Në kërkim të misterit të kutisë së Ruzhdijes
Kriza politike/ Përplasjet e socialistëve dhe demokratëve vendorë për komunën problematike
Ruzhdija, një fshat thuajse anonim në qarkun e Fierit, u bë i famshëm pas 28 qershorit të vitit të kaluar. Emri i këtij fshati tashmë përmendet nga të majtë e të djathtë, e deri në sallën e Parlamentit. Çfarë fshihet në kutinë e Ruzhdijes? Brenda përgjigjes së kësaj pyetjeje pritet të zbardhet enigma e zgjedhjeve të përgjithshme që kanë prodhuar një nga krizat politike më të rëndat në vend. Ruzhdija tashmë është një emër mediatik që lidhet me ngërçin politik që po kalon vendi. Duket sikur Ruzhdija mban nën petkun e saj kyçin e zgjidhjes së këtij ngërçi. Një nga shefat e selisë rozë, Gramoz Ruçi e bëri Ruzhdijen kryefjalë të fjalimit të tij në parlament, para dy ditësh me rastin e hyrjes së deputetëve të opozitës në parlament. Pardje në sallën e parlamentit Ruçi i hodhi dorashkën Berishës dhe mazhorancës: “Hapni vetëm kutinë e Ruzhdijes”, tha ai duke shtuar se në rast se kutia e Ruzhdijes rezulton e rregullt, ai dhe tetë deputetët socialistë të Fierit janë gati të japin dorëheqjen. Por, për demokratët, kutia e Ruzhdijes, si dhe i gjithë procesi i zgjedhor i 28 qershorit është mbyllur përfundimisht me vendim të gjykatave. Dhe këtu fillon ngërçi. Më saktë, fillon riciklimi i krizës politike në vend. Pardje deputetët socialistë hynë në parlament dhe e lanë sallën e Kuvendit pas rreth një ore. Por emri i Ruzhdijes mbeti. Ruzhdija tani endet si një makth dhe njerëzit me të drejtë pyesin: “Vërtet, ç’mund të ketë brenda kutisë së Ruzhdijes?” Në të vërtetë Ruzhdija nuk ka shumë enigma. Ajo është një komunë sit ë gjitha të tjerat, me problematikën e vet, por edhe me “privilegjin” se kutia e bëri të famshëm. Dje gazeta “Telegraf” kontaktoi me drejtuesit më të lartë demokratë e socialistë të Patosit dhe Ruzhdijes dhe u përpoq të hedhë sadopak dritë mbi enigmën e 28 qershorit. Kamber Nexha, kryetar i KZAZ nr. 19, Ruzhdije, që i përket Partisë Socialiste, thotë se si është e mundur që, nga 592 votues të kësaj qendre, në përfundim të votimeve problematike të asaj dite, 450 vota i përkisnin PD-së dhe vetëm 12 i përkasin PS-së? Të mos harrojmë se votimi ka filluar rregullisht në mëngjesin e 28 qershorit. Kështu thonë kronikat e asaj dite. Votimi është ndërprerë rreth orës dhjetë, pasi pati kërcënime me armë, thonë socialistët. Komisionerët socialistë pas kësaj braktisin votimin duke marrë me vete vulën e tyre. Jo, nuk pati asnjë kërcënim, thonë demokratët, duke shtuar se këto janë sajime nga ana e socialistëve për të justifikuar humbjen. Madje demokratët shkojnë edhe më tej, duke iu përgjigjur sfidës së Ruçit: Të hetohen zgjedhjet. Po të duan le të bëjnë edhe rivotime. Socialistët nuk kanë për të marrë as njëzet vota. Dhe kështu, sherri vazhdon. Ruzhdija do të lakohet edhe disa kohë, tok me krizën për zgjedhjet e vitit të kaluar. Derisa kriza e zgjedhjeve të eklipsohet apo të kapërcehet nga diçka tjetër. Në fund të fundit, Ruzhdija është një produkt i zakonshëm shqiptar.
