“Presim që Evropa të na marrë në gjirin e saj. Juve më parë, pastaj ne”
Intervistë/ Flet Ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Hasan S. Ashan
<!-- /* Font Definitions */ @font-face {font-family:Wingdings; panose-1:5 0 0 0 0 0 0 0 0 0; mso-font-charset:2; mso-generic-font-family:auto; mso-font-pitch:variable; mso-font-signature:0 268435456 0 0 -2147483648 0;} /* Style Definitions */ p.MsoNormal, li.MsoNormal, div.MsoNormal {mso-style-parent:""; margin:0in; margin-bottom:.0001pt; mso-pagination:widow-orphan; font-size:12.0pt; font-family:"Times New Roman"; mso-fareast-font-family:"Times New Roman";} @page Section1 {size:8.5in 11.0in; margin:1.0in 1.25in 1.0in 1.25in; mso-header-margin:.5in; mso-footer-margin:.5in; mso-paper-source:0;} div.Section1 {page:Section1;} /* List Definitions */ @list l0 {mso-list-id:243227521; mso-list-type:hybrid; mso-list-template-ids:1200380962 975891488 67698691 67698693 67698689 67698691 67698693 67698689 67698691 67698693;} @list l0:level1 {mso-level-start-at:2; mso-level-number-format:bullet; mso-level-text:-; mso-level-tab-stop:.5in; mso-level-number-position:left; text-indent:-.25in; font-family:"Times New Roman"; mso-fareast-font-family:"Times New Roman";} ol {margin-bottom:0in;} ul {margin-bottom:0in;} -->
Të jesh mysafir në ambasadën turke në Tiranë është një kënaqësi e veçantë. Përveçse një mjedisi thuajse shqiptar deri në imtësi, që nga përshëndetjet e deri te kafja turke që serviret, gjen një “zot shtëpie”, ambasadorin Hasan Ashan, me të cilin të ngjan se je takuar shumë herë dhe njohur prej vitesh. Jam si në shtëpinë time këtu në Tiranë, në kuptimin e plotë të kësaj fjale, thotë zoti Ashan. Ka pesë muaj që shërben si ambasador i Republikës së Turqisë dhe kjo intervistë për gazetën “Telegraf” është e para që jep për një gazetë shqiptare. Ne të gazetës “Telegraf” jemi sa të privilegjuar, aq edhe në një mjedis tejet miqësor. Ndaj dhe nuk mungojnë shakatë... Në një bisedë që vërtitet nga politika te sporti, nga kultura te pasionet e njeriut, është e pamundur të shmangësh Mustafa Qemal Ataturkun, Jashar Qemalin, Azis Nesinin, Nazim Hikmetin, shqiptarët e Turqisë, përfaqësimin turk në futboll, skuadrat e Beshiktashit dhe të Gallatasarajit dhe, mbi të gjitha, lidhjet e vjetra historike midis dy vendeve...
- Zoti ambasador,mund të na thoni fillimisht se si e ndjen veten një diplomat turk në Tiranë?
- Sigurisht që ndihet mjaft mirë dhe mendoj se është normale që çdo ambasador këtu të ndihet mirë dhe këtu kam parasysh diplomatët e vendeve të tjera. Mendoni një ambasador në një vend tjetër, ku atje ka probleme, ka shqetësime, ai atëherë edhe lodhet, edhe mërzitet. Unë këtu jam tepër i qetë, qoftë në aspektin zyrtar, qoftë në kontaktet me njerëzit e thjeshtë. Një gjë të tillë unë ia uroj si mikut, edhe armikut. Siç thashë pak më parë, e ndjej veten si në shtëpinë time. Ndodhemi në një vend mik, ku nuk shoh asnjë dallim nga Turqia. Kemi lidhje të vjetra historike dhe miqësore në të gjitha aspektet, kështu që e ndiej veten shumë të qetë. Dua të theksoj se çdo diplomat, çdo ambasador kur caktohet me detyrë në një vend të huaj, dëshira e tij është që në atë vend të gjejë dhe të ndërtojë marrëdhënie të mira. Unë këtu në Shqipëri kam marrëdhënie të mira, madje shumë të mira në çdo drejtim. Çfarë mund të kërkoj më tepër? Unë mund t’ju siguroj juve se edhe ambasadori shqiptar Altin Kodra në Ankara, si dhe kryekonsulli shqiptar në Stamboll, Ermal Muça, e ndjejnë veten shumë mirë në Turqi. Unë bisedoj me ta,kontaktoj me ta dhe ndaj me ta të njëjtat ndjenja. Pra të dyja palët e ndjejmë veten shumë mirë dhe nuk ndihemi si diplomatë të huaj.
