header
  • Hyrje
  • Drejtor: Engjëll MUSAI
  • info@gazetatelegraf.com
  • Editorial
  • Politike
  • Dosier
  • Opinione
  • Intervista
  • Ekonomi
  • Analize
  • Suplementi
    • Pena Shqiptare
    • Mjeksore
    • Emigracioni Shqiptare
    • Tendence
  • Forumi
| Kerkim i avancuar
Hyrje | Politike | Politika duhet të jetë e përgjegjshme

Politika duhet të jetë e përgjegjshme

Mirilda Tili
Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Flasin në “Telegraf” opinionistë/ Shpresa të pakta për zgjidhjen e krizës politike

 

Pak orë para mbledhjes në Parlament e deputetët të të dyja forcave të mëdha politike në vend, ku ndërkombëtarët e kanë përcaktuar si agatin e fundit për kapërcimin e krizës, anë reaguar analistë dhe pedagogë. Të kontaktuar nga gazeta “Telegraf”, Artan Fuga, Zef Preçi, Rezear Xhaxhiu dhe Mentor Nazarko, kanë shpjeguar se, e gjithë situata politike  është çështje e vullnetit të të dyja palëve. Sipas analistëve, as Presidenti dhe as ndërkombëtarët nuk mund të sjellin zgjidhjen dhe kapërcimin e krizës politike, apo siç lakohet edhe ndryshe ngërçi politik. Përsa i përket afatit kohor se kur mund të gjendet zgjidhja dhe situata politike të fillojë të normalizohet, analistët shprehen se kjo është një nga çështjet më të paparashikueshme. Madje diskutimi ironizohet më tepër, duke e deklaruar këtë çështje si lojë fallxhoresh. Bojkoti politik që filloi me zgjedhjet e fundit në Shqipëri dhe që nga Partia Socialiste bëhet me dije se do të vazhdojnë edhe 6 muaj të tjerë, konsiderohet nga analistët si një nga gabimet e  mëdha që po ndodhin në Shqipëri. Për të gjithë situatën aktuale dhe pritshmëritë e fundit, pak orë para vendimeve të të dyja palëve i’u është bërë një analizë ë plotë nga analistët.

 

 

Mentor Nazarko: “Të dyja palët s’kanë vullnet për zgjidhje”

Në qoftë se palët janë të sinqerta dhe duan integrimin evropian do ta kishin zgjidhur krizën deri në 18 mars. Përgjegjësia më e madhe i takon kryetarit të maxhorancës, i cili akuzon palën tjetër që po pengon integrimin e Shqipërisë në BE. Nëse do ta dëshironte vërtet këtë, atëherë pse nuk hap rrugë? Argument kushtetues që përdor maxhoranca për hetimin e zgjedhjeve nuk qëndrojnë. Për më tepër nëse bëhet fjalë edhe për hetimin e listave. Përgjegjësia më e madhe i përket maxhorancës. Nëse opozita do të kishte ndërmarrë masa të ndryshme kushtetuese për zhvillimin e zgjedhjeve, situata do të ishte komplet ndryshe. Sistemi do të kishte funksionuar dhe nuk do të kishte pasur nevojë për hetime parlamentare.

Artan Fuga: “Kriza është rutinizuar”

Më duket se zgjidhjet aktuale paraqiten të vështira, sepse modelet e ndërtuara deri tani janë shfaqur të bllokuara. E para, lëvizjet e protestave në rrugë të drejtuara nga opozita duket se nuk do të gjejnë ndonjë lloj entuziazmi dhe nuk shihet pjesa e opinionit publik. Mbi të gjitha, midis anës procedurale dhe substanciale, qytetari shqiptar kërkon anën substanciale. E dyta, komuniteti ndërkombëtar. Duket që ky aktor nuk duket se ka bërë zgjidhjen e një qëndrimi të prerë. Duket se e  ka lënë gjetjen e zgjidhjes  në dorë të autoritetit shqiptar. E treta.  Presidenti në pozicionin e moderatorit nuk do të sillte dobi. Nga pikëpamja institucionale, Presidenti i ka duart e lidhura. E katërta, zgjedhjet e reja. Aktualisht zgjedhjet e reja do të kishin një kosto shumë të lartë dhe do të gjejë të papërgatitur faktorin ndërkombëtar, qytetarët e vendit, si dhe duhet të funksionojë Parlamenti. Gjendje jo e zakontë mund të vinte edhe nga një dramë, siç ishin përmbytjet në Shkodër. Edhe kjo situatë solli bllokimin. Gjetjen e zgjidhjes unë e mat me 4 parametra. Lidershipi socialist i qetësoi deputetët që rrezikonin mandatet. Kështu ata i kanë dhënë vetes akoma kohë. Tashmë kriza është rutinizuar dhe është bërë gjendje normale dhe për qytetarët nuk ka më lajm për faktin se ka krizë. Fakti që deputetët e Partisë Socialiste  hynë në Parlament dhe morën mandatet, ata indirekt njohën edhe legjitimitetin e Parlamentit. Arsye tjetër është se komuniteti ndërkombëtar nuk po bën lëvizje të mediatizuara për të zgjidhur problemin.