Nga kronikat e 28 qershorit 2009, ora 14:02
Fier, komisioneri i PS-së kërcënohet me armë
Në qendrën zgjedhore të fshatit Ruzhdie në Qarkun e Fierit situata është tensionuar pas konflikteve të vazhdueshme mes komisionerëve. Sipas pamjeve filmike të transmetuara në Top Channel, komisioneri i Partisë Socialiste është kërcënuar me armë. Menjëherë procesi i votimit është bllokuar dhe nuk ka rifilluar ende. Ndërkohë, përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Kastriot Islami ka bërë thirrje që qytetarët të shkojnë për të votuar, pasi sipas tij, PS do ta mbrojë votën e tyre.
Nga deklaratat në Parlament më 25 shkurt 2010
Ruçi: “Hapni vetëm kutinë e Ruzhdijes”
"Ne sot nuk kemi ardhur të marrim pushtetin përmes këtij hetimi të zgjedhjeve, por për të kërkuar që të mos na mohoni të drejtën kushtetuese për hapjen e kutive. Ne nuk kemi ardhur sot të betohemi dhe të largohemi. Ne sot u betuam për kushtetutën që ky pushtet e ka shkelur rreth 20 herë në këto katër vjet, por ne nuk kemi ardhur as të rrimë këtu me ju në këtë sallë dhe të mbyllim sytë para së të vërtetës", u shpreh Ruçi. Ruçi reagoi dhe për çështjen e kutive të votimit në komunën Ruzhdie të Qarkut të Fierit, për të cilin maxhoranca pretendon se i janë vjedhur votat.
"Kam një propozim dhe një sfidë publike për ju z. Berisha. Në emër të grupit të PS-së ne si socialistë na mjafton vetëm transparenca e kutisë së Ruzhdies, ku nga verifikimi i dokumentacionit zgjedhor të kësaj kutie do të dalë në pah korrupsioni elektoral. Ta sjellim kutinë dhe ta hapim këtu në Kuvend për të vendosur më tej, për bindjen tonë që zgjedhjet në Shqipëri janë kërcënuar", u shpreh Ruçi.
Berisha: “Opozitën e garantoj për procesin zgjedhor”
“Kohët janë shumë të veçanta për Shqipërinë dhe shqiptarët. Janë kohërat e një procesi jetik dhe vendimtarë për këtë komb për të kapur të ardhmen e tij dhe shqiptarët më shumë se çdo komb tjetër edhe sot, të ardhmen më të mirë konsiderojnë atë në BE”, tha Berisha. Sipas tij, janë shumë reforma që presin kontributin e opozitës ashtu sikurse edhe kritikën e saj dhe oponencën. “Ka një kundërshti që askush nuk mund ta injorojë. Ka të bëjë me një të drejtë të opozitës që të kërkojë garanci më të mëdha për një proces zgjedhor. Duke qenë të rëndësishëm se kjo është një e drejtë legjitime e opozitës, në katër vitet e shkuara, Sali Berisha nuk ka lënë konçension pa bërë në mënyrë absolute. S’kam pranuar të nisem asnjëherë t’i diktoj opozitës sepse e kam konsideruar detyrën time t’i jap asaj garanci të plota”, theksoi Berisha. Ai garantoi opozitën se do të ketë jo vetëm veton por do jetë përcaktuese në gjithë kuadrin elektoral, nëse dëshiron edhe sistemin le ta ndërrojë.
Miti Tapia, kryetar i PD-së, Patos
“Ky është skenar i Gramoz Ruçit”
Kryetari i Partisë Demokratike të Patosit, Miti Tapia, hedh poshtë me neveri të gjitha sulmet dhe akuzat që bëhen në adresë të Partisë Demokratike për gjoja manipulim të zgjedhjeve në komunën e Ruzhdijes. E gjithë kjo zhurmë, që nga fillimi e deri tani është skenar dhe manipulim i Gramoz Ruçit, -tha Tapia për gazetën “Telegraf”. Kryetari i demokratëve vendorë të Patosit tha se 28 qershori ka qenë një ditë shumë e qetë zgjedhore dhe nuk ka pse zmadhohet apo manipulohet aq shumë me të. Ruzhdija është një zonë elektorale historikisht e djathtë, që gjithnjë ka votuar për Partinë Demokratike, dhe nuk ka pse të vihet në dyshim bindja e tyre. Ne na vjen keq, tha Tapia, që komisionerëve socialistë, iu dha urdhër nga qendra e tyre që të braktisin qendrën e votimit bashkë me vulën, duke krijuar kështu një precedent të panevojshëm. Ne u lidhëm më KQZ dhe ata vendosën që votimi të vazhdojë, ndaj dhe rezultati doli me një vulë. E vërteta është se ai rezultat që doli nuk është shumë i ndryshëm nga realiteti. Unë si kryetar i PD-së për Patosin jam dakord si me hetimin, edhe me rivotimin. Po të bëhen votime të reja në Ruzhdije, qoftë edhe pas një jave, socialistët dhe të majtët nuk marrin as njëzet vota, theksoi Tapia. Kryetari demokratëve të Patosit e quajti tejet spekulative zhurmën e Ruçit në Parlament për Ruzhdijen. I gjithë ky është një pretekst i Gramoz Ruçit dhe Edi Ramës për të justifikuar rrugën e tyre pa krye të bojkotimit dhe të dështimit që kanë zgjedhur, përfundoi Tapia.
