PS-ja nuk duhet të provokojë kriza
Intervistë/ Flet për gazetën “Telegraf” deputeti i Partisë Demokratike, Fatos Beja
Ish-nënkryetari i Parlamentit dhe aktualisht deputet i Partisë Demokratike, Fatos Beja në këtë intervistë ekskluzive për gazetën “Telegraf” analizon situatën aktuale politike në vend, ku nuk harron të përshëndesë hyrësen e PS-së në Parlament. PS-ja duhet t’i japë fund bojkotit e të mos provokojë kriza, thotë ai. Momentet që po kalon vendi janë të rëndësishme dhe jetike për integrimin e vendit në familjen europiane. Ndërkaq, Beja nuk heziton të trajtojë edhe qëndrimin e partisë së tij ndaj shtresës së ish-të përndjekurve politikë, luftën kundër korrupsionit nga strukturat qeverisëse të vendit etj.
- Si e shikoni ecurinë e reformave dhe kryerjen e detyrave të shtëpisë që na kanë lënë evropianët?
- Faktikisht ekzekutivi që po punon tashmë me realizimin e të gjithave atyre pikave që lidhen me pyetësorin. Pyetësori është një mënyrë që Bashkimi Europian përmes komisionit të tij i kërkon qeverisë së një vendi përkatës nëpërmjet një serie pyetjesh, nga ku merr informacionin për gjendjen reale në fusha të ndryshme. Shqipëria është në këtë proces, pra është pjesë e procesit integrues drejt BE-së. Ministritë e linjës, pra ekzekutivi dhe institucione të tjera, të cilat kanë për t’iu përgjigjur pyetjeve të caktuara janë të detyruara t’i shikojnë një për një dhe t’i shikojnë me realizëm në mënyrë që BE-ja të gjykojë për shkallën e standardeve që ekzistojnë në Shqipëri. Gjithçka do të vlerësohet në raport me standardet e BE-së dhe mbi bazën çdo të përcaktohet fati i mëtejshëm negociatave. Aktualisht jemi në këtë kuadër, kur institucionet shqiptare përgatisin secili ato që i takojnë.
-Cili është kontributi i opozitës në këtë proces dhe mendoni se bojkoti i opozitës e ka dëmtuar procesin?
- Duhet të kuptojmë që përgjigjet e pyetjeve i bëjnë institucionet zyrtare dhe këto nuk janë të ngjyrave të ndryshme partiake. Shqipëria funksionon si një shtet i së drejtës me institucione që funksionojnë dhe duhet të kryejnë secili detyrën e tij. Tërheqja e PS nga ky proces në një moment shumë të rëndësishëm për Shqipërinë natyrisht që ka penguar, sepse duhet ta kuptojmë që rezultati i integrimit të Shqipërisë në BE nuk është një çështje e vetëm e një partie të caktuar politike, por është një çështje thelbësore për të gjitha partitë dhe për të gjithë ata votues të tyre. Kështu që do të ishte normale dhe e dobishme që PS nëpërmjet ekspertëve më të mirë që ajo ka, të ishte pjesë e përpjekjeve që po bëhen për realizimin e gjithë atyre detyrave që kemi për të bërë. Për më tepër, do të ishte mirë që PS-ja mos të përpiqej në këtë periudhë të rëndësishme për vendin të provokojë kriza, të cilat në fakt burojnë nga problemet që ka vetë PS-ja. Por që bartja e tyre në kuadrin politik të Shqipërisë në përgjithësi bën hije për klimën politike në Shqipëri, çka nuk është e pëlqyeshme dhe është dëmtuese për procesin e integrimit. Për ta përmbledhur përgjigjen do të thoja se nuk është mirë që PS-ja në këto 6 muaj nuk ka qenë pjesë e procesit, është edhe më keq në qoftë se gjatë kësaj periudhe me ato veprime politike që ka ndërmarrë PS-ja ka kontribuar në krijimin e klimës dhe një realiteti pengues që nuk është e dobishme për shqiptarët.
- Sipas raportit të fundit OSBE-së dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, korrupsioni në Shqipëri është i lartë në ekzekutiv. Çfarë masash duhet marrë për ta luftuar?
