“Qeveria e ka hequr Vlorën nga harta e investimeve”
INTERVISTA/ Flet nënkryetari i Bashkisë, Arqile Mishtaku: “Vlora është pasqyrë e turizmit ajo është imazhi i Shqipërisë”
Telegrafi i Vlorës
Për problemet financiare që ka Bashkia e Vlorës, projektet e papërfunduara, për investimet e planifikuara për vitin 2010 në këtë qytet në infrastrukturë dhe ujësjellësin, i tregon për “Telegraf”, nënkryetari i Bashkisë, Arqile Mishtaku.
Si numri dy i Bashkisë së Vlorës, por edhe si specialist i mirëfilltë, kërkojmë të përcjellim për lexuesin e “Telegraf”, probleme financiare që ka Bashkia e Vlorës?
Për momentin, sikurse dihet, Vlora ka probleme në infrastrukturë, çka është bërë edhe shqetësim i qytetarëve. Por kjo nuk vjen për shkak të mungesës së investimeve nga Bashkia, por vetëm nga pasojat që ka sjellë ndërtimi i ujësjellësit, që e shndërroi qytetin në një kantier ndërtimi. Tani që punimet janë në përfundim, ne kemi hedhur rreth 5 miliard lekë të vjetra për investimet në rrugë dhe institucionet publike. Të ardhurat që vijnë nga Bashkia e qytetit, si burim kanë taksat, ndërkohë që është shprehur ligjshmëria nga Këshilli Bashkiak. Bashkia po nxiton të lidhë kontrata e reja për investimet publike edhe me fondet e mbetura të vitit që shkoi, që do të përdoren kryesisht për të përmirësuar situatën e infrastrukturës veçanërisht në bregdet.
Të mos flasim në përgjithësi. Mund të flisni për ndonjë investim konkret?
Po, bëhet fjalë për segmentin rrugor në zonën e Ujit të Ftohtë, nga vilat deri tek Rrapi, një segment rrugor shumë problematik. Për të saktësuar edhe më tej, bëhet fjalë për rrugën e kthimit të mjeteve për në Vlorë. Përveç kësaj është duke përfunduar projekti i rrugës hyrëse të Vlorës nga Pusi i Mezinit deri në hyrje të qytetit, një rrugë që kërkon ndërhyrje të menjëhershme dhe që kërkon 60 milion lekë. Projektet janë dërguar dhe jemi në pritje të investimit. Gjithashtu ka përfunduar projekti i rrugës nga Skela deri tek Ndërhyrja e Shpejtë, drejt pyllit të Sodës, segment që do të bëhet me katër kalime. E gjithë administrata ka marrë detyrat përkatëse, ka detajuar politikat e miratuara në Këshillin Bashkiak për ekonominë vendore, në mënyrë që të jemi në kohë dhe në muajt e sezonit turistik, Vlora të jetë ndryshe nga infrastruktura.
Mendoni se përfunduan “telashet” nga punimet e ujësjellësit dhe se ky investim do të përfundojë në muajin mars sikurse është deklaruar z. Mishtaku?
Projekti i Ujësjellësit është brenda grafikëve të miratuar, madje ka avancuar më shpejt se sa ishte menduar edhe për shkak të hapësirës që i ka lënë Bashkia.
Çfarë do të bëhet me projektin e lënë përgjysmë për ujërat e zeza, filluar 5 vjet më parë, ndërkohë që ato derdhen ende në det, çka ndikon në largimin e pushuesve?
Një pyetje shumë e drejtë, pasi ky problem është bërë gangrenë për komunitetin dhe Bashkinë. Projektin, që nisi Kamataqis e ka Ndërmarrja e Ujësjellësit në administrim, dhe ka planifikuar fondet e veta për të mbajtur në regjim, që të jetë një investim i efektshëm për të qenë i zbatueshëm në momentin që do të vihet në funksionim, pasi të bëhet lidhja me rrjetin sekondar, me rrjetin primar që kërkon edhe 3 milionë euro. Për këtë shkak i janë paraqitur projektet ministrisë përkatëse herë pas here dhe pritet lëvrimi i fondeve, pasi ky projekt i madh duhej të ishte future në efektin ekonomik.
Cilat projekte të mëdha janë premtuar dhe nuk janë realizuar për Vlorën?
Janë dhjetëra projekte, por nuk mund të tolerohet zvarritja e krijimit të qendrës së përpunimit të plehrave, apo ndërtimi i thertores në qytet. Këto i janë hequr zvarrë dhe nuk kemi shpresë se një ditë do të marrin rrugë.
