Vizat, peng i krizes politike
Liberalizimi i vizave/ Ngërçi politik shqiptar frenon procesin dhe reformat eurointegruese
Krizat që pengojnë vizat
Një nga çështjet më të ndjeshme për opinionin shqiptar është padyshim liberalizimi i vizave, si një hap shumë i rëndësishëm në rrugën e integrimit të vendit tonë në BE. Shqiptarët mezi e presin të hiqen ato procedura rraskapitëse dhe përçmuese për marrjen e një vize. Ata duan të lëvizin të lirë dhe me dinjitet si të gjithë qytetarët e tjerë të rajonit e kontinentit. Disa muaj më parë ne u ndiem të përbuzur dhe të fyer njëherësh, ndërsa BE-ja vendosi të liberalizojë procesin e lëvizjes së lirë të qytetarëve në hapësirat Shengen të Europës për gjithë vendet ballkanike, me përjashtim të Shqipërisë dhe Bosnjës. Ishte ky një minus i madh për Shqipërinë. Ëndrra e hershme e shqiptarëve për t’iu bashkuar familjes europiane të popujve, në vend që të na afrohej, na është larguar në mënyrë të pamëshirshme. Padyshim, në vendimet e saj në këtë drejtim ka arsyet e saj. Dhe me sa është bërë e ditur, arsyeja kryesore ka të bëjë me mosplotësimin e detyrave tona të shtëpisë në rrugën e reformave. Përgjegjësia për këto vonesa dhe shtyrje të njëpasnjëshme i bie padyshim klasës sonë politike, në pushtet dhe opozitë, e cila gjatë këtyre viteve ka prodhuar vazhdimisht kriza politike, institucionale dhe ekonomike. Këto kriza pra na kanë penguar e na vonojnë vizat. Aktualisht vendi është në krizë. Parlamenti duhet të miratojë një sërë ligjesh të rëndësishme që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash që nuk bëhet pa ato të opozitës. Të tilla janë ligjet për gjyqësorin, për Kodin Zgjedhor etj.. Fjala vjen, për më 11 mars është lënë të votohet një rezolutë për liberalizimin e vizave, mirëpo ajo rezolutë nuk mund të miratohet po nuk morën pjesë në seancë edhe deputetët e opozitës. Ndërkohë partnerët ndërkombëtarë kanë folur troç se po nuk u kapërcyen ngërçet tona të brendshme politike, procesi i vizave dhe të gjitha hapat e tjerë drejt BE-së do të shtyhen e shtyhen. Ambasadori gjerman Bernd Borchardt gjatë një vizite dje në Vlorë theksoi as më pak e as më shumë se pot ë vazhdojë kriza “integrimi i Shqipërisë që nënkupton drejtpërdrejt liberalizimin e vizave edhe marrjen e statusit kandidat është i rrezikuar”. Ky popull është tejet i lodhur dhe i dëshpëruar nga ky realitet, pasi ka dy dekada që pret integrimin e vendit në Europë.
Veçojmë nga deklaratat e djeshme
“Çdo vonesë për publikimin dhe përgatitjen e raportit të vlerësimit dhe dhënien e propozimit pas muajit Prill, zvogëlon mundësinë e Parlamentit për të kompletuar procedurat legjislative përpara pushimeve të verës”.
Juan Fernando Lopez
“Unë nuk jam në gjendje tani t'ju them ekzaktësisht se si do të jetë vlerësimi pas pak muajsh, por jam i sigurt se dhe Shqipëria e Bosnje Hercegovina e kanë të qartë se çfarë duhet të përmbushin"
Ivan Bizjak
“Ne inkurajojmë me ndihmën tonë zgjidhjen e krizës politike, pasi gjithçka tjetër ndikon në ngadalësimin e procesit, si të integrimit të Shqipërisë drejt Europës ashtu dhe në liberalizimin e vizave me vendet e bllokut".