- Mund të tregoni cilët janë miqtë tuaj më të mirë në Tiranë dhe pse ?
- Para së gjithash dua të them se këtu në Tiranë jam mik me këdo. Por sigurisht që jam bërë mik më shpejt me ata që jam takuar. P.sh mund t’ju them se me Zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm Ilir Meta jemi aq të afërt sa jemi takuar edhe familjarisht me njëri-tjetrin. Natyrisht, punët zyrtare janë zyrtare, por edhe familjet tona, bashkëshortet tona, fëmijët tanë njihen me njëri tjetrin dhe janë të sinqertë me njëri- tjetrin. Të njëjtat fjalë mund të them edhe për funksionarët e tjerë në Ministrinë e Jashtme si Ilir Tepelena dhe zëvendësministren, zonjën Edit Harxhi. Ju e dini që bashkëshorti i saj është turk. Unë jam tepër i lumtur kur takohem me shqiptarët dhe krijoj njohje të reja. Ja, sot unë u njoha me ju që drejtoni gazetën “Telegraf” dhe jam i lumtur që do t’ju kem miq. Unë kam këtu në Shqipëri pesë muaj, por si të thuash kam miqësi pesë vjeçare.
- Midis dy vendeve tona është një histori e tërë marrëdhëniesh shumëplanëshe. Sa ndikon kjo histori në marrëdhëniet midis vendeve tona?
- Sigurisht që ndikon. Edhe në punët e përditshme që bëjmë ne sot, shikojmë gjurmët e së kaluarës. Për shembull, sot para se të takohesha me ju, unë isha me ministrin e Kulturës. U takova me zotin Xhaferri dhe nënshkruam një marrëveshje me të dhe me drejtorin e Institutit të Monumenteve të Kulturës. Protokolli parashikon bashkëpunimin për restaurimin e veprave kulturore. Sepse ne mendojmë se duke ruajtur trashëgiminë kulturore dhe historike të së kaluarës, në ruajmë dhe të ardhmen tonë. Sepse unë kam bindjen se shoqëritë që nuk vlerësojnë mirë të kaluarën e tyre, nuk mund të vlerësojnë dhe të ardhmen e tyre. Pra, them se marrëdhëniet e vjetra përbëjnë një bazë të shëndoshë për marrëdhëniet e sotme në nivel të lartë.
- Ballkani historikisht ka qenë një rajon i trazuar dhe me konflikte të pareshtura. Duket se me luftërat në ish-Jugosllavi, konfliktet i përkasin së kaluarës. Një vlerësim tuajin për situatën aktuale në Ballkan dhe perspektivën e tij?
- Para së gjithash dua të them se ne nuk ndodhemi në një zonë me shumë konflikte. D.m.th Turqia ndodhet pranë Kaukazit, që është një zonë me probleme, si dhe pranë Ballkanit që tani mendoj se është qetësuar. Unë mendoj që para 15-20 vjetësh Ballkani përjetoi situata tronditëse, por tani rajoni është stabilizuar. Sigurisht që është e padrejtë që Ballkani përmendet gjithnjë në histori si një zonë konfliktuale, ku etnitë ndeshen me njëra tjetrën. Kjo është e padrejtë. Unë mendoj që kjo është një padrejtësi që i është bërë Ballkanit, që qarqe të caktuara jashtë Ballkanit e kanë parë atë gjithmonë si zonë konfliktuale. Për të gjitha vendet ballkanike, përfshirë edhe Shqipërinë është krijuar një vizion i gabuar dhe padrejtësi duke i trajtuar si vende në konflikt të pareshtur. Në aspektin e Turqisë për Ballkanin mund të them se e shikojmë atë si rruga që të çon në Evropë. Çdo shqetësim, çdo mungesë stabiliteti në Ballkan ndikon edhe tek ne, na prek edhe ne. Prandaj politika e Turqisë drejt Ballkanit është një prioritet në kuadrin e politikës së jashtme dhe synon stabilitetin e Ballkanit. Ne themi se relativisht Ballkani ka arritur stabilitetin. Për shembull, ka disa gjëra që nuk janë zgjidhur përfundimisht si për shembull Kosova, e cila jo se nuk është e zgjidhur, por e kam fjalën për njohjen ndërkombëtare të saj, ka shqetësime në Bosnjë-Hercegovinë, dhe më pak në Maqedoni. Me që përmenda Kosovën, nuk dua të ketë keqkuptime. Çështja e Kosovës është e zgjidhur, ajo është shtet më vete. Unë mendoj se Kosova meriton një njohje më të madhe.
