Intervistë me Sherefedin Shehun, ish-zëvendësministër i Financave, deputet i PD-së
Shqiptarët duhet ta dinë se buxhetimi sot nuk është një gjë e lehtë siç mund të jetë në periudha normale. Bota dhe Europa po kalojnë kohë të vështira dhe komplekse. Dhe hartimi i buxhetit në këtë kohë është i vështirë dhe kompleks. Ai duhet të garantojë stimul ekonomik të mjaftueshëm për punësimin sot, por të krijojë mundësinë e kursimeve në periudhë afatgjatë, të cilat janë të nevojshme për një stabilitet fiskal të përhershëm.
Treguesit e propozuar i kanë konsideruar të gjitha këto sfida. Ato garantojnë karakteristikat e një buxheti të praktikave më të mira fiskale. Ndonëse investimet kanë ulje të pakonsiderueshme, norma e tyre ndaj PBB mbetet e lartë. Brenda investimeve peshën më të madhe vazhdojnë ta kenë investimet në infrastrukturë. Kështu, investimet që nxisin punësimin dhe produktivitetin e ekonomisë nuk preken. Në këtë buxhet do të vazhdojë me ritme të shpejta ndërtimi i rrugëve dhe autostradave si dhe i infrastrukturës tjetër fizike që përbën bazën për një zhvillim të qëndrueshëm. Rruga e Arbrit dhe Boshti i Jugut tashmë janë dy veprat e mëdha krahas rrugëve Fier-Vlorë, Levan-Tepelenë dhe qindra projekteve të rrugëve rurale të cilat janë të garantuara me financime të buta nga të gjithë donatorët. Ky është opinioni për buxhetin afatmesëm në një intervistë dhënë për “Telegraf”, i z.Sherefedin Shehu, ish-zëvendësministër i Financave, deputet i PD-së
Qeveria ka marrë masat për reduktimin e borxhit, cili është komenti juaj në lidhje me strategjinë apo rrugën që po përdor?
Objektivi për uljen e deficitit buxhetor dhe të borxhit publik për vitin 2011 dhe në dy vitet e ardhshme është shumë ambicioz. Ai është rrjedhojë e zhvillimeve ekonomike dhe fiskale shqiptare dhe botërore dhe synon rikthimin në një zhvillim me ritme të larta në vitet që vijojnë. Në vitin 2008, kur kriza ekonomike dhe financiare botërore ishte në kulmin e saj, financat publike shqiptare ishin në gjendjen e tyre më të mirë të këtyre 20 viteve. Gjendja e mirë e tyre vazhdoi edhe në vitin 2009, por efektet e krizës botërore bënë që rritja ekonomike të ulej në muajt e fundit të tij. Megjithatë, në vitin 2009, Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë, së bashku me Poloninë, që pati një rritje ekonomike prej 3.3 përqindësh të konfirmuar jo vetëm nga INSTAT-i, por edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe institucione të tjera ndërkombëtare të paanshme.
Ndryshe nga të gjitha vendet e botës, efektet e krizës në Shqipëri u ndien më vonë dhe politika e uljes së deficitit buxhetor dhe borxhit publik është masa më e mirë antikrizë dhe garancia për stabilitet makroekonomik dhe fiskal. Niveli i deficitit buxhetor të propozuar në buxhetin 2011 hedh baza për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Ulja e ndjeshme e huamarrjes e miratuar për vitin 2010 do të vazhdojë me ulje prej 0.4 përqindësh të PBB-së ose më shumë se 2 miliardë lekë në vitin 2011. Për interesat e saj afatshkurtra, qeveria mund ta mbante deficitin të lartë siç po bëjnë të gjitha vendet e botës, por me këtë politikë garantohet stabiliteti makroekonomik dhe fiskal pa krijuar presione për rritjen e taksave në vitet e ardhshme.
Masat e qeverisë për uljen e huamarrjes çfarë do të sjellin ?
