header
  • Hyrje
  • Drejtor: Engjëll MUSAI
  • info@gazetatelegraf.com
  • Editorial
  • Politike
  • Dosier
  • Opinione
  • Intervista
  • Ekonomi
  • Analize
  • Suplementi
    • Pena Shqiptare
    • Mjeksore
    • Emigracioni Shqiptare
    • Tendence
  • Forumi
| Kerkim i avancuar
Hyrje | Analize | Speciale

Speciale

Gazeta Telegraf
Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Intervistë me Luljeta Minxhozin, dekane e Universitetit Europian të Tiranës

 

“Rritja ekonomike në Shqipëri nuk është e qëndrueshme”

 

Problemi më i madh që ka hasur modeli i rritjes në Shqipëri gjatë viteve të tranzicionit është pamundësia që sistemi ekonomik të mund të siguronte një rritje të qëndrueshme. Vulnerabiliteti i ekonomisë shqiptare ndaj goditjeve strukturore dhe politike, bëri që procesi i rritjes ekonomike në Shqipëri të mos karakterizohej nga një qëndrueshmëri, si në ritëm edhe në burimet e rritjes. Formimi i kapitalit njerëzor dhe përmirësimi i sjelljes së institucioneve duhet të konsiderohen si burimet vendimtare në sigurimin e qëndrueshmërisë së rritjes ekonomike. Ky është opinioni që vjen në një intervistë dhënë për “Telegraf”, i Luljeta Minxhozit,  Dekane e Universitetit Evropian të Tiranës.

 

 

Nëse i referohemi zhvillimeve ekonomike gjatë 18 vjetëve trazicion, cili është komenti juaj në lidhje me modelin ekonomik që po ndjek Shqipëria?

 

 

Nëse do të bëjmë një paraqitje të përgjithshme të modelit të rritjes ekonomike në Shqipëri gjatë fazës së tranzicionit, do të vërejmë se në fazat e para të tranzicionit 1990–1992 u vërejt një rënie e dukshme e prodhimit kombëtar, që në terma kumulativë arriti në një reduktim prej 50 përqindësh. Ky tipar shoqëroi të gjitha vendet e Europës Lindore dhe Qendrore, megjithëse jo të gjitha në të njëjtën masë. Në fazën e mëpasshme (duke filluar nga viti 1993) ekonomia shqiptare u karakterizua nga një ritëm i lartë rritje ekonomike, e cila, sipas të dhënave zyrtare, në periudhën 1993-1995 arriti në terma kumulativë një rritje prej 31.8 përqindësh. Shqipëria arriti të zbatojë një program të stabilizimit makroekonomik, të liberalizojë çmimet dhe të privatizojë tokën bujqësore. Në vitin 1997, rënia e skemave piramidale dhe anarkia politike e sociale që karakterizoi këtë fazë, u shoqërua me një rënie të prodhimit real prej 7 përqindësh. Fatmirësisht kjo fazë kaosi social dhe rënie ekonomike nuk zgjati. Shpejt Shqipëria arriti të siguronte përsëri një ritëm pozitiv rritjeje në vitin 1998. Problemi më i madh që ka hasur modeli i rritjes në Shqipëri gjatë viteve të tranzicionit është pamundësia që sistemi ekonomik të mund të siguronte një rritje të qëndrueshme. Vulnerabiliteti i ekonomisë shqiptare ndaj goditjeve strukturore dhe politike, bëri që procesi i rritjes ekonomike në Shqipëri të mos karakterizohej nga një qëndrueshmëri, si në ritëm edhe në burimet e rritjes.

 

         

 

Një nga shkaqet themelore të paqëndrueshmërisë së rritjes ekonomike është pamundësia e ekonomisë për të siguruar burime të qëndrueshme të rritjes: si në stokun e kapitalit, ashtu edhe në faktorin punë.

 Këtë përfundim e mbështesin edhe të dhënat mbi një rritje shumë modeste të burimeve kryesore të rritjes, si rritja e kontributit të stokut të kapitalit dhe e kontributit të punës. Kontributi i kapitalit është rritur nga një shifër e papërfillshme prej 0.10 përqindësh në periudhën 1993-1996, në 0.78 për qind gjatë viteve 1998-2001 dhe 1.62 për qind gjatë viteve 2002-2003. Po kështu mjaft i kufizuar ka qenë edhe kontributi i faktorit punë në sigurimin e rritjes në Shqipëri. Nga një ritëm negativ prej -0.51 përqindësh në vitet 1993-1996, kontributi i këtij faktori filloi të aktivizohej në masën 0.56 për qind në 1998-2001 dhe për t’u rritur në 1.07 për qind në 2002-2003.

 

Nëse i referohemi analizës së kontributeve të sektorëve të veçantë që mbështesin rritjen ekonomike cili është komenti juaj ?

