Gazeta Telegraf: Durrësi si Kolumbia Durrësi si Kolumbia ================================================================================ Klodi HAXHIAJ on 26/01/2012 16:55:00 Vetëm në dy muaj janë kapur 1.5 tonë drogë. Mjetet lëvizin lirshëm, strukturat e rendit flenë gjumë Porti i Durrësit është kthyer në shënjestrën e trafikantëve të drogës, të cilët nëse deri pak kohë më parë qarkullonin sasi të vogla narkotikësh, tashmë mësyjnë me sasi që shkojë në qindra kilogram. Plot 620 kg kanabis- sativa janë sekuestruar nga Policia e Kufirit në një operacion ku në pranga ka rënë vetëm korrieri i sasisë e cila në tregun shqiptar ka një vlerë rreth 1.5 milionë Euro. Vetëm gjatë këtij muaji janë sekuestruar mbi 820 kg drogë e llojit kanabis- sativa dhe 10 kg heroinë, ndërsa në harkun kohor të dy muajve janë sekuestruar mbi 1, 5 ton drogë në këtë pikë kufitare në 4 raste të marra së bashku. Por ajo që vihet re është fakti se në të katër rastet janë arrestuar vetëm transportuesit e saj, dhe nuk ka asnjë të dhënë mbi këtë trafik droge i cili mund të ngjajë jo pak me vendet e Amerikës Latine për shkak të sasisë së madhe të kapur. Policia e Durrësit arrestoi në flagrancë Aldoid Gjoni, 33 vjeç, banues në Tiranë i cili ishte edhe transportuesi i lëndës narkotike drejt shtetit fqinj, Italisë. Droga është kapur vetëm nga pika e dytë e kontrollit në terminalin e trageteve e fshehur në një kamion me targë SH 0205 E, i cili do të udhëtonte me një nga tragetet e linjave drejt Barit Itali. Në pjesën fundore te karrocerisë tij, u konstatua një sasi pakosh me përmbajtje lënde e cila ngjasonte me atë të bimës narkotike kanabis- sativa, që nga numërimi rezultoi në 298 të tilla. Nga peshimi rezultoi në total sasia prej rreth 621 kg lëndë narkotike, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu për llogari të hetimit u sekuestrua edhe automjeti, dy telefona celularë dhe shumat prej 3.525 Euro e 300.000 leke. Vijon puna për identifikimin e origjinës dhe destinacionit të lëndës narkotike si dhe personave të përfshirë në trafikimin e saj. Së bashku me substancat narkotike të kapura më datë 9 janar, totali i sasisë së drogës së sekuestruar gjatë fillimvitit 2012 shkon në 823 kg kanabis dhe 10,1 kg heroinë.