-Turqia dhe Shqipëria janë dy vende që aspirojnë integrimin në Evropë, ndërkohë që nga disa vende të BE-së ka kundërshti, sidomos për Turqinë, lidhur me përkatësinë myslimane të saj. Parë në këtë kontekst, sa të afërt e shikoni integrimin në BE?
- Fatkeqësisht, prej 40-50 vjetësh aspirata e Turqisë për Evropën është kthyer në një dashuri platonike. Ne urojmë që dashuria juaj për Evropën të mos zgjasë aq sa dashuria jonë platonike për të. Unë mendoj se në këtë aspiratë e rëndësishme është që çdo vend të bëj mirë detyrat e shtëpisë që i takojnë. Nuk po bëj ndonjë ankesë, por në të vërtetë nuk jemi të kënaqur që Evropa i ka ndihmuar disa vende shumë në këtë drejtim, ndërsa ne nuk na ka ndihmuar. P.sh, liberalizimi i vizave. Në këtë proces nuk u përfshinë Shqipëria, Kosova dhe Bosnja. Pse? Sepse gjysmën e popullsisë e kanë myslimane? Këtu lindi debati. Unë si diplomat nuk dëshiroj ta besoj këtë. Unë si diplomat që jam në Shqipëri mund të them këtë: Shqipëria duhet t’i kryejë mirë detyrat e shtëpisë dhe nëse nuk i japin atë që meriton, atëherë mund të sjell ndërmend këtë që sapo thashë. Pra kur i ke kryer detyrat dhe nuk të jepet ajo që të takon,ke të drejtë të dyshosh. Sigurisht kjo mund të zgjasë, por Shqipëria ka shansin të ketë një anëtarësim të shpejtë, sepse ju jeni një vend më i vogël, me një popull homogjen, me një politikë të mirë dhe me një menaxhim të mirë keni për ta arritur atë që synoni. Sepse edhe BE nuk e ka atë në plan që Shqipërinë dhe ndonjë vend tjetër që ta lerë gjithmonë jashtë. Përballë këtij debati, gjëja më e mirë që mund të bësh është të thuash: unë i mbarova detyrat dhe jam gati.
- Dihet nga të gjithë se Babai i Turqisë moderne, Mustafa Qemali, kishte një dashuri të veçantë për Shqipërinë. Në mes të dhjetorit të vitit të kaluar Presidenti i Turqisë Abdullah Gul, gjatë vizitës së tij në Tiranë deklaroi se Shqipëria është partneri më i rëndësishëm i Turqisë në Ballkan. A ka të bëjë ky qëndrim i krerëve të Turqisë me aspiratën evropiane të saj?
- Po, patjetër që ka një ndikim pozitiv. Kështu do të hapet rruga dhe do të eliminohen edhe paragjykimet ekzistuese, sepse gjeografikisht ju jeni më në zemër të Evropës se sa ne. Ne presim që Evropa të na marri me radhë, juve më parë, pastaj ne. Domethënë vonesën tonë mos e krahasoni asnjëherë me situatën në vendin tuaj. Janë situata krejt të ndryshme. Unë kam bindjen se sapo të përfundoni detyrat e shtëpisë, ju do të jeni brenda në Evropë. Ama duhet ditur që në procesin e anëtarësimit në BE çdo vend ka pasur shqetësimet e veta. Është shembulli hungarez, mund të themi. Dihet që edhe Spanja priti shumë nga vetoja që vunë Anglia dhe Franca. Sigurisht, ndryshojnë prirjet politike të vetë popujve të ndryshme brenda vendit, pasi edhe perceptimi ndryshon. Duket se në një këndvështrim të përgjithshëm ky proces u krijon shqetësime vendeve. Me anëtarësimin eliminohen këto shqetësime dhe bëhesh anëtar i Evropës.
- Deri më tani në qarqe të caktuara është folur për një hark mysliman midis Shqipërisë dhe Turqisë. Mendoni se ekziston një hark i tillë, apo është më mirë të ketë një urë?