Dimë që është përcaktuar vendi në Bestrovë, pengesë po bëhen vetëm akordimi i fondeve?
Kjo është kryesorja, por duhet thënë që Këshilli i Qarkut ende nuk shpronësuar pronarët e tokës që do të vihet në përdorin në këtë investim, duke e ka harruar dosjen nëpër sirtarë. Pas kësaj duhet luftuar për miratimin e projektit dhe lëvrimin e fondeve. Por, përderisa Qarku e ka lënë në harresë, do të thotë që Qeveria nuk e ka në plan as këtë vit për ta përfunduar këtë investim, që gjithashtu ndot jo vetëm qytetin, por edhe imazhin e turizmit në Shqipëri.
Mendoni se falimentimeve i bizneseve, do të ndikojë ndjeshëm në dobësimin e buxhetit të Bashkisë?
Sigurisht. Pjesën më të madhe të buxhetit ka nga ta ardhurat e taksave dhe administrate ka qenë në nivelin e duhur për vjeljen e këtyre taksave. Që mbetet të ardhura të qëndrueshme që paraqesin zhvillimin ekonomik. Një argument domethënës janë investimet e mëdha që po bëhen në infrastrukturë. Sigurisht mbyllja e bizneseve jep efektin e vet në buxhetin e Bashkisë, por ky fenomen është i pashmangshëm. Thënë ndryshe, kjo e ka emrin krizë.
Situata e bizneseve pas rritjes së taksave
Aktualisht, një pjesë e bizneseve, me futjen e qarkores së re, ku një pjesë futen me sistemin e takës së TVSH, është rritur kosto e tyre, për shkak se krahas detyrimeve tatimore që kanë për administratat vendore, që janë taksat që janë miratuar nga Këshilli Bashkiak, do të deklarojnë çdo muaj pjesën e TVSH-ës, ose xhiron, pra është një kosto. Veç kësaj nuk mendoj se këto biznese, për shkak të situatës që po kalojmë, një pjesë e mirë e tyre po mbyllen. Kjo për shkakun e vetëm se nuk mund të përballojnë koston fiskale. Ne si administratë vendore po bëjmë promocionin tonë, që bizneset të mësojnë se çfarë është ky ligj. Ne vazhdojmë të mbledhim taksat për bizneset që veprojnë në qytet.
Investimet e bëra nga qeveria dhe planifikimet për këtë vit
Deri tani investimet e Qeverisë janë zero. Pa i paragjykuar gjërat, unë nuk jam dakord me praktikën që përdoret për miratimin e projekteve. Konkurrimi i tyre, sot në qytetin e Vlorës fitojnë nivele të dyta të qeverisjes vendore, sikurse janë komunat. Po të ndalesh tek këto projekte që kanë të bëjnë me investimet në komuna, që bëhen nga inxhinierët e Bashkisë së Vlorës, fitojnë, ndërsa ato që bëhen po prej tyre, por për Bashkinë, nuk fitojnë. Këtu duken mes sheshit se politika bën dallime. Por Qeveria duhet të kuptojë se Vlora nuk është vetëm e vlonjatëve, por e të gjitha shqiptarëve, madje edhe pushuesve të huaj, sepse është qytet turistik. Qyteti ynë duhet të jetë në radhët e para për investimet nga Qeveria dhe nuk duhet të veçohet dhe të mos ketë pjesën e saj të fondeve publike. Për më tepër ne ndjehemi disi edhe të fyer, pasi nuk mendojmë për asnjë çast se projektet që paraqet Bashkia e Vlorës komitetit të fondeve dhe investimeve, nuk e meritojnë, nuk plotësojnë kriteret. Jo, nuk është ky shkaku. Ata duhet ta shohin me syrin e nevojave që ka Vlora, qytet turistik, që përcjell imazhin e Shqipërisë.
Rruga Transballkanike është një rrugë brenda qytetit, sikurse e dini ajo ndan qytetit në mes dhe është ky një shkak më shumë që janë ndërprerë punimet. Në vazhdimësi do të përfundojnë edhe proceset që kanë mbetur sikurse janë trotuaret, ndriçimi, për të cilat ka detyrimin dhe përgjegjësinë Drejtoria Rajonale e Ndërtimit të Rrugëve
-
185 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version



del.icio.us
Digg
Publikoni komentin tuaj