 

Edhe po të analizojmë kontributin e sektorëve të veçantë që mbështesin rritjen ekonomike, mund të vëmë re se ekonomia shqiptare nuk ka mundur të sigurojë një ritëm të lartë të rritjes ekonomike në sektorët bazë prodhues që të mund të gjeneronte “një shkëputje” të ekonomisë nga faza e paqëndrueshmërisë ekonomike. Edhe në periudhën 2006-2007, për të cilën ritmi i rritjes së produktit kombëtar duket pozitiv, në një analizë sektoriale (Grafiku 2) të komponentëve të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) duket se kontribuuesit kryesorë janë industritë e shërbimeve dhe të tregtisë me shumicë. Sektori i ndërtimeve, që ishte konsideruar për disa vjet si një nga sektorët bazë prodhues, ka filluar të ketë shenja të dukshme të tkurrjes së aktivitetit të tij.

 

 

 

Cili është kompetenti më i rëndësishëm që ndikon në  rritjen ekonomike në Shqipëri ?

Duket se rezultatet e mësipërme konfirmojnë edhe përfundimet e disa studimeve për burimet e rritjes në Shqipëri, se komponenti më i rëndësishëm i rritjes ekonomike në vendin tonë është ritmi i lartë i rritjes së TFP-së. Ritmet e larta që kanë karakterizuar rritjen ekonomike në Shqipëri në 18 vitet e tranzicionit kanë qenë rezultat i reformave të rëndësishme strukturore, të cilat kanë siguruar rialokimin e burimeve dhe ndryshime pozitive strukturore.

Rasti i Shqipërisë konfirmon përpunimet e modelit neoklasik të rritjes ekonomike, sipas të cilave, formimi i kapitalit njerëzor dhe përmirësimi i sjelljes së institucioneve duhet të konsiderohen si burimet vendimtare në sigurimin e qëndrueshmërisë së rritjes ekonomike nëpërmjet ritmit të lartë të rritjes së TFP-së. Që procesi i tranzicionit të bëhet më i lehtë dhe më pak i kushtueshëm duhet të forcohen institucionet dhe të rritet kontributi i tyre në TFP.

Vendosja e kapitalit njerëzor si element të TFP-së (produktivitetit total të faktorëve), mund të fuqizojë rolin e inputit punë si burim i rritjes ekonomike, sepse kapitali njerëzor i krijuar si rezultat i arsimimit rrit efiçencën e punës dhe lehtëson hyrjen e teknologjive të reja.

Në rastin e Shqipërisë, roli i kapitalit njerëzor,  nuk mund të konsiderohet si element i TFP-së dhe efektivisht si një burim i rritjes së prodhimit kombëtar. Treguesit që karakterizojnë performancën e arsimit në Shqipëri, si faktori kryesor që krijon kapitalin human, janë ende shumë të ulët. Numri i nxënësve shqiptarë të regjistruar në shkollat e mesme është vetëm 59 për qind e totalit të popullsisë në moshë shkolle, ndërsa regjistrimet në universitet janë 25 për qind. Këto janë shifra shumë më të ulëta, edhe po të krahasohemi me vendet fqinje të rajonit tonë.  Kontributi i kufizuar i kapitalit human në Shqipëri duket edhe nga pjesa e shpenzimeve publike që destinohet për krijimin e tij. Nga viti 1991 në vitin 1999, shpenzimet për arsimin ndaj totalit të produktit kombëtar ranë nga 4,2 për qind në 2,9 për qind. Megjithëse, në dhjetë vitet në vazhdim, pjesa e shpenzimeve për arsimin nga fondet publike ka qëndruar rreth shifrës 3,2 për qind, këto shpenzime janë të shpërndara keq dhe nuk arrijnë të krijojnë një sistem nxitës për të rritur cilësisht formimin arsimor të faktorit punë. Kështu që mbetet të pranojmë se, burimi i vetëm i sigurimit të një ritmi pozitiv të rritjes ekonomike në Shqipëri ka qenë përmirësimi i TPF-së nga rialokimi i burimeve, me anë të reformave të thella ekonomike dhe krijimit të institucioneve të përshtatshme për t’i mbështetur ato.

 

 

 

 

Shto tek: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg

Subscribe to comments feed Komente (0 publikuar):

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

  • Plain text 147 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Tags
Ska tags per kete artikull
Vlereso kete artikull
0
Lajme te ngjashme
  • “Shqipëria duhet të kalojë nga ekonomia informale në atë të produktivitetit”
  • “Qeveria në panik nga kriza ekonomike, pret shpëtim nga paratë e pista!”
  • Qeveria të negociojë një marrëveshje të re me FMN-në
  • “Rritja jonë ekonomike nuk ka qenë cilësore, apo në gjendje që të gjenerojë zhvillim ekonomik”
  • “Kriza e Greqisë ka një impakt jo të vogël mbi emigrantët tanë”
Hyrje | E-Mail | Te preferuarat | Rss / Atom | Vetem tekst | Arkiva | CPanel|
Powered by: Data Solution LTD