“PS-ja rrezikon të izolohet nga bota demokratike dhe të dalë në periferi të shoqërisë”
Intervista/ Flet deputeti Marko Bello, anëtar i Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në PS
<!-- /* Style Definitions */ p.MsoNormal, li.MsoNormal, div.MsoNormal {mso-style-parent:""; margin:0in; margin-bottom:.0001pt; mso-pagination:widow-orphan; font-size:12.0pt; font-family:"Times New Roman"; mso-fareast-font-family:"Times New Roman";} @page Section1 {size:8.5in 11.0in; margin:1.0in 1.25in 1.0in 1.25in; mso-header-margin:.5in; mso-footer-margin:.5in; mso-paper-source:0;} div.Section1 {page:Section1;} -->
Një intervistë me Marko Bellon, një nga deputetët “rebelë” të Partisë Socialiste, nuk ka se si vërtitet ndryshe përveçse mbi krizën aktuale politike në vend. Me një kurajo qytetare dhe politike të admirueshme, në intervistën ekskluzive për gazetën “Telegraf”, ai nuk heziton të kritikojë lidershipin aktual të Partisë Socialiste dhe të argumentojë pse ky është momenti për të hyrë në parlament dhe zhvilluar opozitën moderne, konstruktive dhe të fortë kundër një mazhorance që po dëshmon paaftësinë për të qeverisur. Në këtë intervistë ndihet një ndërgjegje e lartë qytetarë dhe politike për fatet e vendit dhe të ardhmen e tij. I bindur në kauzën që përfaqëson ai dhe deputetët e tjerë të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, Bello është optimist në një mbështetje gjithnjë e më të madhe brenda dhe jashtë partisë ku bën pjesë. Duke qenë një admirues i shkrimtarit të madh dhe njëherësh patriarkut të Partisë Socialiste, Dritëro Agollit, ai i referohet atij kur i konsideron Ramën e Berishën si dy cjepër, të cilët nuk i hapin rrugë njëri-tjetrit dhe mund të rrëzohen që të dy. Kështu që vetëm ndërhyrja e të huajve mund t’i ftillojë dhe t’i ulë me këmbë në tokë, thotë Bello, duke lënë të nënkuptohet se duhet të gjendet një zgjidhje e shpejtë politike për krizën politike, ashtu sikundër sugjerohet në rezolutën e Këshillit të Europës...
- Ju i përkisni grupit të Pesëshes socialiste të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe. Mendoni se kjo lëvizje i ka zgjeruar hapësirat demokratike brenda PS-së, apo jo?
- Si forca politike më e madhe në vend, Partia Socialiste ka brenda saj personalitete të spikatur, të cilët kanë kontribuar në vite pa u bërë lëpitka e kryetarit të radhës. Sa kohë në këtë parti ka pasur debat të shëndetshëm, sjellje demokratike dhe mbi të gjitha liri për t’u shprehur për një problem a çështje të caktuar, shoqëria ka qenë e vëmendshme dhe e ka mbështetur pa rezerva atë. Për fat të keq, u bënë disa vite qëkurse në PS po mbizotëron mendimi sipas të cilit, disiplina ushtarake dhe jo debati i gjallë, dora e fortë dhe jo fryma e ekipit, përjashtimi dhe jo gjithpërfshirja, uniformiteti dhe jo diversiteti, janë ato që i duhen partisë për të ardhur në pushtet. Lidershipi i fortë që Edi Rama kërkon të imponojë po e çon Partinë Socialiste nga njëra humbje në tjetrën, ndërsa bazës së partisë po i serviren me djallëzi teza- anti-demokratike, anti-europiane dhe ksenofobe. Iniciativa të çuditshme apo vendimmarrje që realizohen në kulisa dhe nga grupe okulte po provojnë gjithnjë e më tepër se interesat e lidershipit të PS-së nuk po përputhen më me interesat e shumicës së elektoratit të majtë. Sot Partia Socialiste po konsiderohet me qëllim thjesht një instrument, të cilin një grusht biznesmenësh dhe njerëzish pa kurrfarë ideali po e përdorin për të marrë votat e qindra mijëra shqiptarëve që ende kanë besim tek një e majtë progresiste dhe europiane.
