“Petro Nini”, në garë për universitet, 385 maturantë
INTERVISTA/ Flet Diana Kalemi, drejtoreshë e shkollës së mesme “Petro Nini Luarasi”
Diana Kalemi, drejtoreshë e shkollës së mesme “Petro Nini Luarasi” në intervistën e dhënë për gazetën “Telegraf”, shpjegon se si po veprohet me përgatitjen e maturantëve për finalizimin e dijeve të tyre, provimet e Maturës Shtetërore. Drejtoresha e shkollës më të lakmuar në kryeqytet tregon synimet e nxënësve të saj dhe plotësimi i formularëve sipas prirjes që kanë maturantët.
Si po vepron shkolla e mesme “Petro Nini Luarasi” për përgatitjen e maturantëve të saj?
Shkolla “Petro Nini Luarasi” është pajisur me formularin A1, i cili është për maturantët aktualë 2009-2010 dhe me formularin A1-Z që është për maturantët që kanë mbaruar arsimin parauniversitar para këtij viti. Në shkollë është krijuar Komisioni Shkollor i Maturës Shtetërore, në të cilin gjithsecili ka detyrat e veta. Ky komision është i përbërë edhe nga drejtori i shkollës dhe nëndrejtori, i cili mbulon maturat, kështu që puna deri diku është e thjeshtuar. Secili mësues kujdestar ka marrë kopjet e veta të formularit A1 dhe i ka dhënë udhëzimet klasës së tij sesi do të plotësohet duke u këshilluar edhe me prindërit, por duke shfrytëzuar edhe atë që quhet Këshillimi i Karrierës. Pra, në një farë mënyre janë orientuar në bazë të prirjeve të tyre. Për formularin A1-Z, merret sekretaria e shkollës, unë dhe nëndrejtoresha. Ish- maturantët i orientojmë. Në këndin e Maturës Shtetërore duke vendosur të gjitha udhëzimet e reja, koefiçentët, formulari etj., ashtu sikurse thotë edhe rregullorja e maturës. Jemi pajisur nga MASH dhe Drejtoria Arsimore e Tiranës edhe me udhëzimin për zhvillimin e konsultimeve me maturantët. Çdo ditë ka një orë konsultim për lëndët që janë provime të detyruara, Gjuhë Shqipe – Letërsi dhe Matematikë dhe konsultime për lëndët me zgjedhje. Këto lëndë do të grupohen në bazë të plotësimit të formularit A1, që do të thotë se, nëse në shkollë janë 30 nxënës që kanë kërkuar provim me zgjedhje, Biologjinë atëherë me këta bëhet një klasë që do të bëjë konsultim.
Deri kur do të zhvillohen konsultime me maturantët?
Ky orar për konsultime do të funksionojë deri në datën 21 maj kur mbyllet mësimi normal i maturës dhe atëherë do të ketë një kalendar konsultimesh më të ngjeshur. Deri tani jemi në kohë, në datë 10 mars duhet të dorëzojmë formularët A1 dhe A1-Z të plotësuar. Për çdo arsye i kemi porositur nxënësit që të mbajnë nga një kopje të këtyre formularëve që ndoshta mund t`u duhet më vonë për shembull për aplikime jashtë shtetit etj.. Deri tani ky proces ka funksionuar mirë dhe nuk ka pasur probleme.
Në shkollën tuaj do të plotësojnë formularin, ata nxënës që kanë mbaruar studimet këtu apo do të ketë edhe të tjerë?
Do të plotësojnë këtë formular vetëm nxënësit që kanë mbaruar shkollën e mesme në “Petro Nini Luarasi” në vitet para 2009-2010. Gjatë plotësimit të formularit këta ish-maturantë njoftohen edhe me ndryshimet e mundshme që ka Matura Shtetërore.
Ku do të bazohen maturantët për provimet. Si po veprohet?
Ndryshime të dukshme ka programi i Gjuhës Shqipe dhe i Letërsisë. Programet e tjera janë pak a shumë aty ku kanë qenë.
Ku shprehin maturantët më shumë vështirësi, ku edhe kërkojnë ndihmën më të madhe?