Bernd Borchardt
“Trashëgimtarët e Partisë së Punës dhe të izolimit më të egër kanë ndërmarrë një fushatë shpifjes kundër sigurimit të dokumenteve dhe kartave të identitetit me qëllim bllokimin e procesit të liberalizimit të vizave”
Aldo Bumçi
“Çështja nuk është se si do të bëhet liberalizimi i vizave, por se si do ta përdorin shqiptarët këtë liberalizim. Pasi 40 për qind e shqiptarëve kanë kërkuar të largohen nga vendi për të punuar”.
Preç Zogaj
Lopez: “KE verifikim për Ballkanin brenda prillit”
Komiteti për Lirinë, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme në Parlamentin Europian i ka kërkuar Komisionit Europian që të përfundojë punën me misionet e verifikimit për heqjen e vizave me vendet e Ballkanit përpara se Parlamenti Europian të nisë punën për propozimin e ri deri në muajin prill. Në një letër të kryetarit të këtij komiteti Juan Fernando Lopez drejtuar dje komisioneres për Çështjet e Brendshme të Komisionit Europian Znj. Cecilia Mallstrom, për çështjen e liberalizimit të vizave theksohej fakti se kjo do të lejonte Parlamentin dhe Këshillin që të punojnë mbi propozimin e Komisionit Europian me qëllimin për të miratuar etapën e parë të procesit përpara verës. Çdo vonesë për publikimin dhe përgatitjen e raportit të vlerësimit dhe dhënien e propozimit pas muajit Prill, zvogëlon mundësinë e Parlamentit për të kompletuar procedurat legjislative përpara pushimeve të verës. Më tej thuhet se përfshirja e komisionierit Fule në këtë proces mund të sjellë ndryshimet e nevojshme për të lejuar Parlamentin Europian dhe Këshillin Europian që të përmbushë premtimin e dhënë në nëntor ku u deklarua se propozimin për heqjen e vizave për vendet e tjera të Ballkanit do të shqyrtohej me urgjencë.
Bizjak: “Jo fjalë, por reforma konkrete për vizat dhe anëtarësimin”
"Shqipëria ka ende detyra për të përmbushur për liberalizimin e vizave dhe shumë sfida të tjera për anëtarësimin në BE". Kështu është shprehur Ivan Bizjak, Drejtor i Përgjithshëm për Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme në Sekretariatin e Përgjithshëm të Këshillit të BE-së, gjatë një interviste për Deutsche Velle. Deklarata ka ardhur pas pyetjes se si i kanë shanset në vijim për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën, dy vendet që u përjashtuan nga Shengeni ndërkohë që fqinjët fituan liberalizimin. "Unë shpresoj se kjo do të bëhet e mundur edhe për të dy vendet e rajonit. Unë nuk jam në gjendje tani t'ju them ekzaktësisht se si do të jetë vlerësimi pas pak muajsh, por jam i sigurt se dhe Shqipëria e Bosnje Hercegovina e kanë të qartë se çfarë duhet të përmbushin",- ka thënë Bizjak, duke shtuar më tej se, kjo nuk është kaq e thjeshtë. Sipas tij, liberalizmi i vizave është vetëm një aspekt i rrugës plot sfida drejt anëtarësimit të plotë në BE. "Kjo kërkon shumë punë dhe energji. Duhen konsoliduar institucionet, të garantohet sundimi i ligjit, të luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar, të respektohen të drejtat e njeriut, të ketë konkurrencë të lirë në treg etj., reforma bindëse dhe që japin efekte pozitive tek qytetarët dhe mirëqenia e tyre. Kjo arrihet jo vetëm me fjalë, por dhe me vepra konkrete. Sepse problemet do të jenë më të pakta kur procesi kalon më shumë në planin konkret"- tha ai.
