Opinion
Kush do fitojë, Rama apo Berisha?
Pyetja e mësipërme ngjan pa sens për çdo mendje të kthjellët. Por për masën e madhe të njerëzve jo. Madje kjo pyetje bëhet kudo, dhe ngado. Bëhet në kafenetë ,ku njerëzit mbysin kotësinë e ditëve papunë, bëhet në tryeza miqsh e në takimet e përditshme, mes pensionistësh. Kjo pyetje është kthyer gat,i në një bast ,mes pasuesve apo militantëve të dy liderëve. Sapo opozita hyn në Parlament pa u hapur kutitë, militantët berishianë fërkojnë duart se “Berisha fiton gjithnjë”, kur opozita largohet nga parlamenti , janë militantët socialistë ,që gati brohorasin nga gëzimi: “ne do ta marrim pushtetin!” Dhe duhet të mendojmë se ky është një realitet,që po e jetojmë me ankth të gjithë. Ndoshta është një shembull in-extremis ky, i pashembullt në botën e qytetëruar. Politika ka marrë kështu të gjithë pamjen e një ndeshje boksi, ku në ring janë dy liderët dhe salla e ndarë mes dy ringuesve, brohoret për idhullin e vet. Sa më e fortë goditja, aq më e tërbuar bëhet thirrja dhe aq me në ekstazë kalojnë tifozët. Është një ndeshje pa rregulla loje, ku pritet vetëm vendimi i arbitrit , i cili fatkeqësisht nuk e kupton këtë lojë.
Por realiteti ynë mbetet po njësoj. Situata politike po shkon me shpejtësi drejt kolapsit të saj. Ç’po ndodh në Shqipëri ?
Së pari, kriza ekonomike , nuk është aspak virtuale, por reale, e ndjeshme në xhepat e secilit, por natyrisht jo në xhepat e politikanëve. Madje, nën këndvështrimin tim kjo krizë, do të thellojë pasojat e saj shumë shpejt, sidomos në ndikimin që do të ketë kriza greke në Shqipëri. Ka një vend të veçantë Greqia në bizneset e saj në vendin tonë, ashtu si dhe në sistemin bankar, por edhe për faktin se emigrantët tanë janë të shumtë në numër dhe sigurisht nuk janë të pandjeshëm ndaj kësaj krize. Shumë shpejt qeveria shqiptare do të detyrohet të pranojë falimentin e programit të saj ekonomik.
Së dyti, kriza politike nuk jep shenja zgjidhjeje. Dhe ka arsye të vetat.
-Presidenti sikundër e kishim parashikuar, nuk mundi të arrinte një zgjidhje jashtë dhe mbi palët, pasi nuk ka autoritetin e duhur moral për ta bërë këtë.
-Të huajt, të lodhur nga kokëfortësia shqiptare, duket nuk kanë ndonjë interes të madh të sigurojnë një të ardhme demokratike për Shqipërinë, kur shqiptarët vetë janë tifozë të ringjeve. Po ti shtosh këtij arsyetimi dhe faktin që Kryeministri ka treguar nivel të lartë “përgjegjësie” morale ,ndaj përfaqësuesve të institucioneve prestigjioze, duke i parashpërblyer me një “copëz Shqipërie”, është i lexueshëm qëndrimi i tyre. Vetëm se tashmë ata e mund ta konsiderojnë të “përfunduar” misionin e tyre dhe topi i mbetet sërish shqiptarëve.
-Qeveria do të vazhdojë me ngulm të mos tërhiqet nga pozicioni i saj sfidues, hakmarrës dhe korruptiv. Kjo është e besueshme pasi deklaratat e Berishës, e përforcojnë çdo ditë këtë qëndrim. Po t’i shtosh këtyre deklaratave dhe vendimet e çorodituara të qeverisë, është i kuptueshëm angazhimi i qeverisë për “ta zgjidhur krizën” sipas modelit të saj. Berisha e ka të qartë se hapja e kutive do ta nxjerrë atë lakuriq para popullit, të cilin gjatë katër viteve e shtyp, e mashtron, e zhvesh, e vjedh dhe vetëm me demagogjinë e muajit të fundit ja “prish mendjen” dhe duke përdorur “kutitë”, i le pamend të huajt, duke fituar zgjedhjet!Pra Berisha Nuk ka për ti hapur kutitë!
- Por dhe opozita nuk mund të tërhiqet nga kjo kërkesë, me të cilën ka gjashtë muaj, që ka çuditur botën. Nëse do të tërhiqej nga kjo kërkesë, opozita do të zhgënjente jo vetëm militantët e saj, por dhe të gjithë ata njerëz që shpresojnë në një demokraci, qoftë edhe minimale. Nga ana tjetër Rama e di mirë se, nëse e humb këtë betejë, ka humbur tashmë Luftën. Prandaj as opozita nuk do të tërhiqet nga kërkesa për hapjen e kutive.
Në këtë pamje, Shqipëria duket më e zymtë se kurrë ndonjëherë. Këtë e shikon dhe në fytyrat e Ramës dhe Berishës, të lodhura e të çoroditura. Tashmë as ata vetë nuk dinë si t a zgjidhin lëmshin që gatuan. Situata do të perceptojë me shpejtësi dhe vendi mund të përfshihet nga lëvizje që mund t’i dalin nga kontrolli, si Ramës ashtu dhe Berishës. Kjo do të thotë që shoqëria civile, intelektualët dhe çdo individ, që e ndjen sadopak përgjegjësinë për të ardhmen e tij dhe të familjes së tij, të luftojë për ti hapur rrugë ndryshimit të elitës politike. Kjo kërkon shpirtin e solidaritetit dhe jo të tifozllëkut, se cili do fitojë. Kërkon bashkim me minatorët në kauzën e tyre, me mësuesit në të drejtat e tyre, me të gjithë bashkë, për të ardhmen tonë. Vetëm “Ne” mund ta nxjerrim vendin nga kriza, që do na detyrojë së shpejti, të prekim fundin. Besoj se, tashmë duhet të mbyllet kapitulli i tifozllëqeve njëherë e përgjithmonë. Po nuk e kuptuam këtë nuk kemi më , pse të ankohemi!
-
289 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version



del.icio.us
Digg
Publikoni komentin tuaj