FMN-ja: Ekonomia shqiptare rimëkëmbet vetëm në 2015-ën
FMN-ja bën bilancin e zymtë të 2009-ës, Bode pranon krizën. Rritja ekonomike, vetëm 3 %
Paralajmërimi i FMN-së, që një vit më parë për një rritje ekonomike prej 3 % është pranuar dhe nga vetë ministri Bode. Pretendimi i qeverisë për një rritje ekonomike prej 6 % e trumbetuar me shumë bujë gjatë 2009 është rrëzuar dhe nga “parashikuesit” e financave të shtetit . Rritja ekonomike për vitin 2009 në Shqipëri ka qenë 3%, kurse inflacioni ka qenë në rritje, përtej normës 3%. Këtë konstatim ka bërë sot shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, (FMN) Gervin Bell në një konferencë të përbashkët për shtyp me kreun e Financave Publike, Ridvan Bode dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani duke i sugjeruar qeverisë të ulë borxhin publik që më pas të synojë rritjen ekonomike. Gervin Bell kryeson delegacionin e FMN-së, që po kryen një vizitë 10-ditore në Shqipëri. Ai theksoi se, gjatë kësaj periudhe FMN-ja ka diskutuar me autoritetet shqiptare për ekonominë në vend, nga ku sipas tyre është vlerësuar impresionuese përballimi i krizës ekonomike. Ai tha se, besimi në sektorin financiar është rikthyer dhe kjo reflektohet nga rritja e depozitave si dhe nga dërgesat e emigrantëve. Sipas Bell, pritshmëritë për inflacionin mbeten të ankoruara mirë.
FMN-ja: 2009-ta, rënie e madhe ekonomike
Për vitin 2009, Bell tha se, FMN-ja evidentoi që pati një rënie të reflektuar tek remitancat dhe eksportet në vend. "FMN-ja konstatoi se rritja ekonomike ishte në shifrat e 3%, ndërkohë që inflacioni në rritje përtej normës 3%".
Bell theksoi se, FMN parashikon që për vitin 2010 rritja ekonomike të jetë në shifrat 2-2.5%, ndërsa rritja potenciale e ekonomisë do të marrë vrull vetëm në vitin 2015. Lidhur me aspektin e rritjes ekonomike, Bell bëri disa sugjerime. “Ekonomia shqiptare duhet të kalojë nga huamarrja për konsum në zgjerim të burimeve prodhuese, rritje të eksporteve dhe zëvendësim të importeve me eksporte. Kjo ndihmon në klimën e biznesit dhe mbrojtje për investitorët”. Në rritjen e ulët ekonomike, sipas FMN-së ka ndikuar gjithashtu rënia e të ardhurave dhe rritja e shpenzimeve. Por sugjerimi konkret nga FMN është të ulet borxhi publik. “Borxhi rrezikon investimet. Deficiti buxhetor duhet të jetë 3% i GDP. Qeveria të rishikojë politikat buxhetore pasi për vitin 2009, deficiti buxhetor u rrit me 7%. Buxheti ka nevojë të konsolidohet, duhet rregull fiskal i besueshëm”, -tha për gazetarët Bell në prani të ministrit Bode.
Sa i përket sistemit banker, FMN pasi e ka studiuar këtë sistemin shprehet se ka vërtetuar se po rriten sërish dërgesat e emigrantëve. “FMN evidentoi se sistemi banker gjatë krizës ekonomike hyri me rezerva dhe kapital të mjaftueshëm. Tani i duhet të përballojë e monitorojë situatën pasi rreziqe gjithmonë ka”. Ndërsa Ministri i Ekonomisë, Ridvan Bode në emër të qeverisë përshëndeti FMN dhe i vlerësoi si ambicioze, sugjerimet e bëra nga ky Fond. Bode deklaroi se tanimë është koha që vendi ti rikthehet stabilitetit makroekonomik.