Ambasadori gjerman: “Të pakënaqur me ecurinë e punimeve të Parlamentit”
Ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Borchardt, gjatë një vizite në Universitetin e Vlorës u shpreh se "kancelaritë e huaja janë të pakënaqura me ecurinë e deritanishme të punimeve në Parlament". Sipas tij, nëse vazhdon kriza, integrimi i Shqipërisë që nënkupton drejtpërdrejt liberalizimin e vizave edhe marrjen e statusit kandidat është i rrezikuar. Më tej ai u shpreh se "ne inkurajojmë me ndihmën tonë zgjidhjen e situatës, pasi gjithçka tjetër ndikon në ngadalësimin e procesit, si të integrimit të Shqipërisë drejt Europës ashtu dhe në liberalizimin e vizave me vendet e bllokut". Kjo gjë, tha ai, ndikon në vendimmarrjen e Europës kundrejt futjes së Shqipërisë në familjen e madhe dhe sistemin e Shengen.
Bumçi: “Rama po bën fushatë kundër heqjes së vizave”
Partia Demokratike akuzoi sot përsëri Edi Ramën se, po kryen një fushatë të dëmshme kundër liberalizimit të vizave për shqiptarët. “Partia Socialiste po farbikon fakte për sigurinë e kartave te identitetit”, tha deputeti i PD-së Aldo Bumçi.
“Zoti Rama ka ndërmarrë një aksion politik të paprecedentë kundër liberalizimit të vizave. Trashëgimtarët e Partisë së Punës dhe izolimit më të egër kanë ndërmarrë një fushatë shpifjes kundër sigurimit të dokumenteve dhe kartave të identitetit me qëllim bllokimin e procesit të liberalizimit të vizave”, u shpreh deputeti Bumçi.
Ai shtoi se deklaratat për falsifikimin e dokumenteve të identitetit janë vetëm akti i fundit në një përpjekje 6 -mujore të bojkotit dhe protestave për të penguar liberalizimin e vizave dhe procesin e integrimit të vendit në BE.
Zogaj: “Shqiptarët pa viza, ndoshta në fund të vitit”
Liberalizimi i vizave duket se nuk do të jetë dhe shumë e shpejtë. Kjo sipas gjykimit të politikanit dhe publicistit Preç Zogaj. I kontaktuar nga gazeta “Telegraf”, Zogaj u shpreh se liberalizimi i vizave mund të ndodhë në fund të vitit, dhe se shpresa që ky liberalizmi të bëhet ne muajin korrik është e pamundur. Kjo sipas Zogaj, sepse liberalizimi mbështetet në parimin e udhërrëfyesit. “Liberalizimi i vizave do të bazohet në kontrollin e vazhdueshëm të kufijve, luftën kundër korrupsionit, si dhe zbatimit të të drejtave të njeriut. Liberalizimi i vizave do të varet vetëm nga këto shtylla”. I pyetur nëse diskutimet mbi kartat e identiteti do të bëhen pengesë për liberalizim apo jo, Zogaj, u përgjigj se: “Diskutimet për Kartat e Identitetit nuk kanë lidhje me liberalizimin, ato kanë të bëjnë me sistemin zgjedhor”. Më tej ai vazhdoi: “Çështja nuk është se si do të bëhet liberalizimi i vizave, por se si do ta përdorin shqiptarët këtë liberalizim. Pasi 40% e shqiptarëve kanë kërkuar të largohen nga vendi për të punuar”. Kjo sipas tij, ka ndodhur sepse në Shqipëri nuk është bërë asnjë hap përpara në drejtim të punësimit apo edhe të përmirësimit të kushteve. Ai u shpreh: “Gjithë situata është në kundërshtim me retorikat e sukseseve që përmend qeveria”
Vizat rindezin debatin për bojkotin brenda PS-së
Propozimi i fundit i maxhorancës për të votuar në seancën e ardhshme parlamentare risjell brenda selisë rozë debatin për bojkotin mes mbështetësve të vijës zyrtare të kësaj partie dhe Lëvizjes për Mendimin Ndryshe. Njëzëri anëtarët e LMN-së, sapo janë vënë në dijeni për votimin e një rezolute që shpreh qëndrimin e Parlamentit në lidhje me liberalizimin e vizave, janë shprehur se do të jenë në këtë seancë, por nga ana tjetër lidershipi socialist është i rezervuar të pohojë nëse do të jetë në seancë, duke ia deleguar këtë qëndrim mbledhjes së grupit parlamentar në prag të kësaj seance. Deputeti Ilir Beqja tha në një prononcim për gazetën “Telegraf” se është ende herët të merret një vendim kur seanca është të enjten e ardhshme. Ndërkohë, zëra brenda selisë rozë pohojnë se kjo duhet të shtyhet për të enjten tjetër.