Vështirësinë ndoshta e kanë tek formulari A1 në zgjedhjen e lëndëve, sepse janë në dilemë. Kjo sepse dihet që në Shqipëri shumica e fëmijëve nuk vendosin pa prindin dhe ne jemi përpjekur t`i ndihmojnë, këtu ka luajtur rol të madh edhe psikologu i shkollës, sepse mësuesi është ai që ia njeh më mirë prirjet nxënësit të tij. Shumë prindër kërkojnë që fëmija të vazhdojë profesionin që vetë prindi, p.sh. jurist, ndërkohë që ne si mësues e dimë që ai fëmijë ka më shumë prirje në shkencat ekzakte. Atëherë më shumë me prindin edhe deri diku me nxënësin ne e sqarojmë, kuptohet rolin vendimtar e ka vetë nxënësi. Por mbase këshillimi i karrierës është një ndihmë që këtë vit në ndryshim nga vitet e tjera ka filluar që në muajin shtator. Me këshillim karriere kuptohet që mësuesit, kujdestarët, nëndrejtori, drejtori, psikologu i shkollës t`i orientojë në një farë mënyre nxënësit, por edhe universitetet e ndryshme brenda dhe jashtë vendit, bëjnë prezantime të programeve të tyre, të lëndëve që zhvillojnë etj., dhe pastaj nxënësit vendosin vetë. Normalisht, duke qenë se, është një përbërje me një gjendje të mirë social-ekonomike është e drejta e tyre që edhe të studiojnë jashtë shtetit dhe një pjesë e mirë kanë aplikuar apo të shkojnë në universitete private. Shumica janë për universitete shtetërore.
Çfarë mendoni për heqjen e formularit A3 dhe A4? Si shprehen nxënësit?
Aktualisht nxënësit janë përqendruar më shumë në përgatitjen dhe plotësimi i formularit A1 dhe A2 që do të vijë pas provimeve me zgjedhje. Formulari A3 dhe A4 sipas eksperiencës që kam pasur me ish-maturantët e mi ishte më shumë një trullosje sesa një ndihmë sepse nxënësit e kishin zgjedhur ku do të shkonin dhe të paktën vitin e kaluar nuk ka pasur jo dyndje, por edhe formularët që erdhën nuk u morën nga ish-maturantët. Kjo do të thotë se deri në atë moment kur vjen A3 dhe A4 nuk shqetësohet më njeri.
“Petro Nini Luarasi” është cilësuar si shkolla që nxjerr vlera. Mendoni se këtë vit do të ketë koeficient të lartë pranimi të nxënësve tuaj në universitet?
Duke pasur parasysh edhe arritjet deri tani, ndërkohë që në rang Tirane janë mbyllur nga Drejtoria Arsimore Rajonale, olimpiadat e matematikës, Fizikës, Kimisë, Biologjisë, Informatikës dhe ne, në të gjitha kemi fitues them se ne përsëri do të kemi rezultate të larta. Punë është bërë pa fund, qoftë nga mësuesit ashtu edhe nga maturantët, por ata kanë edhe atë pjesën private në të cilën përgatiten. Kështu besoj se do te ketë rezultate të mira. Varet edhe nga hartimi i tezës, të paktën flas që për letërsinë përgjigjet janë pak evazive, ndryshe nga matematika ku 3:2 bëjnë 6 dhe kjo nuk ndryshon. Ne sivjet kemi 385 maturantë, më pak sesa vitet e tjera, kjo ka lidhje me lindjet që i përkasin këtij viti. Vazhdon “Petro Nini” të jetë shkollë e synuar dhe të ketë dyndje nxënësish dhe pse ne patëm udhëzim nga ministria për uljen e numrit të nxënësve nëpër klasa. Këtë vit me klasat e 10 edhe pse u përpoqëm shumë e çuam 35 numrin e nxënësve, përsëri nga dyndjet shkoi edhe 40.
Çdo ditë ka një orë konsultim për lëndët që janë provime të detyruara, Gjuhë Shqipe – Letërsi dhe Matematikë dhe konsultime për lëndët me zgjedhje. Këto lëndë do të grupohen bazë të plotësimit të formularit A1, që do të thotë se nëse në shkollë janë 30 nxënës që kanë kërkuar provim me zgjedhje Biologjinë atëherë me këta bëhet një klasë që do të bëjë konsultim.
-
140 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version



del.icio.us
Digg
Publikoni komentin tuaj