Hyrje | Ekonomi | “Nga amnistia fiskale duhet të presim vetëm përftime modeste.”

“Nga amnistia fiskale duhet të presim vetëm përftime modeste.”

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font

 

Do të ishte e papranueshme që politikanë e ish-politikanë, ish-zyrtarë të lartë apo persona me të kaluar të dyshimtë, të pasuruar në forma të dyshimtë dhe duke shfrytëzuar pozitat dhe privilegjet e pushtetit, të merrnin një certifikatë pastërtie publike. Ky është opinioni i bërë publik   në një intervistë për “Telegraf”, ish- Këshilltarit të Kryeministrit Berisha si dhe deputeti i PD-së Selami Xhepa.

 

Si ju duket nisma e fundit e qeverisë për një amnisti të kapitalit?

 

Debati mbi amnistinë fiskale në vend tashmë nuk është një debat i ri dhe që bëhet për herë të parë. Një temë e tillë është debatuar si në mjediset akademike, politike dhe të biznesit që në vitin 1998. Dhe që prej kësaj kohe, ana e peshores së gjykimit të publikut ka qenë në anën negative, ose të mospranimit të këtij propozimi, qoftë për arsye të eficencës ekonomike modeste që do të rezultonte, por mbi të gjitha për shkak të dimensionit moral të kësaj çështjeje. Në këndvështrimin ekonomik, besoj se nuk bëhet fjalë për përfitime të rëndësishme ekonomike.

 

 

Më konkretisht pse deklaroni se nuk do të ketë ndonjë përfitim të madh ekonomik?

 

Po të flasim me realizëm, paratë që kanë qarkulluar në vend me prejardhje të padeklaruara janë konsumuar periodikisht dhe vazhdimisht në investime në disa sektorë, ku është relativisht e lehtë të fshihet burimi i pasurisë, siç janë veçanërisht ndërtimi, tregtia apo shërbimet në përgjithësi. Përndryshe është e pamundur të shpjegohet ai ritëm i lartë i rritjes ekonomike që ka gëzuar ekonomia shqiptare, nga njëra anë dhe niveli më i ulët i kredisë në ekonomi, nga ana tjetër. Sepse pyetja më e thjeshtë është: nga është financuar një rritje e tillë? Prerja ose minimizimi maksimal i prurjeve të tilla informale shpjegon edhe rritjen e fortë dhe mbresëlënëse të stokut të kredisë në ekonomi në katër vitet e fundit. Është për këto arsye që gjykoj se përfitimet ekonomike nga një proces amnistie do të ishin shumë modeste.

 

A është legalizimi i parave dhe pasurive të krijuara nga veprimtari ilegale, e madje në shumë raste edhe nga aktivitete kriminale, një vlerë dhe normë që shoqëria jonë do të dëshironte ta pranonte?

 

 Sigurisht, që i takon shoqërisë të debatojë, nëse do të ishte e dëshirueshme të pranonte nëse sipërmarrës të krijuar jo nga mendja e tyre krijuese (siç është përcaktimi që ne kemi për këtë grup shoqëror), por nga guximi dhe kuraja për të thyer ligjet dhe për të akumuluar pasuri në një mënyrë të tillë dhe aq më shumë duke kryer trafiqe të çfarëdo lloji, të bëhen njëlloj si sipërmarrës të tjerë, të cilët kanë derdhur djersë, që kanë qenë korrektë me ligjet e shtetit dhe moralin e shoqërisë. Unë bëj pjesë në atë komunitet që nuk e mbështes një proces të tillë. Do të ishte e papranueshme që politikanë e ish-politikanë, ish-zyrtarë të lartë apo persona me të kaluar të dyshimtë, të pasuruar në forma të dyshimtë dhe duke shfrytëzuar pozitat dhe privilegjet e pushtetit, të merrnin një certifikatë pastërtie publike.

 

Sa efikase do të jetë kjo nismë e qeverisë dhe çfarë pritet të sjellë?

 

Por, ka disa kategori informaliteti që duhen parë dhe trajtuar me pozitivitet. Jo rrallë ndodh në praktikën e bizneseve tona që një punonjës shteti, në abuzim me pushtetin që i jep ligji, vendos gjoba të padrejta, ndëshkime krejtësisht të pamotivuara ligjërisht, të cilat me të drejtë apelohen nga të dëmtuarit, çështje që transferohen nga një vit në tjetrin dhe që bëhen një barrë e madhe si pjesë e borxheve të këqija të trashëguara dhe për të cilat drejtësia (!) nuk ka kohë të japë vendimet e duhura. Ngjashmërish janë edhe rastet e kundërta, kur shteti dëmtohet pa të drejtë nga vendime arbitrare të gjykatave apo rekomandime të raporteve të kontrollit të shtetit që janë të pazbatueshme. Raste të tilla duhen parë me preferencë dhe është në të mirë të shoqërisë që këto bilance të pastrohen dhe t'i japin më shumë liri ekonomike sipërmarrjes.

 

 

 

 

Fullani: “Ulëm normën bazë të interesit”

 

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani ka njoftuar sot uljen nga ana e këtij institucioni të normës bazë të interesit. Në një deklaratë për shtyp, Fullani ka deklaruar se vendimi është marrë në bazë të analizave të situatës ekonomike në vend, e cila sipas tij ka qenë pozitive. “Këshilli Mbikëqyrës vendosi të ulë normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindje. Zhvillimet ekonomike dhe monetare në 3 mujorët e parë të vitit kanë qenë në linjë me aktivitetet e BSH. Aktiviteti ekonomik ka shënuar rritje pozitive, balancat e jashtme të ekonomisë janë përmirësuar dhe tregjet financiare kanë pasur një performancë më të mirë”, ka pohuar Fullani. Duke theksuar se ky vendim përbën një test të vërtetë për qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare, Fullani ka pranuar se vendi ka ende probleme. “Ekonomia shqiptare vuan nga një kërkesë e ulët e brendshme dhe nga mungesa e investimeve”, ka shtuar Guvernatori.

 

 

Subscribe to comments feed Komente (0 publikuar):

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

  • Plain text 1469 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Vlereso kete artikull
0