“Amnistia kërkon besim tek qeveria”
Intervistë me Spartak Ngjelën, Kryetar i Partisë Ligj dhe drejtësi
Në të gjitha krizat financiare botërore, amnistia fiskale konsiderohet një element që zbut krizën. Por Biznesi shqiptar nuk do të besojë tek amnistia e kësaj qeverie, pasi ekzistojnë doza të forta mosbesimi sa i përket kapitalit. Psikologjikisht ata që i kanë paratë do kenë frikë t'i legalizojnë. Shqipërisë sot i mungojnë tre tregjet kyçe, tregu financiar, tregu i mallrave dhe tregu i punës. Në rast se nuk ekzistojnë këto tre tregje, si dhe bashkëveprimi mes tyre, gjithçka është e destinuar të dështojë. Ky është opinioni që vjen për “Telegraf” i avokatit Spartak Ngjela në lidhje me aplikimin e amnistisë fiskale në Shqipëri.
Çfarë peshe ka problemi i informalitetit në ekonominë shqiptare?
Doza e evazionit është shumë e madhe. Sa është "buxheti i fshehur" nëpër xhepa në Shqipëri - mendohet të jetë 10 miliardë euro, sipas FMN-së. Po të mbledhim edhe shumat e depozituara jashtë, vërejmë se bëhen 30-40 miliardë euro që duhen futur brenda kufijve tanë. Domethënë paratë e shqiptarëve janë të shpërndara në Greqi e Itali dhe mbahen në xhepa brenda kufijve tanë. Po them diçka shumë interesante. Rreth 7 miliardë euro gjenden nëpër banka të nivelit të dytë. Rreth 10-11 miliardë i kanë shqiptarët në Itali dhe rreth 8-9 miliardë i kanë shqiptarët në Greqi. Para ka, por nuk menaxhohen dot nga qeveritë shqiptare. Edhe qeveria "Nano" ishte e paaftë në raport me kapitalin, ndërkohë që kam bindjen që edhe qeveria aktuale nuk është në gjendje të menaxhojë prurje të këtyre përmasave. Përveç këtyre numërohen edhe rreth 8 miliardë euro që qarkullojnë në kanale të padeklaruara brenda territorit shqiptar.
Si ju duket kërkesa e biznesit për një amnisti fiskale të mundshme ?
Në të gjitha krizat financiare botërore, amnistia fiskale konsiderohet një element që zbut krizën. Është fenomen i njohur tashmë mirë nga Perëndimi. Edhe më të ngutshme e bën nevojën për amnisti fiskale fakti që ekonomia jonë është informale në masën 70%. Në një çast kur shtetet perëndimore informalitetin e kanë me doza shumë të vogla. Në rast se ata kanë pika, ne kemi liqene.
Pra, për ju është domosdoshmëri?
Amnistia duhet bërë, por nuk besoj se biznesi do të pranojë ta derdhë gjithë kapitalin informal, pasi nuk ka besim te kjo qeveri, një përqasje e rrënjosur në mendjet e shqiptarëve që prej viteve të komunizmit. T'ju jap një shembull. Komunizmi iu turr arit me të ardhur në pushtet dhe grumbulloi një të tretat e sasisë që gjendej në Shqipëri. Më pas u pendua dhe e la të lirë këmbimin e tij në lekë, por askush nuk shkonte më të këmbente flori. Njerëzit u trembën. Kishin frikë se mund të shkonin për të këmbyer dy monedha dhe shteti mund t'i vinte më pas t'ia merrte të gjitha, madje edhe t'i dënonte. E njëjta psikologji vlen edhe në rastin e sotëm me kapitalin.
Mund të përdoret e njëjta logjikë dhe pas 20 vjetësh?
E gjithë veshja psikologjike e lidhur me qeveritarët e sotëm është në dëm të hyrjeve të kapitalit. Nuk do të besojë biznesi shqiptar tek amnistia e kësaj qeverie, pasi ekzistojnë doza të forta mosbesimi sa i përket kapitalit. Psikologjikisht ata që i kanë paratë do kenë frikë t'i legalizojnë. Ndërkohë që biznesi, nga ana e vet, nuk duhet të kërkojë në tym. Duhet t'i kërkojnë qeverisë të zotohet se të gjitha paratë e padeklaruara të evazionit që do të deklarohen, do t'i mbeten atyre. Në fakt është biznesi ai që e kërkon amnistinë dhe jo qeveria...Duhen parë me vëmendje se kush e kërkon amnistinë. Është një pikë që duhet trajtuar me shumë kujdes.
Do të sillte efekte pozitive ekonomike një amnisti e plotë?
Problemi duhet parë fillimisht nga ky këndvështrim: a ka mundësi kjo qeveri të administrojë një amnisti fiskale? Ky është një prej gurëve të dominosë. Guri tjetër është se çfarë do të bëhet me ato para nëse do të grumbullohen. Kjo qeveri nuk i menaxhon dot. Amnistia do njerëz të mëdhenj të bëhet. Çfarë do të bënte qeveria me këto prurje. Cilët do të ishin njerëzit që do të dinin të menaxhonin këto flukse kapitalesh të reja? Nga ana tjetër duhet ngritur edhe pyetja: a ka në Shqipëri sot një treg financiar? Shqipërisë sot i mungojnë tre tregjet kyçe, tregu financiar, tregu i mallrave dhe tregu i punës. Në rast se nuk ekzistojnë këto tre tregje, si dhe bashkëveprimi mes tyre, gjithçka është e destinuar të dështojë.
Nga pikëpamja juridike dhe morale, ka zëra që e kundërshtojnë amnistinë, duke e parë si një mekanizëm që do certifikojnë edhe para të ardhura nga aktivitete të dyshimta?
Flitet për kompanitë dhe jo për individë. Do të ligjërohen ato para që vijnë nga evazioni fiskal dhe jo nga krimi. Nuk bëhet fjalë as për narkodollarë e as për para të krimit. Edhe paratë që qarkullojnë të padeklaruara në Shqipëri, nuk është se janë para të paligjshme, janë të ardhura të cilat njerëzit nuk duan t'i investojnë, emigrantët që parapëlqejnë t'i mbajnë jashtë bankave ose nëpër banka të huaja pasi kanë pak besim te bankat tona. Kriza e skemave piramidale ka dëmtuar besimin te depozitimi i parave në institucionet financiare. Është vetë prirja mosbesuese që kanë shqiptarët: vërtet dikush mund të depozitojë 100 mijë dollarë në bankë, por 100 mijë të tjera mund t'i mbajë në shtëpi. Mos harroni edhe që kapitali shqiptar ka qenë i dobët. Ka pasur biznese që kanë siguruar të ardhura dhe në një moment të caktuar kanë vendosur të mos i investojnë më.
-
146 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version



del.icio.us
Digg
Publikoni komentin tuaj