Eqerem Zavalani, nënkryetar demokrat i KZAZ, Ruzhdije
“PS po mashtron me Ruzhdijen”
Nënkryetari i KZAZ të Ruzhdijes, në prononcimin e tij për gazetën “Telegraf” dje ishte i drejtpërdrejtë. Ja fjalët e tij: “Zotërinj, duhet ta kini të qartë të gjithë: socialistët ikën vetë nga zgjedhjet në Ruzhdije. I braktisën pa asnjë shkak. Lere se ç’thonë sikur gjoja iu bë presion. Votimi ishte krejtësisht normal. Atëherë ç’kërkojnë tani pas tetë muajsh? Ditën e 28 qershorit votimet filluan normalisht. Njerëzit po votonin të lirë dhe pa asnjë problem. Mirëpo, pas tri orësh, socialistëve në KZAZ u erdhi urdhri: braktisni votimin. Dhe ata ikën. Morën edhe vulën me vete. Shkuan bashkë me vulën në selinë e PS-së në Patos për të marrë udhëzime. Ne iu drejtuam KQZ-së për udhëzime pasi votimi u ndërpre. Ata na dërguan fonogram, ku na thanë: vazhdoni votimin edhe me një vulë. Më pas votimi vazhdoi normalisht. Por duhet ta dinë të gjithë se organizatori i të gjitha problemeve në Ruzhdije është Armando Subashi, kandidati socialist për deputet. Socialistët e kanë kot që merren me Rozhdijen, se as kanë fituar dhe as kanë për të fituar ndonjëherë. Populli i Ruzhdijes është i djathtë dhe nuk mund të mashtrohet nga dokrrat e Gramoz Ruçit e të Partisë Socialiste. PS-ja e ka treguar veten se është një forcë regresiste që nuk na çon në Europë, por kërkon të na kthejë në kohën e diktaturës”, përfundoi Zavalani .
Artan Velçani, kryetar i PS-së, Patos
“Në Ruzhdije pati manipulime të mëdha”
“Është tërësisht e vërtetë ajo që tha zoti Gramoz Ruçi të enjten në sallën e Parlamentit. Në Ruzhdije jo vetëm u vodhën votat, por Ruzhdija është dhe shembulli më i mirë për të vërtetuar manipulimin e madh të 28 qershorit”, tha dje kryetari i socialistëve të Patosit, Artan Velçani në një intervistë për gazetën “Telegraf”. Ndaj komisionerëve socialistë janë bërë presione të tmerrshme, ndaj dhe ata u tërhoqën nga komisioni, tha ai. Ne kishim kryetarin dhe shumicën në atë komision. Kur ikën ata morën me vete edhe vulën. Ndaj dhe rezultatet që dolën ishin krejtësisht të njëanshme në favor të PD-së dhe mbajnë vetëm vulën e tyre, tha Velçani. 28 qershori 2009 do të mbahet mend për atë manipulim të madh që bëri Partia Demokratike me votat e popullit dhe Ruzhdija merret me të drejtë si shembull. Zoti Ruçi ka shumë të drejtë që kërkon hetimin e votave të kësaj zone. Si është e mundur që populli i një zone të jetë thuajse 100 për qind me një forcë politike? Kjo nuk është demokraci, por diktaturë zgjedhore dhe ne nuk mund të pajtohemi me këtë fakt.
