Telegrafi i Vlorës
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, drejtori Besnik Elezi: “Tarifat e vizitave kanë trembur qytetarët”
Spitali Rajonal i Vlorës, “braktiset” nga pacientët
Nuk shkojmë të vizitohemi, pasi nuk përballojmë tarifat. Nuk mund të përballojmë shpenzimet që kërkohen kur shtrohesh, ndërsa mjekët na detyrojnë të marrim ilaçet në farmacitë e miqve të tyre. Nuk kemi mundur të sigurohemi, jemi edhe të papunë. Ky ka qenë shqetësimi që kanë ngritur disa të sëmurë kronikë, banorë të lagjes “Pavarësia”, nëpërmjet një letre-peticion dërguar ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili. Për të verifikuar problemin që ngrenë këta qytetarë dhe për të mësuar situatën në spitalin e Vlorës, kërkuam prononcim të drejtorit, kirurgut Besnik Elezi, që u shpreh ekskluzivisht për “Telegraf”. “Jemi njohur me shqetësimin e qytetarëve, pasi këto probleme kanë nisur që nga momenti që në spitalet tona u aplikua sistemi i reformës dhe në bazë të udhëzimit, janë vendosur tarifat. Tabela është e afishuar dhe çdo qytetar që vjen e vizitohet, nëse nuk është i siguruar, do të paguajë tarifën sipas ndihmës që kërkon. Është fjalë për një vizitë, për të bërë grafi, radioskopi, eko dhe kështu me radhë”.
Po kur qytetari nuk është i siguruar, nuk ka as të holla, por ka nevojë për ndihmë mjekësore, si veprohet, dëbohet nga spitali z.Elezi?
Ne jemi mjekë, humanë, punojmë për të shpëtuar jetën njerëzore dhe në asnjë rast nuk është larguar qytetari pa i dhënë ndihmë. Por këto janë raste të veçanta, që lidhet me gjendjen e të sëmurit dhe kurrësesi me ndërhyrjen e njërit apo tjetrit, qoftë edhe personel. Shqetësimi me një kategori njerëzish që janë keq ekonomikisht është i përditshëm në zyrën time dhe ambientet e spitalit dhe personeli ynë ka ndihmuar aq sa ka mundur dhe do t’ju gjendet pranë kësaj kategorie.
Të sëmurët ankohen se nuk ka ilaçe në spital, cila është gjendja?
Kjo nuk qëndron. Spitali i Vlorës ka pasur ilaçe për muajt janar-shkurt dhe nuk ka munguar asnjë medikament i domosdoshëm për pacientin që ka nevojë të shtrohet. Edhe këto ditë ne presim furnizimin e ri, megjithëse rezervat që kemi dhe nuk mund të pohoj atë që nuk ekziston. Ndërsa për faktin që mjekët rekomandojnë farmacistët për të marrë ilaçet, ndodh, por nuk mund të hysh në këto marrëdhënie, as nuk i dikton dot. Këtu është e drejta e pacientit që t’i marrë ilaçet, ku të dëshirojë ai dhe askush nuk i kërkon llogari.
Cila është situata e sëmundshmërisë në Vlorë?
Sikurse e shikoni, situata është shumë e qetë në spitalin tonë, kjo për dy arsye. E para se sëmundshmëria ka rënë ndjeshëm, gripet e stinës kanë qenë shumë më të pakta, lere pastaj të mendojmë për gripin e derrit, që nuk përmendet më. Shkaku tjetër që “ka trembur” qytetarët janë edhe vendosja e tarifave. Më përpara vinin edhe për të matur një tension, apo për të nxjerrë një merak për shëndetin, ndërsa tani, vijnë vetëm ata që e kanë të domosdoshme.
Cilat janë të ardhurat e spitalit të Vlorës, pas aplikimit të tarifave dr.Elezi?
Për çdo muaj fatura e të ardhurave ka shkuar deri në 10 milionë lekë të vjetra, por duhet pasur parasysh që të ardhurat dytësore, janë të pakta.
