header
  • Hyrje
  • Drejtor: Engjëll MUSAI
  • info@gazetatelegraf.com
  • Editorial
  • Politike
  • Dosier
  • Opinione
  • Intervista
  • Ekonomi
  • Analize
  • Suplementi
    • Pena Shqiptare
    • Mjeksore
    • Emigracioni Shqiptare
    • Tendence
  • Forumi
| Kerkim i avancuar
Hyrje | Editorial | Socialistët prishin “agjërimin”

Socialistët prishin “agjërimin”

Xhevdet Shehu
Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Kriza politike drejt zgjidhjes/ Opozita i jep fund bojkotit gjashtëmujor dhe hyn sot në Kuvend


 

 

Opozita vendos t’i japë fund bojkotit disamujor dhe të hyjë në parlament. E njoftoi këtë qartazi dje pasdite kreu i selisë rozë, Edi Rama, gjatë një mbledhjeje me grupin e deputetëve socialistë. Pas një fjalimi për hetimin e zgjedhjeve me hapje të kutive, ku nuk mungoi dhe retorika e njohur e tij për të mos i bërë lëshime mazhorancës aktuale, madje dhe paralajmërimi për vazhdimin e protestave në rrugë, Rama tha se, socialistët do të hyjnë sot në Parlament. Por edhe se do të këmbëngulin për hapjen e kutive. “Ne do të jemi në Parlament për të kërkuar transparencën, që zgjidh krizën politike. Duam të zbardhim krimin elektoral. Bota mbarë dhe OSBE kërkojnë hetim parlamentar të plotë dhe të hollësishëm”, deklaroi Rama. Përndryshe, Rama paralajmëroi kthimin e protestave në vend gjatë muajit mars, që me fjalë të tjera do të thotë riciklim i krizës. Sidoqoftë, tani për tani ndodhemi përpara një zhvillimi pozitiv dhe nuk na takon të hamendësojmë se si do të venë më tej punët në Kuvend. Të mos harrojmë edhe faktin se në mbarim të vizitës së delegacionit të lartë të KE-së të martën, pamë një Berishë të zbutur, tolerant dhe të gatshëm për të bërë kompromise me socialistët.

Ja, në këtë mënyrë dhe në këto rrethana opozita prish “agjërimin” më shumë se gjashtë mujor dhe jep shansin për zgjidhjen e krizës politike në vend. Është ky një zhvillim i pritshëm dhe i shumëpërfolur.

Në pamje të parë kjo duket një zgjidhje e beftë, por në të vërtetë nuk është e tillë. Prej disa muajsh opozita është ndodhur përpara një trysnie në rritje nga brenda dhe nga ana e partnerëve ndërkombëtarë për të ndërprerë bojkotin dhe protestat. Pesë deputetët “rebelë” të lëvizjes për Mendimin Ndryshe në PS ishin deklaruar kundër strategjisë së bojkotit dhe të protestave dhe kishin premtuar hyrjen në Kuvend. Në emër të tyre, Ben Blushi e quajti dje të vonuar hyrjen e socialistëve në Kuvend. Një muaj më parë ishte një rezolutë e Këshillit të Europës që ravijëzoi këtë zgjidhje të krizës. Pas një sërë përpjekjesh të politikanëve vendas me ndërmjetësimin e Presidentit Topi, kriza nuk u zgjidh dot. U desh ndërhyrja dhe pse të mos e themi diktati i ndërkombëtarëve që e zgjidhi këtë krizë. Le të kemi këtu parasysh lëvizjet dhe takimet e shpeshta të ambasadorëve Montobio dhe Lohan me politikanët e Tiranës gjatë muajit të fundit. Ndërsa ky vendim i socialistëve erdhi vetëm një ditë pasi delegacioni i lartë i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës la Tiranën me rekomandimin që opozita të hyjë menjëherë në parlament dhe po urgjentisht të ngrihet komisioni për hetimin e zgjedhjeve.

Kështu pra, kemi më në fund një zhvillim pozitiv për t’u përshëndetur. Mund të themi se kriza ka hyrë në fazën finale të zgjidhjes,por jo se është zgjidhur përfundimisht. Politikani i njohur Servet Pëllumbi tha dje se tani i takon maxhorancës të hedhë hapat e saj me kujdes dhe që në vend të mos rikthehet sërish kriza. Përndryshe hyrja e sotme e socialistëve në parlament do të ishte krejtësisht formale.

 

 

 

Servet Pëllumbi: “Një hap pozitiv që duhet pasuar nga të tjerë”

Një nga figurat emblematike të socialistëve, ish- nënkryetar i PS-së dhe ish-Kryetar i Kuvendit, Prof. Servet Pëllumbi përshëndeti mbrëmë vendimin e socialistëve për të hyrë në Kuvend. Në një prononcim për gazetën “Telegraf”, Pëllumbi tha se, ky është një hap shumë pozitiv i opozitës që duhet përshëndetur dhe që shkon në të njëjtën linjë me ndërkombëtarët që kërkojnë zgjidhjen e shpejtë të krizës. Në këtë kontekst, nënvizoi Pëllumbi, socialistët nuk duhet të ndihen të humbur. Është fitore për të majtën fakti që u sensibilizua opinioni europian dhe partnerët ndërkombëtarë për krizën, sepse ata e njohën krizën dhe kontribuuan seriozisht për zgjidhjen e saj. Më tej, ish-Kryetari i Kuvendit tha se tani i takon mazhorancës të hedhë hapin e dytë dhe të rëndësishëm për hetimin e zgjedhjeve. Përfaqësuesit e mazhorancës duhet të jenë prudentë dhe të mos bëjnë sikur do të hetojnë zgjedhjet sa për të kaluar lumin. Ndërkombëtarët, si dhe vetë opozita nuk mund të gënjehen me hapa gjysmakë dhe me zgjidhje gjysmake, përfundoi Pëllumbi. 

 

 

Blushi: “Hyrja në Kuvend, e vonuar” 

Deputeti Ben Blushi kritikoi dje ashpër qëndrimin e kryetarit të PS-së Edi Rama, duke thënë se, vendimi i tij për të kthyer deputetët në Kuvend është tepër i vonuar. “Hyrja në Kuvend është diçka e vonuar, ajo erdhi për shkak të një kufizimi ligjor”,- tha Blushi, duke iu referuar përcaktimeve kushtetuese për rrezikun e djegies së mandateve të deputetëve të PS-së pas datës 6 mars. “Në 6 muaj PS nuk e ka fituar betejën për të cilën ndërmori bojkotin, ndërkombëtarët bënë presion kundër bojkotit, ky bojkot turbulloi ujërat brenda PS-së”, tha më tej Blushi. Ai shtoi më tej se, “ky 6 mujor ishte kohë e humbur”. “Mbetet ta përshëndes vendimin për të hyrë në Parlament, mbledhja e sotme ishte e tensionuar dhe me shumë provokime, do të ishte qesharake që PS të hynte dhe të dilte nga Parlamenti”, u shpreh më tej deputeti Ben Blushi. Ai tha se vendimi i grupit parlamentar ishte kthimi në Parlament, të depozitohej një projektligj për zgjedhjet. “Hyrja dhe dalja nga parlamenti është një lojë kalamajsh”, shtoi Blushi.

 

Veçojmë nga deklaratat e djeshme

“Inkurajoj partitë politike, si ato në pushtet ashtu dhe ato në opozitë, që të zgjidhin këtë çështje, të lejojnë që procesi politik të zërë vend në kuadër të Parlamentit”

Stefan Fule

 

“Në rast se pushteti nuk dëshiron të dëgjojë zërin e arsyes sonë, muaji mars nuk mund të jetë muaji i lojës por i ngritjes në protesta masive”.

Edi Rama

 

“Në 6 muaj PS nuk e ka fituar betejën për të cilën ndërmori bojkotin, ndërkombëtarët bënë presion kundër bojkotit, ky bojkot turbulloi ujërat brenda PS-së”

Ben Blushi

 

“Përfaqësuesit e maxhorancës duhet të hedhin hapin e dytë dhe të jenë prudentë…të mos bëjnë sikur do të hetojnë zgjedhjet sa për të kaluar lumen”.

Servet Pëllumbi

 

 

 

 

 

 

 

Shto tek: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg

Subscribe to comments feed Komente (0 publikuar):

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

  • Plain text 164 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Tags
Ska tags per kete artikull
Vlereso kete artikull
1.00
Lajme te ngjashme
  • Replika mes Ramës dhe Islamit
  • “Besoj se kriza do të zgjidhet deri më 6 mars”
  • Politike
  • Dialogu me "litar" ne gryke
  • Paloka: “Rama po vetëpërjashtohet nga politika”
Hyrje | E-Mail | Te preferuarat | Rss / Atom | Vetem tekst | Arkiva | CPanel|
Powered by: Data Solution LTD