Gazeta Telegraf: Kreu i Entit të Banesave, Proko Kreu i Entit të Banesave, Proko ================================================================================ Albina BASHA on 26/01/2012 16:41:00 Politika e qeverisë për sistemimin e të pastrehëve. Ja 4836 familjet në familjet në të gjithë vendin që do të përfitojnë Në një intervistë për gazetën “Telegraf”, z. Ilirian Proko, Drejtor i Përgjithshëm i Entit Kombëtar të Banesave ka pohuar se, vetëm gjatë vitit 2010-2011 kanë përfituar strehim 1030 familje në mbarë vendin. Gjithashtu, z. Proka është shprehur se, programi i Entit Kombëtar të Banesave do të vazhdojë misionin e tij për një periudhë afatgjate. Kush është procedura që po punon Enti Kombëtar i Banesave për sistemimin e qytetarëve për strehim në Republikën e Shqipërisë? Enti Kombëtar i Banesave është ndërmarrje shtetërore që merret me zbatimin e politikave të miratuara nga qeveria. Aktualisht, kemi ndërtuar tre objekte, të cilat janë në fazën e hipotekimit të banesave për qytetet Shkodër, Kavajë dhe Korçë, të cilat klasifikohen si programe banesash me kosto të ulët. I kemi përfunduar, kolauduar dhe jemi në fazë hipotekimi. Janë rreth 150 apartamente banimi, që do të ndahen nga organet e pushtetit vendor. Sepse Enti pas të gjithë ndërtimit të banesave që ndërtohen me fonde të shtetit apo me fonde të donatorëve të ndryshëm, apo edhe me fondet tona, në përfundim të gjitha investimeve i drejtohet këshillave bashkiak respektiv, të cilët më pas, me vendimet e tyre ndajnë se kush do të jenë familjet që do të strehohen në këto banesa. Cilat kategori përfshihen në listat emërore të këshillave bashkiakë? Në listat emërore të këshillave bashkiakë futen të gjitha kategoritë që organet vendore të këtyre instancave shikojnë të arsyeshme. Ligji 92-32, i cili klasifikon programet sociale të strehimit për banorët e zonave urbane, ka disa kritere të përcaktuara mirë se kush do të jenë qytetarët që do të klasifikohen në bazë të nevojave që ato kanë. Çdo Këshill Bashkiak ka përpara një listë dhe një akt ligjor, i cili klasifikon nëse duhet të jenë qytetarë-banorë në ish- pronë, të rënë në luftë, jetimët, paraplegjikët, tetraplegjikët, familjet njëprindërore etj.. Ka një sistem se si ata do t’i klasifikojnë, p.sh në qoftë se, klasifikohet për të përfituar strehim një familje, e cila është njëprindërore dhe një familje tjetër që nuk ka këtë status, automatikisht ajo familje është më e privilegjuara për të përfituar strehim. Të gjitha këto përfshihen në sistemin e pikëzimit të miratuara nga këshillat bashkiakë. Si po procedohet aktualisht me kreditë e subvencionuara nga shteti? Cilat kategori përfitojnë nga ky subvencion? Funksioni ynë është që dërgojmë shkresat dhe marrim listat emërore, të cilat lidhin kontratë sipërmarrjeje me EKB-në. Njëkohësisht nga ana jonë po punohet për sistemimin me kredi të zbutura nga shteti të gjitha familjeve që kanë statusin të pastrehë, apo që gjenden në listat emërorë të këshillave bashkiak si kërkues për strehim. Të gjithë familjet që gjenden të listuar pranë bashkive përkatëse si kërkues për strehim, mund të aplikojnë pranë këtyre bashkive për të përfituar kredi të zbutur nga shteti për 30 vjet me 3% interes. Dhe e gjithë shuma e subvencionit që paguhet mbi këtë kredi do ta paguajë Enti Kombëtar i Banesave nëpërmjet Bankës Kombëtare Tregtare. Kredinë e jep kjo bankë, Ministria e Punëve Publike në bashkëpunim me EKB-në ka përcaktuar qytetet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë sesi duhet të jenë të ndara këto bashki, sigurisht janë të privilegjuara bashkitë që kanë numër më të madh të pastrehësh në listat emërore, ku dua të veçoj këtu Tiranën me 1271 familje, që mund të përfitojnë vetëm nga programi i kreditimit të zbutur nga shteti, Bashkia e Shkodrës, Durrësit, Korçës dhe Vlorës. Janë pikërisht këto bashki që kanë edhe numrin më të madh të popullsisë dhe normalisht edhe numri i të pastrehëve është edhe më i madh. Ka një urdhër nga ministri i Punëve Publike që kërkon si është bërë kjo ndarje dhe të gjithë familjet që përfitojnë mund të aplikojnë pranë bashkive përkatëse për ta përfituar këtë kredi të zbutur duke plotësuar dokumentacionin që kërkon ligji për përfitimin e kësaj kredie. Sa është numri i familjeve që kanë përfituar strehim? Programi ka filluar që në vitin 2010 , ka vazhduar gjatë vitit 2011 dhe deri më sot janë dërguar nga bashkitë përkatëse rreth 2000 familje me vendim të këshillave bashkiakë, nga të cilat rreth 1000 e pak familje kanë përfituar. Në këtë moment qytetari hiqet nga listat emërore të pastrehëve, pasi ka përfituar dhe e ka blerë këtë shtëpi në treg, shteti subvencionon shumën e kredisë së kërkuar për çdo qytet. Kjo shumë ndryshon në varësi të qyteteve, jo tek të gjithë qytetet është e njëjtë Tregu i banesave në qytetin e Tiranës është tregu më i lartë i shit- blerjes së banesave. Sigurisht, që ka një hartë të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave që miraton hartën e shit-blerjeve në të gjithë territorin e vendit. Bazuar në ligj dhe bazuar në normat e strehimit, qytetarët përfitojnë strehim sipas strukturës familjare që ato kanë, sipas certifikatës që paraqesin dhe sipas urdhrave të strehimit. Në qoftë se është familje me dy veta do të marri garsoniere, n.q.s është me më shumë pjesëtarë do marrë një apartament më të zgjeruar. Deri më sot kanë përfituar rreth 1030 familje në mbarë vendin kredi me 3 %, ku në të gjithë vendin janë dërguar rreth 2000 familje. Të gjithë familjarët që gëzojnë statusin të pastrehë, në ish -pronën private, shteti për këtë kategori qytetarësh u dha të drejtën e kredisë me pronarin aktual të banesës dhe gjatë viteve në vazhdim ka munduar t’i sistemojë nëpërmjet programeve të strehimit në çdo territor, ku ata ndodhen. Janë evidentuar nga EKB-ja sa është numri këtyre familjeve, më pas janë lajmëruar nga ne nëpërmjet shkresave zyrtare dhe mediave gjithashtu. Këto paraqiten tek ne, të cilët më pas kemi atributin t’i dërgojmë pranë Bankës Kombëtare Tregtare për të tërhequr kredinë e parashikuar nga udhëzimi. Deri më sot kemi dërguar rreth 910 familje nga të cilët rreth 260 familje, kanë përfituar dhe e kanë bërë efektive tërheqjen e kredisë. Njëkohësisht, rreth 260 banesa që i takonin pronarëve të ligjshëm janë lënë të lira nga këto familje që jetonin në këto banesa. Ndaj edhe shteti këtë kategori qytetarësh e ka klasifikuar me 0 %. Pra, ai paguan vetëm atë çka merr, për shembull n.q.s merr një apartament 50 milionë lekë, po atë shumë do të paguajë për 30 vjet. Kemi edhe procedurën e fundit me kredi të zbutur nga shteti me 4 %, interes që është për 25 vjet, ku futen familjet e policave të vrarë, të të rënëve në detyrë etj.. Këto janë subvencione që paguan Buxheti i Shtetit nëpërmjet EKB-së dhe BKT-së, si banka e përzgjedhur nga qeveria për dhënien e kësaj kredie, për këto kategori sociale. Programi është i vazhdueshëm dhe i pakufizuar në kohë. Tabelen do ta gjeni te plote ne gazeten "Telegraf"