Hetim depozitave të politikanëve jashtë shtetit
Ndërkohë që, si asnjëherë tjetër janë shtuar akuzat e ndërsjella midis kampeve politike në vend për korrupsion dhe abuzime të përmasave të jashtëzakonshme, një nismë interesante është duke u formësuar në qarqet intelektuale dhe të politikës. Po kërkohet hetimi i depozitave të politikanëve. Me propozim të disa intelektualëve dhe organizatave jo qeveritare, mësohet se një grup deputetësh të opozitës dhe maxhorancës po bëhen gati të mbledhin firmat për të paraqitur një propozim në Parlament për të gjetur modalitetet për hetimin e depozitave të një sërë politikanësh të lartë të vendit. Një nga këta deputetë që përkrah nismën thotë se në këtë mjedis akuzash të rënda për korrupsion, ky akt është i domosdoshëm që populli të marrë vesh se kush është i korruptuar dhe kush jo. Nuk mund të digjet i njomi me të thatin dhe nuk mund t’i futësh të gjithë në një thes. Jo të gjithë politikanët janë të pandershëm dhe të korruptuar, sikurse dëgjojmë të flitet. Në qoftë se Parlamenti arrin të gjejë mekanizmin për të ligjëruar një hetim të tillë, unë do ta mbështes me të dyja duart, tha deputeti. Bëhet fjalë për një hetim të paprecedent, pasi kërkohet që hetimi të shtrihet ndërkombëtarisht. Në mjedise të ndryshme, madje edhe në media është folur e flitet se disa kanë depozituar shuma përrallore në banka të mëdha jashtë vendit, në Europë, në Zvicër, në Qipro e deri përtej oqeanit Atlantik… Këto depozita, sipas këtyre burimeve nuk kanë të bëjnë fare me pasuritë e deklaruara të politikanëve, të cilat ndodhen në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Shumat në to janë marramendëse, të cilat ngrenë shumë pikëpyetje mbi rrugët e sigurimit të tyre. Por, fjalët mbeten fjalë, përderisa nuk mund të vërtetohen. Ndonjë ligj për verifikimin e tyre nuk ka. Natyrisht kjo është një ndërmarrje mjaft e vështirë dhe që patjetër do të hasë në vështirësi të paparashikuara. Që kërkohet një hetim i tillë do të thotë se diku fle lepuri. Po ku?
Enigma e valixhes diplomatike
Mjeti më i sigurt me të cilit mendohet se dalin paratë për t’u depozituar në bankat jashtë shtetit është valixhja diplomatike. Me këto valixhe të sofistikuara që nuk kontrollohen nëpër dogana transportohen para, drogë, armë… Kemi dëgjuar në sa e sa raste që nën petkun e imunitetit diplomatik janë kapur trafikantë të ndryshëm. Ndaj dhe një hetim i tillë mendohet se do t’i presë rrugën një abuzimi të madh në emër të shtetit dhe që nëpërkëmb nderin dhe ndershmërinë e qeverive. Të këtij mendimi janë edhe politikanët që u prononcuan dje për gazetën “Telegraf”.
Flasin për “Telegraf”
Ekrem Spahia: “Jam plotësisht dakord me transparencën e çdo politikani”
Zëvendësministri i Mbrojtjes dhe njëherësh Kryetar i Partisë së Legalitetit, Ekrem Spahia, tha dje për gazetën “Telegraf” se, një verifikim dhe transparencë e tillë është e domosdoshme. Nëse ekziston vullneti politik kjo transparencë është plotësisht e mundshme. Ky verifikim, tha Spahia, kalon medoemos nëpërmjet tri hallkave: E para, heqja e imunitetit parlamentar. Maxhoranca dhe Kryeministri e kanë shprehur qartë qëndrimin e tyre për këtë pikë. Politikanët duhet ta kërkojnë vetë heqjen e imunitetit në raste të tilla. E dyta, të ngrihet komision hetimor parlamentar. E treta, Prokuroria të bëjë detyrën e vet, atë që i takon dhe për të cilën është votuar. Hetim që të shtrihet edhe jashtë shtetit në bankat ku mendohet se janë depozituar shumat e përfolura? Jam absolutisht pro këtij hetimi ndërkombëtar dhe të zbardhet e vërteta në sytë e popullit, përfundoi Spahia.