 Në të gjithë këtë situatë të gjitha palët humbasin. Veprimi i aktorëve që përmenda do vazhdoj ë të sjellë zvarritje të situatës. Zgjidhja mund të bëhet në dy mënyra. E detyruar ose e vullnetshme. E detyruar do të bëhet për faktin s epo afrohen zgjedhjet lokale, dhe opozita nuk mund  të mos marrë pjesë në këto zgjedhje. Dhe e dyta zgjidhja e vullnetshme mund të vijë nga bashkë projektimi i të dyja palëve për hartimin e një ligji të ri zgjedhor. Është e rëndësishme që të bëhet legjitimi i ligjit të ri zgjedhor, në mënyrë që të zhvillohen zgjedhje të lira në vend.

 

Rrezear Xhaxhiu: “Kriza aktuale është pasqyra më e shëmtuar”

Personalisht nuk jam optimist se do të gjendet një zgjidhje e shpejtë e kësaj krize nga më të rëndat që ka përjetuar spektri politik shqiptar në këto vitet e fundit. Nëse do të shikojmë me qetësi dhe ftohtë del se të dy palët kundërshtare kanë shkuar aq larg në qëndrimet dhe pozicionet e tyre sa vështirë është të thuhet se PD do të toleroje në minutën e fundit apo do të jetë Rama ai që do të heqë dorë nga kërkesat e tij të hapjes së kutive. Kjo është arsyeja se përse tani për tani nuk mund të thuhet se do të kemi një zgjidhje të tipit "deux es machina". Kriza aktuale është pasqyra më e shëmtuar e krizës së zgjedhjeve shqiptare dhe e mosbesimit që kanë forcat politike ndaj çdo lloj procesi elektoral që është kryer në këto dy dekadat e fundit. Dhe jo rastësisht nuk ka asnjë rast të vetëm në historinë e zgjedhjeve të pas ‘90-ës kur humbësi të ketë pranuar humbjen e zgjedhjeve, por përkundrazi nga një zgjedhje në tjetrën janë sofistikuar skemat dhe metodat e dhunimit dhe të manipulimit të tyre. Ja persë kriza është shumë më e thellë se sa një kërkesë për hapje apo mbyllje kutish, e cila nuk do të zgjidhë dilemën e madhe duam apo nuk duam të bëjmë zgjedhje të lira dhe të pranueshme. Ja përse nuk mund të bëjmë një parashikim të saktë se si do të kapërcehet kjo humnerë e madhe që është ngritur prej më shumë se gjashtë muajsh mes dy kampeve përgjegjëse të një situate të tillë
 Çelësi i zgjidhjes së kësaj situate është kryesisht në dorë të Sali Berishës. Unë mendoj se janë ezauruar të gjitha përpjekjet e opozitës, por ajo që duket është fakti se, tani për tani nuk ka një ofertë të prekshme dhe të negociueshme nga ana e maxhorancës, e cila di të thotë vetëm se nuk mund të hapen kutitë pasi dhunohet sistemi gjyqësor. Këto janë broçkulla pasi ky sistem është dhunuar sistematikisht sa herë ka dashur Berisha në opozitë e Berisha në pozitë si dhe kur ka gjetur mbështetjen e segmenteve të tjera të politikës. Gjithsesi nuk mund të vëmë data të sakta apo limite të tjera kohore për zgjidhjen e krizës. Praktika e ka treguar se ne i zgjidhim krizat në momentin e fundit dhe kur jemi sfilitur në kuptimin më të mirë të kësaj fjale. Këtë herë nuk do të ketë një gjysmëzgjidhje apo një gjasmezgjidhje. Dhe kjo duket nga vendosmëria e opozitës, e cila duket se, nuk do të pranojë pazaret e rëndomta të cilat janë bërë në raste të tjera analoge. Nëse kjo situatë nuk do të zgjidhet në këto orët e fundit kur edhe vetë evropianët kanë vënë një afat atëherë do të kemi zhvillime të tjera të cilat do ta rëndojnë edhe më shumë klimën politike. Dhe gjasat janë të tilla. Berisha nuk njihet për fleksibilitet dhe tërheqje. Po kështu edhe Rama. Kjo është fatkeqësia e kësaj krize.

Zef Preçi: “Kriza rrezikon të dalë jashtë kontrollit”

Situata politike aktuale e vendit nuk është normale dhe rrezikon që të dalë jashtë kontrollit.  Madje, bllokimi i punës normale të Kuvendit ka filluar të rrezatojë negativisht edhe në veprimtarinë e administratës publike, etj. Po shfaqen shenja të shkrehjes së punës nga kjo administratë, gjë që nëse zgjat mund të ndikojë negativisht edhe në sektorë të rëndësishëm si financat, rendi publik, etj. Ndërsa disa nisma ligjore si ajo për SHISH-in tregojnë se maxhoranca aktuale po shfaq shenja nervozizmi dhe injorimi të rolit të opozitës në rikonfigurimin e një numri institucionesh të pavarura apo kushtetuese të vendit. Në një gjykim gjakftohtë nuk mendoj se mund të shpresohej më shumë nga telenovela “tërhiq e lësho” që PD-PS kanë luajtur përpara opinionit publik vendas dhe ndërkombëtarëve gjatë gjithë periudhës paszgjedhore. Kështu ngulmimi i PS-se në panegocueshmërinë e hapjes së kutive, megjithë nuancat e herëpashershme (hapje kutish votimi me zgjedhje, hapje ne zonat për të cilat nuk është shprehur gjykata, hapje e kutisë me materialet e votimit dhe jo rinumërim të fletëve të votimit, etj.) ka ndeshur në çdo rast me pabazueshmërinë në Kushtetutë, si mburojën e pacenueshme deri më sot nga maxhoranca e PD-së.  Sipas meje, të dy palët kanë shkuar në bisedime kryesisht si përgjigje pozitive ndaj presionit ndërkombëtar, por pa qenë të përgatitura për ndonjë lëshim thelbësor që mund të çonte në lëshime reciproke, në kënaqjen e palës tjetër dhe në afrimin midis tyre. Madje në këtë proces, ato përdorën negativisht edhe investimin e matur politik të Presidentit Topi, duke dëshmuar se interesat e liderve dhe të partive përkatëse dominojnë edhe interesat e vendit… Në këtë proces duket se po sakrifikohen edhe “reformat e mëdha” të trumbetuara me bujë nga qeveria, ndërsa opozita, e cila kishte hyrë në ndeshje me “barazimin në xhep”, arriti të kthejë në çështje të debatit politik një problem përgjithësisht juridik për zgjidhjen e të cilit mjaftonte paraqitja e provave (nëse ka të tilla) Prokurorisë dhe si në rastin e Ruzhdijes, mund të konstatohet lehtë në vendin tonë ekzistojnë mekanizmat përkatëse juridike për gjetjen e rrugëzgjidhjeve rast pas rasti. Nga ana tjetër, heshtja e Prokurorisë mbi denoncimin e parregullsive nga ana e PDK-së kanë ngritur pikëpyetje serioze, edhe mbi vetë pavarësinë e këtij institucioni.

