Replika mes Ramës dhe Islamit
Mbledhja e Grupit Socialist/ Gati kalendari i protestave. Emërohen përfaqësuesit në Komisionet e ligjeve
Grupi parlamentar socialist që u mblodh dje paradite me dyer të mbyllura vendosi që PS të marrë pjesë në seancën parlamentare, por me kushtin që socialistët të paraqiten në Kuvend vetëm në përfundim të seancës. Të pranishëm në mbledhje ishin edhe pesë deputetët e Lëvizjes për Mendim Ndryshe në PS. Burime pranë Selisë Rozë, thanë se, “grupi parlamentar do të kërkojë të diskutojë mbi kalendarin javor, me qëllim futjen e dy nismave të PS-së, për hetimin e zgjedhjeve të 28 Qershorit”. Pas betimit një seancë më parë, kjo është hera e dytë që deputetët socialistë shkelin në Kuvend pas bojkotit disa mujor që i bënë punimeve të Kuvendit. Mesa duket mbledhja nuk ka pasur vetëm për qëllim hyrjen në Kuvend pasi burime të brendshmë në selinë rozë bënë të ditur se në mbledhje u diskutua edhe për axhendën që kjo parti do të ndjekë. Gjithashtu janë emëruar përfaqësues të saj në komisionet e ligjeve. Në këtë pikë ka pasur replika të ashpra mes Kastriot Islamit dhe Kryetarit të kësaj partie Edi Rama. Islami ka kundërshtuar emërimin e tij në Komisionin e përcaktuar nga Rama dhe ka shkëmbyer replika drejt tij. Gjithashtu burime brenda kësaj selie thanë se u diskutua edhe për kalendarin e protestave të cilat do të fillojnë mbas datës 18 mars ditën kur opzita do të marë përgjigjen për ngritjen e Komisionit Hetimor të Zgjedhjeve. Opozita është e vendosur se në rast se nuk do të hetohet duke hapur kutitë do nisë valën e protestave në Tiranë dhe rrethe. Por nga ana tjetër deputetë të Partisë Demokratike shprehen se Partia Socialiste po e thyen pak e nga pak bojkotin. Futja në Parlament, emërimi i përfaqësuesve të saj në komisionet e ligjeve është një veprim pozitiv. Ndërkohë nënkryetarja e KQZ-së përfaqësuese e PS-së disa ditë më parë gjatë një deklarate për shtyp është shprehur se edhe po të hetohen zgjedhjet me anë të këtij komisioni që po ngrihet nuk do të ndryshojë rezultati.
Luan Omari: “Ngritja e Komisionit Hetimor në Kuvend, pozitiv”
Konstitucionalisti i njohur Luan Omari gjatë një prononcimi për gazetën “Telegraf” u shpreh se ngritja e Komisionit Hetimor të Zgjedhjeve brenda në Parlament është një veprim pozitiv. Sipas tij është e rëndësishme ngritja e këtij komisioni por duhet pritur se si do të funksionojë. “Unë jam shprehur që në fillim se ngritja e komisionit bëhet brenda në Parlament dhe ky hap që opzita bëri duket pozitiv tani se si do të veprohet duhet të presim”. Opzita që në fillimet e bojkotit ka kërkuar ngritjen e Komisionit por jashtë Parlamentit më pas ka qënë rezoluta e KE që ka kërkuar futjen e saj në Parlament e më pas ngritjen e komisionit.
Zbulohet vendimi, PS bojkot Kuvendit nëse s`votohen “kutitë”
Sipas vendimit, deputetët e PS do të jenë në Kuvend vetëm në kohën e propozimit dhe futjes në rendin e ditës së amendimeve që ka paraqitur opozita dhe kërkesës për komision hetimor. I njëjti vendim parashikon qëndrimin bojkotues të deputetëve socialistë ndaj çdo pike tjetër të rendit të ditës së Kuvendit si dhe ndaj projektligjeve që janë futur në rendin e ditës të seancës së sotme përfshi edhe ligjin për Gjykatën Administrative.
Meksi: “Padëgjueshmëria” e qeverisë përkeqësuan situatën makroekonomike”
Deputetja Ermelinda Meksi deklaroi se “prej kohësh Partia Socialiste e ka paralajmëruar qeverinë Berisha për të parandaluar dhe minimizuar, nëpërmjet politikave të matura financiare –buxhetore efektet e krizës financiare botërore në ekonominë tone”. Por, tha ajo, “padëgjueshmëria” e qeverisë dhe veçanërisht papërgjegjshmëria e Ministrit të Financave përkeqësuan situatën makroekonomike që po kalon vendi duke dhënë efekte të forta në rritjen e çmimeve, zhvlerësimin e monedhës kombëtare, rritjen e papunësisë, thellimin e borxhit publik dhe rritjen e interesave të tij. “Apeli publik për të disatën herë i PS për më shumë kujdes e maturi në trajtimin e ekonomisë, mori si përgjigje deklarata absurde dhe megalomane për imunitetin e Shqipërisë nga kriza, rritje “dyshifrore” dhe deri“lënie në bisht” të Francës e Gjermanisë”, u shpreh Meksi. Sipas saj, problemi i glorifikimit të ekonomisë dhe mos marrja parasysh e impaktit të krizës nuk mbeti vetëm para dhe gjatë fushatës zgjedhore por edhe në muaj në vijim duke e çuar ekonominë në buzë të greminës: me mosrealizim të ardhurash, fryrje shpenzimesh, thellim deri në kërcënim të borxhit, zhvlerësim të lekut dhe rritje të fortë të nivelit të përgjithshëm të çmimeve. “Skandali thellohet të fakti që shtesa e shpenzimeve buxhetore për vitin 2009 është realizuar në periudhën parazgjedhore duke zbuluar qëllimin se përse qeveria nuk pranoi krizën, por përkundrazi fryu shpenzimet për arsye elektorale për të fituar me çdo kusht zgjedhjet e radhës” u shpreh Meksi
-
350 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version



del.icio.us
Digg
Publikoni komentin tuaj