Përpjekja jo vetëm e një grupi deputetësh, por edhe e shumë anëtarëve të kryesisë së partisë, Asamblesë Kombëtare dhe Kongresit për të thënë hapur të vërtetën, e cila ka kohë që i fshihet anëtarësisë, mendoj se ia ka vlejtur qoftë edhe për t’i shpëtuar nderin një partie, e cila dikur ia doli ta nxirrte Shqipërinë nga kriza fatale, ku e kishte zhytur qeverisja e mbrapshtë e PD-së në vitin 1997. Sot PS-ja rrezikon të izolohet nga bota demokratike dhe të dalë në periferi të shoqërisë, për shkak të aventurierëve politike që nuk rreshtin së eksperimentuari me fatet dhe të ardhmen e saj. Duke përfituar nga çoroditja e anëtarësisë, e cila pas humbjes në zgjedhjet e 28 qershorit, është vulnerabel ndaj tezave populiste dhe aspak realiste, pehlivanë të paskrupullt po kërkojnë të ndërsejnë socialistët e ndershëm kundër themeluesve të partisë, pro-perëndimorëve dhe gjithkujt që mendon ndryshe. Ata që abuzuan me pushtetin që socialistët iu dhanë në vite dhe që po e përdorin sot PS-në si strehë dhe alibi për t’iu fshehur drejtësisë, po klithin gjithë histeri për të përjashtuar pa mëshirë nga partia cilindo që nuk këndon dhe kërcen sipas ritmit pa ritëm të kryetarit. O tempora, o mores!
- Lëvizja për Mendimin Ndryshe lidhet me bojkotin për votat e 28 qershorit, me saktë me thyerjen e këtij bojkoti, ndërkohë që shumica e deputetëve socialistë duken të vendosur ta vazhdojnë atë. Në përfundim të këtij procesi, pra me hyrjen tuaj në Parlament, sikurse kini deklaruar, mendoni se radhët e lëvizjes suaj do të jenë shtuar apo pakësuar?
- Shqetësimi dhe përpjekja jonë nuk lidhet thjesht dhe vetëm me bojkotin, por me një sërë fenomenesh negative që vihen re sot në lidershipin e PS-së dhe që po e tjetërsojnë, ngurtësojnë dhe rrudhin forcën politike më të madhe në vend. Humbja e 28 qershorit ishte vetëm maja e ajsbergut, pra pjesa e dukshme e një sërë gabimesh që sot po kthehen në faje të rënda politike, me pasoja katastrofike për të ardhmen e opozitës në Shqipëri..Në këtë kontekst, përpjekjet e disave për të na anatemuar dhe stigmatizuar si “agjentë të Berishës” apo “spiunë” të Brukselit janë sa qesharake aq edhe të neveritshme. Mund të ushqesh turmat përkohësisht me grupe armiqësore, mund të sigurosh me shumicë duartrokitje dhe ovacione, kur kërkon t’i “vrasësh” kolegët e tu vetëm se thonë të vërtetën, por herët a vonë do të “shijosh” pasoja të hidhura, trauma dhe dështime të parikuperueshme. Ky është mësimi që vjen nga historia për të gjithë ata që kujtojnë se duke trashur zërin dhe fryrë muskujt mund të vjedhin lirinë dhe vrasin të vërtetën. Aq më pak shanse ka të realizohet një gjë e tillë në sistemin demokratik, sado i brishtë të duket ai. Të hysh në parlament, është detyrim ndaj qytetarit dhe jo lëshim ndaj kundërshtarit. Të respektosh Kushtetutën, do të thotë t’ia duash të mirën vendit dhe ardhmërisë së qytetarëve që të kanë votuar. Ne nuk merakosemi për radhët “tona” nëse do të shtohen apo pakësohen. Ne jemi anëtarë të PS dhe padyshim gëzohemi sa herë radhët e saj shtohen dhe forcohen. E vërteta është se shumica dërrmuese e anëtarëve të Grupit Parlamentar janë në favor të dhënies fund të bojkotit.