Ulja e deficitit buxhetor dhe e huamarrjes së vitit 2011 garanton uljen e vazhdueshme të gjendjes së borxhit. Kështu i jepet përgjigjja më e mirë debateve demagogjike të opozitës rreth gjendjes së borxhit publik. Politika e kujdesshme për borxhin publik ka qenë prezente gjatë gjithë qeverisjes pas vitit 2005 dhe si rezultat, gjendja e borxhit publik nga 63 për qind të PBB që ishte para vitit 2005 zbriti në 53 për qind në 2008-n. Ndërsa rritja në 59 për qind në vitin 2009 nuk erdhi nga deficiti buxhetor, por nga kriza botërore. Po të zbriten efektet e kursit të këmbimit dhe të borxhit të rinegociuar me ish-vendet komuniste, borxhi ndaj PBB në vitin 2009 zbret në 55%.
Megjithatë ka një diskutim të vazhdueshëm mbi masën e borxhit publik dhe domosdoshmërinë e tij sidomos për vendet në zhvillim. Madhësia e borxhit publik shqiptar dhe sidomos struktura e tij tregojnë se ai nuk është në kufij kritikë. Përveç politikës së uljes së borxhit, janë ulur edhe rreziqet si rezultat i përmirësimit të ndjeshëm të menaxhimit të tij. Borxhi i brendshëm zë rreth 60% të totalit dhe është rritur maturiteti i tij nga 215 ditë në 2005 në 415 ditë. Vetëm 6 për qind e borxhit të jashtëm është me kushte tregu dhe 94 për qind me afat kthimi 12-40 vjet dhe interesa nga 0.75-4 për qind. Nga ana tjetër Shqipëria ka nevoja të mëdha për infrastrukturën rrugore dhe një sërë projektesh të tjera infrastrukturore dhe sociale. Në këto kushte, politika më e mirë do të ishte rritja e moderuar e nivelit të deficitit dhe borxhit publik e shoqëruar me rritjen me ritme më të larta të investimeve publike. Kjo politikë mund të realizohej me një deficit buxhetor të paktën 3 për qind në 3-5 vitet e ardhshme dhe më tej të fillojë cikli i uljes së tij.
Duke parë të ardhurat, ato nuk i qëndrojnë planit të planifikuar nga Financat, por më të ulëta. Cili është komenti juaj?
Peshën specifike të të ardhurave duhet ta shikojmë të lidhur me nivelin e trashëguar të këtij treguesi dhe nivelet e parashikuara për treguesit e tjerë makroekonomikë dhe fiskalë. Niveli prej 28 përqindësh i referuar në pyetje mund të jetë objektiv i viteve të mëparshme, mbasi parashikimi i Financave është ai i propozuar në kuadrin afatmesëm 2011-2013. Siç shihet niveli i të ardhurave gjithsej parashikohet në 27 për qind të PBB. Por ky tregues ka qenë 23.9 për qind në vitin 2005 dhe në vitin 2009 dhe 2010 kemi pasur realizim më të ulët krahasuar me objektivat e miratuara në buxhet. Efektet e krizës natyrshëm do të ndikonin në këtë tregues, por po të analizojmë të ardhurat sipas llojeve, nga viti 2010 në 2011-n vihet re një rritje e ndjeshme e të ardhurave nga tatimet dhe doganat. Pasha specifike e këtyre të ardhurave kundrejt PBB në vitin 2010 është më e lartë se në vitet 2008, 2009 dhe 2010 përkatësisht 0.7 për qind, 1.7 për qind dhe 0.6 për qind. Ky tregues është rezultat i rritjes së të ardhurave dhe i PBB. Prandaj objektivi i propozuar për të mund të gjykohet nga rritja e tyre. Po të shikojmë të ardhurat, ato rriten në vitin 2011 kundrejt vitit 2010, mbi 9 për qind, ndërsa ato tatimore mbi 11 për qind. Në kushtet e rritjes ekonomike prej 5 përqindësh, kjo rritje konsiderohet e lartë dhe nuk bazohet vetëm në rritjen e ekonomisë, por edhe në uljen e evazionit fiskal.
