“Edi Rama është një humbës i madh”
Intervista/ Flet Prof. Dr. Shezai Rrokaj, dekan i Fakultetit Histori-Filologji në UT
Intelektuali i njohur Prof. Dr. Shezai Rrokaj në këtë intervistë ekskluzive për gazetën “Telegraf”
- Kohët e fundit ju u pozicionuat në një formacion politik siç është LSI. Kjo ishte dëshira e juaj për të sjellë një zë ndryshe në politikë, apo ka qenë kërkesa e LSI-së për t’u radhitur në këtë formacion politik?
- Unë do të them se janë të dyja. Pra dhe kërkesa e tyre dhe dëshira ime. Të jem i sinqertë, kur isha rektor kuptova se, mund të punoja me shumë idealizëm, me shumë përkushtim (falë dhe përvojës që kisha akumuluar në universitet, si dhe formimit tim, pasi kam jetuar gati 11 vjet jashtë, 7 vjet duke studiuar dhe 4 vjet të tjera në Itali që kam dhënë mësim), në politikë. Pra ishte ky akumulim që solli dëshirën time të futesha në politikë që unë të realizoja disa ide themelore në shollën e lartë, siç është liria e mendimit, që duhet të jetë e lidhur ngushtë me autonominë administrative, financiare dhe akademike. Pra, autonomia universitare duhet të realizohet sepse vetëm kështu ajo i shërben të mirës së vendit. Intelektualët nuk duhet të jenë konformistë, prandaj duhet të jenë të pavarur. Kam shkruar një libër, “Ëndrra e një sfide”, kur kam qenë rektor, dhe aty shihen gjëra të panjohura për një publik të emancipuar që lidhen dhe me njohjet e mia për atë kohë që nga Presidenti i Republikës etj., apo njohjet dhe lidhjet që nga Brukseli, Këshilli i Europës, në mënyrë që të arrihej realisht ndërtimi i një shkolle që të konceptohej realisht. Jo si një vasal i strukturave partiako-ekzekutive- politike, por si një përgjegjësi kombëtare. Ëndërr e kam pasur këtë.
- Diçka për koalicionin LSI –PD. A do të jetë një koalicion jetëgjatë. Ku bazohet ky koalicion?
- Zyrtarisht ky është një koalicion 4-vjeçar. Zyrtarisht ne jemi shprehur që do të kemi një bashkëpunim edhe në zgjedhjet lokale. Ky koalicion lidhet mbi disa çështje (ose rezultate), bazë. E para, njëherë që ne si parti kemi marrë votat e qytetarëve dhe kemi detyrime ndaj tyre. Unë vetë nuk pajtohem me disa koncepte që shpesh i ndeshim në politikanë që do t’i klasifikoja klasikë, të cilët e vendosin parimin e të qenit i majtë apo i djathtë, apo koalicionet bazuar në disa reminishenca të ideologjisë marksiste. Ky ballafaqim i LSI-së para elektoratit ishte ballafaqim i një force të majtë, e cila ka një profil politiko-ekonomik të caktuar në skemën e partive të tjera politike.
- Cili është ky profil?
- Ka të bëjë me emrin që ka, nga i cili burojnë: Integrimi (dhe kjo qeveri ashtu u quajt, pasi ka të bëjë me liberalizimin e vizave). Së dyti ka emrin social; në qendër të vëmendjes së forcës sonë politike janë reformat sociale, ndaj them se ka shumë rëndësi zbatimi i programit të LSI, si kusht, për të përcaktuar efiçencën e forcës sonë politike, për të justifikuar votën që na është besuar. E treta është ekuilibri institucional. Pra LSI merr përgjegjësinë dhe garanton për shkak të vendit që zë në qeveri, ekuilibrin institucional të vendit.
- Që do të thotë?
- Që do të thotë ajo mban përgjegjësi kur vlera e saj çmohet dhe përcillet në një qëndrueshmëri sociale, për të përballuar sfidat e integrimit për të mos e lënë vendin në kaos dhe për të mos e zhytur vendin në një spirale zgjedhjesh të njëpasnjëshme që në kuadrin e kësaj krize ekonomike do ta dëmtonin jashtëzakonisht atë. Nuk ishte shansi për t’u bashkuar me PS-në me të cilën na lidhin fije të jashtëzakonshme sociale, ideologjike, reformash, sepse mes këtyre dy forcave politike nuk ekzistoi asnjë shpresë bashkimi sado që prej LSI u dhanë disa herë sinjale të tilla.
- Ju personalisht keni qenë për bashkimin e PS me LSI në zgjedhjet e 2009?
