Kriset kualicioni PD-LSI
Debati për 29 Nëntorin/ Shënohet krisja në koalicionin PD-LSI Historia si “mollë sherri”
Zbulimi i një varri masiv në rrethinat e Tiranës ditët e fundit ka tronditur opinionin shqiptar dhe ka bërë të ngjallen diskutime të zjarrta që kanë marrë ngjyrime politike të thekshme. Thuhet se varri masiv i përket personave të pushkatuar nga regjimi komunist, që padyshim ka qenë një nga më të egrit në Europë. Dhimbja dhe keqardhja për viktimat e pushkatuara barbarisht është e justifikuar dhe e meriton vëmendjen. Familjarët e viktimave kanë të drejtën njerëzore dhe legjitime të gjejnë eshtrat e të afërmve të tyre, të kenë një varr për ta, të qetësojnë shpirtrat e tyre… Sidoqoftë, duket i pajustifikuar nxitimi, pasioni i tepruar, ai lum deklaratash e qëndrimesh, pa u identifikuar ende eshtrat e viktimave. Sepse me këtë rast janë shpërfaqur pasionet e skajshme politike, sikurse ka ndodhur shpeshherë gjatë njëzet viteve të fundit. Dhe këto pasione u përndezën ndërsa ish-të persekutuarit propozuan që 29 Nëntori, e njohur deri më tani si ditë e Çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashist, të bëhet Dita e Masakrës Komuniste. Jo, thonë veteranët antifashistë, kjo s’ka për të ndodhur. “29 nëntori nuk mund të tjetërsohet. Brenda asaj date është gjaku i kulluar i dëshmorëve që dhanë jetën për Çlirimin e Atdheut dhe sado që të përpiqen bashkëpunëtorët e fashistëve, nuk mund t’ja errësojnë dot lavdinë dhe aq më pak ta shuajnë atë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të Luftës, Rustem Peçi.
Ajo që vlen të evidentohet është qëndrimi i LSI-së, partisë në koalicion me PD-në në pushtet. Në emër të kësaj partie, Luan Rama tha dje se, është kundër ndryshimit të kësaj date. Kujtojmë këtu se dy muaj më parë, Ilir Meta u veçua nga kryeministri i tij Berisha në përkujtimin e ditës së çlirimit të vendit. Kjo krisje brenda koalicionit qeverisës shfaqet në një moment të krizës politike që po kalon vendi dhe të përpjekjeve që po bëhen për të kapërcyer krizën. Të jetë një përpjekje, sikurse thonë disa, për të shpërqendruar vëmendjen, ndërkohë që ekspertët po punojnë për identifikimin e viktimave? Mundet. Sepse është me vend që përpara politikanëve, të flasin ekspertët dhe historianët. Kjo “arratisje” e vëmendjes nga problemet aktuale të vendit në ato të kundërshtarëve politikë të rreth shtatëdhjetë vjetëve të shkuar duket e pavend dhe e pajustifikuar. Në qoftë se shpesh grindjet tona për problemet e luftës antifashiste, të datave të historisë kanë marrë ngjyra groteske dhe janë bërë objekt i estradave, në këto momente nuk na lejohet të qeshim. Ky debat kështu siç po konturrohet veçse na bën qesharakë. Të paktën për dy arsye: e para, se kemi të bëjmë me zbulimin e një krimi monstruoz të diktaturës komuniste, me një dhimbje njerëzore që meriton respekt dhe përkujdesje, jo shfrytëzim për qëllime politike të momentit apo për një grupim të caktuar politik. E dyta, se ndryshimi i datave të historisë nuk mund të bëhet me pasione dhe mllefe, por me një logjikë shkencore, përmes institucionesh. Për 29 Nëntorin, fjala vjen, është diskutuar aq shumë dhe Parlamenti përfundimisht ka vendosur që të njihet si ditë e çlirimit të Shqipërisë. Vënia më tej në dyshim e kësaj date është një qëndrim i paligjshëm.
Rustem Peçi: “29 Nëntori nuk mund të tjetërsohet”
Komiteti Kombëtar i Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar reagoi menjëherë duke kundërshtuar rreptësisht propozimin për ndryshimin e datës së 29 Nëntorit nga ditë e Çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë në ditë të masakrës komuniste. Lidhur me propozimin e të përndjekurve politikë për ndryshimin e objektit të kësaj date është Rustem Peçi, sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Kombëtar të Veteranëve Antifashistë që flet për gazetën “Telegraf”. Zoti Peçi tha mbrëmë për gazetën se 29 nëntori nuk mund të tjetërsohet. Ajo është dita e madhe e çlirimit të atdheut nga okupatorët e huaj dhe bashkëpunëtorët e tyre brenda vendit është e fiksuar njëherë e përgjithmonë në histori, duan apo nuk duan disa. Te 29 Nëntori përmblidhen një luftë heroike dhe një histori e lavdishme që i ka bërë dhe do t’i bëjë nder Shqipërisë, tha ai. Më tej ai shtoi se brenda asaj date është gjaku i kulluar i dëshmorëve që dhanë jetën për çlirimin e atdheut, dhe sado që të përpiqen bashkëpunëtorët e fashistëve, nuk mund t’ja errësojnë dot lavdinë dhe aq më pak ta shuajnë atë, theksoi sekretari i Përgjithshëm i Veteranëve të Luftës. Më tej zoti Rustem Peçi tha se nuk është kundër që të persekutuarit, apo edhe ballistët të shënojnë një datë tjetër ku të përkujtojnë të rënët e tyre. Ata, madje, mund të kenë edhe vendvarrimet e të rënëve apo dëshmorëve të tyre, sikurse ka ndodhur në ndonjë rreth si Mallakastra, -tha ai. Por kurrsesi data e tyre dhe 29 Nëntori nuk mund të ngatërrohen apo të zëvendësojnë njëra-tjetrën. Janë data dhe histori krejt të ndryshme, tha Peçi. Në vazhdim, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Veteranëve të Luftës tha se e gjithë kjo që po ndodh këto ditë është një zhurmë e qëllimshme dhe e orkestruar për të larguar vëmendjen nga kriza e thellë politike që po kalon vendi. Një qeveri e përgjegjshme dhe që punon për të mirën e vendit duhet të zgjidhë të në radhë të parë problemet madhore që shqetësojnë një popull të tërë dhe që po na pengojnë të hyjnë në Europë, përfundoi Rustem Peçi.
Ekspertët: Enigmë identifikimi i eshtrave të zbuluara në Dajt
Ende pa u përcaktuar numri i saktë i eshtrave të gjetura në Malin e Dajit, Mjekësia Ligjore ka nisur punën për identifikimin dhe përcaktimin e ekzekutimit. Një grup specialistësh nga kriminalistika dhe Mjekësia Ligjore po punon intensivisht për të zbardhur shumë enigma të varrit masiv, i zbuluar në Qerret, të hënën.
Për herë të parë pas këtij zbulimi, Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore Besim Hymaj deklaroi për TV kombëtar Klan, fazat në të cilat po punojnë ekspertët më të mirë të fushës. Për Drejtorin Hymaj, ekzaminimi i këtyre eshtrave konsiderohet si rast unik. Por përcaktimi dhe dhënia e rezultateve, lidhur me kohën, identifikimin dhe mënyrën e ekzekutimit, kërkon një periudhë relativisht të gjatë. Hymaj shpjegon arsyet e këtij procesi. Pranë mjekësisë ligjore, nuk janë afruar familjarë të cilët pretendojnë se kanë humbur të afërmit e tyre, por në laboratorët e kësaj godine, ka nisur puna për të zbuluar një të fshehtë të madhe, dëshmi e një sistemi të dikurshëm.
-
917 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version



del.icio.us
Digg
Publikoni komentin tuaj