- Natyrisht që më mirë është të ketë një urë. Një urë drejt Evropës. Në fund të fund të fundit ky është një realitet.
- Në Shqipëri kemi një prani të ndjeshme të biznesit turk si në ndërmarrje strategjike ashtu dhe në ato më të vogla. Si e shikoni perspektivën e zgjerimit të këtij bashkëpunimi, fjala vjen edhe në fushën e artit e të kulturës?
- Jam dakord me mendimin tuaj për praninë e biznesit turk këtu. Edhe ne këtu në ambasadë përpiqemi të punojmë edhe me firmat turke në këtë drejtim. Janë zhvilluar marrëdhëniet ekonomike, janë zhvilluar investimet, dhe mendoj se do të shtohen edhe më shumë në të ardhmen. Ne e dimë këtë. Janë të njohur këtu investimet e Çalik-ut, Eagle Mobile, Albtelekomit. Ose në fushën e shëndetësisë, është spitali universal i hapur. Të gjithë e dinë se shembuj të tillë nuk ka as në Amerikë. Albania Airlines u mor nga një firmë turke. Ne presim investime të reja, sidomos në fushën e minierave, peshkimit dhe mbi të gjitha në fushën e turizmit. I thashë dhe ministrit tuaj të Kulturës se shumë shpejt do të vijë këtu për vizitë dhe ministri turk i Turizmit me një grup të madh biznesmenësh për të parë nga afër bregdetin nga Durrësi në Vlorë për shtimin e investimeve turke. Menjëherë sapo ndodhën përmbytjet në Shkodër edhe ne dhamë një ndihmë serioze duke shkuar në vend ngjarje. Grupi Çalik dha një ndihmë prej rreth 200 mijë euro. Edhe nga Turqia me një avion të posaçëm erdhën ndihma për Shkodrën. Edhe dje Bashkia e Ankarasë, e cila është e binjakëzuar me Bashkinë e Tiranës, solli dy maune me ushqime për t’ia dhënë Shkodrës. Tani aktualisht po hapen në doganë dhe ka një sasi ushqimore për 400 familje për tre muaj. Neve po aktivizojmë edhe firma turke në fushën kulturore. Për shembull, marrëveshjen që nënshkruam sot parashikohet restaurimi i veprave historike. Kur edhi Presidenti ynë këtu në Shqipëri u organizua përurimi i qendrës kulturore “Jonuz Emre”. Këtu kemi krijuar bord drejtues prej pesë vetash, ku tre prej tyre janë përfaqësues të firmave turke që veprojnë në Shqipëri. Botime të ndryshme, aktivitete të ndryshme, ekspozita etj, do të bëhen me kontributin e këtyre të firmave. Në fund të fundit këto firma janë të përbashkëta turko-shqiptare. Është normale që ata të ndihmojnë. Ne si ambasadë vetëm sa bëjmë organizimin.
Kush është Hasan S. Ashan
I lindur në vitin 1954 në brigjet e Mesdheut, në Adana, në një familje mes pesë vëllezërish, Hasan Ashan është i martuar dhe ka dy fëmijë. Ka kryer studimet e larta për shkencat politike dhe juridike në Ankara. Është një diplomat karriere dhe ka kryer detyra të ndryshme si diplomat që nga India, në Londër, Australi, Çekosllovaki etj. Për herë të parë kryen detyrën e ambasadorit të vendit të tij në Tiranë. Zoti Ashan thotë se e ndien veten me fat dhe se është ogur i mirë që këtë detyrë po e kryen në Shqipëri. Lexon shumë literaturë historike dhe artistike, i pëlqejnë teatri dhe opera, shëtitjet në natyrë... Jam ngjitur në Dajt me teleferik, ndërsa pres verën të shkoj në Durrës për të bërë plazh, thotë. Është tejet optimist për një perspektivë të shkëlqyer të marrëdhënieve shqiptaro-turke.
Shqipëria ka shansin të ketë një anëtarësim të shpejtë në BE, sepse ju jeni një vend më i vogël, me një popull homogjen, me një politikë të mirë dhe me një menaxhim të mirë keni për ta arritur atë që synoni
Çdo ambasador kur caktohet me detyrë në një vend të huaj, dëshira e tij është që në atë vend të gjejë dhe të ndërtojë marrëdhënie të mira. Unë këtu në Shqipëri kam marrëdhënie të mira, madje shumë të mira në çdo drejtim
-
200 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version



del.icio.us
Digg
Publikoni komentin tuaj