- Unë kam qenë ndër të parët që i kam thënë Metës që ta bashkëpunonte me PS-në, dhe disa herë iu kërkua me shumë dëshirë ky bashkëpunim, por lidershpi i PS-së e refuzoi atë, dhe sulmoi në mënyrën më të paparë LSI-në me të gjitha mjetet e mundshme për ta eliminuar atë si forcë politike. Pra Rama e konsideroi LSi si: “delen e zezë” të cilën kërkoi ta asgjësonte si parti me të gjitha mjetet. Në këto kushte, pas zgjedhjeve, ne nuk kishim kushtet e duhura për të bërë një koalicion, por edhe sikur numrat të ishin, në këto kushte nuk mund të gjehej gjuha e përbashkët për bashkëpunimin LSI dhe PS. Sepse, ai që kishte detyrimin publik të bashkonte të majtën shkoi në zgjedhje me idenë se unë i fitoj vetëm të gjitha dhe se unë i eliminoj të gjithë. Sido që të bëhen komentet pasgjedhore, Meta nuk pati asnjë ofertë publike nga z Rama, që të bashkohej e majta dhe për aq kohë sa të ekzistojë kjo frymë. Rama apo PS do të ketë të njërin fat. Përderisa nuk ekzistonte kjo frymë nga PS, apo më mirë të themi nga vetë Rama, ne ishim të detyruar që të shihnin se para përgjegjësisë personale të një partie ekziston një përgjegjësi kombëtare. Të sfidave që ka vendi apo të atyrë çka presin qytetarët shqiptarë. Zgjedhja jonë ka qenë ajo e duhur, jashtë kanonizmit, sepse ai kanonizëm sot ka përfunduar për të gjitha partitë moderne. Partitë sot vlerësohen nga reformat që ofrojnë të cilat duhet të shkunden nga koncepti i atavizmit ideologjik klasik, pse jetojmë në kohë të tjera ku procesi i zhvillimit prevalon, mbi konceptin ideologjik dhe e vetmja forcë që mund ta bënte këtë, ishte forca që qe më pak e lidhur me të shkuarën, me sistemin komunist. PS nuk mund të bëjë kalime të tilla, pasi ajo ka njëmijë fije që e mbajnë të lidhur me të shkuarën, me Partinë e Punës nga e cila doli.
- Kjo do të thotë që nuk është etja për pushtet e Metës që krijoi koalicion me Berishën?
- Cila është ajo parti që e refuzon qeverisjen kur gjithçka e bën në interes të shtetasve të vet për të realizuar programin e saj, vitalitetin e saj, për të treguar mundësitë e saj, për të treguar besimin si forcë që merr përgjegjësi. Pra këto zgjedhje dhe ky koalicion ishte një shans për të treguar programin e saj, por një gjë duhet që unë i qëndroj besnik, ne duhet të tregojmë se jemi të zotë të qeverisim mirë. Duhet ta kuptojmë qeverisjen jo si privilegj por si një përgjegjësi. Detyrim ndaj elektoratit. Ne duhet ta kuptojmë kështu deri atë kohë sa njerëzit që kemi vënë në drejtim në qeverisje do të punojnë me përkushtim në këtë gjë. Për të rritur dhe forcuar imazhin e LSI-së në popull. Mendoj se jemi në rrugën e duhur. Koha do të tregojë se si do ecin gjërat në kuadrin e një bashkëpunimi afatgjatë kur të ndryshojnë gjërat, kur njerëzit të dalin nga kapriçot, ngurtësimet, dhe ta shikojnë bashkimin si një element të qenësishëm fitoreje, atëherë do mblidhen forumet dhe do të vendosin për të ardhmen, për bashkëpunimin e mëtejshëm.
- Humbja e PS në zgjedhjet e 2009 sipas jush i faturohet vetëm Ramës?
- 100 për qind. Po ju them që e majta është në këtë gjendje se ka dashur të vendosë njerëz super të zgjuar për ta drejtuar. E majta ka një profil ndryshe nga e djathta, sipas asaj që ndiej unë. E majta nuk ka nevojë për njerëz shumë të zgjuar sepse është vetë e zgjuar. E majta ka nevojë për një njeri që t’u thotë ejani bashkohuni këtu dhe të fitojmë për të drejtuar mirë Shqipërinë. Për sa kohë që të futet në ngërçet e kapriçove individuale të lidershipit, e majta nuk ka të ardhme. Ajo që kërkohet tek e majta, është bashkimi. Ky bashkim nuk u realizua dhe fajin e ka Rama, pra më i madhi. I madhi i bashkon njerëzit, i madhi e thotë këtë fjalë dhe në familje. Më thoni ju nëse Edi Rama e përmendi njëherë emrin e Ilir Metës para fushatës zgjedhore. Vetëm kur humbi e përmendi emrin e tij. Pse nuk shkoi Rama të bashkohej me grevën e deputetëve për votën e shenjtë, ku ishte vetë Meta? Rama u mund nga deliri i një njeriu që donte pushtet absolut që ti fitonte të gjitha. Askush nuk ta fal që t’i fitosh të gjitha për vete, as zoti nuk ta fal këtë. Duhet të bashkëpunohet , duhet një frymë më e gjerë në polikë, ndërsa Rama mban përgjegjësinë e humbjes të së majtës në zgjedhjet e 2009-ës. Ai është humbësi më i madh.
-
142 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version



del.icio.us
Digg
Publikoni komentin tuaj