Kamber Nexha, kryetar i KZAZ nr. 19, Ruzhdije
“Komisionerët socialistë u kërcënuan”
Zona problematike në Ruzhdije, e cila merret si shembull i manipulimit të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, mban numrin 19. Kryetari i kësaj qendre votimi, që i përket Partisë Socialiste, Kamber Nexha, pranon të rrëfejë për gazetën “Telegraf” të vërtetën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Komisionerët socialistë u kërcënuan edhe me armë, thotë ai, ndaj dhe u detyruan të largohen nga qendra e votimit numër 3052, duke marrë me vete edhe vulën, pasi përbërja e komisionit ishte katër me tre në favor të socialistëve dhe kjo u vendos me shumicë votash. Kjo ndodhi rreth orës dhjetë të asaj dite. Më tej nuk mund të thuhet se u bënë votime të rregullta, pavarësisht se u bë sikur u votua. Si është e mundur që nga 592 votues të kësaj qendre, 450 vota i përkisnin PD-së dhe vetëm 12 i përkasin PS-së? Kjo ndodhi sepse komisionerët demokratë dhe militantët e PD-së i detyronin votuesit të votonin për partinë e tyre dhe të votonin haptazi. Prandaj them se ai nuk ishte votim. Nuk ka votim me imponim. Njerëzit nuk u lanë të lirë të votojnë për atë forcë politike që dëshironin.
Murat Zazaj, kryetar i PS-së, Ruzhdije
“Votat e 28 qershorit janë manipuluar”
Kryetari i PS-së për komunën problematike të Ruzhdijes, Murat Zazaj, thotë për gazetën “Telegraf”, se ajo çka thuhet për manipulimin e votave në Ruzhdije, është e drejtë. Në Ruzhdije votat e 28 qershorit janë manipuluar si askund tjetër, ndaj dhe me të drejtë Partia Socialiste në qendër e merr këtë komunë si shembull. Manipulimi ka qenë I shumanshëm, që nga kërcënimet deri edhe me armë ndaj komisionerëve socialistë, siç më kanë thënë, votimi i hapur për Partinë Demokratike e deri te shpallja e rezultatit etj. Ndaj dhe problemi përfundoi në gjykatë. Me këtë mënyrë zgjedhjesh dhe deklarimi të fitores me dhunë, zgjedhjet mund të quhen gjithçka, por kurrsesi jo demokratike. Partia Socialiste ka shumë të drejtë që kërkon zbardhjen e të vërtetës për zgjedhjet e 28 qershorit, në mënyrë që ato të mos përsëriten më në të ardhmen, përfundoi kryetari socialist i Ruzhdijes.
Rama: Sjellja e qeverisë në Parlament, e pa denjë
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi para pak momentesh se ishte i zhgënjyer nga sjellja e qeverisë në Parlament gjatë seancën së djeshme. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë, Rama u shpreh se reagimi i qeverisë ishte i pa denjë për zgjidhjen e krizës. Ai deklaroi se PS-ja do ta çojë përpara kauzën e transparencës së zgjedhjeve. “Nuk ka dyshim që cilido që mendon se ne shkuam në parlament për të futur në një kanal zvarritës kauzën tonë, jo vetëm mendon gabim, por në rastin e pushtetit merr një përgjegjësi të madhe në raport me krizën dhe popullin opozitar”, u shpreh Rama. I pyetur se në rast të mos zgjidhjes së krizës, a do të ndërmerren protesta, kreu socialist u shpreh se për momentin do të lihet kohë për të gjetur një zgjidhje, ndërsa ka shtuar se do të ketë protesta nëse maxhoranca nuk i jep të drejtë opozitës hetimin e plotë të zgjedhjeve.
“Në këtë periudhë për t’i dhënë shans zgjidhjet nëpërmjet dialogut, duke vlerësuar edhe angazhimin e komunitetit ndërkombëtar, ne e kemi ulur apo relativizuar përkohësisht në bisedat tona, tonin që ka të bëjë me protesta. Nuk ka pikën e dyshimit që protesta është në axhendën tonë, por ne do ta përdorim pa ngurrim, në rast se do të ezaurrohet nga ky pushtet. Ne jemi të vendosur t’i japin çdo shans dhe çdo mundësi të gjitha palëve”, tha më tej kreu socialist.
-
198 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version



del.icio.us
Digg
Publikoni komentin tuaj