FMN-ja, i thotë jo amnistisë fiskale
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) e shikon me skepticizëm reformën e re që kërkon të ndërmarrë qeveria lidhur me amnistinë fiskale. Në parim, FMN shprehet kundër, pasi shkel parimet e konkurrueshmërisë dhe prek evazionin fiskal, por nga ana tjetër sugjeron që nëse qeveria është vendosur ta zbatojë amnistinë, duhet të ketë kujdes me shkallën e zgjerimit të përfituesve. Sikurse u paralajmërua nga misioni i FMN-së zhvilloi takimin e pritur me anëtarët e Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, ku është diskutuar ndër të tjera edhe për amnistinë fiskale. Mbledhja e zhvilluar pa praninë e medias është fokusuar gjithashtu te çështja e borxhit, stabiliteti ekonomik dhe parametrat e buxhetit të ri. Në takim nuk ka munguar as opozita, e përfaqësuar nga deputeti socialist Arben Malaj. “Amnistia fiskale kërkon administratë dhe ligje të forta”, mësohet të ketë thënë shefi i misionit, Gervvin Bell, i shoqëruar nga stafi i tij.
Bode akoma nuk kemi vendosur për amnistinë
Ministri i Financave, Ridvan Bode, ritheksoi se, Shqipëria mbeti jashtë vorbullës së krizës globale ekonomike dhe financiare.
"Më vjen mirë që FMN konstaton faktin që gjatë vitit 2009 situata u menaxhua me sukses me masa të përshtatshme, me stimuj fiskalë dhe buxhetorë, që mundësuan një rritje ekonomike 3 % tashmë e konfirmuar dhe që rezulton ndër më të lartat në të gjithë Europën e që përbën një bazë të mirë për program ambicioz në vitet në vijim", deklaroi ministri Bode përkrah përfaqësuesit të misionit të FMN-së, Gervvin Bell dhe Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.
Në konferencën e përbashkët, Bode konfirmoi se, pas goditjeve të forta, ekonomia botërore po rikthehet në rritjen e saj më të moderuar se para krizës. "Në këto kushte, për zhvillimin e ekonomisë reale duhet t'i rikthehemi themeleve më të shëndosha për të mundësuar një perspektive më të sigurt, si dhe të rivendosim një ekuilibër të ri në parametrat me të përshtatshme, pasi bota e pas krizës nuk është më e njëjtë", deklaroi ministri Bode. Përsa i përket amnistisë fiskale, ministri Bode u shpreh se, ende jemi në fazën e dëgjimit të kërkesave të biznesit, pasi kjo është një iniciativë e tij dhe jo e qeverisë.
"Ajo që mund të them është se do të jetë një hap që do të dëmtojë sa më pak psikologjinë e korrektësinë në pagimin e taksave", -tha Bode.
Shahollari: “2010-ta, viti më i zymtë se 1998-ta”
Ky vitit pritet të jetë një vit mjaft i zymtë për ekonominë shqiptare. Kriza ndërkombëtare si dhe një buxhet jorealist janë dy pikat kryesore që flasin për një ekonomi jo të mirë në vend. Ky është opinioni që vjen në një prononcim për “Telegraf”, i Luan Shahollarit, ish- zv/ministër i Ekonomisë si dhe Studiues i Ekonomisë. “Ndikim jo të vogël pritet të ketë dhe përmbytja e Shkodrës. Nuk ka vetëm një krizë ekonomike në vend por dhe krizë sociale. Niveli i të ardhurave nga tatimet e doganat janë në rënie gjë që konfirmon më pak të ardhura në buxhetin e shtetit për këtë vit”, thotë Shahollari . Të dhënat e deritanishme paraprake tregojnë se, rritja ekonomike për vitin 2009 sipas Shahollarit, është më e ulëta që prej vitit 1998, kur Shqipëria doli nga kriza e vitit 1997 ( ajo ishte vërtet krizë e mirëfilltë ekonomike, financiare, bankare, madje, edhe politike e sociale) dhe kur filloi një program rimëkëmbje dhe stabiliteti makroekonomik, i mbështetur nga BB, FMN, BE etj.”. Nga ana tjetër, sipas Shahollarit, vështirë që parashikimi i qeverisë për rritjen ekonomike prej 5 % për vitin 2010 të realizohet pasi ecuria e deritanishme është me ritme tepër të ngadalta.
-
84 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version



del.icio.us
Digg
Publikoni komentin tuaj