Gazeta Telegraf: Kryebashkiaku Vangjush Dako Kryebashkiaku Vangjush Dako ================================================================================ Gazeta Telegraf on 25/01/2012 17:00:00 Zhvillon një takim me Presidentin e Kroacisë, Ivo Josipoviç Në mbyllje të vizitës dyditore në vendin tonë, presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviç ka zhvilluar një vizitë në qytetin e Durrësit. Kryetari i Bashkisë së Durrësit ka pritur në amfiteatrin e Durrësit Presidentin e Republikës së Kroacisë, Ivo Josipoviç, së bashku me Zonjën e Parë dhe delegacionin që e shoqëron. Presidenti kroat ndodhet për një vizitë dy ditore në Shqipëri dhe në ditën e dytë të tij në Shqipëri presidenti Josipoviç ka vizituar qytetin e Durrësit ku është ndalur në amfiteatrin e qytetit. I shoqëruar nga Kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, Presidenti kroat është njohur me historinë e lashtë jo vetëm të amfiteatrit, por të të gjithë qytetit të Durrësit. Kryebashkiaku Dako në bisedat e tij me presidentin kroat i ka bërë një ekspoze të shkurtër të resurseve të Durrësit si një qytet, ku zhvillohen disa lloje turizmi dhe ku turizmi është prioritet i Bashkisë së Durrësit. Po kështu Kryebashkiaku Vangjush Dako e ka uruar Presidentin Josipoviç për referendumin e zhvilluar nga populli kroat, që i dha jetë anëtarësimit të Kroacisë në Bashkimin Evropian. Më tej presidenti kroat deklaroi se përsa i përket anëtarësimit në BE Shqipëria do të hasë në të njëjtat probleme që hasi Republika e Kroacisë, por Shqipëria ka rastin që disa gjëra t’i kalojë më shpejt se Republika e Kroacisë, dhe se Kroacia do të jetë ajo që do t’i japë ndihmë Republikës së Shqipërisë në këtë drejtim. Ai theksoi se populli apo njeriu i thjeshtë duhet t’i ndiejë ndryshimet apo reformat që bëhen, sidomos në fusha të ndryshme. Pas amfiteatrit presidenti ka bërë një shëtitje duke ecur përgjatë bulevardit ''Epidamn'' dhe më pas në shëtitoren “Taulantia”. Ndërkaq kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama është ulur për një drekë me presidentin kroat në një prej restoranteve të njohur të qytetit bregdetar.