- Problemet e luftës që ekzekutivi ka bërë ndaj korrupsionit, por jo vetëm ekzekutivi, edhe sistemet e tjera, janë të shumta. Por mund të them se është bërë punë e lavdërueshme. Sepse nuk është vetëm çështje e ekzekutivit korrupsioni. Ekzekutivi ka detyrën e tij për të luftuar korrupsionin në shoqërinë shqiptare në ato hapësira të cilat mbulohen nga veprimtaria ligjore e ekzekutivit. Ka hapësira të tjera ku ushtrimi ose mbulimi i të cilave nuk varet aq nga ekzekutivi. Për shembull, kam parasysh gjyqësorin ose legjislativin etj. Kështu që shoqëria shqiptare duhet ta përballojë në të gjitha drejtimet vetë këtë luftë. Korrupsioni nuk është një dukuri thjesht shqiptare, është një dukuri që ne si maxhorancë e gjetëm të trashëguar. Korrupsioni, i cili ka qenë në nivelin maksimal më përpara, ka qenë një nga prioritet e qeverisjes për katër vjetët e kaluara dhe mbetet sërish një prioritet. Rezultatet janë pozitive, janë të dukshme, vihen në dukje edhe në raportet e fundit të ndërkombëtarëve. Por mbetet gjithmonë një prioritet. Siç ju thashë, si për qeverinë, si për parlamentin, apo për gjyqësorin, pavarësisht nga rezultatet që kanë pasur është një punë e cila duhet të çohet përpara sa më shpejt, sa më mirë, pavarësisht vlerësimeve që bëhen. Si parlament ne kemi disa nisma, të cilat janë në dobi të luftës ndaj korrupsionit. Ju e dini që deputetët janë transparentë. Çdo qytetar të denoncojë çdo gjë që di. Ne kemi kërkuar për të hapur institucione të specializuara që të vëzhgojnë punën e deputetëve. Ne kemi kërkuar që të ulim imunitetet e deputetëve, mos ketë pretendime nga institucione të tjera të ligjit. Çdo deputeti, me vendim në parlament, i hiqet imuniteti, në mënyrë që Prokuroria të ketë tërë hapësirën e mundshme për të hetuar. Kemi katër vjet po s’po e menaxhojmë dot sepse PS-ja është bërë pengesë. Dua të kujtoj që gjatë miratimeve të ligjeve të ndryshme ne si maxhorancë kemi qenë mjaft ekzigjentë duke futur nene e ligje të cilat janë më të rrepta se sa mesatarja e BE-së. Aktualisht duhet vënë re se kemi reforma si në shëndetësi, drejtësi, arsim etj.
- A po zhgënjen qeveria ish të përndjekurit politik përsa i përket dëmshpërblimeve të tyre, pasi dihet që ish-të përndjekurit më së shumti janë votues të së djathtës?
- Së pari PD-ja që nga fillimi i krijimit të saj ka qenë e shqetësuar dhe e interesuar ndaj kësaj shtrese gjatë këtyre 18 viteve të kaluara. Ka qenë një ndër objektivat e deklaruara nga PD-ja për të mbështetur të drejtën njerëzore që ata kanë si kategoria që ka vuajtur më shumë në diktaturë. Nuk mund të themi që nuk janë bërë, por nuk janë bërë të gjitha si e sa duhet, pra ka nevojë të ecet më tej. Nuk është vetëm dëmshpërblimi financiar aq shumë i rëndësishëm, sidomos për një kategori njerëzish të cilët janë në një moshë të thyer, por nuk është vetëm kjo. Duhet të kuptojmë që sa herë që mediat nxjerrin historitë e diktatorit dhe të diktaturës dhe njerëzit që kanë bashkëpunuar me të për të dënuar këtë kategori të popullit shqiptar, duhet ta dimë se e gjithë kjo është absolutisht një dhimbje për këtë shtresë. Kështu që shoqëria shqiptare ka nevojë të plotësojë dekomunistizimin e vendit, në mënyrë që Shqipëria të jetë një vend vërtetë i lirë, ku të drejtat njerëzore të respektohen realisht dhe të mos ecim sikur s’ka ndodhur asgjë. Patjetër që dëmshpërblimi financiar është një e drejtë e miratuar në parlament, është një e drejtë e cila po ekzekutohet nga Qeveria dhe ekzekutivi. Kjo punë është në proces dhe që nuk ka përfunduar, janë vendosur disa renditje, sepse duhet të kuptojmë që ka një faturë financiare dhe kjo faturë do të paguhet nga taksat të ardhurat e qeverisë. Është një proces i mirë në kohë dhe unë mendoj se ata që janë gjallë ta marrin më parë, çka nuk i shkel të drejtën të tjerëve, por vendos një renditje në mënyrë që ata që kanë vuajtur në lëkurën e tyre dhunën, të kenë mundësi që në vitet e fundit të jetës së tyre të jetojnë pa probleme. Është një proces i cili është në realizim e sipër.
- Diçka për situatën në vend dhe qëndrimin e ndërkombëtarëve në këtë periudhë?
- E konsideroj pozitiv faktin që PS u kthye në Parlament. Në rast se nuk do të futej kriza do të thellohej, por Kushtetuta dhe ligji do të zbatohen, sepse nuk mundet që vendi të eci para pa zbatimin e tyre. Ligji ka në bazë standarde europiane. Prania e Gramoz Ruçit në mbledhjen e Kryetarëve është pozitive. PD-ja është atje dhe shpreh mendimin e saj por është mirë që PS-ja të jetë atje dhe të shprehë mendimin e saj. Për veprimin e komunitetit ndërkombëtar unë do të thoja se ka qenë pozitiv, por një kontribut i vështirë. Edhe tryeza e Presidentit ishte në harmoni me rezolutën e KE-së, në harmoni edhe me deklaratat e forcave politike. Është mirë që procesi të vazhdojë. Është e mira e vendit dhe e PS. Por brenda kushteve që ofron Kushtetuta, ligjet, kodet vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Në qoftë se do të ecim në këtë mënyrë unë kam mendimin se procesi, me gjithë vështirësitë që do të ketë, do të ecë mirë.
Kështu që do të ishte normale dhe e dobishme që PS nëpërmjet ekspertëve më të mirë që ajo ka, të ishte pjesë e përpjekjeve që po bëhen për realizimin e gjithë atyre detyrave që kemi për të bërë
-
105 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version



del.icio.us
Digg
Publikoni komentin tuaj