header
  • Hyrje
  • Drejtor: Engjëll MUSAI
  • info@gazetatelegraf.com
  • Editorial
  • Politike
  • Dosier
  • Opinione
  • Intervista
  • Ekonomi
  • Analize
  • Suplementi
    • Pena Shqiptare
    • Mjeksore
    • Emigracioni Shqiptare
    • Tendence
  • Forumi
| Kerkim i avancuar
Hyrje | Opinione | Opinion

Opinion

Haxhi BRAHO
Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Vickers, Çështja Çame dhe demagogjia politike


 

 

Nuk ka shumë kohë që analistja e njohur e çështjeve Ballkani,e Miranda Vickers botoi një shkrim rreth çështjes çame, duke u rënë kambanave për zgjidhjen urgjente të saj dhe duke pohuar se: «Qeveria e sotme shqiptare e ka injoruar fare çështjen çame… Ka pasur debate të nxehta e të bujshme midis politikanëve shqiptarë, po ende nuk është bërë asgjë për zgjidhjen e këtij kanceri të panevojshëm që gërryen nga brenda marrëdhëniet miqësore greko-shqiptare».

Tashmë, jo vetëm çamët por dhe çdo shqiptar në Shqipëri apo në diasporën shqiptare nëpër botë, (më shumë se gjysmë milioni shqiptarë jetojnë e punojnë sot në Greqi), e ka kuptuar demagogjinë e vazhdueshme të qeverisë shqiptare, e cila, në prag zgjedhjesh, përmes fjalimeve të zjarrta të përfaqësuesve të saj politikë, premtojnë se «do ta zgjidhin këtë çështje brenda mandatit të tyre dhe se do ta ngrenë zërin e tyre para autoriteteve greke». Por sapo marrin votat dhe si rrjedhojë marrin sërish pushtetin, pikërisht këta qeveritarë e politikanë u kthejnë kurrizin dhe bëjnë kujdes të mos e «zemërojnë fqinjin e tyre të vjetër, se mos ai i pengon në integrimin e Shqipërisë në BE», apo se mund «t’i trajtojë keq emigrantët tanë në Greqi». Këto teza që nuk janë të reja, tregojnë për një miopi politike, të një politikë të çastit, të një interesi për të ekzistuar në politikë apo në qeveri, pa dalë nga caqet e një kufiri personal, duke parë një interes më të madh që është ai kombëtar, i bashkëkombësve të tu, i respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave të tyre. Ta themi hapur: mbajtja në gjendje «latente» e këtij problemi (çka lidhet me shpërnguljen me forcë të një popullate nga trojet e veta, krimet e kohës dhe konfiskimin e pronave të çamëve), veçse i gërryen nga brenda marrëdhëniet greko – shqiptare, duke mbajtur të gjallë frymën e mos-besimit ndaj njëri-tjetrit, spektrin e fantazmave të vjetra, frymën e kërcënimeve të mundshme, madje dhe me armë. Por a mund të vazhdohet kështu në një Evropë demokratike që shpall si ligj themelor të saj mbrojtjen e të drejtave të njeriut, pra dhe mbrojtjen e pronës, për të cilën grekët i detyrohen popullsisë çame të shpërngulur me forcë dhe martirizuar?

Dihet që i njëjti problem, në një masë më të vogël është dhe për maqedonasit e Egjeut, të përzënë edhe ata dhe ku pronat e të cilëve u konfiskuan nga qeveria greke. Edhe këta maqedonas, kërkojnë sot të njëjtën gjë : kthimin e pasurive. Deri tani, çamët kanë shpresuar se kjo çështje do të zgjidhej nga Evropa, por duket se kjo shpresë është zbehur tashmë dhe se nuk do të zgjidhet lehtë, pasi probleme të tilla të ngjashme ekzistojnë ende në Evropë, duke mbetur të pazgjidhura, siç janë problemet mes polakëve dhe gjermanëve, gjermanëve dhe çekëve, sllovenëve, kroatëve dhe italianëve, etj, probleme këto komplekse dhe që sot shtrohen midis qeverive respektive dhe jo para Evropës. Praktika ka treguar se këto çështje zgjidhen vërtetë me vullnetin e qeverive dhe në bisedime të hapura.

Por çfarë ka bërë Shteti shqiptar nga ana e tij? Po Greqia? Çfarë thotë Greqia, siç e nënvizon dhe analistja britanike Vickers, kur qeveria greke thotë se «ky problem nuk ekziston», për më tepër kur dhe parlamenti grek ende nuk e ka ratifikuar vendimin e qeverisë për heqjen e « Ligjit të Luftës » mes Greqisë dhe Shqipërisë, një paradoks, që mbetet si një hije e errët në marrëdhëniet greko-shqiptare. Nga qeveria shqiptare vetëm është shtruar kërkesa e heqjes së këtij ligji si dhe kërkesa në princip që tu kthehen pronat e tyre çamëve të shpërngulur me forcë. Vetëm kaq. Por më pas, si Shqipëria, dhe Greqia, kanë preferuar që mos t’i prekin marrëdhëniet me «këtë histori që kërkon ca para». Për grekët padyshim që kjo është ideale – heqja nga axhenda e kësaj çështje dhe harrimi i saj. Për qeverinë shqiptare duket qartë se është një miopi me doza të forta demagogjie ndaj mospërfilljes së të drejtave të një pjese të popullsisë së saj.