Shkaku tjetër që “ka trembur” qytetarët janë edhe vendosja e tarifave. Më përpara vinin edhe për të matur një tension, apo për të nxjerrë një merak për shëndetin, ndërsa tani, vijnë vetëm ata që e kanë të domosdoshme
Ndërsa për faktin që mjekët rekomandojnë farmacistët për të marrë ilaçet, ndodh, por nuk mund të hysh në këto marrëdhënie, as nuk i dikton dot. Këtu është e drejta e pacientit që t’i marrë ilaçet, ku të dëshirojë ai vetë
MASH/ Flet për “Telegraf”, shefi i personelit në Drejtorinë Arsimore Rajonale Vlorë, Kosta Taço
Mësuesit me kontratë provizore kundërshtojnë reformën
Drejtoria Arsimore në Vlorë, ka nisur zbatimin e udhëzimit të ri të MASH lidhur me reformën e re mësimor, që po aplikohet në 15 shkolla të qytetit. Në studimin e kryer, krerët e kësaj drejtoria janë shprehur se kjo reformë do të çojë në shkurtimin e mësuesve, dhënies normë të plotë zv/drejtorëve dhe bashkimit të klasave.
Ja çfarë kërkon udhëzimi i ri për arsimin para universitar
Shefi i personelit të Drejtorisë Arsimore, Kosta Taço, shprehet për “Telegraf” se, udhëzimi i 3 shkurtit, shfuqizon të gjitha udhëzimet e mëparshme dhe përcakton standardet që lidhen me të. “Ne kemi bërë studimin e duhur duke llogaritur numrin e nxënësve nëpër klasa, ngarkesën mësimore e drejtuesve. Ndryshime do të ketë në shkollat e mesme, ku domosdo do të ketë shkurtime të zv/drejtorëve. Numri i tyre do të përcaktohet nga numri i nxënësve në çdo shkollë. Atyre u duhet të marrin tashmë 22 orë, nga 12 që kishin përpara këtij urdhri”, -tha Taço. Ky kriter që parashikohet në urdhrin e ri të MASH, është kundërshtuar nga disa drejtues të shkollave, por edhe nga vetë nxënësit, pasi nuk është sipërfaqja e nevojshme e klasave në përshtatje me numrin e nxënësve, ku përcaktohet vetëm shifra minimale, ndërsa maksimalja mund të shkojë pa limit. Një klasë mesatarisht ka një sipërfaqe 20 metra katrorë, duke llogaritur tavolinat dhe stolat që mund të nxërë klasa, ata shprehen se nuk ekziston asnjë mundësi për ti bashkuar nxënësit e dy klasave në një ambient. Kjo do të ishte jashtë standardeve të mësimdhënies, që do të sillte një dëm të madh nxënësve në përvetësimin e njohurive. Kjo pasojë nuk është llogaritur saktë tek urdhërdhënësit, pasi qëllimi i tyre është të minimizojnë shpenzimet- janë shprehur një grup nxënësish në një shkollë të mesme, që e kanë kundërshtuar bashkimin e klasave.
Reagime
Pasi janë njohur me reformën dhe urdhrin e ri të MASH, shumë mësues, që janë me kontratë provizore kanë reaguar duke u shprehur se është e padrejtë hedhja e tyre në rrugë në mes të vitit, se pas largimit na shuhet çdo shpresë se do të rikthehen në profesionin tonë edhe pse jemi shumë vite larg daljes në pension. Por shqetësimit të tyre u është përgjigjur shefi i personelit Taço, duke thënë se, problemi i tyre do të shihet dora-dorës dhe do të jenë një kontigjent në gatishmëri për të plotësuar nevojat e mësimdhënies.
Ndryshime do të ketë në shkollat e mesme, ku domosdo do të ketë shkurtime të zv/drejtorëve. Numri i tyre do të përcaktohet nga numri i nxënësve në çdo shkollë. Atyre u duhet të marrin tashmë 22 orë, nga 12 që kishin përpara këtij urdhri.
-
112 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version



del.icio.us
Digg
Publikoni komentin tuaj