Divorci i parë në fshatin Ruzhdie
Vajza është anëtare e PS-së, ndërsa djali i PD-së. Çifti është ndarë për shkaqe politike
Ajo është me PS-në, ai me PD-në. Një fejesë e celebruar që prej 1 viti, rrezikohet të marrë fund përgjithmonë. Kësisoj një traumë dashurie do të marrë shkas nga zhvillimet e fundit të politikës ndërpartiake, ku hapja apo moshapja e kutive është mundësia e fundit për të shpëtuar vijimësinë e një lidhjeje martesore. Ky çift simpatik, këtej e tutje në vend të puthjeve poshtë lisave të fshatit, do të përballet me një realitet tjetër, ku pjesëtarët e të dy familjeve do të thyejnë degët e lisave dhe do t’i turren njëri-tjetrit në shenjë hakmarrjeje. Këtë radhë arsyet nuk kanë të bëjnë me problemet personale dhe as për çështje të mospërputhjes së karakterit. Madje, as me armiqësi të mbartura midis grupeve fisnore. Por situata është disi më e komplikuar dhe më e vështirë për t’u zgjidhur nga gjykata. Sepse të dy pjesëtarët e çiftit i kanë familjarët e tyre në grupime të ndryshme partiake, ku familja e vajzës është me PS-në dhe familja e djalit me PD-në. Për këtë arsye sherri politik që ka nisur prej kohësh në lidhje me fshatin Ruzhdie duket se ka rrënuar edhe fatin e një dashurie që sapo kish nisur të thurte plane për të ikur në emigracion, ku sipas traditës së fshatit, do të lindnin shumë fëmijë. Por vonesa e marrjes së vizave e gjeti çiftin më 30 qershor brenda gardhit të fshatit dhe më vonë kutitë e votimit u kthyen në hekura burgjesh për izolimin e tyre nga njëri-tjetri. Vajza quhet Irsida dhe djali quhet Ilia. Të gjithë fshatarët luten dita ditës që problemi i kutive të votimit të mbyllet me sukses, në mënyrë që martesa e tyre të kurorëzohet dhe të rezistojë derisa të liberalizohen vizat, që ata të shkojnë në emigracion. Por situatat politike që po zhvillohen nuk u japin atyre asnjë shpresë. Fati duket se është kundër tyre.
Gjykata
Gjykata nuk ka vendosur për prishjen e celebrimit dhe miratimin e divorcit, sepse ende mbetet një rrugë e fundit nëpërmjet bindjes së familjarëve të të dy palëve. Por babai i vajzës nuk ka asnjë besim te mundësia e gjykatës duke thënë se “ishin pikërisht gjykatat, ato që vendosën mos hapjen e kutive”. Sipas tij, familja e djalit ka faj për parregullsitë e votimit në fshatin Ruzhdie. “Ai ka dorë, në hartimin e procesverbaleve”, është shprehur babai i vajzës. Por nga ana e vet, familja e djalit akuzon krushkun për bojkotimin e njërës prej kutive të votimit në këtë fshat. “Nuk pranojmë lidhje martesore me kushte politike”, janë shprehur këta të fundit. Sipas kësaj ngatërrese ka vetëm dy rrugë, që çifti të gëzojë krevatin dhe jetën bashkëshortore, përgjithmonë. Këto kushte janë: Ose të hapen kutitë e Ruzhdies me vendim gjykate, ose opozita të rikthehet në Kuvend! Por gjithsesi lajmet politike të gazetave që vijnë çdo ditë nga Tirana tregojnë se horoskopi i kësaj fejese nuk ka asnjë shans të mirë për të rezistuar deri në liberalizimin e vizave.
-
277 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version



del.icio.us
Digg
Publikoni komentin tuaj