7 Marsi / Urime dhe premtime për misionarët e diturisë
Berisha: “Nuk do ndalet arsimi modern”
Kryeministri Sali Berisha me rastin e festës së 7 Marsit, priti dje në një ceremoni festive në selinë e Kryeministrisë, një grup arsimtarësh. Sipas një njoftimi për shtyp nga qeveria, përfaqësues nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, arsimtarët e pranishëm në takim, e falënderuan kryeministrin Berisha për të gjitha përpjekjet e qeverisë, në kuadër të mbështetjes së arsimit dhe të mësuesve. Duke shkëmbyer urimet e përzemërta gjatë këtij takimi, mësuesit i shprehën mirënjohje kreut të qeverisë për hapat e bëra në konsolidimin e figurës së mësuesit gjatë këtyre viteve, por dhe për vizionin e qeverisë, që me reformat e ndërmarra, i ka dhënë një hov të rëndësishëm sistemit arsimor në Shqipëri. Kryeministri Sali Berisha, duke cilësuar këtë festë, si një ditë jo vetëm të mësuesve, por të të gjithë shoqërisë shqiptare, i garantoi ata se procesi i ndërmarrë katër vite më parë, për një arsim modern në Shqipëri, që të përmbushë të gjitha detyrimet e formimit demokratik të edukimit të nxënësve, nuk do të ketë të ndalur, gjithnjë duke pasur në epiqendër figurën e arsimtarit.
Rama uron mësuesit dhe edukatorët
Festa e 7 Marsit ka rezervuar një surprizë të veçantë për vogëlushët dhe edukatoret e kopshtit numër 52 në kryeqytet. Ata kanë pasur mes tyre Kryetarin e Bashkisë së Tiranës Edi Rama, i cili ka vizituar këtë kopsht, nga ku ka përcjellë edhe urimet e përzemërta me rastin e 7 Marsit, për të gjithë ata mësues, edukatorë që me përkushtim e dashuri arrijnë t’u përcjellin fëmijëve dhe nxënësve të tyre, vlerat dhe dijet për t’u bërë qytetarë të denjë për komunitetin ku jetojmë. Kryebashkiaku Rama ka dhuruar lule për edukatoret e kopshtit 52, duke përcjellë njëkohësisht mirënjohjen dhe falënderimin e Bashkisë së kryeqytetit për të gjithë edukatorët publikë të Tiranës, për të gjithë fëmijët dhe mësuesit e të gjithë sistemit arsimor publik, me bindjen se përmirësimi i kushteve të shërbimit dhe rritja e standardeve në këto institucione përbën një nga prioritetet e punës së këtij Institucioni. Bashkia e Tiranës këtë vit i ka kushtuar vëmendje sistemit të arsimit parashkollor - kopshtet publike të qytetit, atje nga ku fillon edukimi i hershëm i fëmijëve dhe parapërgatitja për sistemin arsimor. Në këtë infrastrukturë të përmirësuar ndjeshëm nga Bashkia e Tiranës punojnë dhe ofrojnë shërbime ndaj fëmijëve rreth 800 punonjës.
-
134 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version



del.icio.us
Digg
Publikoni komentin tuaj