Qeveri ka ulur ndjeshëm shpenzimet për investime sa do të preket sektori i ndërtimit nga kjo masë ?
Ulja e shpenzimeve është rezultat i politikave të diskutuara më sipër. Është e natyrshme që kur zbatohet politika e uljes së deficitit buxhetor dhe borxhit publik, atëherë kjo ulje duhet të kompensohet me rritjen e të ardhurave dhe uljen e shpenzimeve buxhetore. Në këto kushte, shpenzimet publike kundrejt PBB bien aq sa është efekti i ndryshimit të të ardhurave dhe uljes së deficitit kundrejt PBB.
Në vitin 2011 shpenzimet publike propozohen të rriten me 23.5 miliardë lekë. Meqenëse rritja e shpenzimeve është më e vogël se e të ardhurave, atëherë rritja e llojeve të ndryshme të shpenzimeve nuk është e njëllojtë. Kjo tendencë bën që investimet të mbeten pothuajse në nivelin e vitit 2010, por pas vitit 2011, rikthehemi në rritjen me ritme të larta të tyre. Vëllimi i investimeve dhe roli i tyre në ekonomi vlerësohet më mirë me peshën e tyre në PBB. Gjatë pesë viteve të shkuara niveli i tyre ka arritur deri në 10 për qind. Por në këtë rritje kanë ndikuar edhe të ardhurat nga privatizimet, të cilat janë burime jo të përvitshme. Për rrjedhojë, rënia e peshës specifike të investimeve nuk është e papritur. Megjithatë duhet vlerësuar fakti që ajo mbetet rreth 5 për qind e PBB. Ky nivel është ndër më të lartit krahasuar me ekonomi të ngjashme me Shqipërinë dhe shumë i lartë krahasuar me atë të vendeve të zhvilluara. Shpërndarja e kufirit të shpenzimeve publike ka synuar që edhe në kushtet e një rritjeje relativisht më të vogël të shpenzimeve publike, të mbështesë punësimin sot, duke investuar në infrastrukturën që do të nxisë zhvillimin e shpejtë ekonomik dhe social nesër. Në kohën kur bota po kalon periudhën më të keqe ekonomike, ky buxhet mundëson ruajtjen e vendeve të punës dhe hedh themele të sigurta për rritjen e lartë ekonomike në vitet që vijnë.
Edhe qytetarët duhet të jenë të ndërgjegjshëm që menaxhimi i mirë sot në kushtet e rënies ekonomike globale krijon vështirësi, por hap edhe mundësi të reja për të ardhmen. Edhe buxheti 2011, është një sfidë e momentit, por që mundëson një rritje më produktive dhe me ritme më të larta në të ardhmen. Të gjithë e dimë se për këtë duhet koha e nevojshme, por edhe disiplinë fiskale. Prandaj ky buxhet mund të konsiderohet si një investim sot për të hedhur bazat e rritjes dhe prosperitetit afatgjatë.
Në buxhetin e propozuar, investimet publike janë 2.3 herë më të larta se në vitin 2005, ndërsa huamarrja është më e vogël. Megjithatë, niveli i huamarrjes mund të ishte më i lartë dhe për rrjedhojë edhe investimet publike. Realizimi i treguar në propozimet e bëra dëshmon për përgjegjshmëri të lartë të qeverisjes dhe përgatit kushtet për rritje të qëndrueshme dhe stabilitet makroekonomik dhe fiskal në vitet e ardhshme. Përmirësimet e filluara në ekonomitë e vendeve të zhvilluara janë një garanci tjetër për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe fiskal në vitet që vijnë.
-
1926 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Dashuri engjëjsh
- Nis sondazhi në "Telegraf" për personazhin e vitit 2011
- Flet astrologia Meri Shehu
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj