“Amnistia do të minimizojë evazionin fiskal në ekonominë e vendit”
Intervistë me Eugenia Gjuraj, drejtore ekzekutive Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë
Amnistia e kërkuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë është një amnisti e përgjithshme, që përfshin amnistinë fiskale, të kapitaleve dhe aktiveve. Amnistia e kapitaleve ka në thelb vetëdeklarimin e kapitaleve të fshehura, që nuk përbëjnë akt kriminal apo që nuk janë nën një investigim të tillë. Amnistia fiskale që aplikohet herë pas here në një vend, gjeneron vetëm mbledhje shumë të vogël të ardhurash, duke motivuar rritjen e numrit të subjekteve që kryejnë evazion fiskal. Individët dhe kompanitë, potencialisht nuk marrin pjesë në amnisti fiskale, në qoftë se nuk kuptojnë se nuk do të ndryshojë sistemi i administrimit fiskal. Besimi se amnistia e përgjithshme fiskale do të aplikohet vetëm një herë. Amnistia e pjesshme fiskale, jo gjithmonë nënkupton sukses për biznesin, pasi borxhi tatimor i grumbulluar nuk prezanton gjithmonë pikën kritike, që pozicionon stabilitetin e kompanisë. Ky është opinioni i Drejtores së Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, Eugena Gjuraj në një intervistë dhënë për “Telegraf” në lidhje me amnistinë fiskale.
Cila është kërkesa e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë për amnistinë fiskale?
Amnistia e kërkuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë është një amnisti e përgjithshme, që përfshin amnistinë fiskale, të kapitaleve dhe aktiveve. Amnistia e kapitaleve ka në thelb vetëdeklarimin e kapitaleve të fshehura, që nuk përbëjnë akt kriminal apo që nuk janë nën një investigim të tillë. Pra e thënë ndryshe, të mirat monetare dhe pasurore, pronë e çdo shtetasi shqiptar, brenda dhe jashtë vendit dhe të çdo kompanie shqiptare, prezantohen me shifra reale. Përfituesit e amnistisë fiskale janë subjekte që i nënshtrohen legjislacionit ose monitorimit fiskal, të cilët kanë fshehur apo eksportuar brenda apo jashtë shtetit kapitalet dhe aktivitetet në shkelje të legjislacionit fiskal. Përfituesit janë: personat fizikë, shoqëritë kolektive, shoqëritë tregtare me përgjegjësi të kufizuar (sh.p.k), shoqëritë tregtare aksionere (sh.a), ortakëritë e ndryshme, individët.
Cilat janë arsyet kryesore që ju kërkoni një amnisti fiskale?
Dy arsyet e rëndësishme, që argumentojnë nevojën e një amnistie fiskale janë: rritja e të ardhurave në buxhetin e shtetit dhe rritja e bazës së tatimpaguesve, duke minimizuar informalitetin e një ekonomie. Vlerësohet se nuk ka ndryshim esencial mes amnistisë fiskale, asaj të kapitaleve dhe të aktiveve. Edhe e parë thjesht si veprim matematikor, aktivet janë produkt i kapitalit që në vazhdimësi gjeneron rritje në vlerë të tij. Legalizimi i kapitaleve lidhet tangencialisht me aktivet, kryesisht të pasurive të paluajtshme, të cilat në ekonominë shqiptare rezultojnë të pozicionuara financiarisht nën vlerën e tyre reale. Rivlerësimi i këtyre aktiveve do të udhëheqë në një nivel tjetër kapitalizimin e ekonomisë, së pari për vlerësimin e kolateralit mbi bazë vetëdeklarimi, që do të thotë marrje vendimesh në kredidhënie që konsistojnë në vlera më të mëdha se ato që bankat do të njihnin, dhe se dyti do të rritet numri i projekteve investuese në vend.
Cilat janë përfitimet që kanë subjektet e përfshira në amnistinë fiskale ?
Njësitë ekonomike, që përfitojnë nga amnistia e përgjithshme, nëpërmjet vetëdeklarimit kanë tri mundësi: rregullimin e pozicionit fiskal të aktivitetit sipërmarrës, që do të thotë pozicionim me dëshirë dhe vetëdeklarim i një bilanci real, pra vlera reale të aktiveve, kapitaleve dhe detyrimeve.
Riatdhesimin e të mirave materiale (shuma parash ose aktivitete të tjera financiare që janë vendosur në të gjitha vendet e Bashkimit Europian dhe jashtë tij).
Rregullim i pozicionit fiskal, përkatësisht i aktiviteteve dhe pasuritë që kërkojnë t’i mbajnë jashtë shtetit.
Po si janë krijuar këto kapitale?
Është një periudhë gati 20-vjeçare, që kur ekonomia shqiptare funksionon si ekonomi tregu. Procesi i amnistisë fiskale është një çështje që i përket kohës dhe është momenti për t’i dhënë zgjidhje. Bëhet fjalë për atë kapital që i është shmangur pagesave të tatimeve dhe taksave pjesërisht apo tërësisht. Në këto kushte, amnistia e kapitaleve lidhet tangencialisht me legalizimin e aktiveve të padeklaruara, që në fakt shihen si konvertim i kapitaleve të padeklaruara, me idenë se shteti e ka më të vështirë të konfiskojë aktivet se kapitalet. Në këtë kontekst, mjetet monetare, që do t’i shtohen ekonomisë në vlerë, konsiderohen si një burim kapital i papërdorur me efektivitet, që ndikon pozitivisht në rritjen ekonomike të një vendi. Veçanërisht disa sektorë të ekonomisë do të kenë më shumë efektivitet. Si rrjedhojë e legalizimit të kapitaleve, shihet mundësia e një bumi të pritshëm, në industrinë e ndërtimit (shitblerjeve të shtëpive), duke përcaktuar edhe rritje të çmimeve, në këtë sektor .Rivlerësimi i aktiveve qartëson ndikimin pozitiv në ekonominë tonë, pasi vendosja si kolateral e tyre mbi bazë vetëdeklarimi, do të thotë marrje vendimesh në kredidhënie, që konsiston në vlera më të mëdha se ato që bankat do të njihnin, rrjedhimisht rritje të aktivitetit investues dhe prodhues në vend.