 

 

 

Rezear Xhaxhiu: “Bojkot i çuditshëm alla shqiptar”

Vendimi i PS-së i paradokohshëm për t’u rikthyer në Kuvend e për të hetuar zgjedhjet e qershorit duket se e transferoi këtë problem nga rruga në Parlament duke hequr çdo rezervë për taktikat e luftës opozitare dhe duke ia lënë topin në fushën e lojës shumicës, e cila nuk di se çfarë të bëjë me një top të tillë. Por nuk mendoj se do të ketë një rifillim total të bojkotit, por një pjesëmarrje e tipit socialist në Kuvend. Pra hyr dhe dil në seanca të plota e gjysma seanca, në seanca ku atyre do ti shkonte për shtat politikisht. Pra një bojkot i çuditshëm alla shqiptar. Dalja nga Kuvendi dhe rifillimi i bojkotit nuk do t’i japë asnjë fitore Berishës, por edhe vetë socialistëve. Madje, një hap i tillë besoj se nuk do të përbëjë asnjë hap cilësor në zgjidhjen e krizës politike në vend. Përkundrazi do të agravojë edhe më krizën ekonomike, politike, shpirtërore në të cilën është zhytur për afro një vit e gjithë shoqëria shqiptare, e cila fatkeqësisht po mbahet peng, madje po hiqet zvarrë nga një elitë politike e papërgjegjshme.

 

 

Zef Preçi: “Bojkoti kërcënon kohezionin e PS”-së

 

Ndonëse e pranoj se të gjitha krahasimet çalojnë, por qytetarët në moshë të mesme me siguri që kujtojnë se periudhën e “luftës së ftohtë”, sa herë që shkelej hapësira ajërore apo detare e Kinës nga mjete luftarake apo të spiunazhit të SHBA, ajo i drejtonte fuqisë më të madhe ekonomike dhe ushtarake të botës një “paralajmërim serioz”. Kështu që edhe vazhdimi i bojkotit apo mbajtja e protestave si “Shpata e Damokleut” mbi qeverinë e Berishës, në kushtet e një kauze vështirësish të kuptueshme për qytetarët që të marrin pjesë në to, apo  kur ato nuk lidhen me problematikën e përditshme të jetës së qytetarëve edhe ndikimin e keqqeverisjes mbi statusin e këtyre të fundit, nuk besoj se sjell ndonjë vlerë të shtuar në favor të PS-së. E kjo bëhet edhe më e qartë nëse shohim intervalin tepër të gjatë kohor – një vit, deri në zgjedhjet e afërta administrative. Nga ana tjetër, mendoj se, bojkoti tashmë e ka humbur kuptimin e vet përderisa PS nuk arriti të sigurojë mbështetjen e pritshme ndërkombëtare, përderisa nuk ka dërguar ende provat e saj mbi manipulimet e zgjedhjeve të 28 Qershorit 2009 në Gjykatën Kushtetuese e në Prokurorinë e Republikës. D.m.th ajo u detyrua të rikthehet në Kuvend përmes një rruge “të butë e shkallë-shkallë” dhe çfarëdo largimi  tjetër në mënyrë kategorike mendoj se duhet lexuar si një shenjë e ndjekjes së “politikës së rrugës”, gjë që nga ana e saj paralajmëron sfida të reja institucionale për zgjedhjet administrative të vitit 2011, deri edhe mospjesëmarrjen e PS në këto zgjedhje. Pavarësisht kësaj, një gjë është e qartë, vazhdimi i bojkotit përveçse lejon një fushë të lirë veprimi për maxhorancën dhe sjell deformime të reja në veprimtarinë e Kuvendit dhe te institucioneve te kontrolluara rreth tij, kërcënon më shumë se gjithçka vetë kohezionin e PS-së dhe çon në dobësimin e mëtejshëm të z. Rama mbas dështimit thuajse të plotë me “kauzën e kutive”.


 

 

 

 

 

 

 

Shto tek: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg

Subscribe to comments feed Komente (0 publikuar):

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

  • Plain text 110 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Tags
Ska tags per kete artikull
Vlereso kete artikull
0
Lajme te ngjashme
  • Socialistët prishin “agjërimin”
  • Kutia e Pandorës brenda kutisë së Ruzhdijes
  • Deklarata: “Jepini fund krizës aktuale politike”
  • Opinion
  • OSBE: “Hetim zgjedhjeve, opozita të hyjë në Kuvend”
Hyrje | E-Mail | Te preferuarat | Rss / Atom | Vetem tekst | Arkiva | CPanel|
Powered by: Data Solution LTD