Petro Koçi: “Korrupsioni është sanksionuar me Kushtetutë”
Nuk besoj në një hetim të tillë, tha kryetari i PSV ’91, Petro Koçi. Pse? Sepse korrupsioni në Shqipëri është sanksionuar në Kushtetutë dhe me votat e opozitës. Unë jam për një politikë të duarve të pastra, por gjithë kjo që po ndodh tani me akuza e kundërakuza për shuma marramendëse, sipas meje është një teatër absurd dhe i turpshëm që po luhet midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike në sytë e popullit. Politikanët kanë bërë deklarata pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe në një sërë rastesh duket hapur abuzimi dhe nuk po bëhet asnjë hetim. Tani palët po hahen për përqindjen e fitimeve. Por e gjithë kjo ndodh sepse këtu nuk ka sistem gjyqësor. Prandaj e shoh mjaft të vështirë një hetim të tillë edhe brenda vendit, pale me një shtrirje ndërkombëtare.
Fatos Klosi: “Një hetim i tillë është shumë i vështirë”
Ish-shefi i Shërbimit Informativ, Fatos Klosi, pavarësisht se, e quan normale bërjen e transparencës së pasurisë së politikanëve, e quan gati të pamundur një hetim ndërkombëtar të pasurisë së politikanëve, ndaj dhe shpreh mosbesim. Janë disa hallka që e pengojnë këtë, thotë Klosi, është një proces mjaft i vështirë dhe i ndërlikuar. Janë bërë përpjekje më përpara, madje edhe për çështje me interes kombëtar dhe operacioni ka dështuar. Ndaj edhe këtë nismë e shoh tepër-tepër të vështirë për t’u realizuar, përfundon Klosi.
Xhemal Qefalia: “Do të mbështes fuqimisht çdo nismë për transparencë”
Deputeti socialist Xhemal Qefalia tha dje për “Telegraf” se, ndërmarrja e një nisme të tillë është mjaft idealiste dhe se në Parlament do të jetë gati të mbështesë çdo nismë që do të ndërmerret për të nxjerrë të vërtetën para popullit. Ta dijë populli se si janë politikanët që janë votuar prej tij, si i kanë vënë pasuritë dhe në ç’rrugë i ka vënë. Hetimi le të shtrihet në të gjitha ato vende ku dyshohet dhe mendohet se i kanë depozituar paratë e tyre disa politikanë të lartë. Po unë besoj se të parët që do ta kundërshtojnë një nismë të tillë në Parlament, do të jenë ata që e kanë mizën nën kësulë, domethënë që janë të korruptuar. E rëndësishme është që të hidhet një hap i tillë dhe unë besoj se populli do të na mbështesë dhe do të na përshëndesë në këtë rrugë, përfundoi Qefalia.
Pirro Lutaj: “Brenda kuadrit ligjor të vendit përkrah zbardhjen e së vërtetës”
Deputeti socialist Pirro Lutaj tha dje se, një transparencë e plotë dhe e thellë e pasurive të politikanëve është e domosdoshme dhe se ishte pro iniciativave ligjore që ndihmojnë zbardhjen e së vërtetës në sytë e popullit. Sepse është fakt që populli është i tronditur nga ato që dëgjon dhe është i interesuar të mësojë të vërtetën. Sepse jo të gjithë deputetët janë të korruptuar. Kanë përfituar ata që janë më afër pushtetit dhe që Partia Socialiste ka kaq kohë që po i denoncon në sytë e popullit. Por hetimi duhet të bëhet i mbështetur në rrugë ligjore që të fitojë besueshmëri, -tha Lutaj.
-
2697 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Dashuri engjëjsh
- Nis sondazhi në "Telegraf" për personazhin e vitit 2011
- Flet astrologia Meri Shehu
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj