header
  • Hyrje
  • Drejtor: Engjëll MUSAI
  • info@gazetatelegraf.com
  • Editorial
  • Politike
  • Dosier
  • Opinione
  • Intervista
  • Ekonomi
  • Analize
  • Suplementi
    • Pena Shqiptare
    • Mjeksore
    • Emigracioni Shqiptare
    • Tendence
  • Forumi
| Kerkim i avancuar
Hyrje | Editorial | Deklarata: “Jepini fund krizës aktuale politike”

Deklarata: “Jepini fund krizës aktuale politike”

Xhevdet Shehu
Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Delegacioni i KE-së/ Përfundon pa ndonjë rezultat vizita dy ditëshe në Tiranë

 

 

Në përfundim të vizitës së tyre në Shqipëri, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), Mevlüt Çavusoglu, liderët e pesë grupeve politike (1) dhe bashkëraporterët e monitorimit për Shqipërinë (2) i bëjnë thirrje sot partive politike t’i japin fund krizës aktuale politike në vend në mënyrë që të vazhdojnë me reformat jetësore të nevojshme.  Ata besojnë se, mungesa e dialogut parlamentar minon funksionimin demokratik të institucioneve të shtetit.

Ata vërejnë se si Partia Demokratike dhe Partia Socialiste mirëpritën Rezolutën 1709  të APKE-së mbi funksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri, të miratuar në sesionet plenare Janarin e shkuar, në përgjigje të së cilës Presidenti Topi mblodhi një tryezë të rrumbullakët të liderëve politikë shqiptarë më 13 shkurt 2010. Delegacioni përgëzon Presidentin dhe inkurajon atë të vazhdojë përpjekjet e tij.

Ata arrijnë në përfundimin se zgjidhja e krizës aktuale politike mund të bazohet në parimet e mëposhtme:

- krijimi pa vonesa të tjera të një komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet e Qershorit 2009, i kryesuar nga një përfaqësues i opozitës dhe në të cilin opozita të ketë një shumicë efektive ;

- ky komision hetimor duhet të përgatisë amendamentet për kodin elektoral në përputhje me rekomandimet e misionit  ndërkombëtar të vëzhgimit dhe të Rezolutës 1709;

- opozitës do t’i jepej një numër i drejtë i kryesive të komisioneve parlamentare.

Lidhur me termat e referencës të komisionit parlamentar, delegacioni i APKE-së vë re se të dy palët bien dakord që kjo duhet të trajtohet brenda kuadrit kushtetues të Republikës së Shqipërisë.

Delegacioni është i mendimit se kjo do të ishte e mjaftueshme për të mundësuar pjesëmarrjen e përhershme të opozitës në punën e parlamentit. Ai i bën thirrje atyre ta bëjnë këtë pa vonesa të mëtejshme.

Gjatë vizitës, delegacioni u takua me Presidentin e Republikës, Kryetaren e Parlamentit, Kryeministrin, liderët e partive politike dhe përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar.

Vizita ishte një përgjigje e kërkesës së bërë nga Asambleja për të zgjidhur situatën aktuale politike dhe për të asistuar Presidentin Topi në rolin e tj si mediator dhe përpjekjet e tij për të rivendosur dialogun politik”.

 

 

 

Wilshire: “Opozita të kthehet në Kuvend”

Parlamentarët e Këshillit të Evropës janë optimistë në zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri dhe thonë se hapi i parë duhet të jetë kthimi i parlamentit në funksion të plotë.

Bashkëraporteri për Shqipërinë, deputeti konservator britanik David Wilshire tha në një intervistë për BBC-në se ai ende priste të kishte vështirësi në zgjidhjen e krizës, por se ata ishin të gatshëm të ndihmonin në kapërcimin e problemeve. Zoti Wilshire tha se garancia për zgjidhjen e krizës do të vinte nëse partitë politike në Shqipëri do të kishin besim tek njëra-tjera. “Hapi i parë duhet të jetë që opozita të kthehet në parlament dhe deri sa të ndodhë kjo nuk shkohet gjëkundi. Dhe ne presim hapin e parë që opozita të kthehet në parlament. Nuk kam shumë dyshim se pas kësaj do të ketë vështirësi”, tha Wilshire. Më tej. Deputeti britanik tha se zgjidhja është në dorën e shqiptarëve. “Të jashtmit mund të ndihmojnë që të ketë lëvizje. Për ndryshimet, marrëveshjen dhe zbatimin e saj, garancitë duhet të vijnë nga brenda Shqipërisë duke krijuar besim midis partive politike. Nëse kjo nuk ndodh, ne nga jashtë nuk mund të bëjmë gjë, por ne jemi të gatshëm që të ofrojmë ndihmë çdo here,” theksoi ai. Sidoqoftë, megjithë optimizmin e përmbajtur për një zgjidhje të krizës, Wilshire tha se kjo nuk mund të ndodhë shumë shpejt. Pra, do të kemi një përparim hap pas hapi, jo një zgjidhje e plotë brenda një minuti, përfundoi ai.

 

 

Pëllumb Xhufi: “Delegacioni i KE-së nuk e zgjidhi krizën”

Politikani dhe historiani Pëllumb Xhufi tha dje për gazetën “Telegraf” se, vizita e delegacionit të lartë të KE-së nuk mund të thuhet se ishte e suksesshme, pasi nuk dha një rrugëzgjidhje për daljen nga kriza. Ata erdhën, u takuan me përfaqësuesit kryesorë politikë në vend, por nuk arritën gjë. “Në fund të fundit deklarata e tyre ishte e mbushur me rekomandime në vazhdën e rezolutës së KE-së të një muaji më parë, por nuk arriti të sjellë në një mendje përfaqësuesit e opozitës dhe të maxhorancës”, -tha Xhufi. Ndërkohë, i pyetur lidhur me opsionin e rekomanduar nga delegacioni i KE si zgjidhja mund t’i kalojë Komisionit të Venecias, zoti Xhufi e quan këtë një zgjidhje thuajse të pamundur. Çështjet në këtë komision zgjasin në përgjithësi me muaj të tërë që mund të shkojnë edhe një vit, ndërkohë që kriza shqiptare kërkon një zgjidhje të shpejtë, tha ai. Ndryshon puna nëse KE urdhëron që kjo çështje të zgjidhet me përparësi, fjala vjen, për një javë. Por kjo duket e pabesueshme.

 

 

Berisha: “Ftoj Ramën ta gremë komisionin hetimor”

Kryeministri Sali Berisha siguroi dje, kryetarin e PS-së, Edi Rama se, "në përputhje me kërkesat në deklaratën e delegacionit të KiE-së, maxhoranca është e gatshme të ndërtojë komisionin hetimor parlamentar për zgjedhjet dhe t’i japë shumicën opozitës në këtë komision". Deklarata e kreut të qeverisë u bë pak minuta pas konferencës për shtyp së KiE, ku delegacioni ndërkombëtar i bëri thirrje politikës shqiptare të rigjejë dialogun dhe t’i japë fund krizës politike që sipas tyre po stopon punën e institucioneve shtetërore. Lidhur më deklaratën e delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (KiE), Berisha e vlerësoi maksimalisht impenjimin e tyre në zgjidhje të situatës politike në vend. Berisha tha se shpreson dhe kundërshtari politik t’i përgjigjet me të njëjtën fryme deklaratës se KiE. "Shpresoj që Rama t'i përgjigjet me të njëjtën frymë kësaj deklaratë. Unë e garantoj kreun e Partisë Socialiste se që në mbledhjen e parë të Kuvendit ne jemi të gatshëm që të votojmë komisionin hetimor dhe t'i japim drejtimin dhe shumicën opozitës", u shpreh Berisha.

 

 

 

Rama: “Vazhdojmë bojkotin, nuk ka zgjidhje pa kutitë”

Kreu selisë rozë, Edi Rama duke reaguar pas deklaratës së delegacionit të KiE-së ka theksuar se nuk ka zgjidhje të krizës pa u hapur kutitë dhe as hetim zgjedhjesh përmes një komisioni që ndalon qasjen te kutitë. Gjatë një konference për mediat, Rama ka deklaruar se opozita nuk tërhiqet nga beteja e saj për transparencën e zgjedhjeve përfshirë kutitë e votimit, e për pasojë nuk e ndërpret bojkotin. "Ofertës së qeverisë për të krijuar komision që ndalohet t'i qaset kutive, duke mbuluar krimin elektoral që fshihet në kuti, përmes një gjoja hetimi, i përgjigjemi se nuk ka hetim të zgjedhjeve pa kutitë"- ka thënë Rama. Lideri socialist i ka bërë thirrje kryeministrit Berisha të pranojë ofertën pa pasur frikë nga kutitë. "Pa hapjen e kutive nuk ka zgjidhje të krizës dhe as rifillim të jetës normale parlamentare. Kriza i ka rrënjët te mohimi i të drejtës sonë për të hetuar zgjedhjet. i them Berishes se kjo betejë është për të ardhmen, për atë që nuk duhet të ndodhë nesër. Beteja jonë nuk është për pazar, por për një parim",- tha ai. Lidhur me çështjen nëse opozita do të vazhdojë protestat, sikurse është deklaruar koalicioni i së majtës, Rama tha:- “Protesta jonë është në ecje e sipër, nuk është ndërprerë për asnjë moment. Sigurisht që përshkallëzimi i saj është çështje e një plani të mirmenduar që ecën sipas parashikimit tonë”.

 

 

 

Kriza politike/ Europianët, të përçarë në qëndrimet e tyre për situatën në Shqipëri

 

Europianët flasin “kinezçe”

 

 

Natyrisht, në këtë titull kemi të bëjmë me një metaforë. Kështu kam dëgjuar të flitet këto ditë ndër qytetarët e thjeshtë të Tiranës, duke shprehur një lloj pakënaqësie për mefshtësinë për situatën politike në Shqipëri. E kemi fjalën për gjuhën dhe qëndrimin që po mban Europa për krizën shqiptare, një qëndrim i dyzuar me dy kuptime, pra edhe ashtu edhe kështu, edhe i hetoni zgjedhjet, edhe hyni në parlament, që po mbajnë aktualisht europianët. Duke dëgjuar fjala vjen, vetëm deklaratat e djeshme të europianëve në Tiranë, të dukej sikur flisnin kinezçe, një gjuhë e dyzuar që, “çuditërisht” “nuk kuptohet” hiç nga politikanët tanë në Tiranë. Kjo gjuhë me të cilën trajtojnë çështjen shqiptare, por edhe me rrugët që serviren për të zgjidhur krizën, europianët tregojnë se nuk janë të një mendjeje në raport me ne. Me një gjuhë më së shumti diplomatike që i japin të drejtë sa njërës palë edhe tjetrës, europianët ndërsa brohoriten nga të dyja palët, në të vërtetë nuk zgjidhin thelbin e problemit që qëndron në krizën aktuale politike prej disa muajsh. Në këtë gjuhë ishte rezoluta e KE-së gati një muaj më parë, dhe si opozita si maxhoranca e përshëndetën atë si “të shkëlqyer”. Kaloi afro një muaj dhe palët shqiptare në konflikt rrahën ujë në havanë, nuk u tundën asnjë grimë nga istikamet e tyre partiake. Ndaj dhe dështoi një tryezë që thirri Presidenti Topi. E po, thanë shqiptarët e thjeshtë, ja prisni sa të vijnë europianët më 22 shkurt dhe do t’ua tregojnë qejfin politikanëve tanë, në opozitë apo në pushtet qofshin. Ku të falin europianët! Do t’i japin me doemos një zgjidhje… Mirëpo, erdhën e ikën europarlamentarët e lartë të Asamblesë së KE-së dhe situata politike në Shqipëri mbeti po ajo që ishte. Kriza vazhdon dhe nuk i dihet fundi, pavarësisht njëfarë entuziazmi i europianëve. “Të hetohen zgjedhjet, ndërsa opozita t’i japë fund bojkotit”, ishte thelbi i deklaratës që bëri dje delegacioni. Delegacioni shpreson të arrihet progres mes palëve, ndryshe zgjidhja do të jepet nga organizma të tjerë, siç është Komisioni i Venecias. Ndërsa kryetari Çavushogllu lëshoi këtë thirrje: “Unë ju bëj thirrje partive politike t’i japin fund krizës politike në vend. Mungesa e dialogut parlamentar bllokon punën në institucionet shtetërore. Presim që çështja të zgjidhet menjëherë, palët të rigjejnë dialogun politik dhe duke filluar nga ky moment”. Pas konferencës për shtyp të europianëve dolën liderët tanë Berisha dhe Rama për të komentuar qëndrimin e europianëve, ashtu siç i lexojnë ata rekomandimet e tyre... Pastaj erdhi me urgjencë në mesditë Hannes Svoboda, nënkryetar i grupit socialist në Parlamentin Europian, i cili pas një takimi me deputetët socialistë në selinë rozë, doli pasdite vonë në një konferencë për shtyp me Edi Ramën. “Është mjaft e dukshme që Partia Socialiste nuk mund të ndalë luftën për transparencë. Mesa kam folur me anëtarët e delegacionit të Këshillit të Europës, ata nuk e përjashtonin hapjen e kutive për të bërë transparencën e zgjedhjeve” theksoi Svoboda. Europarlamentari socialist mbështeti qëndrimin e Ramës për hapjen e kutive. E pra, kë të dëgjojmë e kë të besojmë më parë? Si do të dilet nga kriza, me këtë kakofoni deklaratash e qëndrimesh? Por ka edhe një qëndrim tjetër, gati injorues për krizën tonë. Në ditën që delegacioni i Asamblesë Parlamentare të KE-së, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian, Katerin Ashton, dha një konferencë për shtyp në Bruksel. E pyetur për krizën shqiptare, thuajse e irrituar Ashton tha se “më vjen keq, por nuk po zbres të diskutoj për Shqipërinë në këtë pikë… Kështu që, të vazhdojmë konferencën me një pyetje tjetër, ju lutem”.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk dihet pse po heshtin kaq gjatë për krizën tonë…

 

 

 

 

Veçojmë nga deklaratat e djeshme

 

“Ne si Komitet presidencial i KE-së do ta ndjekim çështjen që vijojmë të mendojmë se është serioze, ne jemi gati t'u ndihmojmë, pasi mendojmë se Shqipëria është vend i rëndësishëm për ne". 

Mevlut Çavusoglu

 

“Hapi i parë duhet të jetë që opozita të kthehet në parlament dhe deri sa të ndodhë kjo nuk shkohet gjëkundi”.

David Wilshire

 

“I bëj thirrje kryetarit të Partisë Socialiste, i cili pati rastin gjatë këtyre ditëve të shohë vullnetin tim të qartë, të palëkundur, për kompromise, koncesionet e nevojshme, në mënyrë që opozita të zërë vendet në parlament”.

Sali Berisha

 

“Zgjedhjet nuk mund të hetohen pa nxjerrë të vërtetën e kutive në sytë e popullit, jo për të ndryshuar rezultatin, por për të shembur sistemin e korrupsionit që pengon lirinë dhe ndershmërinë e zgjedhjeve në Shqipëri."

Edi Rama

 

 

 

 

 

 

 

Shto tek: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg

Subscribe to comments feed Komente (0 publikuar):

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

  • Plain text 148 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Tags
Ska tags per kete artikull
Vlereso kete artikull
0
Lajme te ngjashme
  • Paloka: “Rama po vetëpërjashtohet nga politika”
  • Dialogu me "litar" ne gryke
  • “Zgjidhja? Palët të bien dakord për një hetim me përzgjedhje”
  • Zoti Uidhers vesh dorezat…
  • Partia Socialiste
Hyrje | E-Mail | Te preferuarat | Rss / Atom | Vetem tekst | Arkiva | CPanel|
Powered by: Data Solution LTD