Gazeta Telegraf: Zgjedhjet për rektor në Universitetin e Durrësit Zgjedhjet për rektor në Universitetin e Durrësit ================================================================================ Klodi HAXHIAJ on 27/01/2012 16:21:00 Rektori në detyrë Mit’hat Mema, kandidat për një mandat të dytë Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës është përfshirë nga ethet e zgjedhjeve për rektorin dhe organet drejtuese, ndërsa në garën e hapur duket se dy do të jenë kandidatët për postin e rektorit. Ndonëse kandidatët nuk janë bërë ende publikë këto janë dy emrat që qarkullojnë më së shumti në ambientet e Universitetit të Durrësit “Aleksandër Moisiu” teksa të gjithë pedagogët tregohen të rezervuar në publikimin e emrave. Fushata duket se ka nisur, rektori në detyrë, i cili kërkon edhe një mandat të dytë, si dhe zëvendësi i tij, Dekani i Fakultetit të Biznesit, Bardhyl Çeku. Burime brenda stafit për gazetën “Telegraf” kanë pohuar se, kandidati i parë është edhe rektori aktual Mit’hat Mema, ndërsa zëra të tjerë pohojnë se, në garë është edhe Dekani i Fakultetit të Menaxhim Biznesit Profesor Bardhyl Çeku, i cili është një prej profesorëve që gëzon reputacion dhe emër të mirë midis stafit dhe studentëve. Rektori ne detyrë Mit’hat Mema, që më parë e ka shprehur ambicien e tij për të rikandiduar në këtë detyrë, ndërsa pedagogë të tjerë i kanë propozuar edhe dekanit Çeku të rikandidojë për të udhëhequr në vitet e ardhshme universitetin më të ri publik, “Aleksandër Moisiu”. Universiteti "Aleksandër Moisiu" në Durrës ka publikuar urdhrin e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës "Për fillimin e procesit zgjedhor dhe datën e zhvillimit të zgjedhjeve për autoritetet dhe organet drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë, zgjedhje që pritet të zhvillohen në 10- ditshin e dytë të muajit shkurt. Nga burime zyrtare të universitetit mësohet se është mbledhur senati i Universitetit i cili miratoi rregulloren e zgjedhjeve, ndërsa javën e ardhshme pritet për komisionet e përgjithshme zgjedhore dhe të apelimit. Vetëm pas konstituimit të këtyre komisioneve, kandidatët do të dorëzojnë kandidaturat e tyre për postin e rektorit, të dekanëve dhe shefave të departamenteve. Ata që do të votojnë për Rektorin e një institucioni publik janë personeli akademik dhe jo akademik i punësuar me kohë të plotë, dhe studentët që ndjekin studimet me kohë të plotë. Për herë të parë Universiteti hapi dyert për studentët në vitin akademik 2006-2007, ku në bankat e tij filluan studimet universitare rreth një mijë studentë nga i gjithë vendi. Sot në vitin e pestë të jetës, universiteti “Aleksandër Moisiu”, ka rreth 7000 studentë. Largimi i paligjshëm i zv/rektorit Puka Largimi i paligjshëm i zv/rektorit Puka në fund të muajit dhjetor, u pa nga i gjithë stafi akademik, si një akt i qëllimshëm, për ta larguar atë nga gara për organet drejtuese të Universitetit. Madje një numër i madh pedagogësh e kanë denoncuar aktin e bërë nga Senati Akademik, ndërsa në 4 janar Rektori i Universitetit të Durrësit, Mit’hat Mema i ka dërguar Zv/Rektorit Puka një njoftim, ku këtij të fundit i kërkohet që të ndërpresë çdo marrëdhënie pune me këtë institucion. Madje, tashmë me ndryshimin e ligjit për arsimin e lartë, drejtuesve aktualë në postet e rektorëve dhe dekanëve u jepet mundësia që të rizgjidhen për një mandat të dytë në postet ku kanë qenë. Por, zgjidhjen e kësaj çështjeje pritet ta japë së shpejti Ministria e Arsimit, e cila kohët e fundit ka marrë edhe një ankesë nga zv/rektori Puka, por që ende nuk ka marrë një përgjigje.