- Për bojkotin e stërzgjatur, mendoni se i gjithë faji është i opozitës apo edhe i partisë që është në pushtet dhe që nuk pranon hapjen e kutive në disa qarqe të vendit?
- Çështja e bojkotit po bëhet e lodhshme dhe qesharake. Me të drejtë, Dritëro Agolli shprehej këto ditë se 2-3 muajt e parë bojkoti mund t’i ketë shërbyer PS për t’u forcuar, ndërsa stërzgjatja e tij po i lodh qytetarët. Në një konflikt politik ku ka palë, faji padyshim që është i të gjitha palëve. Si art i së mundshmes, politika midis shumë kusureve, ka magjinë e zgjidhjeve të vështira përmes arsyes dhe dialogut. Edhe kur politika dështon dhe përpiqet të gjejë zgjidhje të forta sikurse lufta dhe përplasjet, përsëri paqja arrihet vetëm në tryezën e bisedimeve. Kur arbitri i zgjedhjeve, në rastin tonë, OSBE-ODIHR, e ka dhënë verdiktin dhe kur Bashkimi Evropian ia ka ndezur Shqipërisë dritën jeshile për statusin e vendit kandidat, kur liberalizimi i vizave duket se, më në fund, po bëhet realitet, çdo insistim për të zhbërë gjithçka ky vend ka krijuar këto 20 vjet pluralizëm, demokraci dhe ekonomi tregu të lirë, vetëm e vetëm se nuk ke fituar, është luks i madh dhe me pasoja për të gjithë. Lidershipi i PS-së nuk po i njeh zgjedhjet dhe kërkon me çdo kusht hapjen e kutive. Shqiptarët duket se e kanë bërë zgjedhjen: sado kuriozë, ata e kuptojnë se interesi i tyre më i madh sot është Europa. Unë nuk do ta imagjinoja dot nëse PS-ja do të vazhdonte me kokëfortësi të mbyllte veshët dhe sytë ndaj zërave të arsyeshëm që vijnë nga Uashingtoni dhe Brukseli, për t’i dhënë fund menjëherë bojkotimit. Parlamenti nuk është as i Berishës dhe as i Topallit, por tempulli i demokracisë, ku sovrani popull dërgon përfaqësuesit e vet. Kushdo që refuzon të njohë institucionet, automatikisht është kundër sistemit. E provoi disa herë pa sukses Sali Berisha në 1997, 2000 e 2001. Tentativa për ta krahasuar Shqipërinë e vitit 2010 me atë të vitit 1990 është jo vetëm e ekzagjeruar, por dhe dashakeqe. Andaj, duke hyrë në Kuvend, ne duhet të luftojmë jo vetëm për transparencën e zgjedhjeve, por kryesisht për të përmirësuar kodin zgjedhor dhe rritur garancitë për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
- Si e shikoni gjendjen aktuale brenda PS-së dhe mosmbledhjen e forumeve të Partisë gjatë kësaj periudhe të vështirë?
- Më sipër shpreha disa nga shqetësimet lidhur me gjendjen aspak të kënaqshme brenda partisë dhe sidomos për mënyrën si ajo po drejtohet pas humbjes së dytë radhazi.
Kur themi se PS-ja është pasuri kombëtare e shqiptarëve, kjo nuk do të thotë se ajo duhet parë si stoli që ruhet e mbyllur diku, larg syve dhe interesit të asaj pjese të shoqërisë që është e bindur se vendit i duhet një e majtë progresiste, europiane, moderne dhe konsekuente e një projekti të madh për një kohezion dhe solidaritet social, mirëqenie, punësim dhe edukim për të gjithë dhe jo vetëm për një grusht të pasurish…Nuk kam kurrfarë dëshire të bëj opozitën e opozitës dhe ky do të ishte momenti për të hyrë në parlament dhe zhvilluar opozitën moderne, konstruktive dhe të fortë kundër një mazhorance që po dëshmon paaftësinë për të qeverisur, duke provokuar kriza me pasoja të rënda për jetën e qytetarëve dhe proceset integruese të vendit.
- A e mendoni të afërt zgjidhjen e krizës aktuale politike në vend? Kjo zgjidhje do të jetë sipas jush e brendshme apo me ndërmjetësimin e të huajve?
- Duke pasur parasysh kokëfortësinë e drejtuesve të partive politike shqiptare, mentalitetin tipik ballkanik të tyre për ta mposhtur me çdo kusht kundërshtarin dhe mungesën e kulturës së dialogut, them se zgjidhja e krizës politike do të kërkojë ca kohë. Rastet kur politikanët shqiptarë kanë gjetur zgjidhje pa ndërhyrjen e të huajve, mund të numërohen me gishtat e dorës. Edhe në këto raste, kompromiset i kanë ngjarë më shumë pazareve dhe zgjidhjet kanë qënë të përkohshme. Ajo që e vështirëson gjithashtu gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme është edhe mungesa e besimit. Sali Berisha dhe Edi Rama po i ngjajnë gjithnjë e më shumë njeri-tjetrit. Janë si dy cjepër, thotë Dritëroi, të cilët nuk i hapin rrugë njëri-tjetrit dhe mund të rrëzohen që të dy. Kështu që vetëm ndërhyrja e të huajve mund t’i ftillojë dhe t’i ulë me këmbë në tokë. Të shpresojmë se brenda shkurtit do të gjendet zgjidhja.
- Dy fjalë për koalicionin aktual qeverisës të vendit PD-LSI. A është i natyrshëm ky koalicion dhe a i besoni Berishës se ky koalicion do të vazhdojë edhe pas vitit 2024?
- Duke mos qenë në Kuvend, e kam të vështirë të flas më konkretisht për cilësinë e qeverisjes dhe defektet e këtij koalicioni. Por, si çdo qytetar, edhe unë vërej me shqetësim se kabineti që qeveris vendin është i paaftë dhe nuk po arrin të realizojë objektivat dhe detyrimet që ka marrë përsipër për stabilitet, punësim, rritje të mirëqenies dhe përshpejtim të proceseve integruese. Është krijuar përshtypja se vendi qeveriset nga televizori, ndërsa problemet me të cilat ballafaqohen sot qytetarët janë të shumta dhe pa gjasa të zgjidhen. Bujqësia e paralizuar, papunësia në rritje, jeta e qytetarëve e rrezikuar, arsimi në krizë, shëndetësia dhe pensionet në prag të kolapsit….Varet nga opozita, sa e aftë do të jetë ajo t’ia shkurtojë ditët qeverisë, duke bindur qytetarët për një alternativë dhe qasje krejt tjetër. E kemi filluar keq, por ende në kohë për të reaguar.
- Ju faleminderit!
Som1
Sali Berisha dhe Edi Rama po i ngjajnë gjithnjë e më shumë njeri-tjetrit. Janë si dy cjepër, thotë Dritëroi, të cilët nuk i hapin rrugë njëri-tjetrit dhe mund të rrëzohen që të dy. Kështu që vetëm ndërhyrja e të huajve mund t’i ftillojë dhe t’i ulë me këmbë në tokë
Som 2
Lidershipi i fortë që Edi Rama kërkon të imponojë po e çon Partinë Socialiste nga njëra humbje në tjetrën, ndërsa bazës së partisë po i serviren me djallëzi teza anti-demokratike, anti-europiane dhe ksenofobe
Som3
Unë nuk do ta imagjinoja dot nëse PS-ja do të vazhdonte me kokëfortësi të mbyllte veshët dhe sytë ndaj zërave të arsyeshëm që vijnë nga Uashingtoni dhe Brukseli, për t’i dhënë fund menjëherë bojkotimit
-
533 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version



del.icio.us
Digg
Publikoni komentin tuaj