Skandal, të pastrehët përfitojnë sipas ngjyrimit politik
Telegrafi i Vlorës
Pas një sherri e konfuzioni mes këshilltarësh dhe të pastrehëve, është rënduar situata, duke mos miratuar listën me 75 të pastrehët për marrjen e kredisë së butë nga shteti. Mungesa e konsensusit ka çuar në shtyrjen e mbledhjes për javën e ardhshme, ndërsa personat e interesuar të pranishëm në sallë, kanë protestuar ashpër. Kryetari i grupit të këshilltarëve socialistë, Kujtim Sulçe u shpreh se, shkak ishte mungesa e konsensusit me grupin e këshilltarëve të djathtë. “Ne kishim një marrëveshje politike me grupin tjetër, për të ndarë shtëpitë për hallexhinjtë, pa ngjyrime politike. Por e vërteta është se ne i kemi numrat e duhur për të ndarë shtëpitë pa i pyetur të tjerët, por na duhet klima e qetë politike, mirëkuptimi, kërkuam kompromis. Ishte vetë z, Sharra që kërkoi mbledhjen e kaluar që të mblidhet komisioni i strehimit, komisioni i ligjeve, të bëhet akordimi përfundimtar me administratën dhe më pas të ulemi e të ndajmë shtëpitë. Sikurse u vu re këshilltarët e djathtë nuk vepruan ashtu si u vendos, duke shkelur kështu detyrimin ligjor për të zgjidhur hallet e popullit”, tha Sulçe.
Kryetari i grupit të djathtë, Agron Sharra
Kryetari i grupit të këshilltarëve të djathtë, Agron Sharra ka kërkuar sërish rishikimin e listës, që të dalin jashtë saj ata që kanë shtëpi, ose kanë kërkuar legalizimin e banesave. Ai u shpreh se ne jemi të impenjuar maksimalisht edhe në frymën e bashkëpunimit, por të zbardhim realisht ata që nuk kanë strehim të pastrohet lista nga ata që presin të legalizojnë, që kanë aplikuar dhe kanë plotësuar kriteret sipas ligjit.
Shqiponja Korkaj, këshilltare e LSI-së
Është hera e dytë që mbledhja shtyhet dhe në të dy rastet është krijuar okazion nga këshilltarët socialistë. Ata nuk kanë ardhur në mbledhje thjeshtë për të shpërfillur hallet e qytetarëve. Në këtë situatë të tensionuar kryetari I këshillit bashkiak Arben Sinani ka shtyrë mbledhjen për miratimin e listës së të pastrehëve, për shkak të mungesës së këshilltarëve socialistë, ndërsa ndihma sociale do të kalojë me vendim qarkullues.
Pas mbledhjes shprehet kryebashkiaku Shpëtim Gjika
Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak u krijua një situatë e pa këndshme dhe sa kohë këshilltarët e djathtë do të mendojnë se, kaq do të jenë të PD dhe kaq të PS, ta harrojnë sa të jem unë kryetar Bashkie, kjo nuk ka për të ndodhur pasi unë jam përfaqësues i gjithë qytetarëve të Vlorës dhe i shoh të gjithë të barabartë në të drejtën e tyre. Në mbledhjen e kaluar kërkuam një grup ekspertësh për të verifikuar dokumentacionin dhe saktësuar qytetarët që kanë vërtetë nevojë dhe që duhet të marrin kredi të butë për shtëpitë. Kjo nuk u bë nga këshilltarët e djathtë, që mesa duket po tallen me dhimbjen e qytetarëve, por kjo nuk do të jetë pa fund, pasi unë me atributet që më jep ligji, do të vazhdoj procedurat, për ti dhënë zgjidhje kësaj situate absurde. Theksoj se ka abuzuar edhe kryetari i Këshillit Bashkiak Sinani, i cili thirri mbledhjen sot (dje) të mërkurën, ndërkohë që janë bërë gjithmonë të enjten, pasi nesër është gjyqi në gjykatën e Apelit dhe atë e kanë zënë ethet, se pas të enjtes nuk do të jetë më kryetari i Këshillit Bashkiak. Unë jam në pritje se çfarë do të vendosin këshilltarët dhe nëse nuk do të mund të zhvillohet mbledhja javën e ardhshme, atëherë do të zbatoj atributet që më jep ligji, duke e thirrur vetë këshillin bashkiak, kjo sepse nuk mund të suportohen më situate të tilla dhe se njerëzit hallexhinj presin kreditë që të futen në shtëpi.
Komisioni i strehimit
Para mbledhjes së Këshillit Bashkiak u mblodh komisioni i strehimit, ku u premtua për konsensus, nuk u arrit në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Aty u vendos që të kalojnë pa votim personave që janë nga komuniteti egjiptas, ndërsa theksi është vënë në zbatimin e kritereve nga përfituesit. Por mirëkuptimi në komision, u përmbys në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, që jo vetëm nuk zgjidhi hallet e të pastrehëve, por acaroi më shumë situatën dhe ndezi përplasjen mes këshilltarëve të dy krahëve.
-
51 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version



del.icio.us
Digg
Publikoni komentin tuaj