos “Rrofsh sa moshë e kësaj toke” një këngë kushtuar udhëheqësit komunist Enver Hoxha. Por a është penduar sot Paro Ziflaj që ka kënduar një këngë për Enverin? Ajo thotë” Jo. Aspak. Unë jam këngëtare dhe s’di të këndoj vetëm një këngë. Unë i këndoj bariut çobaneshës, grua , vajzave, nënave, punëtorit intelektualit, unë u përkas të gjithëve. Ashtu ishte koha ashtu këndonim. Sipas kohës dhe kënga. Atëherë ajo këngë në Gjirokastër është pritur në mënyrë madhështore. Njerëzit u ngritën në këmbë të gjithë. Por këndohej kudo. E kërkonin ta këndoja disa herë. Për atë këngë u përkushtuan disa poetë dhe rapsodë dhe mund të themi se vargjet pavarësisht që ishin për Enverin ishin të arrira, vargje plot figurë. Grupi pastaj ishte i fuqishëm. Kështu u bashkuan teksti, muzika, zërat që janë gjëja më e veçantë.
Moskujdesi i shtetit
Isopolifonia, tradita që po del “jashtë mode”
Po sot në këtë tranzicion të tejzgjatur, a mendoni se isopolifonia është lënë pas dore? Kësaj pyetje Paro Ziflaj, këngëtarja e njohur e isopolifonisë labe i përgjigjet: “Po. Është lënë shumë. Nuk është ai interesi i mëparshëm. Isoplifonia ka vlera të jashtëzakonshme. Ju e dini rëndësinë që i ka dhënë UNESKO. Një rëndësi të madhe që nuk e gjejmë në vendin tonë. Kjo është për të qarë. Isoplifonia jashtë shihet si e paarrirë nga asnjë vend tjetër. Më shumë ka përpjekje individualë për ta mbajtur në stadin që i takon, por sërishmi kjo nuk ka zënë vendin e duhur. Jemi shumë larg kultivimit të mëtejshëm dhe caktimit të vendit që i takon. Kur jam e ftuar në shumë bankete apo në shumë koncerte krahas këngëve popullore mua më kërkojnë që të këndoj dhe këngë isoplifonike, por unë s’kam grupin me vete dhe detyrohem t’u bëjë qefin duke kënduar vetë. Por kënga në këtë rast nuk shkon. Shteti duhet të bëjë më shumë për këtë thesar të popullit sikundër dhe për të drejtën e autorit. Sepse ka shumë këngë që i ngjajnë shumë njëra-tjetrës dhe duket se këndon e njëjta këngëtare”.
Në Pallatin e Sportit
Si më mbanin në krah idhtarët e Sekretarit të Parë
Pyetjes se kur ka qenë dita më e bukur e jetës së saj skenike, Paro Ziflaj, këngëtarja e njohur e isopolifonisë labe i përgjigjet: “Janë disa, janë shumë… Por do të veçoj një ditë. Jo se kam ndonjë nostalgji për socializmin, apo për ish-udhëheqësit e asaj kohe. Por në 1983 na kishin ftuar në Pallatin e Sportit këtu në Tiranë dhe kënduam pikërisht këngën që diskutuam më lart “Rrofsh sa moshë e kësaj toke”. Ishte një pritje jashtë çdo parashikimi. Gjithë spektatorët në pallat u ngritën në këmbë. Këndonin bashkë me ne. Pas përfundimit të këngës mua më morën në krahë. Nuk e dija mbi ç’duar apo ku isha për minuta të tëra dukej sikur isha në fluturim. Ishte një ditë magjike, e paharruar. Pra sigurisht isha shkëputur nga toka. Ndërsa për duartrokitjet as diskutohet, ishin frenetike”.
-
436 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version



del.icio.us
Digg
Publikoni komentin tuaj