Zonja Vickers në studimin e saj rreth Çështjes Çame, një raport historik për Akademinë Britanike të Mbrojtjes, botuar në vitin 2002, e ka bërë të qartë jo vetëm vërtetësinë historike të shpërnguljes me dhunë të popullatës muslimane çame dhe konfiskimit të pasurisë së tyre, por edhe helenizimin e menjëhershëm, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX të zonave të veriut grek, të banuara më parë nga shqiptarët. Kjo histori është një histori e shkruar dhe e dokumentuar, por tani është fjala për respektimin e të drejtave dhe s’bëhet fjalë as për rikrijimin e një Shqipërie etnike, apo të « Madhe » siç ju pëlqen ca nacionalistëve grekë dhe as për kërkesa për bashkimin e trojeve të dikurshme me Shqipërinë aktuale. Por si do të zgjidhet kjo ? Në të mirën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë këto çështje duhet të zgjidhen midis dy qeverive, dhe në radhë të parë nga kërkesa e fortë e palës shqiptare për t’i dhënë fund heshtjes e zvarritjes që ka qeveria për çështjen çame. Komuniteti çam ka sot një elektorat jo të pakët, ka politikanët e vet dhe forumet e veta dhe ajo që është më kryesore një parti politike, dhe është për tu habitur që pikërisht krerët politikë dhe veprimtarë jo partiakë mbeten të përçarë në përpjekjet e tyre. Vallë kështu të përçarë dhe në grindje me njëri tjetrin do ta zgjidhin ata një çështje kaq të mprehtë që qëndron mes Greqisë dhe Shqipërisë ? Për Greqinë, kjo do të thotë më pak probleme: të zënë me grindjet e tyre, çamët do ta lënë mënjanë çështjen e tyre, atë çështje që lidhet me ndërgjegjen e tyre historike dhe formimin kulturor të tyre. Miranda Vickers ka të drejtë kur kërkon një zgjidhje të shpejtë të kësaj çështje «të pazgjidhur çame», por dhe çamët që luftojnë për të drejtat e tyre duhet ta kenë të qartë se pa u bashkuar, pa u bërë një faktor i fuqishëm politik dhe jo thjesht asociativ, ata nuk do të mund të bëjnë presion ndaj qeverisë shqiptare që ajo të kërkojë me forcë zgjidhjen juridike dhe sa më shpejt të kësaj çështje. Afro njëzet vjet kanë kaluar deri më sot pas ndryshimeve politike, kohë kur çamët mendonin se të drejtat mbi pronat e tyre do të realizoheshin, por interesat e politikanëve për të qëndruar në politikë, më shumë për interesat e tyre personale se sa për interesa mbarëkombëtare, i zbehën shpresat e çamëve për një zgjidhje të shpresuar. Atëherë përpjekjet për zgjidhjen e çështjes çame mbeten së pari dhe kryesisht në faktorin çam. Sa më i fortë dhe i bashkuar të jetë, duke lënë mënjanë interesat e ngushta, mëritë dhe ndjesi meskine, aq më efektiv do të bëhet kërkesa për ta detyruar qeverinë shqiptare dhe atë greke, që ta zgjidhin përfundimisht këtë çështje. Nëse grekët do të përpiqen ta injorojnë këtë çështje dhe ta lënë në heshtje, ata gabojnë rëndë. Në kohën e integrimit të afërm të Shqipërisë, qeveritë nuk do të mund t’i pengojnë më të rikthehen dhe të vendosen atje ku janë varret e të parëve të tyre. Pra është urgjente që larg thirrjeve nacionaliste sa për të bërë zhurmë, çamët të organizohen dhe të bashkojnë forcat për arritjen e një të drejte historike.

 


 

 

 

 

Shto tek: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg

Subscribe to comments feed Komente (0 publikuar):

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

  • Plain text 188 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Tags
Ska tags per kete artikull
Vlereso kete artikull
0
Lajme te ngjashme
  • At-Nikolla Marku: “Regjistrimi etniko- fetar, “tradhti kombëtare”
  • “Kriza financiare greke pritet të kalojë sistemin bankar shqiptar në krizë”
  • Kriza Greke
  • Berisha e Rama para "grykes" se Topit
  • Deputetët çamë dhe Çështja Çame
Hyrje | E-Mail | Te preferuarat | Rss / Atom | Vetem tekst | Arkiva | CPanel|
Powered by: Data Solution LTD