A do të sillte një minimizim të evazionit fiskal kjo amnisti?
Ngritja e një “E-platforme”, në përfshirje të së cilës bëjnë pjesë të gjithë aktorët operues të të njëjtit zinxhir, pra tatime, dogana, sipërmarrje private (në cikël të plotë, shërbim, tregtim, prodhim, ndërtim), do të mundësonte minimizimin e evazionit fiskal dhe prezantimin real të ekonomisë së një vendi. Në shërbim të kësaj diktohet, me emergjencë, nevoja e investimeve në ngritjen e arkitekturës së një sistemi elektronik të kontrollit, programimin/informatizimin dhe testimin, pra një teknologji informacioni profesionalisht në një tjetër stad zhvillimi, duke i dhënë hov të dukshëm këtij sektori të ekonomisë.
Aktivitetet e fshehura apo të deklaruara false, jashtë, janë vendosur kryesisht në disa vende të Bashkimit Europian dhe jashtë tij, në një periudhë rreth 20-vjeçare. Janë kryesisht në ato shtete ku jetojnë dhe punojnë shumë shtetas shqiptarë, si Itali, Greqi, Gjermani, Francë, Belgjikë, Zvicër, SHBA. Vlerësohet se rreth 25% e popullsisë së aftë për punë e jep këtë kontribut të ndërsjellë jashtë Shqipërisë. Të mirat materiale, objekt i riatdhesimit janë shumat në para dhe aktivitetet financiare ndërmjet të cilave: aksione të kuotuara dhe jo të kuotuara (sh.a), kuota kapitali të shoqërisë (sh.p.k), tituj obligacioni, kuota të pjesëmarrjes në shoqëri investimi, polica sigurimi prodhuese të të ardhurave me natyrë financiare, shumat e parave prezente në filialet e huaja të bankave ose ndërmjetësve rezidentë jashtë shtetit, mjete monetare në zotërim të individëve. Gjithashtu edhe investime të natyrës jofinanciare si: pasuri e patundshme dhe ndërtesa të vendosura jashtë shtetit, bashkëpronësitë, vepra arti, jahte, objekte të çmueshme, kuota të të drejtave reale.
Pjesa më interesante konsiston në faktin se fondet monetare dhe kapitalet e padeklaruara janë të depozituara jashtë vendit të origjinës ku bëhet amnistia. Arsyet për një realitet të tillë janë nga më të ndryshmet dhe lidhen me shkallën e tranzicionit të një vendi, korrupsionin, sistemin fiskal, ndryshimet rrënjësore të sistemeve ekonomike të tyre etj. Këto kapitale do të mbeten jashtë vendit të origjinës, derisa do të krijohen kushtet e përshtatshme për t’u futur brenda tij.
Po çfarë do të përfitonte shteti dhe biznesi nga ky legalizim kapitalesh, aktivesh?
Konkluzioni më esencial konsideron sukses të amnistisë së përgjithshme, pjesën e lidhur ngushtë me një shndërrim cilësor dhe riorganizim të sistemit të administrimit dhe kontrollit fiskal, duke nënvizuar se: amnistia fiskale që aplikohet herë pas here në një vend, gjeneron vetëm mbledhje shumë të vogël të ardhurash, duke motivuar rritjen e numrit të subjekteve që kryejnë evazion fiskal. Individët dhe kompanitë, potencialisht nuk marrin pjesë në amnisti fiskale, në qoftë se nuk kuptojnë se nuk do të ndryshojë sistemi i administrimit fiskal. Besimi se amnistia e përgjithshme fiskale do të aplikohet vetëm një herë.
Amnistia e pjesshme fiskale, jo gjithmonë nënkupton sukses për biznesin, pasi borxhi tatimor i grumbulluar nuk prezanton gjithmonë pikën kritike, që pozicionon stabilitetin e kompanisë.
Legalizimi i kapitaleve, ndikimi në makroekonomike
-Së pari, legalizimi i vlerave të konsiderueshme monetare, që do të mbështesë trendin favorizues të monedhës vendase, përkundrejt monedhave me të cilat operohet më shumë
-Së dyti, inkurajimi i Bankës qendrore, në hedhjen në qarkullim të një sasie më të madhe monedhe vendase, duke balancuar presionet inflacioniste.
-Së treti, rrit mundësinë e një bumi, në industrinë e ndërtimit, si rrjedhojë e legalizimit të kapitaleve, duke përcaktuar rritje të çmimeve në këtë sektor.
-Së katërti: kapitali i legalizuar është subjekt esencial besimi për shtetin dhe institucionet e taksave dhe po kështu edhe ndjeshmëria e njësive ekonomike ndaj penaliteteve.
-
88 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version



del.icio.us
Digg
Publikoni komentin tuaj